Amosi—Vjelës apo shpues fiqsh?
Amosi—Vjelës apo shpues fiqsh?
NË SHEKULLIN e nëntë p.e.s., Amaziahu i lig, një prift i adhurimit të viçit, e urdhëroi profetin Amos që të mos profetizonte më në Izrael. Amosi kundërshtoi duke i thënë: «Isha çoban dhe [shpues, shënimi] i fiqve të Egjiptit. Jehovai më mori nga kopeja dhe pikërisht Jehovai më tha: ‘Shko e profetizoji popullit tim, Izraelit.’» (Amosi 7:14, 15) Po, Jehovai e dërgoi Amosin si profet; ai nuk e bëri këtë me kokën e vet. Por, çfarë donte të thoshte Amosi kur tha se ishte «shpues» i fiqve të Egjiptit?
Fjala hebraike që është përkthyer kështu, del vetëm një herë në Përkthimin Bota e Re, te shënimet. Versione të tjera e përkthejnë këtë term «vjelës» ose «rritës», dhe jo «shpues» i fiqve të Egjiptit. Megjithatë, një revistë (Economic Botany) thotë se një përkthim i përshtatshëm i këtij termi do të ishte «shpues», sepse kjo fjalë tregon një veprim të veçantë nga kultivuesit e fiqve të Egjiptit.
Bërja e çarjeve të vogla ose shpimi i këtyre fiqve ka qenë shumë i njohur në Egjipt dhe në Qipro që në kohët e lashta. Ai nuk bëhet më sot në Izrael, sepse atje rriten varietete të tjera fiqsh. Megjithatë, izraelitët i shponin fiqtë në kohën e Amosit, meqë fiqtë e Egjiptit që rriteshin në atë kohë në Izrael, e kishin prejardhjen nga varietete egjiptiane.
Me sa duket, kur fiqtë shpohen, thithin ujë dhe bëhen të lëngshëm. Gjithashtu, kjo rrit prodhimin e gazit etilen, i cili shpejton procesin e pjekjes dhe bën që fryti të jetë më i madh dhe më i ëmbël. Përveç kësaj, grerëzat parazite nuk e dëmtojnë frytin, sepse piqet shpejt.
Megjithëse ishte njeri i thjeshtë, bari dhe shpues fiqsh, Amosi nuk u frikësua nga armiqtë e tij. Përkundrazi, me guxim shpalli mesazhin e gjykimit të Jehovait kundër Izraelit. Çfarë shembulli i shkëlqyer për shërbëtorët e Perëndisë sot, të cilët po ashtu duhet të shpallin një mesazh që nuk e pëlqejnë të gjithë njerëzit.—Mateu 5:11, 12; 10:22.