Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse të themi të vërtetën?

Pse të themi të vërtetën?

Pse të themi të vërtetën?

KUR ishte 18 vjeç, Manfredi po bënte praktikën në një firmë. * Firma për të cilën punonte organizoi që ai dhe praktikantë të tjerë, të ndiqnin dy ditë në javë një kolegj profesional. Një ditë klasa u la e lirë më herët se ç’ishte programuar. Sipas rregullave të firmës, praktikantët duhej të ktheheshin në punë për pjesën tjetër të ditës. Por ata shkuan të zbaviteshin, përveç Manfredit, i cili u kthye në punë. Rastësisht, erdhi përgjegjësi i firmës që kishte në ngarkim praktikantët. Kur e pa Manfredin, e pyeti: «Pse s’ke shkuar në mësim sot? Ku janë praktikantët e tjerë?» Si duhej të përgjigjej Manfredi?

Situata e sikletshme ku u gjend Manfredi është e zakonshme. A duhej të thoshte të vërtetën apo duhej të mbronte shokët e klasës? Nëse do të thoshte të vërtetën, do t’u sillte telashe të tjerëve dhe nuk do të shihej me sy të mirë. A është e pranueshme të thuash një gënjeshtër në rrethana të tilla? Çfarë do të kishe bërë ti? Do të flasim përsëri për Manfredin më vonë, por le të shqyrtojmë më përpara se çfarë gjërash përfshihen kur duhet të vendosim nëse do të themi apo jo të vërtetën.

Rivaliteti mes së vërtetës dhe gënjeshtrës

Në fillim të historisë njerëzore gjithçka bazohej tek e vërteta. Nuk kishte asnjë shtrembërim të fakteve, asnjë manipulim dhe asnjë keqparaqitje të së vërtetës. Jehovai, Krijuesi, është «Perëndi i së vërtetës». Fjala e tij është e vërteta; ai nuk mund të gënjejë dhe i dënon gënjeshtrat dhe gënjeshtarët.—Psalmi 31:5; Gjoni 17:17; Titit 1:2.

Meqë është kështu, nga zuri fill gënjeshtra? Jezu Krishti dha një përgjigje të besueshme kur u tha kundërshtarëve të tij fetarë që po përpiqeshin ta vritnin: «Ju jeni nga ati juaj, Djalli, dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj. Ai ishte vrasës që nga fillimi dhe nuk qëndroi i vendosur në të vërtetën, sepse e vërteta nuk është në të. Kur thotë gënjeshtra, i thotë se ashtu e ka natyrën, sepse ai është gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës.» (Gjoni 8:44) Natyrisht Jezui e kishte fjalën për ndodhinë në kopshtin e Edenit kur Satanai e nxiti çiftin e parë njerëzor që të mos i bindej Perëndisë, dhe kështu u bënë viktima të mëkatit e të vdekjes.​—Zanafilla 3:1-5; Romakëve 5:12.

Fjalët e Jezuit e identifikojnë qartë Satanain si «ati i gënjeshtrës», nismëtari i gënjeshtrave e i mashtrimeve. Satanai vazhdon të jetë përkrahësi kryesor i gënjeshtrave dhe në fakt po «mashtron gjithë tokën e banuar». Ai mban përgjegjësinë kryesore për dëmin që u kanë sjellë sot njerëzve gënjeshtrat kaq të përhapura.​—Zbulesa 12:9.

Rivaliteti mes së vërtetës dhe gënjeshtrës, të cilin e nisi Satana Djalli, vazhdon me furi edhe sot. Ai përshkon të gjitha nivelet e shoqërisë njerëzore dhe ndikon te çdo individ. Mënyra se si jeton një njeri tregon nëse është në anën e së vërtetës ose të gënjeshtrës. Ata që janë në anën e Perëndisë e bazojnë mënyrën e jetesës tek e vërteta e Fjalës së Perëndisë, Bibla. Kushdo që nuk e ndjek udhën e së vërtetës bie, me ose pa vetëdije, në duart e Satanait, sepse «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut».​—1 Gjonit 5:19; Mateu 7:13, 14.

Pse ekziston prirja për të gënjyer?

Fakti që «e gjithë bota» dergjet nën pushtetin e Satanait na tregon pse shumë njerëz gënjejnë. Por mund të pyesim: ‘Pse veproi ashtu Satanai, «ati i gënjeshtrës»?’ Ai e dinte se Jehovai është Sovrani i ligjshëm i gjithë krijimit, përfshirë edhe çiftin e parë njerëzor. Mirëpo Satanai dëshironte ta kishte vetë këtë pozitë të lartë e të pashoqe, dhe kjo ishte diçka që nuk i takonte. Nga lakmia dhe ambicia egoiste ai thuri plane që të zinte pa të drejtë vendin e Jehovait. Për të arritur këtë, Satanai përdori gënjeshtrat dhe mashtrimin.​—1 Timoteut 3:6.

Ç’të themi për sot? A nuk jeni dakord se lakmia dhe ambicia egoiste janë ende motivet kryesore që i shtyjnë shumë njerëz të gënjejnë? Biznesi lakmitar, politika e korruptuar dhe feja e rreme janë plot me mashtrime, gënjeshtra dhe manipulime. Pse? A nuk ndodh kjo ngaqë shpesh njerëzit motivohen nga lakmia dhe ambicia për sukses, pasuri, pushtet a pozitë që nuk u takon? Një sundimtar i mençur, mbreti Solomon i Izraelit të lashtë, paralajmëroi: «Kush nxiton të fitojë pasuri, s’do të mbetet i pafaj.» (Proverbat 28:20) Ndërsa apostulli Pavël shkroi: «Dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme.» (1 Timoteut 6:10) Patjetër që e njëjta gjë mund të thuhet edhe për dëshirën e papërmbajtur për pushtet ose pozitë.

Një tjetër faktor që fshihet pas gënjeshtrës është frika​—frika për pasojat ose për atë që mund të mendojnë të tjerët po të thuhet e vërteta. Është e natyrshme që njerëzit të duan pëlqimin ose miratimin e të tjerëve. Por kjo dëshirë mund t’i nxitë që të shtrembërojnë të vërtetën, qoftë edhe pak, me qëllim që të mbulojnë të meta, të fshehin hollësi të papëlqyeshme ose thjesht të lënë një përshtypje të mirë. Me të drejtë Solomoni shkroi: «Të dridhesh para njerëzve përbën një lak, por kush beson te Jehovai, është i mbrojtur.»​—Proverbat 29:25.

Besnikëri ndaj Perëndisë të së vërtetës

Çfarë tha Manfredi kur përgjegjësi i firmës i kërkoi një shpjegim? Manfredi tregoi të vërtetën. Ai i tha: «Sot mësuesi na la të lirë më herët, prandaj erdha në punë. Për të tjerët nuk mund të flas. Ndoshta mund t’i pyetni vetë.»

Manfredi mund të kishte dhënë ndonjë përgjigje dinake dhe tjetër për tjetër, e kështu praktikantët do ta shihnin me sy të mirë. Por ai kishte arsye të forta pse i qëndroi besnik së vërtetës. Manfredi është Dëshmitar i Jehovait. Me ndershmërinë e tij ai e ruajti ndërgjegjen të pastër. Gjithashtu fitoi besimin e punëdhënësit të tij. Si pjesë e praktikës, Manfredi u caktua në sektorin e bizhuterive, ku normalisht praktikantët nuk lejoheshin të punonin. Rreth 15 vjet më vonë, kur Manfredin e ngritën në një detyrë me përgjegjësi në atë firmë, po i njëjti përgjegjës e mori në telefon për ta përgëzuar dhe i kujtoi këtë ndodhi se si i ishte përmbajtur së vërtetës.

Meqë Jehovai është Perëndi i së vërtetës, kushdo që dëshiron të ketë një marrëdhënie të ngushtë me të, duhet ‘të flakë tej gënjeshtrën’ dhe ‘të thotë të vërtetën’. Një shërbëtor i Perëndisë duhet ta dojë të vërtetën. «Dëshmitar i besueshëm është ai që nuk gënjen»,—shkroi një njeri i mençur. Por çfarë është gënjeshtra?​—Efesianëve 4:25; Proverbat 14:5.

Çfarë është gënjeshtra?

Çdo gënjeshtër është një e pavërtetë, por jo çdo e pavërtetë është një gënjeshtër. Pse jo? Një fjalor e përkufizon gënjeshtrën si «pohim për diçka, të cilën ai që e thotë, e di ose mendon se nuk është e vërtetë, dhe që bëhet me qëllimin për të mashtruar». Po, gënjeshtra përfshin qëllimin për të mashtruar dikë. Prandaj, të thuash një të pavërtetë pa dashje​—si për shembull, t’i japësh gabimisht dikujt fakte ose shifra të pasakta​—nuk është njësoj sikur të thuash një gënjeshtër.

Përveç kësaj, duhet shqyrtuar nëse individi që kërkon informacionin ka të drejtën t’i jepet një përgjigje e plotë. Për shembull, ta zëmë se Manfredit do t’ia kishte bërë të njëjtat pyetje përgjegjësi i një firme tjetër. A do të ishte i detyruar Manfredi t’i thoshte gjithçka? Patjetër që jo. Meqë ky përgjegjës nuk do të kishte të drejtën për të pasur këto informacione, Manfredi nuk do të kishte pasur ndonjë detyrim për t’ia dhënë. Natyrisht, edhe në këtë rast, do të kishte qenë e gabuar të thoshte ndonjë gënjeshtër.

Çfarë shembulli la Jezu Krishti në këtë drejtim? Në një rast Jezui po bisedonte me disa jobesimtarë që po interesoheshin se çfarë planesh udhëtimi kishte. «Ik që këndej e shko në Jude»,—e këshilluan ata. Si u përgjigj Jezui? «Ngjituni ju në festë [në Jerusalem]; unë nuk po ngjitem ende, sepse koha e caktuar për mua ende nuk ka ardhur plotësisht.» Por pak kohë më pas, Jezui shkoi vërtet në Jerusalem për festën. Pse u përgjigj ai në atë mënyrë? Atyre nuk u takonte të dinin një më një hollësitë për vendndodhjen e tij. Kështu, edhe pse Jezui nuk tha një gënjeshtër, ai u dha një përgjigje jo të plotë, për të shmangur ndonjë të keqe që mund t’i bënin atij ose ithtarëve të tij. Kjo nuk ishte një gënjeshtër, pasi apostulli Pjetër shkroi për Krishtin: «Ai nuk kreu asnjë mëkat dhe në gojën e tij nuk u gjet asnjë mashtrim.»​—Gjoni 7:1-13; 1 Pjetrit 2:22.

Ç’të themi për vetë Pjetrin? A nuk gënjeu ai tri herë dhe mohoi se e njihte Jezuin, natën kur këtë të fundit e arrestuan? Po, Pjetri iu dorëzua frikës së njeriut dhe gënjeu. Por, menjëherë më pas ai «qau me hidhërim», u pendua dhe iu fal mëkati. Përveç kësaj, mësoi nga gabimi i vet. Disa ditë më vonë ai foli në publik për Jezuin dhe, megjithëse autoritetet judaike në Jerusalem e kërcënuan, me vendosmëri nuk pranoi të pushonte së foluri për të. Sigurisht që rënia e përkohshme dhe rimëkëmbja e shpejtë e Pjetrit, duhet të na japin zemër të gjithëve ne që mund të dorëzohemi në një moment dobësie dhe mund të pengohemi në fjalë ose në vepra.​—Mateu 26:69-75; Veprat 4:18-20; 5:27-32; Jakovi 3:2.

E vërteta do të jetë përgjithmonë

«Buzët e së vërtetës do të jenë përgjithmonë të qëndrueshme, kurse gjuha gënjeshtare do të zgjatë veç një çast»,—thuhet te Proverbat 12:19. Po, e vërteta është e qëndrueshme. Gjithashtu, marrëdhëniet mes njerëzve janë më të qëndrueshme dhe më të mira kur ata janë të vendosur të thonë të vërtetën dhe të veprojnë sipas saj. Pa dyshim, e vërteta sjell shpërblime të menjëhershme. Këtu përfshihen një ndërgjegje e pastër, një emër i mirë, si edhe lidhje e forta martesore, familjare, shoqërore e madje edhe biznesi.

Kurse gënjeshtra i ka këmbët të shkurtra. Një gjuhë që thotë gënjeshtra mund të mashtrojë për ca kohë, por gënjeshtra nuk zgjat shumë. Për më tepër, Jehovai, Perëndia i së vërtetës, ka caktuar një kufi kohor deri kur do të tolerohen gënjeshtrat dhe ata që i përhapin. Bibla premton se Jehovai do të zhdukë ndikimin e Satana Djallit, atit të gënjeshtrës, i cili mashtron gjithë tokën e banuar. Së shpejti Jehovai do t’u japë fund gjithë gënjeshtrave dhe gënjeshtarëve.​—Zbulesa 21:8.

Çfarë lehtësimi do të jetë kur më në fund «buzët e së vërtetës» do të jenë përgjithmonë të qëndrueshme!

[Shënimi]

^ par. 2 Emri është ndryshuar.

[Diçitura në faqen 5]

Lakmia dhe ambicia egoiste janë motivet që i shtyjnë shumë njerëz të gënjejnë

[Diçitura në faqen 6]

Çdo gënjeshtër është një e pavërtetë, por jo çdo e pavërtetë është një gënjeshtër

[Figura në faqen 6]

Çfarë mësojmë nga mohimi që i bëri Pjetri Krishtit?

[Figura në faqen 7]

Kur themi të vërtetën, kemi marrëdhënie të qëndrueshme dhe të mira