Qëndroni të palëkundur kur fëmija juaj rebelohet
Qëndroni të palëkundur kur fëmija juaj rebelohet
NJË e krishterë, që po e quajmë Xhoi, u përpoq ta edukonte të birin me dashurinë për Perëndinë Jehova. Por, pasi kaloi adoleshencën, djali u rebelua dhe iku nga shtëpia. Xhoi thotë: «Ishte dhembja më e madhe që kisha provuar ndonjëherë. U ndjeva e tradhtuar, zemërthyer dhe e dëshpëruar. Më pushtuan mendimet negative.»
Ndoshta edhe ju jeni përpjekur t’i rritni fëmijët me qëllim që ta duan Perëndinë dhe t’i shërbejnë, por, pastaj njëri ose disa prej tyre i kanë kthyer shpinën atij. Si ta përballoni këtë zhgënjim të hidhur? Çfarë do t’ju ndihmojë të qëndroni të palëkundur në shërbimin ndaj Jehovait?
Kur u rebeluan bijtë e Jehovait
Hapi i parë është të kuptoni se Jehovai e di shumë mirë se si ndiheni. Tek Isaia 49:15 lexojmë: «A mund ta harrojë një grua foshnjën e gjirit dhe të mos i vijë keq për fëmijën e barkut? Edhe sikur ato të harrojnë, unë nuk do të të harroj.» Po, Jehovai ka ndjenja si ato të etërve dhe të nënave. Atëherë, përfytyroni sa i kënaqur duhet të ketë qenë kur të gjithë bijtë e tij engjëllorë e lëvdonin dhe i shërbenin. Tek po i përgjigjej patriarkut Job që «nga stuhia», Jehovai rikujtoi kohët e lumtura që kishte kaluar me familjen e tij të bashkuar frymore, duke thënë: «Ku ishe ti, kur unë i vura themelet tokës? . . . Kur yjet e mëngjesit lëshonin tok britma hareje, dhe gjithë bijtë e Perëndisë brohoritnin tërë ngazëllim?»—Jobi 38:1, 4, 7.
Me kalimin e kohës, njëri nga bijtë e përsosur engjëllorë të Perëndisë së vërtetë u rebelua kundër tij dhe u bë Satana, që do të thotë «kundërshtar». Jehovai pa edhe kur biri i tij i parë njerëzor, Adami, dhe gruaja e tij e përsosur, Eva, u bashkuan në atë rebelim. (Zanafilla 3:1-6; Zbulesa 12:9) Më vonë, edhe bij të tjerë engjëllorë «braktisën vendbanimin e tyre të duhur» dhe u rebeluan kundër Perëndisë.—Juda 6.
Shkrimet nuk na thonë si u ndie Jehovai kur u rebeluan disa nga bijtë e tij të përsosur. Por Bibla thotë hapur: «Jehovai pa që e keqja e njeriut ishte e madhe në tokë, dhe çdo prirje e mendimeve të zemrës së tij ishte e keqe gjithë kohën. Jehovait i erdhi keq që kishte Zanafilla 6:5, 6) Edhe rebelimi i popullit të tij të zgjedhur, Izraelit, ‘e lëndonte’ Jehovain dhe ‘i shkaktonte dhembje’.—Psalmi 78:40, 41.
bërë njerëz në tokë, dhe u hidhërua në zemër.» (S’ka dyshim se Jehovai i kupton prindërit që provojnë lëndim e dhembje për shkak të sjelljes së fëmijëve rebelë. Në Fjalën e tij, në Bibël, ai ka dhënë këshilla të mençura dhe inkurajim, që këta prindër ta përballojnë situatën. Perëndia u bën thirrje atyre ta hedhin ankthin mbi të, të përulen dhe t’i kundërvihen Satana Djallit. Le të shohim se si mund t’ju ndihmojë ndjekja e këtyre këshillave që të qëndroni të palëkundur, kur fëmija juaj rebelohet.
Hidheni ankthin mbi Jehovain
Jehovai e di se s’ka ankth më të madh për prindërit, sesa ndjesia që fëmijët e tyre rrezikojnë të dëmtojnë veten ose të dëmtohen nga të tjerët. Apostulli Pjetër tregon një mënyrë për ta përballuar këtë ankth dhe shqetësime të tjera. Ai shkruan: «Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi [Jehovain], sepse ai interesohet për ju.» (1 Pjetrit 5:7) Pse kjo ftesë dhe siguri është e rëndësishme sidomos për prindërit e një fëmije rebel?
Kur fëmija ishte i vogël, ju ishit vigjilentë për ta mbrojtur nga rreziqet dhe ai me siguri u bindej rregullave tuaja të dashura. Por, ndërsa rritej, ndikimi juaj tek ai mund të jetë pakësuar, kurse dëshira e madhe për ta mbrojtur, jo. Në fakt, ka shumë mundësi që kjo dëshirë të jetë shtuar.
Rrjedhimisht, kur fëmija rebelohet dhe dëmtohet frymësisht, emocionalisht ose fizikisht, mund të mendoni se fajin e keni ju. Kështu ndihej Xhoi, e përmendur më parë. Ajo thotë: «Çdo ditë, e torturuar nga ndjenja e dështimit, kaloja nëpër mendje ngjarjet e shkuara.» Sidomos në kohë të tilla, Jehovai dëshiron që ju ‘ta hidhni gjithë ankthin mbi të’. Nëse veproni kështu, ai do t’ju ndihmojë. Psalmisti tha: «Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai vetë do të të mbështetë. Ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.» (Psalmi 55:22) Xhoi e provoi këtë ngushëllim. Ajo shpjegon: «Iu zbraza Jehovait duke i treguar gjithçka që po ndodhte brenda meje. Ndjenjat më buruan vetvetiu dhe provova një çlirim shumë të madh.»
Si prindër të papërsosur, ndoshta keni bërë disa gabime gjatë rritjes së fëmijës. Por, pse të përqendroheni aty? Nga sa duket, Jehovai nuk përqendrohet te gabimet e njerëzve, pasi psalmisti i frymëzuar këndoi: «Po t’i mbaje sytë te fajet, o Jah, o Jehova, kush do të mbetej në këmbë?» (Psalmi 130:3) Edhe sikur të kishit qenë prindër të përkryer, prapë fëmija mund të ishte rebeluar. Prandaj, zbrazjani ndjenjat tuaja Jehovait në lutje dhe ai do t’ju ndihmojë ta përballoni situatën. Megjithatë, që ju vetë të qëndroni të palëkundur në shërbim të Jehovait dhe të mos bini viktima të Satanait, duhet të bëni më tepër se kaq.
Përuluni
«Përuluni nën dorën e fuqishme të Perëndisë,—shkroi Pjetri,—që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur.» (1 Pjetrit 5:6) Pse nevojitet përulësia te ju prindër kur fëmija rebelohet? Përveçse ju shkakton ndjenja faji e dhembje, një fëmijë rebel mund t’ju bëjë të ndiheni me turp. Ndoshta jeni në merak se mos veprimet e fëmijës suaj kanë prishur emrin e mirë të familjes, sidomos nëse ai ose ajo është përjashtuar nga kongregacioni i krishterë. Shkurajimi që vjen nga ndjenjat e fajit dhe të poshtërimit, mund t’ju bëjë që të mos i ndiqni mbledhjet e krishtere.
Në këtë situatë, duhet të përdorni mençuri praktike. Te Proverbat 18:1 kemi paralajmërimin: «Kush veçohet, kërkon të plotësojë dëshirat e veta egoiste. Ai tërbohet kundër gjithë mençurisë.» Duke i ndjekur rregullisht mbledhjet e krishtere, edhe pse jeni të hidhëruar, do të mund të merrni udhëzime dhe inkurajim nga një burim jetësor. Xhoi pranon: «Fillimisht, nuk doja t’i dilja përpara askujt. Por, pastaj i kujtova vetes sa rëndësi ka programi im frymor. Veç kësaj, po të kisha ndenjur në shtëpi, vetëm sa do të kisha bluar në mendje problemet e mia. Mbledhjet më ndihmuan të përqendrohesha në gjërat frymore që janë ndërtuese. Jam vërtet mirënjohëse që nuk u veçova dhe nuk humba mbështetjen e dashur të vëllezërve e të motrave.»—Hebrenjve 10:24, 25.
Mos harroni edhe se çdo individ në familje «do të mbajë ngarkesën e vet» të përgjegjësisë së krishterë. (Galatasve 6:5) Jehovai pret që prindërit t’i duan dhe t’i disiplinojnë fëmijët. Pret edhe që fëmijët t’u binden prindërve e t’i nderojnë. Nëse bëjnë çmos t’i rritin fëmijët «në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait», prindërit për vete do të kenë një emër të mirë para Perëndisë. (Efesianëve 6:1-4) Në qoftë se një fëmijë rebelohet ndaj disiplinës së dashur prindërore, në këtë rast është emri i mirë i fëmijës që do të dëmtohet. «Një djalë njihet edhe nga veprimet e tij: nëse veprat e tij janë të kulluara dhe të drejta»,—thuhet te Proverbat 20:11. Sigurisht që rebelimi i Satanait nuk e ka dëmtuar emrin e mirë të Jehovait tek ata që i njohin faktet.
Kundërvijuni Djallit
Pjetri paralajmëron: «Ruani gjykimin, jini syçelë. Kundërshtari juaj, Djalli, vjen rrotull si një luan që ulërin, duke kërkuar të gllabërojë dikë.» (1 Pjetrit 5:8) Si një luan, Djalli shpesh vë në shënjestër të rinjtë dhe ata pa përvojë. Në kohët e lashta, në Izrael kishte luanë të cilët kërcënonin kafshët shtëpiake. Nëse një qengj i vogël do të largohej nga kopeja, do të bëhej pre e lehtë. Delja nënë, instinktivisht mund të rrezikonte jetën për të mbrojtur qengjin. Por as një dele e rritur nuk do të ishte e fortë përballë një luani, prandaj nevojiteshin barinj të guximshëm që ta mbronin kopenë.—1 Samuelit 17:34, 35.
Për të mbrojtur delet e tij të figurshme nga ‘luani që ulërin’, Jehovai ka siguruar barinj frymorë që të kujdesen për kopenë nën drejtimin e ‘kryebariut’, Jezu Krishtit. (1 Pjetrit 5:4) Pjetri u jep këtë nxitje këtyre burrave të emëruar: «Kulloteni kopenë e Perëndisë që është nën kujdesin tuaj, jo me detyrim, por vullnetarisht, as për fitim të pandershëm, por me gatishmëri.» (1 Pjetrit 5:1, 2) Me bashkëpunimin tuaj si prindër, këta barinj mund ta ndihmojnë një të ri që të ndreqë frymësisht jetën e tij.
Kur barinjtë e krishterë e shohin të nevojshme të këshillojnë fëmijën tuaj rebel, ndoshta ndieni brenda një nxitje për ta mbrojtur nga disiplina. Por ky do të ishte një gabim i rëndë. Pjetri thotë «kundërvijuni [Djallit]», jo barinjve frymorë.—1 Pjetrit 5:9.
Kur disiplina është e rëndë
Nëse fëmija juaj është i krishterë i pagëzuar dhe nuk është penduar, mund të marrë formën më të fortë të disiplinës, domethënë përjashtimin nga kongregacioni. Më pas, marrëdhëniet tuaja me të do të varen nga mosha e tij dhe nga rrethana të tjera.
Në rastin kur fëmija është i mitur dhe jeton në shtëpi me ju, natyrisht që do të vazhdoni të kujdeseni për nevojat e tij fizike. Ai ka nevojë edhe për stërvitje morale e disiplinë, dhe ju keni përgjegjësinë t’ia siguroni këto. (Proverbat 1:8-18; 6:20-22; 29:17) Ndoshta dëshironi t’i bëni një studim biblik, duke e përfshirë drejtpërdrejt. Mund t’i tregoni shkrime të ndryshme dhe botimet që siguron «skllavi i besueshëm dhe i matur». (Mateu 24:45) Mund ta merrni me vete fëmijën edhe në mbledhjet e kongregacionit, ku do të qëndrojë ulur pranë jush. E gjithë kjo mund të bëhet me shpresë se ai do t’u vërë veshin këshillave biblike.
Ndryshon puna kur i përjashtuari nuk është i mitur dhe jeton diku tjetër. Apostulli Pavël i këshilloi të krishterët e Korintit të lashtë: «Të mos përziheni më në shoqëri me këdo që quhet vëlla, por që është kurvar, lakmitar, idhujtar, sharës, pijanec ose zhvatës, madje as të mos hani me një njeri të tillë.» (1 Korintasve 5:11) Edhe pse mund të kërkohet njëfarë kontakti me të përjashtuarin për t’u kujdesur për çështjet e nevojshme familjare, një prind i krishterë duhet të përpiqet të shmangë shoqërimin e panevojshëm me të.
Kur barinjtë e krishterë disiplinojnë një fëmijë që ka gabuar, nuk do të ishte e mençur që ju ta hidhnit poshtë ose ta minimizonit këtë veprim të bazuar në Bibël. Po të mbani anën e fëmijës rebel, nuk po i siguroni mbrojtje të vërtetë nga Djalli. Faktikisht, po rrezikoni edhe shëndetin tuaj frymor. Nga ana tjetër, duke përkrahur përpjekjet e barinjve, do të mbeteni «të fortë në besim» dhe do t’i jepni ndihmën më të mirë fëmijës suaj.—1 Pjetrit 5:9.
Jehovai do t’ju mbështetë
Sikur të ndodhë që fëmija juaj të rebelohet, mos harroni se s’jeni vetëm. Edhe prindër të tjerë të krishterë kanë pasur përvoja të ngjashme. Pavarësisht nga sprovat që kalojmë, Jehovai mund të na mbështetë.—Psalmi 68:19.
Mbështetuni te Jehovai në lutje. Shoqërohuni rregullisht me kongregacionin e krishterë. Përkrahni disiplinën që japin barinjtë e emëruar. Duke vepruar kështu, do të qëndroni të palëkundur. Shembulli juaj i mirë mund ta ndihmojë fëmijën t’i përgjigjet ftesës së dashur të Jehovait për t’u kthyer tek ai.—Malakia 3:6, 7.
[Figurat në faqen 18]
Merrni forcë nga lutjet dhe nga kongregacioni i krishterë