Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ta shtojmë gjithnjë e më tepër mirënjohjen tonë

Ta shtojmë gjithnjë e më tepër mirënjohjen tonë

Ta shtojmë gjithnjë e më tepër mirënjohjen tonë

«Sa të çmuara janë mendimet e tua për mua! O Perëndi, sa i madh është gjithë numri i tyre!»​—PSALMI 139:17.

1, 2. Pse duhet ta vlerësojmë Fjalën e Perëndisë dhe si e shprehu psalmisti vlerësimin e tij?

ISHTE një zbulim i jashtëzakonshëm. Kur po bëheshin meremetime në tempullin e Jehovait në Jerusalem, kryeprifti Hilkiah gjeti «librin e ligjit të Jehovait që ishte dhënë me anë të dorës së Moisiut», pa dyshim origjinalin që ishte shkruar rreth 800 vjet më parë. A mund ta përfytyroni si duhet të jetë ndier mbreti Josia, që i frikësohej Perëndisë, kur ia vunë librin përpara? Ai e çmonte shumë dhe menjëherë i tha Shafanit, sekretarit, që ta lexonte me zë.​—2 Kronikave 34:14-18.

2 Sot Fjalën e Perëndisë, të gjithën ose pjesërisht, mund ta lexojnë miliarda njerëz. Por, a do të thotë kjo se Shkrimet kanë më pak vlerë ose janë më pak të rëndësishme? Patjetër që jo! Në fund të fundit ato përmbajnë vetë mendimet e të Plotfuqishmit, të shkruara për dobinë tonë. (2 Timoteut 3:16) Duke shprehur ndjenjat e tij për Fjalën e Perëndisë, psalmisti David shkroi: «Sa të çmuara janë mendimet e tua për mua! O Perëndi, sa i madh është gjithë numri i tyre!»​—Psalmi 139:17.

3. Ç’gjë tregon se Davidi ishte një njeri me kuptueshmëri të thellë frymore?

3 Vlerësimi i Davidit për Jehovain, për Fjalën e për adhurimin e Tij nuk u venit kurrë. Në psalmet e shumta të bukura që kompozoi Davidi shprehen ndjenjat e tij. Për shembull, te Psalmi 27:4 ai shkroi: «Një gjë i kam kërkuar Jehovait dhe atë i kërkoj prapë: të banoj në shtëpinë e Jehovait gjatë gjithë jetës sime, që të shoh hijeshinë e Jehovait dhe të sodit me ëndje tempullin e tij.» Në hebraishten origjinale shprehja «sodit me ëndje» do të thotë edhe rri e mendoj, këqyr ose shoh me kënaqësi a admirim. Pa dyshim, Davidi ishte një njeri me kuptueshmëri të thellë frymore, i cili vërtet i vlerësonte masat frymore të Jehovait dhe kënaqej me çdo pjesë të vogël të së vërtetës frymore që zbulonte Perëndia. Shembulli i tij i çmueshmërisë është i denjë për t’u imituar.​—Psalmi 19:7-11.

Jini mirënjohës për privilegjin që njihni të vërtetën biblike

4. Për ç’arsye Jezui «u mbush me gëzim e me frymë të shenjtë»?

4 Gjykimi i thellë që fitojmë për Fjalën e Perëndisë nuk varet nga aftësitë intelektuale ose nga arsimimi botëror, të cilat kanë prirjen të ushqejnë krenarinë. Përkundrazi, varet nga dashamirësia e pamerituar e Jehovait, që ai ua tregon njerëzve të përulur e me zemër të sinqertë, të cilët janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë. (Mateu 5:3; 1 Gjonit 5:20) Kur Jezui meditoi për faktin se disa njerëzve të papërsosur po u shkruheshin emrat në qiej, «u mbush me gëzim e me frymë të shenjtë dhe tha: ‘Unë të lëvdoj publikisht, o Atë, Zotëri i qiellit dhe i tokës, sepse ti ua ke fshehur me kujdes këto gjëra të mençurve e të zgjuarve dhe ua ke zbuluar fëmijëve.’»​—Luka 10:17-21.

5. Pse dishepujt e Jezuit nuk duhej t’i merrnin si gjëra të zakonshme të vërtetat e Mbretërisë që iu zbuluan?

5 Pasi bëri atë lutje të përzemërt, Jezui u kthye nga dishepujt dhe u tha: «Lum sytë që shohin gjërat që po shihni ju! Sepse unë po ju them: shumë profetë dhe mbretër dëshiruan t’i shihnin gjërat që po shihni ju, por nuk i panë, dhe të dëgjonin gjërat që po dëgjoni ju, por nuk i dëgjuan.» Po, Jezui i nxiti ithtarët e tij besnikë që të mos i merrnin si gjëra të zakonshme të vërtetat e çmuara të Mbretërisë që po u zbuloheshin. Këto të vërteta nuk u ishin zbuluar brezave të mëparshëm të shërbëtorëve të Perëndisë dhe patjetër nuk iu zbuluan as «të mençurve e të zgjuarve» të kohës së Jezuit!​—Luka 10:23, 24.

6, 7. (a) Çfarë arsyesh kemi për të qenë mirënjohës për të vërtetën hyjnore? (b) Çfarë ndryshimi shihet sot mes fesë së vërtetë dhe asaj të rreme?

6 Në kohën tonë kemi edhe më shumë arsye që të jemi mirënjohës për të vërtetën hyjnore, sepse Jehovai, nëpërmjet ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’, i ka dhënë popullit të Tij gjykim edhe më të thellë për Fjalën e Tij. (Mateu 24:45; Danieli 12:10) Në lidhje me kohën e fundit, profeti Daniel shkroi: «Shumë do të enden lart e poshtë dhe njohuria e vërtetë do të jetë e bollshme.» (Danieli 12:4) A nuk jeni dakord se sot njohuria e Perëndisë është «e bollshme» dhe se shërbëtorët e Jehovait ushqehen mirë frymësisht?

7 Çfarë ndryshimi që vërejmë mes begatisë frymore të popullit të Perëndisë dhe pështjellimit fetar të Babilonisë së Madhe! Si rrjedhim, shumë njerëz që janë zhgënjyer ose neveritur prej fesë së rreme, po i drejtohen adhurimit të vërtetë. Ata janë individët ngjashëm deleve që ‘nuk duan të marrin pjesë me [Babiloninë e Madhe] në mëkatet e saj’ ose ‘nuk duan të marrin nga plagët e saj’. Jehovai dhe shërbëtorët e tij i ftojnë tërë këta njerëz në kongregacionin e krishterë të vërtetë.​—Zbulesa 18:2-4; 22:17.

Mirënjohësit vërshojnë drejt adhurimit të Perëndisë

8, 9. Si po përmbushen sot fjalët e Hageut 2:7?

8 Jehovai paratha për shtëpinë e tij frymore të adhurimit: «Do të lëkund gjithë kombet dhe gjërat e dëshirueshme të të gjitha kombeve kanë për të ardhur; unë do ta mbush këtë shtëpi me lavdi.» (Hageu 2:7) Kjo profeci mahnitëse u përmbush në kohën e Hageut kur një mbetje e rivendosur e popullit të Perëndisë rindërtoi tempullin në Jerusalem. Sot fjalët e Hageut po përmbushen më tej në lidhje me tempullin e madh frymor të Jehovait.

9 Miliona veta kanë vërshuar tashmë në tempullin e figurshëm, që të adhurojnë Perëndinë «me frymë dhe të vërtetë», dhe çdo vit vazhdojnë të vërshojnë në të qindra mijë veta që përshkruhen si «gjërat e dëshirueshme të të gjitha kombeve». (Gjoni 4:23, 24) Për shembull, në raportin botëror për vitin e shërbimit 2006 tregohet se 248.327 veta u pagëzuan në simbol të kushtimit të tyre ndaj Jehovait. Kjo do të thotë mesatarisht 680 veta në ditë! Dashuria e tyre për të vërtetën dhe dëshira për t’i shërbyer Jehovait si lajmëtarë të Mbretërisë, japin dëshmi se vërtet Perëndia i ka tërhequr.​—Gjoni 6:44, 65.

10, 11. Përmendni një përvojë që tregon se si njerëzit kanë arritur të çmojnë të vërtetën biblike.

10 Shumë nga këta njerëz me zemër të sinqertë i tërhoqi e vërteta, sepse panë «dallimin mes të drejtit dhe të ligut, mes atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i shërben». (Malakia 3:18) Të shqyrtojmë përvojën e Uejnit dhe të Virxhinias, një çift i martuar, që bënin pjesë në një kishë protestante, por që kishin shumë pyetje për të cilat nuk kishin marrë përgjigje. Ata e urrenin luftën dhe ishin pështjelluar e shqetësuar kur kishin parë klerin që bekonte ushtarët dhe armët. Ndërsa plakeshin, ndiheshin të shpërfillur nga të tjerët në kishë, megjithëse për shumë vjet Virxhinia kishte dhënë mësim në shkollën e së dielës në kishë. «Askush nuk na vinte për vizitë dhe as interesohej për gjendjen tonë frymore,—thanë ata.—Kisha interesohej vetëm për paratë. Ndiheshim të zhgënjyer.» U zhgënjyen edhe më shumë kur kisha e tyre përvetësoi një qëndrim tolerant ndaj homoseksualizmit.

11 Ndërkohë mbesa e Uejnit dhe e Virxhinias e më pas edhe vajza e tyre, u bënë Dëshmitarë të Jehovait. Ndonëse në fillim Uejni dhe Virxhinia u shqetësuan për këtë, më vonë ndërruan mendje dhe pranuan një studim biblik. Uejni tha: «Vetëm për tre muaj mësuam rreth Biblës më shumë sesa kishim mësuar për 70 vjet! Nuk e dinim se emri i Perëndisë është Jehova dhe nuk dinim gjë për Mbretërinë dhe për tokën parajsore.» Shumë shpejt ky çift i sinqertë filloi të ndiqte mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait dhe të dilte në shërbim me ta. «Duam t’u flasim të gjithë njerëzve për të vërtetën»,—tha Virxhinia. U pagëzuan që të dy në vitin 2005, kur ishin te të tetëdhjetat. «Kemi gjetur familjen e të krishterëve të vërtetë»,—thanë ata.

Tregohuni mirënjohës që jeni ‘të pajisur për çdo vepër të mirë’

12. Çfarë u siguron gjithnjë Jehovai shërbëtorëve të tij dhe çfarë duhet të bëjmë që të nxjerrim dobi?

12 Jehovai i ndihmon gjithnjë shërbëtorët e vet që të bëjnë vullnetin e tij. Për shembull, Noeja mori udhëzime të qarta dhe specifike se si ta ndërtonte arkën—një projekt që duhej bërë në mënyrë të saktë, edhe pse ishte për herë të parë. E ashtu u bë. Pse? Sepse Noeja «veproi në përputhje me të gjitha ato që i urdhëroi Perëndia. Ai bëri pikërisht ashtu». (Zanafilla 6:14-22) Edhe sot Jehovai i pajis plotësisht shërbëtorët e vet që të bëjnë vullnetin e tij. Natyrisht vepra jonë kryesore është që të predikojmë lajmin e mirë për Mbretërinë e vendosur të Perëndisë dhe t’i ndihmojmë njerëzit që e meritojnë, të bëhen dishepuj të Jezu Krishtit. Ashtu si ndodhi me Noenë, suksesi varet nga bindja jonë. Duhet të bindemi e të ndjekim drejtimin që Jehovai siguron me anë të Fjalës dhe organizatës së tij.​—Mateu 24:14; 28:19, 20.

13. Si na stërvit Jehovai?

13 Që ta kryejmë këtë vepër duhet të mësojmë ‘ta përdorim drejt’ mjetin tonë kryesor—Fjalën e Perëndisë—e cila është ‘e dobishme për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë’. (2 Timoteut 2:15; 3:16, 17) Ashtu si në shekullin e parë, Jehovai na jep stërvitje të çmuar nëpërmjet kongregacionit të krishterë. Sot në 99.770 kongregacionet në mbarë botën, çdo javë mbahet Shkolla e Shërbimit Teokratik dhe Mbledhja e Shërbimit që të na ndihmojnë për shërbimin. A e tregoni mirënjohjen për këto mbledhje të rëndësishme duke i ndjekur rregullisht dhe duke i zbatuar gjërat që mësoni atje?​—Hebrenjve 10:24, 25.

14. Si e tregojnë shërbëtorët e Jehovait mirënjohjen e tyre për privilegjin që i shërbejnë Perëndisë? (Përfshini komente rreth tabelës në faqet 27-30.)

14 Miliona pjesëtarë të popullit të Perëndisë në mbarë botën po përpiqen fuqimisht në shërbim, duke treguar mirënjohjen e tyre për stërvitjen që marrin. Për shembull, gjatë vitit të shërbimit 2006, 6.741.444 lajmëtarë të Mbretërisë kaluan gjithsej 1.333.966.199 orë në të gjitha aspektet e veprës, duke përfshirë edhe drejtimin e 6.286.618 studimeve biblike në shtëpi. Këto janë vetëm disa prej hollësive inkurajuese që janë renditur në raportin botëror. Ju ftojmë ta shqyrtoni mirë këtë raport dhe të merrni zemër prej tij, ashtu si vëllezërit tanë në shekullin e parë pa dyshim morën zemër nga raportet për zgjerimin e veprës së predikimit në kohën e tyre.​—Veprat 1:15; 2:5-11, 41, 47; 4:4; 6:7.

15. Pse askush nuk duhet të ndihet i shkurajuar për shërbimin me gjithë shpirt që i bën Jehovait?

15 Lëvdimi i jashtëzakonshëm që jehon drejt Perëndisë çdo vit, pasqyron mirënjohjen e thellë të shërbëtorëve të tij për privilegjin që kanë ta njohin dhe të japin dëshmi për të. (Isaia 43:10) Vërtet, flijimi i lavdisë që mund të japin disa nga vëllezërit dhe motrat tona të moshuar ose të sëmurë, mund të krahasohet me qindarkat e vejushës. Por le të mos harrojmë se Jehovai dhe Biri i tij i vlerësojnë vërtet të gjithë ata që i shërbejnë Perëndisë me gjithë shpirt, ndërsa bëjnë gjithçka munden.​—Luka 21:1-4; Galatasve 6:4.

16. Cilat mjete për mësimdhënien ka siguruar Perëndia kohët e fundit?

16 Përveçse na stërvit për shërbimin, Jehovai, nëpërmjet organizatës së tij, na pajis me mjete të shkëlqyera për mësimdhënien. Në dhjetëvjeçarët e fundit, ndër këto mjete kanë qenë librat E vërteta që të çon në jetën e përjetshme, Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi tokë, Njohuria që të çon në jetën e përhershme dhe tani libri Çfarë mëson vërtet Bibla? Ata që i vlerësojnë vërtet këto botime, i përdorin mirë në shërbim.

Përdoreni mirë librin Çfarë mëson vërtet Bibla?

17, 18. (a) Cilat pjesë të librit Çfarë mëson vërtet Bibla? ju pëlqen t’i theksoni në shërbim? (b) Çfarë tha një mbikëqyrës qarkor për librin Çfarë mëson vërtet Bibla?

17 Libri Çfarë mëson vërtet Bibla?, i cili përmban 19 kapituj e një shtojcë të hollësishme dhe ka një gjuhë të qartë e të thjeshtë, është një bekim për shërbimin. Për shembull, në kapitullin e 12-të trajtohet tema «Të jetojmë në mënyrën që i pëlqen Perëndisë». Ky material i shpjegon studentit se si të bëhet mik i Perëndisë, dhe kjo është diçka që shumë njerëz as që e kanë menduar se mund të arrihet. (Jakovi 2:23) Si e kanë pritur njerëzit këtë mjet ndihmës për studimin e Biblës?

18 Një mbikëqyrës qarkor në Australi raporton se libri Çfarë mëson vërtet Bibla? «i tërheq në çast njerëzit dhe i përfshin shumë shpejt në biseda». Ai thotë më tej se ky libër është kaq i thjeshtë për t’u përdorur, saqë «shumë lajmëtarëve të Mbretërisë u ka përtërirë sigurinë dhe gëzimin në shërbim. Jo më kot disa kanë filluar ta quajnë ‘xhevahiri me ngjyrë floriri’ këtë libër».

19-21. Tregoni disa përvoja që nxjerrin në pah vlerën e librit Çfarë mëson vërtet Bibla?

19 «Të solli Perëndia!»—i tha një grua në Guajanë pionierit që i shkoi te dera e dyqanit. Burri që bashkëjetonte me të e kishte braktisur para pak kohësh atë dhe dy fëmijët e tyre të vegjël. Pionieri hapi librin Çfarë mëson vërtet Bibla? te kapitulli i 1-rë dhe lexoi me zë paragrafin 11, poshtë nëntitullit «Çfarë ndien Perëndia për padrejtësitë që na bëhen?» Ai tregon: «Gjërat që thuheshin aty e prekën thellë. Ajo u ngrit, shkoi prapa dyqanit të vet dhe shpërtheu në lot.» Kjo grua pranoi një studim të rregullt të Biblës me një motër vendëse dhe po bën përparim.

20 Hozesë, që jeton në Spanjë, i vdiq gruaja në një aksident rrugor. Ai kërkoi ngushëllim te droga, si edhe u këshillua me psikologë. Por ata nuk mundën t’i jepnin përgjigje për pyetjen që e mundonte më shumë: «Pse lejoi Perëndia që të më vdiste gruaja?» Një ditë Hozeja takoi Françeskun, i cili punonte në të njëjtën firmë. Françesku i sugjeroi të trajtonin kapitullin e 11-të të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, me titull «Pse i lejon Perëndia vuajtjet?» Shpjegimet nga Bibla dhe ilustrimi i mësuesit me nxënësin i bënë shumë përshtypje Hozesë. Ai filloi të studionte me seriozitet, ndoqi një asamble qarkore dhe tani ndjek mbledhjet në Sallën e Mbretërisë në zonën e tij.

21 Romani, një biznesmen 40-vjeçar nga Polonia, gjithnjë ka pasur respekt për Fjalën e Perëndisë. Por, ngaqë ishte tepër i zënë me punë, nuk bëri shumë përparim në studimin e Biblës. Megjithatë, ndoqi një kongres krahinor dhe mori një kopje të librit Çfarë mëson vërtet Bibla? Më pas përparoi dukshëm. Ai thotë: «Me anë të këtij libri të gjitha mësimet kryesore të Biblës të lidhen bashkë si pjesët e një mozaiku, dhe kështu ke një tablo të plotë.» Tani Romani e studion Biblën rregullisht dhe po bën përparim të shkëlqyer.

Ta shtojmë gjithnjë e më tepër mirënjohjen

22, 23. Si mund të vazhdojmë ta tregojmë mirënjohjen tonë për shpresën që kemi përpara?

22 Siç u shpjegua në Kongresin e mrekullueshëm Krahinor «Çlirimi është afër!», të krishterët e vërtetë dëshirojnë me zjarr ‘çlirimin e përhershëm’ që ka premtuar Perëndia dhe që është bërë i mundur falë gjakut të derdhur të Jezu Krishtit. Nuk ka mënyrë më të mirë për ta treguar mirënjohjen nga zemra për këtë shpresë të çmuar, sesa duke vazhduar të pastrohemi «nga veprat e vdekura, që t’i bëjmë shërbim të shenjtë Perëndisë së gjallë».​—Hebrenjve 9:12, 14.

23 Po, është vërtet një mrekulli që më tepër se gjashtë milionë lajmëtarët e Mbretërisë qëndrojnë besnikërisht në shërbimin ndaj Perëndisë, në një kohë kur presioni për t’u përqendruar te vetja është më i madh se kurrë. Kjo tregon gjithashtu se shërbëtorët e Jehovait janë shumë mirënjohës për privilegjin që i shërbejnë Perëndisë, duke e ditur se «mundi [i tyre] s’është i kotë në lidhje me Zotërinë». Le ta shtojmë gjithnjë e më tepër këtë mirënjohje!​—1 Korintasve 15:58; Psalmi 110:3.

Si do të përgjigjeshit?

• Çfarë na mëson psalmisti për mirënjohjen që duhet të kemi për Perëndinë dhe për masat e Tij frymore?

• Si po përmbushen sot fjalët e Hageut 2:7?

• Si i ka pajisur Jehovai shërbëtorët e vet që t’i shërbejnë me efektshmëri?

• Si mund ta tregoni mirënjohjen tuaj për mirësinë e Jehovait?

[Pyetjet]

[Tabela në faqet 27-30]

RAPORTI BOTËROR I DËSHMITARËVE TË JEHOVAIT PËR VITIN E SHËRBIMIT 2006

(Shiko botimin)

[Figurat në faqen 25]

Jehovai na pajis plotësisht që të bëjmë vullnetin e tij