Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse të shmangim ekstremet?

Pse të shmangim ekstremet?

Pse të shmangim ekstremet?

JEHOVAI është mishërimi i ekuilibrit. «E përsosur është vepra e tij» dhe drejtësia e tij nuk është kurrë e ashpër, meqë ndërthuret gjithnjë me mëshirën. (Ligji i përtërirë 32:4) Dashurinë nuk e shfaq kurrë në kundërshtim me parimet e tij, sepse vepron në përputhje me ligjet e tij të përsosura. (Psalmi 89:14; 103:13, 14) Prindërit tanë të parë u krijuan të ekuilibruar në çdo drejtim. Nuk ishin të prirur ndaj ekstremeve. Por mëkati solli ‘fajin’​—papërsosmërinë—​që solli si pasojë humbjen e atij ekuilibri.​—Ligji i përtërirë 32:5.

Të bëjmë një ilustrim: A keni ngarë ndonjëherë një makinë ose biçikletë që në njërën gomë kishte një gungë të madhe? Pa dyshim ky deformim bënte që gjatë udhëtimit të ndienit tronditje, si edhe të ndiheshit të pasigurt. Një gomë e tillë duhet riparuar, para se të bëhet më keq ose të shfryhet. Në mënyrë të ngjashme, personalitetet tona të papërsosura janë të prirura për t’u deformuar. Po t’i lëmë këto «gunga» të zmadhohen, udhëtimi ynë në jetë mund të bëhet shumë i vështirë, madje i rrezikshëm.

Ndonjëherë janë cilësitë tona të mira ose pikat e forta që mund të shkojnë në ekstrem. Për shembull, megjithëse Ligji i Moisiut u kërkonte izraelitëve që të vinin thekë te cepat e rrobave, farisenjtë e ditëve të Jezuit, ngaqë donin të binin në sy, ‘i zgjatnin thekët e rrobave’ tej mase. Motivi ishte që të dukeshin më të shenjtë se të tjerët.—Mateu 23:5; Numrat 15:38-40.

Sot disa njerëz përpiqen të tërheqin vëmendjen e të tjerëve me çdo lloj mjeti të mundshëm, madje edhe duke i tronditur të tjerët. Kjo mund të jetë në të vërtetë një thirrje e dëshpëruar: «Më vini re! Edhe unë jam njeri!» Por ekstremet për sa i përket veshjes, qëndrimit dhe veprimeve nuk i kënaqin nevojat reale të një të krishteri.

Një qëndrim i ekuilibruar ndaj punës

Cilëtdo që të jemi dhe kudo që të jetojmë, puna e shëndetshme është diçka që ndihmon për t’i dhënë kuptim jetës sonë. U krijuam që të gjejmë kënaqësi nga një punë e tillë. (Zanafilla 2:15) Për këtë arsye Bibla e dënon dembelizmin. Apostulli Pavël e tha hapur: «Nëse ndokush nuk do që të punojë, as të mos hajë!» (2 Selanikasve 3:10) Në të vërtetë, qëndrimi dembel ndaj punës mund të sjellë jo vetëm varfëri e pakënaqësi, por edhe mosmiratimin e Perëndisë.

Shumë veta shkojnë në ekstremin tjetër dhe bien nën varësinë e punës, duke u bërë skllevër të vullnetshëm të saj. Ata dalin nga shtëpia herët në mëngjes dhe kthehen vonë, duke arsyetuar ndoshta se puna e tyre është për të mirën e familjes. Por, në të vërtetë, familjet e tyre mund të jenë viktima të një përkushtimi të tillë ndaj punës. Një shtëpiake, burri i së cilës shpesh punon jashtë orarit, thotë: «Do t’i shkëmbeja me gjithë qejf tërë gjërat që ndodhen në këtë shtëpi luksoze me mundësinë që ta kisha burrin këtu, me mua dhe fëmijët.» Ata që vendosin të punojnë me tepri duhet t’i kushtojnë vëmendje seriozisht përvojës së mbretit Solomon: «U ktheva të vështroja të gjitha punët që kishin bërë duart e mia dhe mundin për t’i kryer ato dhe ja, çdo gjë ishte kotësi dhe një rropatje pas erës.»—Eklisiastiu 2:11.

Po, për sa i përket punës, duhet të shmangim të dyja ekstremet. Mund të jemi punëtorë të zellshëm, por njëkohësisht të mos harrojmë se po të bëhemi skllevër të punës, kjo do të na e heqë lumturinë, e ndoshta edhe shumë më tepër se kaq.—Eklisiastiu 4:5, 6.

Të shmangim pikëpamjet ekstreme për kënaqësitë

Bibla paratha për kohën tonë: «Njerëzit do të jenë . . . kënaqësidashës në vend se perëndidashës.» (2 Timoteut 3:2, 4) Rendja pas kënaqësive është bërë një nga mjetet më të efektshme të Satanait për t’i larguar njerëzit nga Perëndia. Sot është shumë e përhapur dhënia pas aktiviteteve të kohës së lirë dhe zbavitjeve, siç janë sportet ekstreme ose që të rritin nivelin e adrenalinës. Lista me aktivitete të tilla po bëhet gjithnjë e më e gjatë, ashtu si po shtohet edhe numri i atyre që marrin pjesë në to. Pse kaq shumë popullaritet? Meqë nuk janë të kënaqur me jetën e përditshme, shumë njerëz kërkojnë emocione gjithnjë e më të forta. Por, që t’i provojnë vazhdimisht këto emocione, duhet rritur niveli i rrezikut. Të krishterët e ndërgjegjshëm i shmangin sportet e rrezikshme, nga respekti për dhuratën e jetës dhe për Dhuruesin e saj.​—Psalmi 36:9.

Ku e vendosi Perëndia çiftin e parë njerëzor, kur e krijoi? Në kopshtin e Edenit, fjalë që në gjuhën origjinale do të thotë «kënaqësi» ose «ëndje». (Zanafilla 2:8) Pa dyshim, pjesë e qëllimit të Jehovait për njerëzit ishte që të bënin një jetë të këndshme e të lumtur.

Jezui na la një shembull të përsosur lidhur me pikëpamjen e ekuilibruar për kënaqësitë. Ai ishte plotësisht i përkushtuar për të bërë vullnetin e Jehovait dhe kurrë nuk reshti së jetuari sipas ligjeve dhe parimeve të Perëndisë. Linte kohë për njerëzit nevojtarë, edhe kur ishte i lodhur. (Mateu 14:13, 14) Megjithatë, Jezui pranoi ftesa për të ngrënë me të tjerët dhe gjente kohë për të pushuar e për t’u çlodhur. Natyrisht, ai ishte i vetëdijshëm se disa armiq e shihnin me sy kritik, ngaqë bënte këto gjëra. Ata thoshin për të: «Ja, një grykës dhe i dhënë pas verës.» (Luka 7:34; 10:38; 11:37) Por Jezui nuk mendonte se përkushtimi i vërtetë t’i heq të gjitha kënaqësitë e jetës.

Është e qartë, pra, se jemi të mençur nëse shmangim ekstremet për sa i përket zbavitjes. Po të kemi si gjënë kryesore në jetë kënaqësitë dhe zbavitjen, këto kurrë nuk do të na sjellin lumturi të vërtetë. Madje ato mund të na bëjnë që të lëmë pas dore gjërat më të rëndësishme, përfshirë marrëdhënien tonë me Perëndinë. Gjithsesi, nuk duhet t’ia mohojmë vetes çdo lloj kënaqësie dhe as të kritikojmë të tjerët që përfshihen në mënyrë të ekuilibruar në aktivitete të këndshme.​—Eklisiastiu 2:24; 3:1-4.

Të gjejmë kënaqësi duke bërë një jetë të ekuilibruar

Dishepulli Jakov shkroi: «Të gjithë ne pengohemi shumë herë.» (Jakovi 3:2) Mund ta provojmë vetë vërtetësinë e këtyre fjalëve, teksa përpiqemi të shmangim ekstremet. Çfarë mund të na ndihmojë që të ruajmë ekuilibrin? Duhet të dallojmë pikat tona të forta dhe dobësitë tona. Por kjo nuk është e lehtë. Mund të shkojmë drejt një ekstremi pa qenë të vetëdijshëm. Prandaj jemi të mençur nëse qëndrojmë afër të krishterëve të pjekur dhe dëgjojmë këshillat e ekuilibruara. (Galatasve 6:1) Mund t’ia kërkojmë këto këshilla një miku të besuar ose një plaku me përvojë në kongregacion. Së bashku me Shkrimet, këshilla të tilla të bazuara në Bibël mund të shërbejnë si një «pasqyrë» ku të kontrollojmë se si dukemi në të vërtetë para Jehovait.—Jakovi 1:22-25.

Jemi të lumtur që nuk jemi të detyruar të bëjmë një jetë me ekstreme që s’i shmangim dot. Me përpjekjet tona të vendosura dhe me bekimin e Jehovait mund të bëhemi njerëz të ekuilibruar dhe si rrjedhim të lumtur. Në këtë mënyrë, marrëdhënia jonë me vëllezërit dhe motrat tona të krishtere mund të përmirësohet e mund të bëhemi shembuj edhe më të mirë për ata të cilëve u predikojmë. Mbi të gjitha, do të imitojmë edhe më shumë Perëndinë tonë të ekuilibruar dhe të dashur, Jehovain.​—Efesianëve 5:1.

[Burimi i figurës në faqen 28]

©Greg Epperson/​age fotostock