Një shembull ndershmërie
Një shembull ndershmërie
NELMA, e cila punon si parukiere në qytetin e Kruzejru-do-Sulit, Brazil, kohët e fundit hasi një sprovë në lidhje me integritetin e saj të krishterë. Kur në atë zonë ndodhi një përmbytje, Nelmës i dhuroi disa rroba njëra nga klientet. Ndërsa po shihte rrobat, në xhepat e një palë pantallonave ajo gjeti një shumë parash të barabartë me 1.000 dollarë.
Paratë që gjeti Nelma ishin sa rroga e shtatë muajve, dhe ajo kishte vërtet nevojë për to. Shtëpia i ishte dëmtuar nga përmbytja dhe babai, si edhe vëllezërit e motrat e saj, kishin humbur pjesën më të madhe të gjërave që zotëronin. Me ato para mund të riparonte shtëpinë e vet e t’i mbeteshin edhe për të ndihmuar të afërmit. Megjithatë, për shkak të ndërgjegjes së stërvitur nga Bibla, Nelma nuk mund t’i mbante paratë.—Hebrenjve 13:18.
Të nesërmen herët ajo shkoi në punë përpara orarit të zakonshëm dhe takoi gruan biznesmene që i kishte dhuruar rrobat. Nelma e falënderoi për rrobat, por i tha edhe se nuk mund t’i mbante paratë që kishte gjetur brenda. Zonja u kënaq jashtë mase që iu kthyen paratë. Ajo i kishte lënë mënjanë që të paguante punëtorët e vet. «Ndershmëria nuk haset shpesh»,—u shpreh ajo grua.
Disa mund të mendojnë se nuk ka ndonjë meritë të veçantë të jesh i ndershëm. Mirëpo cilësinë e ndershmërisë e vlerësojnë shumë ata njerëz që përpiqen t’i pëlqejnë Perëndisë të vërtetë, Jehovait. (Efesianëve 4:25, 28) Nelma tha: «Nuk do të flija rehat, po të kisha vepruar ndryshe.»