Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pika kryesore nga libri i Isaisë​—Pjesa II

Pika kryesore nga libri i Isaisë​—Pjesa II

Fjala e Jehovait është e gjallë

Pika kryesore nga libri i Isaisë​—Pjesa II

ISAIA po përmbush me besnikëri caktimin e tij si profet. Shpalljet që ka thënë kundër mbretërisë dhjetëfisëshe të Izraelit, tashmë kanë dalë të vërteta. Tani ai ka gjëra të tjera për të thënë në lidhje me të ardhmen e Jerusalemit.

Qyteti i Jerusalemit do të shkatërrohet dhe banorët e tij do të merren robër. Megjithatë, shkretimi nuk do të jetë i përhershëm. Pas njëfarë kohe, adhurimi i vërtetë do të rivendoset. Ky është mesazhi thelbësor i Isaisë 36:1–66:24. * Mund të nxjerrim dobi duke shqyrtuar atë që thuhet në këta kapituj, sepse shumë nga profecitë në këtë pjesë të librit e kanë në ditët tona përmbushjen kryesore a përfundimtare ose do të përmbushen në të ardhmen e afërt. Kjo pjesë e librit të Isaisë përmban edhe profeci emocionuese për Mesinë.

«JA, PO VIJNË DITËT»

(Isaia 36:1–39:8)

Vitin e 14-të të mbretërimit të Hezekisë (732 p.e.s.), asirianët pushtojnë Judën. Jehovai premton se do ta mbrojë Jerusalemin. Kërcënimi i pushtimit mbaron kur engjëlli i Jehovait vret i vetëm 185.000 ushtarë asirianë.

Hezekia sëmuret. Jehovai i përgjigjet lutjes së tij dhe e shëron duke i shtuar 15 vjet jetë. Kur mbreti i Babilonisë dërgon njerëz që ta përgëzojnë, në mënyrë jo të mençur Hezekia u tregon atyre të gjitha thesaret e veta. Isaia i thotë Hezekisë mesazhin e Jehovait: «Ja, po vijnë ditët kur gjithçka që gjendet në shtëpinë tënde dhe që paraardhësit e tu kanë grumbulluar deri më sot, do të çohet në Babiloni.» (Isaia 39:5, 6) Pak më tepër se 100 vjet më pas, kjo profeci del e vërtetë.

Përgjigjja e pyetjes biblike:

38:8—Çfarë ishin «shkallët» mbi të cilët hija u bë të sprapsej? Meqë orët diellore përdoreshin edhe në Egjipt, edhe në Babiloni, që nga shekulli i tetë p.e.s, këto shkallë mund t’u referohen ndarjeve të orës diellore që mund të kishte blerë babai i Hezekisë, Akazi. Ose brenda pallatit mund të ketë pasur shkallë. Një kolonë që ndodhej përgjatë shkallëve, ndoshta dalëngadalë bënte hije mbi shkallët, të cilat mund të shërbenin për të matur kohën.

Mësime për ne:

36:2, 3, 22. Edhe pse Shebna u hoq nga pozita si kujdestar, atë e lejuan të vazhdonte t’i shërbente mbretit si sekretar i zëvendësit të tij. (Isaia 22:15, 19) Nëse për ndonjë arsye na kanë hequr një përgjegjësi në organizatën e Jehovait, a nuk duhet të vazhdojmë t’i shërbejmë Perëndisë në çfarëdo caktimi që të lejojë ai?

37:1, 14, 15; 38:1, 2. Kur jemi në vështirësi është e mençur t’i drejtohemi Jehovait në lutje dhe të besojmë plotësisht tek ai.

37:15-20; 38:2, 3. Kur Jerusalemi ishte nën kërcënimin asirian, shqetësimi kryesor i Hezekisë ishte se mposhtja e Jerusalemit do t’i sillte sharje emrit të Jehovait. Kur mori vesh se sëmundja e tij ishte vdekjeprurëse, Hezekia nuk u shqetësua vetëm për veten. Ajo që e shqetësonte më shumë ishte se ç’ndikim do të kishte në linjën mbretërore davidike vdekja e tij pa lënë trashëgimtar. Gjithashtu, ai shqetësohej se kush do të udhëhiqte luftën kundër asirianëve. Ashtu si për Hezekinë, edhe për ne shenjtërimi i emrit të Jehovait dhe realizimi i qëllimit të tij janë më të rëndësishme se shpëtimi ynë.

38:9-20. Kjo këngë e Hezekisë na mëson se asgjë nuk është më e rëndësishme në jetë, sesa t’i japim lavdi Jehovait.

«DO TË RINDËRTOHET»

(Isaia 40:1–59:21)

Menjëherë pasi parathotë shkatërrimin e Jerusalemit dhe robërinë në Babiloni që do ta pasojë, Isaia profetizon për një rivendosje të adhurimit të vërtetë. (Isaia 40:1, 2) «[Jerusalemi] do të rindërtohet»,​—thuhet tek Isaia 44:28. Idhujt e perëndive babilonase do të merren me vete si «ngarkesë» për kafshët. (Isaia 46:1) Babilonia do të bjerë. E gjithë kjo përmbushet dy shekuj më vonë.

Jehovai do ta vërë shërbëtorin e tij si «dritë të kombeve». (Isaia 49:6) «Qiejt» babilonas, ose klasa sunduese babilonase, «do të davariten si tym» dhe nënshtetasit e saj «do të vdesin si harrjet», por ‘robinja e Sionit do t’i këputë zinxhirët nga qafa’. (Isaia 51:6; 52:2) Atyre që vijnë tek ai dhe e dëgjojnë, Jehovai u thotë: «Unë do të jem gati të bëj me ju një besëlidhje të përjetshme, sipas dashamirësisë së përjetshme që i është treguar Davidit.» (Isaia 55:3) Kur jetojmë në përputhje me kërkesat e drejta të Perëndisë, gjejmë «kënaqësi të thellë te Jehovai». (Isaia 58:14) Nga ana tjetër, fajet e njerëzve ‘shkaktojnë ndarje mes tyre dhe Perëndisë’.​—Isaia 59:2.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

40:27, 28—Pse Izraeli thotë: «Udha ime ka mbetur e fshehur për Jehovain dhe padrejtësitë ndaj meje u kanë shpëtuar syve të Perëndisë.» Disa judenj në Babiloni mund të kenë menduar se padrejtësitë që po vuanin kishin mbetur të fshehura për Jehovain ose ai nuk i kishte parë. Jehovai u kujtoi atyre se Babilonia nuk ishte e paarritshme për Krijuesin e tokës, i cili as nuk lodhet e as nuk rraskapitet.

43:18-21—Pse të mërguarve që u kthyen iu tha që ‘të mos i kujtonin gjërat e mëparshme’? Kjo nuk kishte kuptimin që ata duhej të harronin veprat e çlirimit që Jehovai kishte kryer në të kaluarën. Përkundrazi, Jehovai donte që ata ta lëvdonin në bazë të ‘diçkaje të re’ që do ta përjetonin vetë, si për shembull, udhëtimi i tyre shëndoshë e mirë në Jerusalem, ndoshta nga një rrugë më e drejtpërdrejtë nëpër shkretëtirë. Edhe ‘shumica e madhe’ që del nga «shtrëngimi i madh», do të ketë arsye të reja dhe personale për ta lëvduar Jehovain.​—Zbulesa 7:9, 14.

49:6—Në ç’kuptim Mesia është ‘dritë e kombeve’, ndonëse shërbimi i tij në tokë u kufizua vetëm te bijtë e Izraelit? Arsyeja gjendet në atë që ndodhi pas vdekjes së Jezuit. Bibla e zbaton Isainë 49:6 për dishepuj e tij. (Veprat 13:46, 47) Sot të krishterët e mirosur, të ndihmuar edhe nga një shumicë e madhe adhuruesish, shërbejnë si ‘dritë e kombeve’ duke i ndriçuar njerëzit «deri në skajet e tokës».​—Mateu 24:14; 28:19, 20.

53:10—Në ç’kuptim Jehovait i pëlqeu që të dërrmohej Biri i tij? Jehovait, Perëndisë së dhembshur dhe empatik, duhet t’i ketë therur në zemër tek shihte Birin e tij të dashur duke vuajtur. Megjithatë, Atij i pëlqeu bindja me gatishmëri e Jezuit dhe gjithçka që do të arrihej falë vuajtjeve dhe vdekjes së tij.​—Proverbat 27:11; Isaia 63:9.

53:11—Çfarë është njohuria nëpërmjet së cilës Mesia «do të bëjë që shumë njerëz të konsiderohen të drejtë»? Kjo është njohuria që fitoi Jezui kur erdhi në tokë si njeri dhe vuajti padrejtësisht deri në vdekje. (Hebrenjve 4:15) Në këtë mënyrë ai siguroi një flijim shpërblyes i cili nevojitej për të ndihmuar të krishterët e mirosur dhe shumicën e madhe që të konsiderohen të drejtë nga Perëndia.​—Romakëve 5:19; Jakovi 2:23, 25.

56:6—Cilët janë «të huajt» dhe në cilat mënyra ‘rrokin besëlidhjen e Jehovait’? «Të huajt» janë ‘delet e tjera’ të Jezuit. (Gjoni 10:16) Ata rrokin besëlidhjen e re në kuptimin që u binden ligjeve që lidhen me këtë besëlidhje, bashkëpunojnë plotësisht me masat e marra nëpërmjet saj, marrin të njëjtin ushqim frymor si të krishterët e mirosur dhe i mbështetin ata në veprën e predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve.

Mësime për ne:

40:10-14, 26, 28. Jehovai është i fortë, por sillet ëmbëlsisht, është i plotfuqishëm e di gjithçka, dhe ka shumë më tepër kuptueshmëri sesa mund ta imagjinojmë ne.

40:17, 23; 41:29; 44:9; 59:4. Aleancat politike dhe idhujt janë «kotësi». Nuk ia vlen fare të kemi besim tek ato.

42:18, 19; 43:8. Të mbyllim sytë para Fjalës së shkruar të Perëndisë dhe të mbyllim veshët ndaj mësimeve të tij që na jepen nëpërmjet ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’, do të thotë të bëhemi të verbër dhe të shurdhër nga ana frymore.​—Mateu 24:45.

43:25. Jehovai i fshin shkeljet për hirin e tij. Çlirimi nga robëria e mëkatit dhe vdekjes, dhe marrja e jetës së përhershme janë më pak të rëndësishme se shenjtërimi i emrit të Jehovait.

44:8. Kemi mbështetjen e Jehovait, i cili është i palëkundur dhe i patundur si një shkëmb. Kurrë nuk duhet të kemi frikë që të japim dëshmi për Hyjninë e tij!​—2 Samuelit 22:31, 32.

44:18-20. Idhujtaria është shenjë e korruptimit të zemrës. Në zemrën tonë, asgjë nuk duhet të zërë vendin e Jehovait.

46:10, 11. Aftësia për ta bërë ‘qëllimin e tij të qëndrojë’, domethënë, për ta plotësuar qëllimin e tij, është provë absolute e pozitës së Jehovait si Perëndi.

48:17, 18; 57:19-21. Nëse e kërkojmë shpëtimin te Jehovai, i afrohemi dhe u kushtojmë vëmendje urdhërimeve të tij, atëherë paqja jonë do të jetë po aq e bollshme sa ujërat e një lumi vërshues dhe veprat tona të drejta po aq të bollshme sa valët e detit. Ata që nuk ia vënë veshin Fjalës së Perëndisë janë si «deti i trazuar»; nuk kanë paqe.

52:5, 6. Babilonasit nxorën gabimisht përfundimin se Perëndia i vërtetë ishte i dobët. Ata nuk e kuptuan se arsyeja pse Izraeli ra në skllavëri ishte se Jehovai ndihej i pakënaqur me popullin e tij. Kur të tjerëve u ndodh një gjëmë, jemi të mençur nëse nuk nxitojmë të nxjerrim përfundime për shkaqet e gjëmës.

52:7-9; 55:12, 13. Kemi të paktën tri arsye për të marrë pjesë me gëzim në veprën e predikimit dhe të bërjes së dishepujve. Këmbët tona janë të bukura për njerëzit e përulur që janë të uritur frymësisht. Ne e shohim Jehovain ‘me sytë tanë’ ose kemi një marrëdhënie të ngushtë me të. Gjithashtu gëzojmë begati frymore.

52:11, 12. Që të jemi të kualifikuar për të mbajtur «pajisjet e shtëpisë së Jehovait»​—masat e tij për shërbimin e shenjtë—​ne duhet të jemi të pastër frymësisht dhe moralisht.

58:1-14. Shfaqjet e shtirura të përkushtimit dhe të drejtësisë janë të kota. Adhuruesve të vërtetë duhet t’u vërshojnë nga një zemër e sinqertë shprehje të përkushtimit hyjnor dhe vepra të dashurisë vëllazërore.​—Gjoni 13:35; 2 Pjetrit 3:11.

59:15b-19. Jehovai i sheh çështjet e njerëzve dhe ndërhyn në kohën e duhur sipas tij.

AJO ‘DO TË BËHET NJË KURORË E BUKUR’

(Isaia 60:1–66:24)

Duke iu referuar rivendosjes së adhurimit të vërtetë në kohët e lashta dhe në ditët tona, tek Isaia 60:1 thuhet: «Ngrihu, o grua, e lësho dritë, sepse drita jote ka ardhur dhe lavdia e Jehovait shndrit mbi ty.» Sioni ‘do të bëhet një kurorë e bukur në dorën e Jehovait’.​—Isaia 62:3.

Isaia i lutet Jehovait për bashkëkombësit e tij që do të tregojnë pendim gjatë mërgimit në Babiloni. (Isaia 63:15–64:12) Pasi bën dallimin midis shërbëtorëve të vërtetë dhe atyre të rremë, profeti shpall se si Jehovai do t’i bekojë ata që i shërbejnë.​—Isaia 65:1–66:24.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

61:8, 9—Çfarë është ‘besëlidhja e përjetshme’ dhe cilët janë «pasardhësit»? Kjo është besëlidhja që Jehovai ka bërë me të krishterët e mirosur. «Pasardhësit» janë ‘delet e tjera’​—miliona njerëz që i përgjigjen mesazhit të tyre.​—Gjoni 10:16.

63:5—Si e mbështet Perëndinë tërbimi i tij? Tërbimi i Perëndisë është një ndjenjë e kontrolluar​—zemërimi i tij i drejtë. Tërbimi e mbështet dhe e motivon që të ekzekutojë gjykimet e tij të drejta.

Mësime për ne:

64:6. Njerëzit e papërsosur nuk mund të shpëtojnë dot veten. Për sa i përket shlyerjes së mëkateve, tërë veprat e drejta të njerëzve nuk vlejnë më shumë sesa copat e ndotura.​—Romakëve 3:23, 24.

65:13, 14. Jehovai i bekon shërbëtorët e tij besnikë, duke ua plotësuar me bollëk nevojën frymore.

66:3-5. Jehovai e urren hipokrizinë.

«Ngazëlloni»

Sa ngushëlluese duhet të kenë qenë profecitë e rivendosjes së adhurimit të vërtetë për judenjtë besnikë që jetonin si të mërguar në Babiloni! Jehovai tha: «Ngazëlloni e jini gjithmonë të gëzuar për atë që krijoj, sepse ja, Jerusalemin do ta bëj burim gëzimi dhe popullin e tij burim ngazëllimi.»​—Isaia 65:18.

Edhe ne jetojmë në një kohë kur errësira mbështjell tokën dhe kombet janë në terr të zi. (Isaia 60:2) Jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Timoteut 3:1) Prandaj, mesazhi i shpëtimit i Jehovait që jepet në librin biblik të Isaisë, na jep shumë zemër.​—Hebrenjve 4:12.

[Shënimi]

^ par. 2 Për një shqyrtim të Isaisë 1:1–35:10, shih artikullin «Fjala e Jehovait është e gjallë​—Pika kryesore nga libri i Isaisë—​Pjesa I», që gjendet në Kullën e Rojës të 1 dhjetorit 2006.

[Figura në faqen 8]

A e dini arsyen kryesore pse Hezekia u lut që të shpëtonin nga asirianët?

[Figura në faqen 11]

«Sa të bukura janë mbi male këmbët e atij që sjell lajmin e mirë!»