Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Në ç’kuptim ai që mbledh popullin, «në një mijë burra» gjeti vetëm «një të drejtë», por «mes gjithë këtyre grave» nuk gjeti asnjë të tillë?—Eklisiastiu 7:28.
Që t’i kuptojmë drejt këto fjalë të frymëzuara, së pari duhet të shikojmë si i konsideron Perëndia gratë. Bibla e quan Ruthën, nusen e vejushës Naomi, ‘një grua të shkëlqyer’. (Rutha 3:11) Proverbat 31:10 thotë për një grua të mirë se «vlera e saj është shumë më e madhe se e koraleve». Atëherë, çfarë donte të thoshte mbreti Solomon i Izraelit të lashtë me fjalët: «Në një mijë burra, gjeta një të drejtë, por mes gjithë këtyre grave nuk gjeta asnjë të drejtë.»
Konteksti tregon se mes grave të kohës së Solomonit, duhet të kenë qenë shumë të përhapura normat e ulëta morale. (Eklisiastiu 7:26) Kjo mund të ketë ardhur kryesisht si pasojë e ndikimit të grave të huaja që praktikonin adhurimin e Baalit. Madje edhe mbreti Solomon iu dorëzua presionit nga gratë e tij të shumta të huaja. Bibla thotë: «Ai pati shtatëqind gra, princesha, dhe treqind konkubina. Pak e nga pak gratë e tij ia kthyen zemrën» që të adhuronte perëndi të rreme. (1 Mbretërve 11:1-4) Edhe normat morale të burrave ishin të ulëta—një burrë i drejtë në një mijë ishte një gjë e rrallë, pothuajse e papërfillshme. Solomoni nxjerr këtë përfundim: «Vetëm këtë kam gjetur, që Perëndia i vërtetë i bëri njerëzit të drejtë, por ata kanë kërkuar marifete të shumta.» (Eklisiastiu 7:29) Ky është një përfundim për njerëzimin—për racën njerëzore, dhe jo për burrin krahasuar me gruan. Prandaj, fjalët që gjenden tek Eklisiastiu 7:28 duhen parë si një pohim për gjendjen e përgjithshme morale të njerëzve në kohën e Solomonit.
Megjithatë, ky varg mund të ketë edhe një kuptim tjetër. Ai mund të jetë gjithashtu profetik, pasi asnjë grua nuk i është bindur Jehovait në mënyrë të përsosur. Por ka qenë një burrë që e ka bërë këtë—Jezu Krishti.—Romakëve 5:15-17.
[Figura në faqen 31]
‘Në një mijë burra, një i drejtë’