A e presim të vërtetën vetëm nga të tjerët?
A e presim të vërtetën vetëm nga të tjerët?
«I URREJ gënjeshtrat dhe nuk më pëlqen të më gënjejnë»,—tha një vajzë 16-vjeçare. Shumica prej nesh ndihen po njëlloj. Na pëlqen që informacionet që na japin—qoftë me gojë, qoftë me shkrim—të jenë të vërteta. Po ne vetë, a themi të vërtetën kur u japim informacione të tjerëve?
Në një anketë që u bë në Gjermani, shumica dërrmuese e të anketuarve mendonin se «të gënjesh për gjëra të vogla, me qëllim që të mbrosh veten ose të tjerët, është e lejueshme, madje e domosdoshme që njerëzit të shkojnë mirë me njëri-tjetrin». Kurse një gazetare shkroi: «Të thuash gjithnjë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën është një ideal fisnik, por është gjë e mërzitshme.»
Mos vallë parapëlqejmë që të tjerët të na thonë të vërtetën, por mendojmë se ne vetë nganjëherë kemi arsye të vlefshme që të mos e themi? A ka rëndësi nëse themi apo jo të vërtetën? Ç’pasoja vijnë kur nuk themi të vërtetën?
Dëmi që vjen kur nuk themi të vërtetën
Të shqyrtojmë dëmin që mund të vijë kur nuk themi të vërtetën. Gënjeshtrat krijojnë ndjenjën e mosbesimit mes bashkëshortëve dhe mes pjesëtarëve të familjes. Thashethemet e pabazuara mund t’ia prishin emrin e mirë një njeriu. Mashtrimet nga ana e punonjësve rritin koston e prodhimit dhe sjellin si pasojë shtrenjtimin e produkteve. Të dhënat e rreme në formularët për pagimin e taksave u zhvatin qeverive të ardhurat e nevojshme që duhen për të siguruar shërbimet publike. Mashtrimet e atyre që merren me punë kërkimore u rrënojnë karrierën atyre vetë dhe u dëmtojnë reputacionin institucioneve të respektuara për të cilat punojnë. Planet e pandershme për t’u pasuruar shpejt u përlajnë investuesve naivë kursimet e tërë jetës ose kanë pasoja edhe më të këqija. Prandaj Bibla na thotë se mes gjërave të pështira për Perëndinë Jehova janë «gjuha gënjeshtare» dhe «dëshmitari i rremë që përhap gënjeshtra».—Proverbat 6:16-19.
Gënjeshtrat, të cilat janë shumë përhapura, mund të dëmtojnë individët dhe mbarë shoqërinë. Pak veta do ta vinin në dyshim këtë fakt. Por, pse atëherë njerëzit thonë me dashje gënjeshtra? Dhe, të thuash diçka jo të vërtetë, a është njësoj si të thuash një gënjeshtër? Përgjigjet e këtyre pyetjeve dhe të disa pyetjeve të tjera do t’i shqyrtojmë në artikullin vijues.
[Figura në faqen 3]
Gënjeshtrat krijojnë te bashkëshortët ndjenjën e mosbesimit