Burri dhe gruaja u bënë për njëri-tjetrin
Burri dhe gruaja u bënë për njëri-tjetrin
BURRI dhe gruaja gjithnjë kanë dëshiruar shumë që të jenë bashkë. Këtë dëshirë ua ka vënë në zemër Perëndia. Jehovai e pa se nuk ishte mirë që njeriu i parë, Adami, të rrinte vetëm. Prandaj Perëndia i bëri «një ndihmës [burrit], si një plotësim për të».
Jehovai e vuri Adamin në gjumë të thellë dhe i mori një nga brinjët, e «nga brinja . . . bëri një grua dhe ia çoi njeriut». Adami ishte kaq i entuziazmuar kur pa atë krijesë të bukur të Jehovait, sa tha: «Kjo është më në fund kockë e kockave të mia dhe mish i mishit tim.» Me cilësitë e saj femërore gruaja e përsosur, Eva, ishte vërtet e admirueshme. Po ashtu dhe Adami i përsosur, me dinjitetin e tij burrëror, meritonte respekt. Ata ishin bërë për njëri-tjetrin. Bibla thotë: «Ja përse burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe ata do të bëhen një mish i vetëm.»—Zanafilla 2:18-24.
Megjithatë, sot shumë familje po ndahen dhe burri e gruaja shpesh sillen keq me njëri-tjetrin ose në marrëdhënien e tyre mbizotëron egoizmi. Fryma e konkurrencës mes gjinive ka çuar në konflikte dhe mosmarrëveshje. E gjithë kjo është në kundërshtim me qëllimin e Perëndisë për burrin dhe gruan. Burri u krijua që të plotësonte një rol të mrekullueshëm në tokë. Gruaja duhej të zinte një vend të pashoq dhe të denjë përkrah burrit. Ata duhej të punonin bashkë në harmoni. Që në fillim të ekzistencës njerëzore, burrat dhe gratë që kanë respektuar Perëndinë, me besnikëri janë përpjekur t’i përmbushin rolet që Jehovai kishte si qëllim për ta, dhe kjo ua ka shtuar lumturinë dhe kënaqësinë. Cilat janë këto role dhe si mund t’i përmbushim edhe ne?
[Figura në faqen 3]
Burri dhe gruaja janë krijuar që të kenë role dinjitoze në strukturën që ka vendosur Perëndia