Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mësojuni të tjerëve se çfarë mëson vërtet Bibla

Mësojuni të tjerëve se çfarë mëson vërtet Bibla

Mësojuni të tjerëve se çfarë mëson vërtet Bibla

‘Bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet dhe mësojini.’​—MATEU 28:19, 20.

1. Çfarë mund të thuhet për përhapjen e Biblës?

FJALA E JEHOVAIT, Bibla e Shenjtë, është ndër librat më të vjetër e më të shpërndarë në botë. Është përkthyer, plotësisht ose pjesërisht, në më shumë se 2.300 gjuhë. Më tepër se 90 për qind e popullsisë së tokës e ka Biblën në gjuhën amtare.

2, 3. (a) Pse ka pështjellim për mësimet e Biblës? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

2 Miliona njerëz lexojnë një pjesë nga Bibla çdo ditë. Disa e kanë lexuar shumë herë nga fillimi në fund. Mijëra grupe fetare pohojnë se i bazojnë në Bibël mësimet e tyre, megjithatë nuk janë të një mendjeje për atë që mëson Bibla. Si për ta shtuar këtë pështjellim, edhe mes njerëzve që i përkasin së njëjtës fe, ka mospajtime të forta. Disa kanë dyshime për Biblën, për origjinën dhe për vlerën e saj. Shumë veta e shohin si një libër të shenjtë thjesht për përdorim ceremonial kur bëhen betimet martesore ose kur njerëzit betohen se do të thonë të vërtetën në sallën e gjyqit.

3 Në të vërtetë Bibla përmban fjalën ose mesazhin e fuqishëm të Perëndisë për njerëzimin. (Hebrenjve 4:12) Prandaj, si Dëshmitarë të Jehovait, duam që njerëzit të mësojnë se çfarë mëson Bibla. Është një kënaqësi për ne të përmbushim detyrën që Jezu Krishti u dha ithtarëve të tij kur tha: ‘Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet dhe mësojini.’ (Mateu 28:19, 20) Në shërbim takojmë njerëz me zemër të sinqertë, të cilët janë të shqetësuar nga pështjellimi fetar që ka mbërthyer botën sot. Ata duan të dinë të vërtetën rreth Krijuesit tonë dhe dëshirojnë të mësojnë se çfarë thotë Bibla për qëllimin e jetës. Le të shqyrtojmë tri pyetje që mundojnë shumë njerëz. Në secilin rast, do të shohim pohimet e gabuara të udhëheqësve fetarë, e më pas do të vërejmë se çfarë mëson vërtet Bibla. Pyetjet janë: (1) A interesohet Perëndia për ne? (2) Cili është qëllimi i jetës? (3) Çfarë ndodh me njerëzit kur vdesin?

A interesohet Perëndia?

4, 5. Pse njerëzit mendojnë se Perëndia nuk interesohet për ne?

4 Le të fillojmë me pyetjen e parë: A interesohet Perëndia për ne? Mjerisht, shumë njerëz mendojnë se përgjigjja e kësaj pyetjeje është jo. Përse mendojnë kështu? Pikësëpari, sepse jetojnë në një botë plot me urrejtje, luftëra dhe vuajtje. ‘Po të interesohej vërtet Perëndia,—arsyetojnë,—me siguri nuk do të lejonte që të ndodhnin këto gjëra të tmerrshme.’

5 Një arsye tjetër pse njerëzit mendojnë se Perëndia nuk interesohet për ne, është se udhëheqësit fetarë i kanë bërë të ndihen kështu. Çfarë thonë shpesh klerikët kur ndodhin tragjedi? Kur një grua humbi dy fëmijët e saj në një aksident me makinë, pastori i tha: «Ishte vullneti i Perëndisë. Ai donte me vete dy engjëj të tjerë.» Kur bëjnë komente të tilla, këta klerikë, me pak fjalë, po ia vënë fajin Perëndisë për gjërat e këqija që ndodhin. Por dishepulli Jakov shkroi: «Kur është nën sprovë, askush të mos thotë: ‘Po më sprovon Perëndia.’ Sepse Perëndia nuk mund të sprovohet me gjëra të liga, dhe as ai vetë nuk sprovon njeri.» (Jakovi 1:13) Perëndia Jehova nuk shkakton kurrë gjëra të këqija. «Larg qoftë që Perëndia i vërtetë të veprojë me ligësi!»—Jobi 34:10.

6. Kush qëndron pas ligësisë dhe vuajtjeve në këtë botë?

6 Po atëherë, përse ka kaq shumë ligësi dhe vuajtje? Një arsye është se njerëzimi në tërësi e ka hedhur poshtë Perëndinë si Sundimtar, nuk do që t’u nënshtrohet ligjeve dhe parimeve të tij të drejta. Njerëzit, pa e kuptuar, i janë nënshtruar Kundërshtarit të Perëndisë, Satanait, sepse «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut». (1 Gjonit 5:19) Njohja e këtij fakti e bën më të lehtë të kuptojmë pse ka probleme sot. Satanai është i lig, plot urrejtje, mashtrues e mizor. Prandaj, duhet të presim që bota të pasqyrojë personalitetin e sundimtarit të saj. Ja pse ka kaq shumë ligësi sot!

7. Cilat janë disa arsye pse vuajmë?

7 Një arsye tjetër pse vuajmë është papërsosmëria njerëzore. Njerëzit mëkatarë kanë prirjen të luftojnë për të sunduar mbi njëri-tjetrin dhe kjo shpesh çon në luftëra, shtypje e vuajtje. Është me vend ajo që thuhet tek Eklisiastiu 8:9: «Njeriu ka sunduar mbi njeriun në dëm të tij.» Një arsye e mëtejshme pse ka vuajtje lidhet me ‘kohët e vështira dhe ngjarjet e paparashikuara’. (Eklisiastiu 9:11) Shpesh, njerëzit pësojnë fatkeqësi ngaqë ndodhen në vendin e gabuar, në çastin e gabuar.

8, 9. Nga e dimë që Jehovai interesohet vërtet për ne?

8 Është ngushëlluese të mësojmë se nuk i shkakton Jehovai vuajtjet. Por, a interesohet vërtet Perëndia për atë që po ndodh në jetën tonë? Përgjigjja për këtë pyetje na e ngroh zemrën: po, Perëndia interesohet. E dimë këtë pasi Jehovai në Fjalën e tij të frymëzuar na thotë pse i ka lejuar njerëzit të ndjekin një rrugë të keqe. Arsyet e tij kanë të bëjnë me dy çështje: atë të sovranitetit të Perëndisë dhe të integritetit të njerëzve. Duke qenë Krijuesi i plotfuqishëm, Jehovai nuk është i detyruar të na i shpjegojë arsyet pse i lejon vuajtjet. Megjithatë, na i thotë, sepse interesohet për ne.

9 Shqyrtoni edhe një provë tjetër se Perëndia interesohet për ne. Ai «u hidhërua në zemër» kur, në ditët e Noesë, ligësia mbushi tokën. (Zanafilla 6:5, 6) A ndihet ndryshe sot? Jo, sepse Perëndia nuk ndryshon. (Malakia 3:6) Ai e urren padrejtësinë dhe s’duron dot t’i shohë njerëzit tek vuajnë. Bibla mëson se, së shpejti, Perëndia do t’i ndreqë të gjitha dëmet që ka shkaktuar sundimi i njerëzve dhe ndikimi i Djallit. A nuk është kjo një provë bindëse se Perëndia interesohet për ne?

10. Si ndihet Jehovai për vuajtjet e njerëzve?

10 Udhëheqësit fetarë e paraqitin në mënyrë të rreme Perëndinë, kur thonë se të këqijat që na ndodhin në jetë, janë vullneti i tij. E vërteta është krejt ndryshe: Jehovai dëshiron me zjarr t’u japë fund vuajtjeve njerëzore. «Ai interesohet për ju»,—thuhet te 1 Pjetrit 5:7. Kjo është ajo çfarë mëson vërtet Bibla!

Cili është qëllimi i jetës?

11. Çfarë thonë shpesh fetë e botës për jetën e njeriut në tokë?

11 Le të shqyrtojmë një pyetje të dytë që kanë shumë njerëz: Cili është qëllimi i jetës? Shpesh, fetë e botës përgjigjen se njeriu është vetëm përkohësisht këtu në tokë. Ato e shohin tokën thjesht si një pikë ndalese në rrugën për të jetuar diku tjetër. Disa klerikë në mënyrë të rreme mësojnë se një ditë, Perëndia do ta shkatërrojë këtë planet. Për shkak të këtyre mësimeve, shumë njerëz kanë nxjerrë si përfundim se më e mira për ta është që të marrin sa të munden nga jeta tani, sa kanë kohë, pasi nuk i pret gjë tjetër veçse vdekja. Çfarë mëson vërtet Bibla për qëllimin e jetës?

12-14. Çfarë mëson Bibla në lidhje me qëllimin e Perëndisë për tokën dhe për njerëzit?

12 Perëndia ka një qëllim të mrekullueshëm për tokën e për njerëzimin. Ai «nuk e krijoi më kot [tokën], por e formoi që të banohej». (Isaia 45:18) Gjithashtu, Jehovai ‘e vendosi tokën mbi themele të forta; ajo nuk do të lëkundet asnjëherë, po, kurrën e kurrës’. (Psalmi 104:5) Kur mësojmë këto gjëra në lidhje me qëllimin e Perëndisë për tokën dhe për njerëzit, mund të kuptojmë qëllimin e jetës sonë.

13 Në kapitullin 1 dhe 2 të Zanafillës tregohet se Perëndia u kujdes shumë për ta përgatitur tokën si banesë për njerëzit. Nga fundi i periudhës krijuese që përfshiu tokën çdo gjë ishte «shumë mirë». (Zanafilla 1:31) Perëndia i vuri burrin dhe gruan e parë, Adamin dhe Evën, në kopshtin e bukur të Edenit dhe u siguroi atyre një bollëk ushqimi të mirë. Çiftit të parë njerëzor iu tha: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën e sundojeni.» Ata do të kishin fëmijë të përsosur, do t’i zgjeronin kufijtë e atij kopshti në gjithë tokën dhe do t’i mbanin nën kontroll kafshët, duke treguar dashuri për to.—Zanafilla 1:26-28.

14 Qëllimi i Jehovait është që një shoqëri e përsosur njerëzore të banojë përgjithmonë në tokë. Fjala e Perëndisë thotë: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.» (Psalmi 37:29) Po, njerëzit u krijuan me qëllim që të gëzojnë jetën e përhershme në Parajsën tokësore. Ky është qëllimi i Perëndisë dhe këtë mëson vërtet Bibla!

Çfarë ndodh me njerëzit kur vdesin?

15. Çfarë mësojnë shumica e feve për pyetjen se çfarë ndodh me njerëzit kur vdesin?

15 Le të shqyrtojmë tani një pyetje të tretë që shqetëson shumë veta: Çfarë ndodh me njerëzit kur vdesin? Shumica e feve mësojnë që diçka brenda njeriut vazhdon të jetojë edhe pasi vdes trupi. Disa grupe fetare mbrojnë idenë se Perëndia i ndëshkon të ligjtë duke i bërë të vuajnë përjetësisht në një ferr të zjarrtë. A është kjo e vërteta? Çfarë mëson vërtet Bibla për vdekjen?

16, 17. Cila është gjendja e të vdekurve sipas Biblës?

16 Fjala e Perëndisë thotë: «Të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin, por të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë; ata nuk kanë më asnjë shpërblim.» Meqë të vdekurit «s’janë të vetëdijshëm për asgjë», ata nuk janë në gjendje të dëgjojnë, të shohin, të flasin, të ndiejnë ose të mendojnë. Ata nuk fitojnë më asnjë shpërblim. E si do të mundeshin?! Nuk mund të bëjnë asnjë punë! Përveç kësaj, «dashuria, urrejtja dhe xhelozia e tyre tashmë kanë marrë fund», sepse nuk shprehin dot më asnjë ndjenjë.—Eklisiastiu 9:5, 6, 10.

17 Ajo që thotë Bibla për këtë argument është e thjeshtë dhe e qartë: të vdekurit nuk vazhdojnë të jetojnë diku tjetër. Asnjë pjesë e jona nuk e lë trupin pas vdekjes që të vazhdojë të jetojë e të rilindë në ndonjë trup tjetër, siç thonë ata që besojnë te rimishërimi. Mund ta ilustrojmë kështu: jeta jonë është si flaka e një qiriri. Kur flaka shuhet, nuk shkon asgjëkundi. Thjesht, zhduket.

18. Në cilat përfundime mund të arrijë një student i Biblës kur të mësojë se të vdekurit nuk janë të vetëdijshëm?

18 Mendoni pak se si mund të ndikojë kjo e vërtetë e thjeshtë, por e fuqishme. Kur një student i Biblës të mësojë se të vdekurit nuk janë të vetëdijshëm, do ta ketë të lehtë të arrijë në përfundimin se, sado të zemëruar të kenë qenë të parët e tij kur ishin gjallë, tani nuk mund ta trazojnë. Gjithashtu, do ta ketë të lehtë të kuptojë se njerëzit e tij të dashur që kanë vdekur, nuk mund të dëgjojnë, të shohin, të flasin, të ndiejnë ose të mendojnë më. Prandaj, nuk ka mundësi që të jenë duke përjetuar vetmi të padurueshme në purgator ose duke vuajtur në ndonjë vend mundimesh, si ferri. Megjithatë, Bibla mëson se të vdekurit që janë në kujtesën e Perëndisë, do të ringjallen. Çfarë shprese e mrekullueshme!—Gjoni 5:28, 29.

Një libër i ri që duhet përdorur

19, 20. Çfarë përgjegjësie kemi si të krishterë dhe cili botim ndihmës për studimin e Biblës është përgatitur veçanërisht që ta përdorim në shërbimin e krishterë?

19 Kemi shqyrtuar vetëm tri nga pyetjet që kanë shumë njerëz. Në secilin rast, kemi parë se ajo që mëson Bibla është e qartë dhe e drejtpërdrejtë. Sa bukur është t’u flasim për këto të vërteta njerëzve që duan të dinë se çfarë mëson Bibla! Por, ka edhe shumë pyetje të tjera të rëndësishme, për të cilat njerëzit me zemër të sinqertë duan përgjigje të kënaqshme. Si të krishterë, kemi përgjegjësinë t’i ndihmojmë njerëzit që të gjejnë përgjigjet e këtyre pyetjeve.

20 Nuk është e lehtë t’ua mësojmë njerëzve të vërtetat e Biblës në një mënyrë të qartë dhe që t’i bëjë thirrje zemrës. Për të na ndihmuar që të kapërcejmë këtë vështirësi, «skllavi i besueshëm dhe i matur» përgatiti një libër që u bë enkas për ta përdorur ne në shërbimin e krishterë. (Mateu 24:45-47) Ky libër me 224 faqe titullohet Çfarë mëson vërtet Bibla?

21, 22. Cilat veçori të librit Çfarë mëson vërtet Bibla? vlejnë të përmenden?

21 Ky libër doli në Kongresin Krahinor të Dëshmitarëve të Jehovait në vitin 2005 me temë «T’i bindemi Perëndisë». Libri ka veçori të ndryshme që vlejnë të përmenden. Për shembull, përmban një parathënie prej pesë faqesh që po na ndihmon shumë të fillojmë studime biblike në shtëpi. Do ta keni mjaft të lehtë të trajtoni figurat dhe shkrimet që gjenden në parathënie. Mund të përdorni edhe materialin që ndodhet në këtë pjesë, për t’u treguar studentëve se si t’i gjejnë kapitujt dhe vargjet në Bibël.

22 Stili se si është shkruar ky libër është i thjeshtë dhe i qartë. Janë bërë përpjekje për t’i prekur zemrën studentit, duke e përfshirë sa herë është e mundur. Në fillim të çdo kapitulli, ka disa pyetje dhe në fund të çdo kapitulli, ka një kuti me titull: «Çfarë mëson Bibla?» Kjo kuti përmban përgjigjet që u jep Bibla atyre pyetjeve. Figurat e shkëlqyera dhe diçiturat, si edhe ilustrimet që gjenden në këtë botim do ta ndihmojnë studentin të kapë konceptet e reja. Megjithëse teksti kryesor i librit është mjaft i thjeshtë, nëse studenti kërkon më shumë informacione, ka një shtojcë që do t’ju ndihmojë të shqyrtoni më me hollësi 14 tema të rëndësishme.

23. Cilat sugjerime jepen për mënyrën si ta përdorim librin Çfarë mëson vërtet Bibla? në studimet biblike?

23 Libri Çfarë mëson vërtet Bibla? është përgatitur që të na ndihmojë të mësojmë njerëz me arsimim të ndryshëm dhe me prejardhje fetare të ndryshme. Nëse studenti nuk ka aspak njohuri për Biblën, mund t’ju duhet më shumë se një seancë studimi për të trajtuar një kapitull. Mos e kaloni shpejt e shpejt materialin, por përpiquni t’i prekni zemrën studentit. Në qoftë se ai nuk e kupton një ilustrim që është përdorur në libër, shpjegojani ose përdorni një ilustrim tjetër. Përgatituni mirë, bëni çmos ta përdorni librin me efektshmëri dhe lutuni për ndihmën e Perëndisë me qëllim që të mund ‘ta përdorni drejt fjalën e së vërtetës’.—2 Timoteut 2:15.

Jini mirënjohës për privilegjet e çmuara që keni

24, 25. Çfarë privilegjesh të çmuara i ka dhënë Jehovai popullit të tij?

24 Jehovai i ka dhënë popullit të tij privilegje të çmuara. Ai na ka dhënë mundësinë që të mësojmë të vërtetën për Të. Nuk duhet të jemi kurrë mosmirënjohës për këtë privilegj. Në fund të fundit Perëndia ua ka fshehur qëllimet e tij fodullëve dhe ua ka zbuluar të përulurve. Në lidhje me këtë, Jezui tha: «Unë të lëvdoj publikisht, o Atë, Zotëri i qiellit dhe i tokës, sepse ua ke fshehur këto gjëra të mençurve e të zgjuarve dhe ua ke zbuluar fëmijëve.» (Mateu 11:25) Është një nder i rrallë të jemi mes të përulurve që i shërbejnë Sovranit Universal, Jehovait.

25 Perëndia na ka dhënë gjithashtu privilegjin që t’i mësojmë të tjerët për të. Të mos harrojmë se Perëndinë e kanë përshkruar në mënyrë të rreme ata që kanë mësuar gënjeshtra për të. Kështu shumë njerëz kanë një përshtypje krejt të gabuar për Jehovain, duke menduar se ai është indiferent dhe zemërgur. A jeni të gatshëm dhe a keni dëshirë të zjarrtë që të ndihmoni të ndreqet ky keqkuptim? A dëshironi që njerëzit me zemër të sinqertë kudo që ndodhen të dinë të vërtetën për Perëndinë? Atëherë tregojeni bindjen tuaj ndaj Perëndisë, duke predikuar me zell dhe duke u mësuar të tjerëve se çfarë thonë Shkrimet për këto tema jetësore. Njerëzit që kërkojnë të vërtetën kanë nevojë të dinë se çfarë mëson vërtet Bibla.

Si do të përgjigjeshit?

• Nga e dimë që Perëndia interesohet për ne?

• Cili është qëllimi i jetës?

• Çfarë ndodh me njerëzit kur vdesin?

• Cilat veçori të librit Çfarë mëson vërtet Bibla? çmoni në mënyrë të veçantë?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 22]

Bibla mëson se vuajtjet do të marrin fund

[Burimet]

Sipër djathtas, vajza: © Bruno Morandi/age fotostock; majtas, gruaja: AP Photo/Gemunu Amarasinghe; në fund djathtas, refugjatë: © Sven Torfinn/Panos Pictures

[Figura në faqen 23]

Të drejtët do të jetojnë përgjithmonë në Parajsë