Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Çfarë është ‘lufta e Perëndisë së Plotfuqishëm’ në Harmagedon dhe cili do të jetë rezultati i saj?—Zbulesa 16:14, 16.
E thënë thjesht, lufta e Harmagedonit është lufta e ardhshme mbarëtokësore gjatë së cilës Mbreti i emëruar nga Jehovai, Jezu Krishti, do të shkatërrojë të gjithë armiqtë e Perëndisë. Bibla shpjegon se këta armiq, «mbretërit e mbarë tokës së banuar», mobilizohen nga «shprehje të frymëzuara nga demonët» dhe mblidhen «për luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm . . . në vendin që në hebraisht quhet Harmagedon».—Zbulesa 16:14, 16.
Vendi ku mblidhen palët ndërluftuese nuk është i mirëfilltë. Emri Harmagedon, që në disa versione të Biblës është përkthyer «Armagedon», do të thotë «mali i Megidos». (Zbulesa 16:16, shënimi) Nuk ka ekzistuar ndonjëherë një mal me këtë emër. Për më tepër, «mbretërit e tokës dhe ushtritë e tyre» nuk mund të mblidhen në kuptimin e mirëfilltë në një vend të vetëm. (Zbulesa 19:19) Përkundrazi, ‘vendi’ i referohet gjendjes në të cilën çohen sundimtarët politikë të botës dhe përkrahësit e tyre—domethënë kundër Jehovait dhe kundër ‘ushtrive që ishin në qiell’ nën komandën ushtarake të ‘Mbretit të mbretërve dhe Zotërisë së zotërinjve’, Jezu Krishtit.—Zbulesa 19:14, 16.
Është domethënëse që termi «Harmagedon» lidhet me qytetin e lashtë izraelit të Megidos. Megidoja ndodhej në një pozicion strategjik në lindje të malit Karmel dhe kishte nën kontroll rrugët kryesore tregtare dhe ushtarake të kohës. Gjithashtu ishte vendi i betejave vendimtare. Për shembull, pikërisht «pranë ujërave të Megidos», gjykatësi izraelit, Baraku, mundi një ushtri të fuqishme kananite të udhëhequr nga gjenerali Sisera. (Gjykatësit 4:12-24; 5:19, 20) Po në afërsi të Megidos, gjykatësi Gideon shpartalloi midianitët. (Gjykatësit 7:1-22) Duke lidhur Megidon me luftën e ardhshme, Bibla na siguron se Perëndia, nëpërmjet Birit të tij, do t’i mposhtë plotësisht të gjitha forcat kundërshtare.
Cili do të jetë rezultati? Lufta e Harmagedonit do të zhdukë nga toka tërë korrupsionin dhe ligësinë. Ajo do t’i hapë udhën epokës më të lavdishme të historisë njerëzore. (Zbulesa 21:1-4) Nën mbikëqyrjen e dashur të Mbretërisë së Perëndisë, toka do të shndërrohet në një parajsë në të cilën të drejtët do të jetojnë përgjithmonë.—Psalmi 37:29.