Pse gjej kënaqësi duke bërë dishepuj?
Jetëshkrim
Pse gjej kënaqësi duke bërë dishepuj?
Treguar nga Pamela Mozli
Në vitin 1941, kur mamaja më mori në Lester në një kongres të Dëshmitarëve të Jehovait, në Angli vazhdonte lufta me tërbim. Në kongres dëgjuam fjalimin special të Xhozef Radhërfordit në lidhje me fëmijët. Kur mamaja dhe unë u pagëzuam në atë kongres, vura re se ato që na kishin ndihmuar të përparonim frymësisht, ishin shumë të lumtura. Atëherë nuk e dija se sa gëzim provohet duke bërë dishepuj të Jezu Krishtit.
PËRPARIMI ynë për t’u bërë dishepuj kishte filluar një vit më parë. Ende e kujtoj atë ditë të frikshme në shtator 1939 kur shpërtheu Lufta II Botërore. Pashë mamanë që i rridhnin lot teksa pyeste pareshtur: «Pse bota nuk gjen dot paqe?» Prindërit e mi kishin shërbyer në forcat e armatosura gjatë Luftës I Botërore dhe kishin përjetuar tmerret e saj. Mamaja ia bëri pyetjen pastorit anglikan në Bristol. Ai vetëm sa i tha: «Luftëra ka pasur dhe do të ketë gjithmonë.»
Por pak kohë më pas, një zonjë e moshuar vizitoi shtëpinë tonë. Ishte një Dëshmitare e Jehovait. Mamaja i bëri të njëjtën pyetje: «Pse bota nuk gjen dot paqe?» Dëshmitarja i shpjegoi se luftërat janë pjesë e shenjës se po jetojmë në përfundim të këtij sistemi të dhunshëm. (Mateu 24:3-14) Shumë shpejt ne filluam të studionim Biblën me vajzën e saj. Të dyja ato ishin ndër njerëzit e gëzuar të pranishëm gjatë pagëzimit tonë. Pse i bën kaq të lumtur njerëzit vepra e bërjes së dishepujve? Më vonë e mora vesh. Më lejoni t’ju them disa prej gjërave që kam mësuar gjatë më shumë se 65 vjetëve në veprën e bërjes së dishepujve.
Provoj gëzim për herë të parë duke mësuar të tjerët
Kur isha 11 vjeçe, në Bristol fillova të merrja pjesë në predikimin për Mbretërinë. Një vëlla më dha një gramafon e një kartë dëshmie dhe më tha: «Atëherë, ti do të vizitosh të gjitha shtëpitë në atë anë të rrugës.» Kështu fillova të predikoja vetëm fare. Sigurisht që isha shumë në ankth. Vija në gramafon një fjalim biblik të regjistruar dhe, pasi të zotët e shtëpive e dëgjonin, u jepja një kartë dëshmie që i ftonte të pranonin literaturë biblike.
Në fillim të viteve 50 iu dha më shumë rëndësi leximit të vargjeve biblike gjatë veprës shtëpi më shtëpi. Herët e para, meqë isha e ndrojtur, e kisha të vështirë të flitja me njerëz të huaj dhe t’u shpjegoja vargjet biblike. Por, me kalimin e kohës fitova siguri te vetja. Pikërisht atëherë fillova ta shijoja vërtet shërbimin. Më parë disa njerëz na kishin parë si shitës librash, por tani që u lexonim dhe u shpjegonim vargjet biblike, na konsideronin mësues të Fjalës së Perëndisë. Më pëlqente aq shumë ta bëja këtë gjë, sa dëshiroja të merrja pjesë edhe më tepër. Prandaj, në shtator të vitit 1955 fillova shërbimin në kohë të plotë si pioniere.
Ngulmimi sjell shpërblime
Një nga gjërat e para që mësova ishte se ngulmimi me dashamirësi mund të sjellë shpërblime. Në një rast i lashë një revistë Kulla e Rojës një gruaje, Violeta Morisit. Kur u ktheva për ta takuar, ajo hapi derën deri në fund, ndenji duarkryq dhe dëgjoi me vëmendje teksa i shpjegoja Shkrimet. Çdo herë që e vizitoja, dukej shumë e interesuar. Por, kur i ofrova një studim biblik të rregullt, tha: «Jo. Të rriten fëmijët njëherë e pastaj të studiojmë.» Sa u zhgënjeva! Bibla thotë se ka «një kohë për të kërkuar dhe një kohë për të hequr dorë». (Eklisiastiu 3:6) Vendosa të mos heq dorë.
Pas një muaji u ktheva dhe shqyrtova disa shkrime të tjera me Violetën. Shumë shpejt ajo filloi një studim biblik të përjavshëm te pragu i derës. Më në fund, një ditë tha: «Pse nuk hyn brenda më mirë?» Çfarë besimtare e mrekullueshme që u bë Violeta! Po ashtu u bë një mike e shkëlqyer për mua! Po, ajo u pagëzua si Dëshmitare e Jehovait.
Një ditë Violeta u trondit kur mori vesh se burri e kishte shitur shtëpinë pa dijeninë e saj dhe e kishte braktisur. Shyqyr që falë një miku që ishte Dëshmitar, ajo gjeti një shtëpi tjetër po atë pasdite. Nga mirënjohja për Jehovain vendosi të shërbente gjithë jetën si pioniere. Kur pashë se si fryma e Jehovait e mbushi me zell për adhurimin e vërtetë, kuptova pse bërja e dishepujve sjell lumturi. Po, kjo vepër do të ishte qendra e jetës sime!
Në vitin 1957 unë dhe Meri Robinsoni u caktuam si pioniere në zonën industriale të Radhërglenit në Glasgou, Skoci. Predikonim në mjegull, në erë, në shi dhe në dëborë, por ia vlente! Një ditë takova Xhesin. Ndieja shumë kënaqësi kur studioja Biblën me të. I shoqi, Uolli, ishte komunist dhe fillimisht më shmangej. Kur studioi Biblën dhe kuptoi se vetëm Mbretëria e Perëndisë do të sjellë kushte ideale për njerëzit, ai u entuziazmua. Me kalimin e kohës të dy u përfshinë në veprën e bërjes së dishepujve.
Reagimet e para mund të të gënjejnë
Më vonë morëm një caktim të ri në Peizli, Skoci. Një ditë, kur po predikoja atje, një grua ma përplasi derën në fytyrë. Por më pas, filloi të sillej rrotull që të më gjente për të kërkuar falje. Kur u
ktheva javën vijuese, më tha: «U ndjeva sikur ia kisha përplasur derën në fytyrë Perëndisë. Duhej të të gjeja patjetër.» Ajo quhej Perla. Më tha se ishte zhgënjyer kaq shumë nga miqtë dhe të afërmit, sa i ishte lutur Perëndisë për një mike të vërtetë. «Pastaj erdhe ti te dera,—tha ajo.—Tani mendoj se ti duhet të jesh ajo mikja e vërtetë.»Nuk ishte e lehtë të isha mikja e Perlës. Ajo banonte në majën e një kodre të rrëpirët dhe më duhej të ngjitesha atje në këmbë. Kur i shkova në shtëpi që ta merrja në mbledhje për herë të parë, për pak sa nuk u rrëzova nga era dhe shiu i madh. Çadra u shqye dhe e hodha. Vetëm gjashtë muaj pasi më kishte përplasur derën në fytyrë, Perla e simbolizoi kushtimin ndaj Perëndisë duke u pagëzuar.
Shpejt edhe burri i saj vendosi të studionte Biblën dhe brenda një kohe të shkurtër dolëm në shërbimin shtëpi më shtëpi. Si zakonisht, binte shi. «Mos u shqetëso,—më tha ai.—Në mot si ky unë rri jashtë për orë të tëra duke parë futboll, prandaj mund të rri patjetër në shi për Jehovain.» Gjithmonë e kam admiruar vendosmërinë e skocezëve.
Sa e lumtur u ndjeva kur dhjetëvjeçarë më vonë u ktheva dhe pashë se shumica e atyre me të cilët studiova, po qëndrojnë ende në besim! Ky është gëzimi që vjen duke bërë dishepuj. (1 Selanikasve 2:17-20) Në vitin 1966, pas më shumë se tetë vjetësh si pioniere në Skoci, mora ftesën që të stërvitesha si misionare në Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit.
Në një vend të huaj
U caktova në Bolivi, në qytetin tropikal të Santa-Kruzit, ku kishte një kongregacion me rreth 50 lajmëtarë. Qyteti më sillte ndër mend kohën e sherifëve, siç përshkruhet në filmat e Hollivudit. Kur mendoj për të kaluarën, them se kam qenë një misionare fare e zakonshme. Kurrë nuk më kanë sulmuar krokodilët, nuk më ka rrethuar ndonjë turmë me njerëz të dhunshëm, nuk kam humbur në shkretëtirë ose nuk më është mbytur anija në mes të detit. Megjithatë, për mua vepra e bërjes së dishepujve ka qenë më emocionuese se tërë këto.
Një nga gratë e para me të cilat studiova Biblën në Santa-Kruz, ishte Antonia. E kisha shumë të vështirë t’i mësoja Biblën në spanjisht. Një herë, djali i vogël i Antonias tha: «O ma, kastile bën gabime ajo, që të qeshim ne?» Por së fundi Antonia u bë një dishepulle dhe po kështu edhe Jolanda, vajza e saj. Jolanda kishte një shok që studionte për juridik, të cilin e thërritnin Dito. Edhe ai filloi të studionte Biblën dhe të ndiqte mbledhjet. Nga përvoja me të mësova diçka tjetër se si t’ua mësojmë njerëzve të vërtetën e Biblës: disa herë njerëzit kanë nevojë për pak nxitje.
Kur Ditoja nisi të mungonte në studimin e Biblës, i thashë: «Dito, Jehovai nuk të detyron ta përkrahësh Mbretërinë e tij. Duhet të zgjedhësh.» Kur ai u përgjigj se donte t’i shërbente Perëndisë, i thashë: «Ti ke këtu fotografi të një udhëheqësi revolucionar. Nëse do të vinte dikush për vizitë e do t’i shihte, a do të mendonte se ke zgjedhur të përkrahësh Mbretërinë e Perëndisë?» Kjo ishte nxitja e vogël për të cilën kishte nevojë.
Dy javë më vonë shpërtheu një revolucion dhe nisi një përleshje me armë mes studentëve dhe policisë. «Ikim që këtej!»—i thirri Ditoja shokut të tij. «Jo! Kjo është dita e madhe që kemi pritur!»—u përgjigj shoku, duke rrëmbyer një armë dhe duke vrapuar për te tarraca e universitetit. Ai ishte një nga tetë shokët e Ditos që vdiqën atë ditë. A mund ta përfytyroni se sa e lumtur ndihem kur shoh këtë burrë, i cili mund të kishte vdekur po të mos kishte vendosur të bëhej një i krishterë i vërtetë?!
Shoh frymën e Jehovait në veprim
Një ditë po kaloja pranë një porte me mendimin se e kishim vizituar atë shtëpi, kur e zonja e shtëpisë më thirri. Quhej Injasia. Ajo i njihte Dëshmitarët e Jehovait, por për shkak të kundërshtimit të ashpër nga i shoqi—një oficer
policie i bëshëm me emrin Adalberto—nuk përparonte frymësisht. Ajo ishte e pështjelluar në lidhje me shumë mësime biblike kryesore, kështu që fillova të studioja Biblën me të. Edhe pse Adalbertoja ishte i vendosur ta ndalonte studimin, arrija të bisedoja me të për një kohë të gjatë për tema të tjera që s’kishin të bënin me Biblën. Ky ishte hapi i parë për t’u bërë miq.Përfytyroni gëzimin tim kur pashë që Injasia u bë një pjesëtare e dashur e kongregacionit dhe kujdesej për mirëqenien frymore dhe fizike të shumë vetave që kishin nevojë për ngushëllim. Me kohë, burri i saj dhe tre fëmijë u bënë Dëshmitarë. Në të vërtetë, kur Adalbertoja më në fund e kapi kuptimin e lajmit të mirë, u kthye në rajonin e policisë dhe foli me aq entuziazëm, sa siguroi nga policët 200 pajtime në revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!
Jehovai bën të rritet
Pasi shërbeva në Santa-Kruz për gjashtë vjet, u caktova në qytetin kryesor të Bolivisë, La Paz, ku qëndrova 25 vjet. Në fillim të viteve 70, dega e Dëshmitarëve të Jehovait në La Paz kishte vetëm 12 pjesëtarë. Ndërsa vepra e predikimit zgjerohej, dhe si rezultat kërkoheshin godina më të mëdha, u ngrit një ndërtesë e re e zyrës së degës në qytetin e Santa-Kruzit që rritej me të shpejtë. Zyra u vendos atje në vitin 1998 dhe unë mora ftesën që të bëhesha pjesëtare e personelit të degës, i cili tani përbëhet nga më shumë se 50 veta.
Nga një kongregacion i vetëm që ekzistonte në Santa-Kruz në vitin 1966, tani ka më shumë se 50 të tilla. Nga 640 Dëshmitarë që kishte atëherë në gjithë Bolivinë, sot ka rreth 18.000 veta.
Jam e lumtur që caktimi im në Bolivi ka qenë frytdhënës. Megjithatë, gjithnjë marr zemër nga besnikëria e të bashkëkrishterëve kudo që ndodhen. Të gjithë gëzohemi kur shohim bekimin e Jehovait mbi veprën e predikimit të Mbretërisë. Është vërtet një kënaqësi të marrësh pjesë në veprën e bërjes së dishepujve!—Mateu 28:19, 20.
[Figura në faqen 13]
Duke shërbyer si pioniere në Skoci
[Figurat në faqen 15]
Duke shërbyer në zyrën e degës në Bolivi; (fotografia e vogël) në diplomimin e klasës së 42-të të Galaadit