Lexohet lehtë, por a është i saktë?
Lexohet lehtë, por a është i saktë?
NË SHTATOR të vitit 2005, me entuziazëm Kisha Anglikane miratoi botimin e Biblës 100-minutëshe. Ky version i ri, i përgatitur për t’u lexuar për 100 minuta, i përmbledh Shkrimet Hebraike në 17 pjesë me nga një faqe secila, kurse Shkrimet Greke në 33 pjesë të tilla. Në këtë mënyrë, siç thotë një kritik, lë jashtë tërë ato «pjesë të mërzitshme». Ky version lexohet lehtë, por a është i saktë?
Ata që e studiojnë seriozisht Biblën do të vërejnë se, përveçse nuk është përmendur fare emri i Perëndisë, Jehova, janë bërë edhe shumë ndryshime të tjera. (Psalmi 83:18) Për shembull, në pjesën e parë thuhet se Perëndia «e krijoi qiellin dhe tokën për një periudhë prej gjashtë ditësh». Mirëpo te Zanafilla 1:1 thuhet vetëm: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.» Pas kësaj, në tregimin origjinal përshkruhen vepra të mëtejshme krijimi që lidheshin me tokën dhe që zgjatën gjashtë «ditë» ose periudha kohore. Më pas Zanafilla 2:4 e përmbledh tërë periudhën e krijimit duke e quajtur «ditën që Perëndia Jehova bëri tokën dhe qiellin».
Sipas Biblës 100-minutëshe, Jobin, një njeri me integritet, e sulmoi «një nga shërbëtorët [e Perëndisë], Satanai, . . . i cili kishte si detyrë të vepronte si paditësi i njerëzimit». A e shihni këtu pasaktësinë? Fjala «Satana» do të thotë «kundërshtar». Satanai jo vetëm që nuk është shërbëtori i Perëndisë, por në të vërtetë është armiku i tij kryesor dhe zgjodhi vetë të ishte paditësi i njerëzimit.—Zbulesa 12:7-10.
Ç’të themi për Shkrimet e Krishtere Greke të Biblës 100-minutëshe? Në shëmbëlltyrën e deleve dhe të cjepve, në versionin e ri thuhet se Jezui miraton ata njerëz që ndihmuan «këdo, sado i parëndësishëm», por në të vërtetë Jezui tha se bekon ata njerëz që u bëjnë të mira ithtarëve që ndjekin gjurmët e tij—‘vëllezërve’ të tij. (Mateu 25:40) Në përmbledhjen e Zbulesës u thuhet lexuesve se «Roma, Babilonia e madhe, do të shkatërrohej krejt». Por ata që studiojnë Biblën e dinë se në shkrimet origjinale asgjë nuk e mbështet një identifikim të tillë të ‘Babilonisë së Madhe’.—Zbulesa 17:15–18:24.
Për ata që kërkojnë të njohin Krijuesin dhe të kuptojnë qëllimin e tij, asgjë nuk mund t’ia zërë vendin Biblës së plotë. Vërtet që për ta lexuar Biblën do të duhen më tepër se 100 minuta, por ama të sjell shpërblime të mëdha. (Gjoni 17:3) Merreni përsipër këtë gjë që kërkon përpjekje e vendosmëri, dhe provojini vetë shpërblimet.—2 Timoteut 3:16, 17.