Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ndërtimi frymor në «Shtëpinë prej guri»

Ndërtimi frymor në «Shtëpinë prej guri»

Ndërtimi frymor në «Shtëpinë prej guri»

Emri i këtij vendi afrikan do të thotë «Shtëpi prej guri». Është një vend që njihet për ujëvarën Viktoria dhe për larminë e kafshëve të egra. Megjithatë, në të ndodhen ndërtesat më të mëdha që janë ndërtuar në lashtësi në jug të Saharasë. Një rrafshnaltë graniti e përshkon qendrën e këtij vendi. Klima e butë në këtë rrafshnaltë krijon një peizazh pjellor e të harlisur. Kjo është Zimbabveja, me një popullsi prej rreth 12 milionë banorësh.

PSE quhet «Shtëpi prej guri»? Në vitin 1867, gjuetari dhe eksploruesi Adam Renders ndeshi disa struktura të mëdha guri, të shpërndara në një zonë prej më tepër se 720 hektarësh. Ai kishte udhëtuar nëpër savanën afrikane ku shtëpitë bëheshin në përgjithësi me baltë, hunj dhe me çati prej bari të thatë. Kur ja, ndeshi rrënojat prej guri të një qyteti të stërmadh, që tani quhet Zimbabveja e Madhe.

Këto rrënoja ndodhen pikërisht në jug të zonës që njihet me emrin Masvingo. Disa prej mureve janë më shumë se 9 metra të lartë dhe gurët e tyre prej graniti janë vendosur mbi njëri-tjetrin pa llaç. Brenda rrënojave ndodhet një kullë e pazakontë konike që ngrihet rreth 11 metra mbi një bazë me diametër 6 metra. Qëllimi i saktë pse ishte ngritur kjo ndërtesë nuk dihet. Rrënojat datojnë në shekullin e tetë të e.s., por ka dëshmi se vendi ishte i banuar edhe qindra vjet para kësaj date.

Në vitin 1980, ky vend, që në atë kohë njihej si Rodezia, fitoi pavarësinë nga Britania dhe u quajt përsëri Zimbabve. Banorët e tij u përkasin dy grupeve kryesore etnike—grupit shon, që përbën pjesën më të madhe të popullsisë, dhe grupit ndebele. Njerëzit janë mikpritës, siç e kanë vërejtur shpesh Dëshmitarët e Jehovait në veprën e tyre ungjillëzuese shtëpi më shtëpi. Disa herë, edhe para se një vizitor të identifikohet, sapo troket do të dëgjojë menjëherë ftesën «Hyr!» dhe «Ulu, të lutem!». Shumica e zimbabveasve kanë respekt të thellë për Biblën dhe shpesh këmbëngulin që, gjatë bisedave biblike, edhe fëmijët të ulen e të dëgjojnë.

Ofrojnë një mesazh inkurajimi dhe ngushëllimi

«SIDA» dhe «thatësira» janë fjalë që përdoren shpesh në lajme kur flitet për Zimbabvenë. Përhapja e SIDA-s ka pasur pasoja të rënda në popullsinë dhe ekonominë e vendeve të Afrikës Subsahariane. Këtu njerëzit shtrohen në spital zakonisht për shkak të HIV-it. Sëmundja ua ka shkatërruar jetën familjare shumë vetave.

Për t’i ndihmuar njerëzit në Zimbabve, Dëshmitarët e Jehovait po shpallin pa u lodhur se mënyra më e mirë e jetesës është ajo që drejtohet nga normat e Perëndisë që tregohen në Bibël. Për shembull, Fjala e Perëndisë mëson se dhurata e intimitetit seksual që vjen nga Perëndia duhet gëzuar vetëm brenda martesës, se homoseksualizmi është i papranueshëm për Perëndinë dhe se transfuzioni i gjakut e përdorimi i drogave për zbavitje ndalohen nga ligjet e Jehovait. (Veprat 15:28, 29; Romakëve 1:24-27; 1 Korintasve 7:2-5; 2 Korintasve 7:1) Gjithashtu Dëshmitarët shpërndajnë një mesazh shprese me baza të forta, duke theksuar se në të ardhmen e afërt Mbretëria e Perëndisë do të zhdukë të gjitha sëmundjet.​—Isaia 33:24.

Japin ndihma

Thatësira ka sjellë pasoja të dëmshme në Zimbabve gjatë dhjetëvjeçarit të kaluar. Kafshë të egra janë shembur përdhe nga uria dhe çhidratimi. Kanë ngordhur qindra mijë gjedhë. Zjarret kanë përpirë hektarë me pyje. Shumë fëmijë dhe të moshuar kanë vdekur nga të ushqyerit e keq. Edhe ujërat e lumit të fuqishëm Zambezi u ulën në nivele që vunë në rrezik funksionimin e hidrocentraleve.

Për të përballuar këtë shkretim, Dëshmitarët e Jehovait ngritën tetë komitete për dhënien e ndihmave në pjesë të ndryshme të vendit. Mbikëqyrësit udhëtues vizituan kongregacionet që të përcaktonin nevojat e tyre. Ky informacion iu kalua komiteteve përkatëse për dhënien e ndihmave. Një mbikëqyrës udhëtues raportoi: «Gjatë pesë vjetëve kemi shpërndarë më shumë se një mijë ton misër, dhjetë tonë peshk të tharë dhe një sasi të njëjtë me fasule të Limës. Vëllezërit tanë frymorë përpunuan dy tonë mufushua [perime të thata]. Gjithashtu shpërndamë sasi të mëdha rrobash të dhuruara, si edhe fondet e nevojshme.» Një mbikëqyrës tjetër qarkor tha: «Kur mendoj për vështirësitë që kemi kaluar për të marrë lejet që kërkoheshin nga Zimbabveja dhe nga Afrika e Jugut për të sjellë këto furnizime, dhe për mungesën e vazhdueshme të karburantit që nevojitej për t’i transportuar këto ndihma të domosdoshme, arrij në përfundimin se suksesi ynë është dëshmi e mëtejshme e sigurisë që dha Jezui se Ati ynë qiellor e di se kemi nevojë për të gjitha këto gjëra.»​—Mateu 6:32.

Si ia dalin mbanë vetë mbikëqyrësit udhëtues kur shërbejnë në zona të goditura nga thatësira? Disa marrin ushqim për vete dhe për familjen ku qëndrojnë. Një prej tyre tha se një ditë disa të krishtere po diskutonin nëse duhej ta mbaronin predikimin për atë ditë, që të futeshin në radhë për të marrë ndihmën që duhej të vinte nga qeveria. Vendosën që të besonin te Jehovai duke u përqendruar në veprën e predikimit dhe duke parë se si do të shkonin gjërat. Atë ditë nuk erdhi asnjë ndihmë nga qeveria.

Të nesërmen ishte programuar një mbledhje e krishterë dhe këto motra duhej të merrnin përsëri një vendim. A do ta ndiqnin mbledhjen apo do të shkonin të pritnin për ardhjen e ndihmave? Duke përcaktuar se cilat gjëra kishin përparësinë e duhur, ato ndoqën mbledhjen në Sallën e Mbretërisë. (Mateu 6:33) Ndërsa po këndonin këngën mbyllëse, dëgjuan që po afrohej një kamion. Pikërisht aty erdhën ndihma nëpërmjet vëllezërve frymorë të komitetit të dhënies së ndihmave. Gëzimi dhe mirënjohja që ndienin Dëshmitarët besnikë që ndiqnin atë mbledhje ishin të jashtëzakonshme.

Dashuria ndërton

Veprat dashamirëse ndaj njerëzve jashtë kongregacionit kanë krijuar mundësi për të dhënë një dëshmi të shkëlqyer. Një mbikëqyrës udhëtues në zonën e Masvingos, bashkë me disa Dëshmitarë vendës, po merrte pjesë në veprën e ungjillëzimit. Ai vuri re një vajzë që ishte shtrirë anash rrugës. Dëshmitarët e kuptuan se ajo ishte shumë e sëmurë, pasi nuk fliste siç duhej dhe i dridhej zëri. Vajza quhej Hamunjari, që në gjuhën shone do të thotë: «A nuk ju vjen turp?» Vëllezërit morën vesh se atë e kishin braktisur pjesëtarët e kishës së saj, të cilët po shkonin për një shërbesë fetare në male. Me dashuri, Dëshmitarët e ndihmuan vajzën, duke e çuar në një fshat fqinj.

Në atë fshat disa njerëz e dinin se kush ishte Hamunjari, prandaj u kërkuan të afërmve që të vinin ta merrnin. Banorët e atij fshati thanë për Dëshmitarët: «Kjo është feja e vërtetë. Këtë lloj dashurie duhet të tregojnë të krishterët.» (Gjoni 13:35) Para se të largoheshin, vëllezërit i dhanë Hamunjarit fletushkën A dëshiron të dish më shumë për Biblën? *

Javën vijuese mbikëqyrësi udhëtues po shërbente në kongregacionin e zonës ku banonte Hamunjari. Ai donte të dinte nëse ajo kishte ardhur në shtëpi shëndoshë e mirë. E tërë familja e saj ishte shumë e lumtur kur takoi mbikëqyrësin dhe vëllezërit vendës. Prindërit e saj thanë: «Ju praktikoni fenë e vërtetë. I shpëtuat jetën vajzës sonë që e lanë të vdiste në rrugë.» Ata i kishin pyetur pjesëtarët e kishës së saj: «A nuk ju erdhi turp, që e latë të vdiste?» Dëshmitarët nisën një bisedë biblike dhe i dhanë literaturë biblike familjes së Hamunjarit, që i ftuan vëllezërit të ktheheshin e të bënin një studim biblik me ta. Disa nga familjarët që më parë i kishin kundërshtuar Dëshmitarët, ndryshuan mendje. Një prej tyre, burri i motrës së Hamunjarit, ishte kreu i një kishe të asaj zone. Ai pranoi një studim biblik.

Ndërtojnë shtëpi adhurimi

Një poet i frymëzuar shkroi shumë kohë më parë: «O Perëndi! . . . Shpirti im është i etur për ty . . . në një tokë të thatë e të zhuritur, ku nuk ka ujë.» (Psalmi 63:1) Sa e vërtetë ka qenë kjo për shumë njerëz në Zimbabve! Fizikisht ata mund ta durojnë thatësirën, por frymësisht janë të etur për Perëndinë dhe për mirësinë e tij. Mund ta shihni këtë nga rezultatet e shërbimit të Dëshmitarëve të Jehovait. Kur Zimbabveja fitoi pavarësinë në vitin 1980, aty shërbenin rreth 10.000 Dëshmitarë në 476 kongregacione. Tani, gati 27 vjet më pas, numri i Dëshmitarëve aktivë është trefishuar dhe numri i kongregacioneve pothuajse është dyfishuar.

Pak prej këtyre kongregacioneve kishin vendet e tyre të adhurimit. Në janar të vitit 2001, në Zimbabve kishte më shumë se 800 kongregacione, por vetëm 98 kishin shtëpi adhurimi—një Sallë Mbretërie—ku të mblidheshin. Shumë kongregacione i mbanin mbledhjet rrëzë pemëve ose në kasolle të thjeshta të bëra me hunj, me mure të suvatuara me baltë dhe çati të mbuluara me bar të thatë.

Si rezultat i kontributeve bujare dhe i punës së zellshme vullnetare nga vëllazëria e tyre e krishterë në mbarë botën, Dëshmitarët në Zimbabve kanë filluar një program që u jep mundësi më shumë kongregacioneve të kenë Salla Mbretërie të thjeshta, por dinjitoze. Shumë Dëshmitarë nga vende të tjera, të cilët kanë aftësi në ndërtim, i kanë organizuar punët e tyre që të shkojnë në Zimbabve dhe të punojnë bashkë me vullnetarët vendës. Një nga Dëshmitarët vendës shkroi: «I falënderojmë sinqerisht gjithë vëllezërit dhe motrat nga kaq shumë vende që kanë ardhur në Zimbabve që të ndihmojnë për të ndërtuar Salla Mbretërie të bukura. Dhe ju falënderojmë të gjithëve ju të tjerët për kontributet tuaja për Fondin e Sallave të Mbretërisë që bëjnë të mundur këtë vepër.»

Në pjesën lindore të vendit, vëllezërit ishin mbledhur për 50 vjet poshtë një peme gjigante baobabi. Kur pleqve të krishterë iu tha se do të ndërtohej një shtëpi e vërtetë adhurimi, të paktën njëri prej tyre nuk mundi t’i mbante lotët. Në një kongregacion fqinjë, një plak 91-vjeçar tha: «I jam përgjëruar Jehovait për shumë kohë që të ndodhte një gjë e tillë!»

Shumë njerëz janë shprehur për shpejtësinë me të cilën ndërtohen këto godina tërheqëse. Një vëzhgues tha: «Ju ndërtoni gjatë ditës, por duhet të jetë Perëndia që ndërton gjatë natës!» Bie në sy edhe uniteti dhe lumturia e atyre që punojnë. Deri tani, në mbarë vendin janë përfunduar më tepër se 350 Salla Mbretërie të reja. Kjo bën të mundur që 534 kongregacione të mblidhen në Salla Mbretërie të forta, të ndërtuara me tulla.

Në Zimbabve po vazhdon ndërtimi frymor që është jetësor. Kur meditojmë për atë që është arritur, nxitemi t’i japim meritën Jehovait, burimit të këtyre bekimeve. Vërtet, «po s’e ndërtoi Jehovai shtëpinë, më kot lodhen ndërtuesit».—Psalmi 127:1.

[Shënimi]

^ par. 16 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Hartat në faqen 9]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

ZIMBABVE

HARARE

Masvingo

Zimbabveja e Madhe

[Figura në faqen 9]

Kullë konike

[Figura në faqen 12]

Sallë Mbretërie e re, kongregacioni «Konseshën»

[Figura në faqen 12]

Pjesëtarë të kongregacionit «Lindale» para Sallës së re të Mbretërisë

[Burimet e figurave në faqen 9]

Rrënoja me shkallë: ©Chris van der Merwe/​AAI Fotostock/age fotostock; fotografia e vogël e kullës: ©Ingrid van den Berg/​AAI Fotostock/​age fotostock