Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sistemi ynë diellor i pashoq: Si erdhi në ekzistencë?

Sistemi ynë diellor i pashoq: Si erdhi në ekzistencë?

Sistemi ynë diellor i pashoq: Si erdhi në ekzistencë?

JANË të shumtë faktorët që e bëjnë të pashoq këtë pjesë të universit në të cilën ndodhemi. Sistemi ynë diellor ndodhet midis dy krahëve të spirales së galaktikës Udha e Qumështit, në një zonë ku ka relativisht pak yje. Pothuajse tërë yjet që mund të shohim natën, janë kaq larg nga ne, saqë edhe kur shihen me anë të teleskopëve më të mëdhenj mbeten thjesht njolla drite. A duhej të ishte patjetër kështu?

Në qoftë se sistemi ynë diellor do të ishte afër qendrës së Udhës së Qumështit, do të vuanim pasojat e dëmshme që do të vinin duke qenë mes një përqendrimi të dendur me yje. Orbita e Tokës, për shembull, ndoshta do të çrregullohej, dhe kjo do të ndikonte në mënyrë dramatike në jetën e njerëzve. Në të vërtetë sistemi diellor duket se ndodhet në galaktikë pikërisht në pozicionin e duhur që të shmanget ky rrezik dhe rreziqe të tjera. Për shembull, sistemi do të mbinxehej nëse do të kalonte përmes reve të gazta dhe nuk do të ishte i mbrojtur nga yjet që shpërthenin e nga burimet e tjera të rrezatimeve vdekjeprurëse.

Dielli është një lloj ylli ideal për nevojat tona. Ai digjet me shpejtësi konstante, është jetëgjatë dhe nuk është as tepër i madh, as tepër i nxehtë. Shumica dërrmuese e yjeve në galaktikën tonë janë shumë më të vegjël se Dielli ynë dhe nuk sigurojnë as llojin e duhur të dritës, as sasinë e duhur të nxehtësisë që nevojiten për të mbështetur jetën në një planet të tipit tokësor. Përveç kësaj, shumica e yjeve janë të lidhura nga forcat gravitacionale me një ose më shumë yje të tjera dhe vërtiten përqark njëri-tjetrit. Krejt ndryshe nga to, Dielli ynë është i pavarur. Do të kishte shumë pak mundësi që sistemi ynë diellor të mbetej i qëndrueshëm, nëse do të ndikohej nga forca gravitacionale e dy ose më shumë diejve.

Një faktor tjetër që e bën të pashoq sistemin tonë diellor është vendndodhja e planetëve të jashtëm gjigantë që kanë orbita pothuajse rrethore dhe kështu forca e tyre gravitacionale nuk përbën një kërcënim për planetët e brendshëm të tipit tokësor. * Përkundrazi, planetët e jashtëm kryejnë funksion mbrojtës duke thithur dhe duke i larguar objektet e rrezikshme. «Asteroidët dhe kometat na godasin, por jo në sasi të mëdha, falë pranisë së planetëve gjigantë të gaztë, si Jupiteri që ndodhet larg nesh»,—shpjegojnë shkencëtarët Piter D. Uardi dhe Donald Braunli në librin e tyre Toka e rrallë—Pse jeta e ndërlikuar është e pazakontë në univers? (anglisht) Janë zbuluar edhe sisteme të tjera diellore me planetë gjigantë. Por shumica e këtyre gjigantëve kanë orbita që do ta vinin në rrezik një planet më të vogël të tipit tokësor.

Roli i Hënës

Që nga kohët e lashta hëna e ka mrekulluar njerëzimin. Ajo ka frymëzuar poetë dhe muzikantë. Për shembull, një poet i lashtë hebre e përshkruan hënën si ‘të vendosur patundshmërisht për jetë e mot dhe dëshmitar të besueshëm në qiej’.​—Psalmi 89:37.

Një mënyrë e rëndësishme se si Hëna ndikon në jetën në Tokë është se tërheqja e saj gravitacionale shkakton baticat dhe zbaticat. Këto mendohet se janë thelbësore për rrymat oqeanike, të cilat, nga ana e tyre, janë jetësore për klimën.

Një qëllim tjetër kryesor për të cilin shërben Hëna është se forca e saj gravitacionale e stabilizon boshtin e Tokës në raport me planin e orbitës së Tokës përqark Diellit. Sipas revistës shkencore Nature, pa Hënën, gjatë disa periudhave të gjata, prirja e boshtit të Tokës do të ndryshonte «nga rreth 0 [gradë] në 85 [gradë]». Përfytyroni sikur boshti i Tokës të ishte pingul me planin e orbitës! Nuk do të kishim ndryshimin e këndshëm të stinëve dhe do të vuanim nga mungesa e reshjeve. Gjithashtu prirja e boshtit të Tokës nuk lejon që temperaturat të jenë tepër të skajshme për mbijetesën tonë. «Ia detyrojmë qëndrueshmërinë aktuale të klimës një gjëje të jashtëzakonshme: pranisë së Hënës»,—nxjerr përfundimin astronomi Zhan Laskar. Për të përmbushur rolin e saj stabilizues, Hëna është e madhe—relativisht më e madhe se hënat e planetëve gjigantë.

Një funksion tjetër i satelitit natyror të Tokës, siç e thotë edhe shkrimtari i librit të lashtë biblik të Zanafillës, është se Hëna shërben si dritë për natën.​—Zanafilla 1:16.

Rastësisht apo qëllimisht?

Si mund të shpjegohet ekzistenca e njëkohëshme e faktorëve të shumtë që jo vetëm e bëjnë të mundur jetën në Tokë, por e bëjnë edhe të këndshme? Duket se ka vetëm dy alternativa. E para është se të gjithë këta faktorë janë rezultat i rastësishëm e i paqëllimshëm. E dyta është se pas tyre ndodhet një qëllim i një mendjeje të mençur.

Mijëra vjet më parë, në Shkrimet e Shenjta thuhej se universin e konceptoi dhe e bëri një Krijues—Perëndia i Plotfuqishëm. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë do të thotë se kushtet që ekzistojnë në sistemin tonë diellor nuk janë rezultat i rastësisë, por i një projekti të qëllimshëm. Krijuesi na la, si të thuash, një dokumentim të hapave që ndërmori për ta bërë të mundur jetën në tokë. Mund të habiteni po të merrni vesh që, ndonëse ky dokumentim është rreth 3.500 vjeçar, ngjarjet e historisë së universit që përshkruhen aty, në thelb përputhen me atë që shkencëtarët mendojnë se duhet të ketë ndodhur. Ky dokumentim ndodhet në librin biblik të Zanafillës. Shqyrtoni se çfarë thuhet në të.

Tregimi i krijimit sipas Zanafillës

«Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.» (Zanafilla 1:1) Këto fjalë hapëse të Biblës i referohen krijimit të sistemit tonë diellor, përfshirë planetin tonë, si edhe krijimit të yjeve në miliarda galaktikat që përbëjnë universin tonë. Sipas Biblës, dikur sipërfaqja e Tokës ishte «pa formë dhe e shkretë». Nuk kishte kontinente dhe as tokë pjellore. Por fjalët vijuese theksojnë atë që sipas shkencëtarëve është kërkesa më e rëndësishme që të ketë jetë në një planet—një bollëk me ujë. Fryma e Perëndisë «endej andej-këtej mbi sipërfaqen e ujërave».​—Zanafilla 1:2.

Që uji në sipërfaqe të mbetet i lëngët, një planet duhet të jetë në largësinë e duhur nga dielli i tij. «Marsi është tepër i ftohtë, Afërdita tepër e nxehtë, kurse Toka është tamam siç duhet»,—shpjegon planetologu Endru Ingersoll. Po kështu, që të rritet bimësia, duhet të ketë dritë të mjaftueshme. E, në mënyrë domethënëse, në tregimin biblik thuhet se gjatë një periudhe krijuese të hershme, Perëndia bëri që drita e diellit të depërtonte retë e zeza me avuj uji, të cilat e mbështillnin oqeanin ashtu si mbështillet «me pelena» një foshnjë.​—Jobi 38:4, 9; Zanafilla 1:3-5.

Në vargjet vijuese të Zanafillës lexojmë se Krijuesi bëri atë që në Bibël quhet «hapësirë». (Zanafilla 1:6-8) Kjo hapësirë është e mbushur me gaze të cilat përbëjnë atmosferën e Tokës.

Në Bibël shpjegohet më tej se Perëndia e ndryshoi sipërfaqen pa formë të Tokës, me qëllim që të shfaqej vendi i thatë. (Zanafilla 1:9, 10) Me sa duket ai bëri që korja e Tokës të shformohej dhe të lëvizte. Si rrjedhim mund të jenë formuar hendeqe të thella dhe nga oqeanet mund të jenë ngritur kontinentet.​—Psalmi 104:6-8.

Në një pikë të papërcaktuar të historisë së Tokës, Perëndia krijoi algat mikroskopike në oqeane. Duke përdorur energjinë që vinte nga Dielli, këta organizma njëqelizorë vetëriprodhues filluan ta shndërronin dyoksidin e karbonit në ushqim, ndërsa lëshonin në atmosferë oksigjen. Ky proces i mrekullueshëm u përshpejtua gjatë periudhës së tretë krijuese, kur u krijua bimësia që përfundimisht mbuloi tokën. Kështu, sasia e oksigjenit në atmosferë u shtua, dhe kjo do t’u jepte mundësi njerëzve e kafshëve që të jetonin me anë të frymëmarrjes.​—Zanafilla 1:11, 12.

Që ta bënte pjellore tokën, Krijuesi bëri që në të të jetonin një larmi mikroorganizmash. (Jeremia 51:15) Këto krijesa shumë të vockla dekompozojnë materien e vdekur, duke ricikluar elementet që pastaj i përdorin bimët për t’u rritur. Lloje të veçanta të baktereve të dheut marrin azot nga ajri dhe ua sigurojnë këtë element jetësor bimëve që të rriten. Është mahnitëse që në një grusht mesatar me dhé pjellor mund të ketë gjashtë miliardë mikroorganizma!

Te Zanafilla 1:14-19 përshkruhet formimi i Diellit, i Hënës dhe i yjeve në periudhën e katërt krijuese. Në shikim të parë kjo mund të duket se bie në kundërshtim me shpjegimin e mësipërm që bëhet në Shkrime. Kini parasysh, megjithatë, se Moisiu, shkrimtari i Zanafillës, e shkroi tregimin e krijimit nga pikëpamja e një vëzhguesi nga Toka, sikur të kishte qenë i pranishëm. Me sa duket, në atë kohë Dielli, Hëna dhe yjet u bënë të dukshme në atmosferën e Tokës.

Sipas tregimit të Zanafillës krijesat e detit u shfaqën në periudhën e pestë krijuese dhe kafshët e tokës e njeriu në periudhën e gjashtë.​—Zanafilla 1:20-31.

Toka u krijua për të kënaqur njerëzit

A nuk ju duket se jeta në Tokë, e cila erdhi në ekzistencë siç përshkruhet te tregimi i Zanafillës, u krijua që ne të kënaqemi? A jeni ngritur ndonjëherë një ditë me diell, keni thithur ajrin e freskët dhe jeni ndier të lumtur që jetoni? Ndoshta keni ecur nëpër një kopsht dhe keni shijuar bukurinë dhe aromën e luleve. Ose mbase keni ecur në një pemishte dhe keni mbledhur disa fruta të shijshme. Këto gjëra të këndshme do të ishin të pamundura po të mos ekzistonin këto gjëra: (1) uji i bollshëm në Tokë, (2) sasia e duhur e nxehtësisë dhe e dritës nga Dielli, (3) atmosfera jonë, me përzierjen e duhur të gazeve dhe (4) dheu pjellor.

Të gjitha këto veçori—që mungojnë në Mars, Afërditë dhe në planetët e tjerë fqinjë—nuk janë produkt i rastësisë së verbër. Ato u sinkronizuan me saktësi që jeta në Tokë të ishte e këndshme. Siç do të tregohet edhe në artikullin vijues, në Bibël thuhet gjithashtu se Krijuesi e projektoi planetin tonë të bukur që të ekzistojë përgjithmonë.

[Shënimi]

^ par. 5 Katër planetët e brendshëm të sistemit tonë diellor—​Mërkuri, Afërdita, Toka dhe Marsi—​quhen të tipit tokësor, sepse kanë sipërfaqe të ngurta. Planetët e jashtëm gjigantë​—Jupiteri, Saturni, Urani dhe Neptuni—​përbëhen kryesisht nga gazet.

[Kutia në faqen 6]

«Nëse mua si gjeolog do të më kërkonin t’i shpjegoja shkurtimisht idetë tona moderne për origjinën e tokës dhe zhvillimin e jetës në të, një populli të thjeshtë blegtorësh, siç ishin fiset të cilave iu drejtua libri i Zanafillës, me siguri që do të përdorja shumicën e shprehjeve të kapitullit të parë të Zanafillës.»​—Gjeologu Uollas Prat.

[Kutia dhe figura në faqen 7]

NË POZICIONIN E DUHUR EDHE PËR ASTRONOMINË

Në qoftë se Dielli do të ndodhej diku tjetër në galaktikën tonë, nuk do të kishim një pamje kaq të qartë të yjeve. Në librin Planeti i privilegjuar shpjegohet: «Sistemi ynë diellor ndodhet . . . larg zonave me pluhur e me tepër dritë, kështu që të lejon të kesh një pamje të përgjithshme të shkëlqyer si të yjeve të afërta, ashtu edhe të universit të largët.»

Për më tepër, madhësia e Hënës dhe largësia e saj nga Toka janë pikërisht aq sa duhet në mënyrë që Hëna të mbulojë Diellin gjatë një eklipsi diellor. Këto dukuri të rralla dhe të mahnitshme u lejojnë astronomëve të studiojnë Diellin. Këto studime i kanë ndihmuar ata që të zbulojnë shumë të fshehta lidhur me ndriçimin e yjeve.

[Figura në faqen 5]

Masa e Hënës është mjaft e madhe sa për të stabilizuar prirjen e boshtit të Tokës

[Figurat në faqen 7]

Ç’gjë e bën të mundur jetën në Tokë? Uji i bollshëm në të, sasia e duhur e dritës dhe e nxehtësisë, atmosfera dhe dheu pjellor

[Burimet]

Rruzulli: Bazuar në foton e NASA-s; gruri: Pictorial Archive (Near Eastern History) Est