Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ndihmojini të tjerët t’u binden gjërave që mëson Bibla

Ndihmojini të tjerët t’u binden gjërave që mëson Bibla

Ndihmojini të tjerët t’u binden gjërave që mëson Bibla

«Farat në tokë të mirë janë ata që, pasi e dëgjojnë fjalën me një zemër të shkëlqyer e të mirë, e mbajnë dhe japin fryt me qëndrueshmëri.»​—LUKA 8:15.

1, 2. (a) Për ç’qëllim është përgatitur libri Çfarë mëson vërtet Bibla? (b) Si i ka bekuar Jehovai në vitet e fundit përpjekjet e popullit të tij për të bërë dishepuj?

«KY LIBËR është i shkëlqyer. Studentëve të mi u pëlqen shumë. Edhe mua më pëlqen. Më ndihmon të filloj studime biblike madje edhe te dyert e shtëpive.» Këtë tha një Dëshmitare e Jehovait që shërben si pioniere e rregullt, në lidhje me librin Çfarë mëson vërtet Bibla?  * Për të njëjtin botim, një lajmëtar i moshuar i Mbretërisë tha: «Në 50 vjet që kam qenë aktiv në shërbim, kam pasur privilegjin të ndihmoj shumë njerëz që të njohin Jehovain. Por duhet ta them se ky botim për të drejtuar studime është i jashtëzakonshëm. Ilustrimet nxitëse dhe figurat të kënaqin.» A ndiheni edhe ju kështu për librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Ky mjet ndihmës për studimin e Biblës është përgatitur që t’ju ndihmojë të përmbushni urdhrin e Jezuit: «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet . . . dhe mësojuni të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.»—Mateu 28:19, 20.

2 Pa dyshim, Jehovait i gëzon zemra kur sheh rreth 6,6 milionë Dëshmitarët e tij që me gatishmëri i binden urdhrit të Jezuit për të bërë dishepuj. (Proverbat 27:11) Është e dukshme se Jehovai po i bekon përpjekjet e tyre. Për shembull, gjatë vitit 2005, lajmi i mirë u predikua në 235 vende dhe u drejtuan më tepër se 6.061.500 studime biblike. Si rrjedhim shumë njerëz ‘e dëgjuan fjalën e Perëndisë dhe e pranuan jo si fjalë njerëzish, por siç është me të vërtetë, si fjalën e Perëndisë’. (1 Selanikasve 2:13) Gjatë dy viteve të shkuara, më shumë se gjysmë milionë dishepuj të rinj e kanë ndryshuar jetën e tyre në përputhje me normat e Jehovait dhe ia kanë kushtuar jetën atij.

3. Cilat pyetje në lidhje me përdorimin e librit Çfarë mëson vërtet Bibla? do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 A keni provuar kohët e fundit gëzimin që vjen kur drejton një studim biblik? Në mbarë botën ka ende individë me «një zemër të shkëlqyer e të mirë» që kur e dëgjojnë fjalën e Perëndisë «e mbajnë dhe japin fryt me qëndrueshmëri». (Luka 8:11-15) Le të shohim se si mund ta përdorni librin Çfarë mëson vërtet Bibla? në veprën e bërjes së dishepujve. Do të shqyrtojmë tri pyetje: (1) Si mund të filloni një studim biblik? (2) Cilat metoda mësimdhënieje kanë më shumë rezultat? (3) Si mund të ndihmoni dikë që të bëhet jo vetëm një student, por edhe një mësues i Fjalës së shkruar të Perëndisë, Biblës?

Si mund të filloni një studim biblik?

4. Pse disa mund të ngurrojnë të studiojnë Biblën dhe si mund t’i ndihmoni që ta kapërcejnë këtë gjë?

4 Po t’ju kërkojnë të kaloni një rrjedhë të gjerë uji vetëm me një kërcim, ndoshta nuk do të pranoni. Por, në qoftë se përmes rrjedhës vendosen njëri pas tjetrit disa gurë, ndoshta do të jeni më të gatshëm për ta provuar. Po kështu, dikush që është i zënë mund të ngurrojë të studiojë Biblën. Ai mund të mendojë se kërkohen shumë kohë dhe përpjekje për ta studiuar. Si mund ta ndihmoni që të kapërcejë ngurrimin? Duke bërë disa biseda të shkurtra, por informuese, me anë të librit Çfarë mëson vërtet Bibla? Kështu mund të arrini të bëni një studim të rregullt të Fjalës së Perëndisë me individin. Nëse përgatiteni mirë, çdo rivizitë tek ai individ do të jetë si një gur kalimi drejt miqësisë me Jehovain.

5. Pse duhet ta lexoni librin Çfarë mëson vërtet Bibla?

5 Megjithatë, para se të ndihmoni dikë që të nxjerrë dobi nga libri Çfarë mëson vërtet Bibla?, duhet ta njihni mirë librin. A e keni lexuar nga fillimi në fund? Një çift e mori me vete këtë botim kur shkuan për pushime dhe filluan ta lexonin ndërsa po çlodheshin në plazh. Një grua vendëse që u shiste sende turistëve, u afrua dhe vuri re titullin Çfarë mëson vërtet Bibla? Ajo i tha çiftit se vetëm pak orë më parë ishte lutur pikërisht për këtë pyetje dhe i kishte kërkuar Perëndisë një përgjigje. Çifti i dha me kënaqësi gruas një kopje të librit. A keni ‘blerë kohë’ që ta lexoni këtë botim, ndoshta për herë të dytë, ndërsa pritni për një takim ose kur bëni pushim në punë a në shkollë? (Efesianëve 5:15, 16) Po të veproni kështu, do ta njihni mirë këtë mjet ndihmës për studimin e Biblës dhe gjithashtu mund të krijoni raste për t’u folur të tjerëve për përmbajtjen e tij.

6, 7. Si mund ta përdorni librin Çfarë mëson vërtet Bibla? për të filluar studime biblike?

6 Kur ta ofroni librin në shërbim, përdorni mirë figurat, shkrimet dhe pyetjet në faqet 4, 5 dhe 6. Për shembull, mund të nisni një bisedë duke bërë pyetjen: «Si mendoni, me gjithë këto probleme që kanë njerëzit sot, ku mund të gjejmë një drejtim të besueshëm?» Pasi të dëgjoni me kujdes përgjigjen, lexoni 2 Timoteut 3:16, 17 dhe shpjegoni se Bibla jep një zgjidhje reale për problemet e njerëzimit. Më pas, drejtojani vëmendjen të zotit të shtëpisë te faqet 4 e 5 dhe pyeteni: «Cili nga problemet e ilustruara në këto faqe ju shqetëson më shumë?» Kur i zoti i shtëpisë të tregojë njërin prej tyre, jepini të mbajë librin, ndërsa ju lexoni nga Bibla shkrimin që lidhet me të. Pastaj lexoni faqen 6 dhe pyeteni të zotin e shtëpisë: «Për cilën nga gjashtë pyetjet që ndodhen në fund të kësaj faqeje do të dëshironit të merrnit përgjigje?» Kur ai të zgjedhë njërën, tregojini kapitullin që i përgjigjet asaj pyetjeje, jepini librin dhe caktoni një takim për ta vizituar sërish që të trajtoni pyetjen.

7 Prezantimi që sapo përshkruam zgjat rreth pesë minuta. Por në ato pak minuta do të keni mësuar se çfarë e shqetëson të zotin e shtëpisë, do të keni lexuar dhe shpjeguar dy shkrime dhe do të keni hedhur bazën për një rivizitë. Ka shumë mundësi që i zoti i shtëpisë të ketë kohë që s’bën një bisedë kaq inkurajuese dhe ngushëlluese sa biseda e shkurtër me ju. Si rrjedhim, edhe një njeri i zënë mund të presë me padurim që të kalojë edhe pak minuta të tjera me ju, ndërsa e ndihmoni të bëjë një hap tjetër për të hyrë në ‘rrugën që të çon në jetë’. (Mateu 7:14) Me kalimin e kohës, teksa interesi i të zotit të shtëpisë rritet, duhet të zgjatet edhe studimi. Kjo mund të bëhet duke i sugjeruar që të uleni dhe të studioni për një kohë të përcaktuar e më të gjatë.

Metodat e mësimdhënies që kanë më shumë rezultat

8, 9. (a) Si mund ta përgatitni studentin tuaj të Biblës që të qëndrojë i fortë para pengesave dhe sprovave që me siguri do të hasë? (b) Ku mund të gjenden materialet zjarrduruese për të ndërtuar një besim të fortë?

8 Pasi dikush fillon t’u bindet gjërave që mëson Bibla, me siguri do të hasë pengesa që mund ta frenojnë të bëjë përparim. Apostulli Pavël tha: «Të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë me përkushtim hyjnor në unitet me Krishtin Jezu, do t’i përndjekin.» (2 Timoteut 3:12) Pavli i krahasoi këto sprova me një zjarr që do të digjte materiale të dobëta ndërtimi, por nuk do të dëmtonte materiale të tilla si floriri, argjendi dhe gurët e çmuar. (1 Korintasve 3:10-13; 1 Pjetrit 1:6, 7) Për ta ndihmuar studentin tuaj të Biblës të zhvillojë cilësitë e nevojshme për t’u qëndruar sprovave që mund të hasë, duhet ta mësoni duke ndërtuar me materiale zjarrduruese.

9 Psalmisti i krahasoi «fjalët e Jehovait» me ‘argjendin e rafinuar në një furrë shkrirjeje, të pastruar shtatë herë’. (Psalmi 12:6) Po, Bibla përmban të gjitha materialet e çmuara që mund të përdoren për të ndërtuar një besim të fortë. (Psalmi 19:7-11; Proverbat 2:1-6) Dhe libri Çfarë mëson vërtet Bibla? ju tregon se si të jeni të efektshëm në përdorimin e Shkrimeve.

10. Si mund t’ia përqendroni vëmendjen studentit te Bibla?

10 Gjatë studimit përqendrojeni vëmendjen e studentit te shkrimet që ndodhen në çdo kapitull që po trajtoni. Përdorni pyetje që ta ndihmoni studentin të kuptojë vargjet biblike kryesore dhe t’i zbatojë ato personalisht. Kini kujdes që të mos i diktoni studentit se çfarë duhet të bëjë. Në vend të kësaj imitoni shembullin e Jezuit. Kur një njeri që e njihte mirë Ligjin i bëri një pyetje Jezuit, ky ia ktheu: «Çfarë është shkruar në Ligj? Ç’ke kuptuar nga leximi?» Ai njeri u përgjigj nga Shkrimet dhe Jezui e ndihmoi që të kuptonte se si ta zbatonte parimin. Duke bërë një ilustrim Jezui e ndihmoi gjithashtu që të kuptonte se si duhej të ndikonte mësimi tek ai njeri. (Luka 10:25-37) Libri Çfarë mëson vërtet Bibla? është plot me ilustrime të thjeshta që mund t’i përdorni për të ndihmuar një student të zbatojë parimet biblike.

11. Sa material duhet të trajtoni sa herë që bëni studimin?

11 Libri përdor një gjuhë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë për të shpjeguar Fjalën e Perëndisë, ashtu si Jezui përcolli ide të ndërlikuara me fjalë të thjeshta. (Mateu 7:28, 29) Ndiqni shembullin e Tij. Përcilleni informacionin në mënyrë të thjeshtë, të qartë dhe të saktë. Mos e trajtoni shpejt e shpejt materialin. Përkundrazi, në bazë të rrethanave dhe të aftësive të studentit përcaktoni numrin e paragrafëve që do të trajtoni sa herë që bëni studimin. Jezui i dinte kufizimet e dishepujve dhe nuk i rëndoi me më shumë informacione, sesa kishin nevojë për momentin.—Gjoni 16:12.

12. Si duhet përdorur shtojca?

12 Libri Çfarë mëson vërtet Bibla? përmban një shtojcë me 14 tema. Në bazë të nevojave të studentit, ju si mësuesi i tij duhet të jeni në gjendje të përcaktoni se si mund të përdoret sa më mirë ky material. Për shembull, nëse një student e ka të vështirë të kuptojë një temë ose ka pyetje për disa çështje specifike për shkak të bindjeve të tij të mëparshme, mund të mjaftojë që t’ia drejtoni vëmendjen te pjesa e përshtatshme e shtojcës dhe ta lini që ta shqyrtojë vetë atë temë. Nga ana tjetër, për shkak të nevojave të studentit, mund të duhet që ta trajtoni materialin së bashku. Shtojca përmban tema biblike kryesore si: «‘Shpirti’ dhe ‘fryma’: Ç’kuptim kanë vërtet këto fjalë?» dhe «Të identifikojmë ‘Babiloninë e Madhe’». Ndoshta mund t’i diskutoni ato me studentin tuaj. Meqë nuk ka pyetje për temat që trajtohen në shtojcë, duhet ta njihni mirë informacionin që të formuloni pyetje domethënëse.

13. Ç’rol luan lutja në forcimin e besimit?

13 «Po s’e ndërtoi Jehovai shtëpinë, më kot lodhen ndërtuesit»,—thuhet te Psalmi 127:1. Prandaj, kur përgatiteni për të drejtuar një studim biblik, lutuni për ndihmën e Jehovait. Lutjet që bëni në fillim dhe në fund të çdo studimi, le të pasqyrojnë marrëdhënien tuaj të ngrohtë me Jehovain. Nxiteni studentin t’i lutet Jehovait për mençuri që të kuptojë Fjalën e Tij dhe për forcë që të zbatojë këshillat e saj. (Jakovi 1:5) Nëse studenti e bën këtë, do të forcohet që t’u qëndrojë sprovave dhe do të vazhdojë të ketë një besim gjithnjë e më të fortë.

Ndihmojini studentët e Biblës që të bëhen mësues

14. Ç’përparim duhet të bëjnë studentët e Biblës?

14 Që studentët e Biblës t’u binden ‘të gjitha gjërave’ që Jezui u urdhëroi dishepujve, ata duhet të bëjnë përparim nga studentë të Fjalës së Perëndisë në mësues të saj. (Mateu 28:19, 20; Veprat 1:6-8) Çfarë mund të bëni që ta ndihmoni një student të bëjë këtë lloj përparimi frymor?

15. Pse duhet ta nxitni studentin e Biblës që të ndjekë mbledhjet e krishtere?

15 Që në studimin e parë, ftojeni studentin të ndjekë mbledhjet e kongregacionit bashkë me ju. Shpjegojini se në mbledhje ju stërviteni si mësues të Fjalës së Perëndisë. Për disa javë, lini ca minuta në fund të çdo studimi për t’i treguar programin e mësimit frymor që merrni në mbledhjet dhe asambletë e ndryshme. Flitni me entuziazëm për dobitë që merrni në këto raste. (Hebrenjve 10:24, 25) Kur studenti fillon të ndjekë mbledhjet rregullisht, ka shumë mundësi të bëhet një mësues i Fjalës së Perëndisë.

16, 17. Cilat janë disa synime që një student i Biblës mund të vërë dhe të arrijë?

16 Ndihmojeni studentin e Biblës të vërë synime që mund t’i arrijë. Për shembull, nxiteni të flasë me një mik ose të afërm për gjërat që mëson. Gjithashtu sugjerojini të vërë si synim që ta lexojë të tërë Biblën. Nëse e ndihmoni të krijojë dhe të mbajë një rutinë për të lexuar rregullisht Biblën, ky zakon do t’i sjellë dobi edhe shumë kohë pas pagëzimit. Veç kësaj, pse të mos i sugjeroni studentit të vërë si synim të kujtojë të paktën një varg biblik që i përgjigjet një pyetjeje kyçe nga çdo kapitull i librit Çfarë mëson vërtet Bibla? Duke vepruar kështu ai do të bëhet «një punëtor që s’ka pse t’i vijë turp për asgjë, që e përdor drejt fjalën e së vërtetës».—2 Timoteut 2:15.

17 Në vend që ta mësoni një student vetëm sa të përsëritë përmendësh shkrimet ose të tregojë thelbin e tyre, nxiteni që, kur t’u japë përgjigje atyre që i kërkojnë arsye për besimin e tij, të shpjegojë si lidhen vargjet biblike me një argument të caktuar. Mund të jetë e dobishme të bëni herë pas here pak praktikë, ndërsa ju luani rolin e një të afërmi ose të një shoku pune që i kërkon të shpjegojë bindjet e tij. Kur studenti përgjigjet, tregojini se si ta bëjë këtë me «frymë butësie dhe me respekt të thellë».—1 Pjetrit 3:15.

18. Çfarë ndihme të mëtejshme mund t’i jepni një studenti të Biblës kur kualifikohet si lajmëtar i papagëzuar?

18 Me kalimin e kohës studenti mund të kualifikohet që të marrë pjesë në shërbim. Theksojini se është një privilegj të marrësh pjesë në këtë vepër. (2 Korintasve 4:1, 7) Pasi pleqtë të kenë vendosur që studenti kualifikohet si lajmëtar i papagëzuar, ndihmojeni të përgatitë një prezantim të thjeshtë dhe më pas shoqërojeni në shërbim. Vazhdoni të punoni me të rregullisht në aspekte të ndryshme të shërbimit dhe mësojeni se si të përgatitet që të bëjë rivizita të efektshme. Shembulli juaj do të ndikojë për mirë.—Luka 6:40.

‘Shpëtoni veten dhe ata që ju dëgjojnë’

19, 20. Cilin synim duhet të kemi dhe pse?

19 Pa dyshim kërkohet shumë punë për ta ndihmuar dikë që të fitojë «njohurinë e saktë të së vërtetës». (1 Timoteut 2:4) Sidoqoftë, pak gëzime në jetë mund të krahasohen me kënaqësinë që vjen kur ndihmojmë një njeri që t’u bindet gjërave që mëson Bibla. (1 Selanikasve 2:19, 20) Vërtet, ç’privilegj kemi që të jemi «bashkëpunëtorë të Perëndisë» në këtë vepër mësimdhënieje mbarëbotërore!—1 Korintasve 3:9.

20 Nëpërmjet Jezu Krishtit dhe engjëjve të fuqishëm së shpejti Jehovai do të ekzekutojë gjykimin mbi ata që «nuk e njohin Perëndinë dhe mbi ata që nuk i binden lajmit të mirë lidhur me Zotërinë tonë Jezu». (2 Selanikasve 1:6-8) Jeta e njerëzve është në rrezik. A mund të vini si synim që të drejtoni të paktën një studim biblik me librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Ndërsa merrni pjesë në këtë vepër, keni mundësinë që të ‘shpëtoni veten dhe ata që ju dëgjojnë’. (1 Timoteut 4:16) Tani më shumë se kurrë është urgjente që t’i ndihmojmë të tjerët t’u binden gjërave që mëson Bibla.

[Shënimi]

^ par. 1 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

Çfarë keni mësuar?

• Për çfarë qëllimi është përgatitur libri Çfarë mëson vërtet Bibla?

• Si mund të filloni studime biblike duke përdorur librin Çfarë mëson vërtet Bibla?

• Cilat metoda mësimdhënieje kanë më shumë rezultat?

• Si mund ta ndihmoni një student që të bëhet mësues i Fjalës së Perëndisë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 26]

A po e përdorni mirë këtë libër?

[Figura në faqen 27]

Një bisedë e shkurtër me një individ mund t’i hapë oreksin për njohurinë biblike

[Figura në faqen 29]

Çfarë mund të bëni për t’ia drejtuar vëmendjen studentit te Bibla?

[Figura në faqen 30]

Ndihmojeni studentin e Biblës të bëjë përparim