Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ka rëndësi çfarë feje zgjedhim?

A ka rëndësi çfarë feje zgjedhim?

A ka rëndësi çfarë feje zgjedhim?

KUR shkojmë për të bërë pazarin, shumicës prej nesh i pëlqen të ketë shumë artikuj nga të cilët të zgjedhë. Kur në treg ofrohet një shumëllojshmëri frutash e perimesh, mund të zgjedhim ato që na pëlqejnë më tepër dhe që janë të mira për familjen. Nëse një dyqan ofron veshje me çmime të arsyeshme e me stile dhe ngjyra të ndryshme, mund të zgjedhim çfarë na përshtatet më shumë. Disa nga zgjedhjet që bëjmë në jetë janë thjesht shprehje e shijeve individuale. Ndërsa disa të tjera ndikojnë në mirëqenien tonë, si për shembull, zgjedhja e ushqimit të shëndetshëm ose e miqve të mençur. Por, ç’të themi për zgjedhjen e fesë? A duhet të jetë mënyra jonë e adhurimit thjesht një shprehje e shijeve personale? Apo është një çështje që ndikon seriozisht në mirëqenien tonë?

Ka një shumëllojshmëri të pafund fesh nga të cilat njerëzit mund të zgjedhin. Shumë vende tani garantojnë lirinë e fesë dhe njerëzit ndihen gjithnjë e më të lirë të lënë fenë e prindërve të tyre. Nga një anketë në Shtetet e Bashkuara u zbulua se 80 për qind e amerikanëve «besojnë se nuk ka vetëm një fe që të çon në udhën e shpëtimit». Sipas së njëjtës anketë, «një në pesë të anketuar tha se kishte ndryshuar fe pasi ishte rritur». Nga një anketë në Brazil u zbulua se pothuajse çereku i brazilianëve ka ndërruar fe.

Në të kaluarën njerëzit debatonin me zjarr për doktrinat që e dallojnë një fe nga një tjetër. Tani pikëpamja e përgjithshme është: ‘S’ka rëndësi çfarë feje zgjedh.’ Por, a është kështu? A ndikon te ti feja që zgjedh?

Ashtu si blerësit e mençur pyesin për origjinën e produkteve që u ofrohen, po kështu është e mençur të pyesësh: ‘Si u krijuan tërë këto fe dhe pse?’ Në Bibël jepen përgjigjet.

Si u krijuan fetë?

Në Izraelin e lashtë, mbreti Jeroboam krijoi një fe të re pothuajse një mijë vjet para se Jezui të vinte në tokë. Jeroboami ishte mbreti i parë i mbretërisë veriore të pavarur të Izraelit. Ai e kishte të vështirë ta bënte popullin të ndiqte qëllimet e tij. «Pasi u këshillua, mbreti bëri dy viça prej ari dhe i tha popullit: ‘Mos u lodhni të shkoni deri në Jerusalem. Ja ku është Perëndia yt, o Izrael.’» (1 Mbretërve 12:28) Është e qartë se mbreti donte ta përdorte fenë me qëllim që populli të mos i qëndronte më besnik Jerusalemit, ku adhuronin zakonisht Perëndinë. Feja që krijoi Jeroboami zgjati për shekuj të tërë dhe solli rrënimin e miliona njerëzve kur së fundi Perëndia i kërkoi llogari kombit apostat të Izraelit. Feja e Jeroboamit ishte një mjet politik. Disa fe zyrtare që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, u krijuan po njësoj si përçapje për të forcuar pushtetin politik.

Apostulli Pavël zbuloi një motiv tjetër pse njerëzit krijojnë një fe të re: «E di se pas ikjes sime do të hyjnë mes jush ujqër të ligj e nuk do ta trajtojnë kopenë me zemërbutësi, dhe nga gjiri juaj do të ngrihen njerëz e do të thonë gjëra të shtrembëruara, për të tërhequr pas vetes dishepujt.» (Veprat 20:29, 30) Udhëheqës arrogantë shpesh krijojnë lëvizje fetare për të tërhequr vëmendjen drejt vetes. Kishat që pretendojnë se janë të krishtere, janë copëzuar në shumë grupime.

Kujt duan t’i pëlqejnë fetë?

Disa nxiten të krijojnë një fe të re për t’iu përgjigjur kërkesave të shumicës. Për shembull, në revistën Economist raportohej për të ashtuquajturat megakisha në Shtetet e Bashkuara. Në artikull thuhej se këto kisha po rriten, ngaqë «bazohen në të njëjtin parim si gjithë bizneset e suksesshme: bëjnë si duan klientët». Disa nga këto kisha kanë «shërbesa dëfryese me pjesë filmike, drama dhe muzikë bashkëkohore». Disa udhëheqës fetarë në këto kisha pohojnë se u mësojnë besimtarëve të tyre se si të jenë «të pasur, të shëndetshëm dhe pa telashe». I njëjti burim thoshte se, megjithëse këto kisha kritikohen ngaqë bëjnë pjesë në industrinë e zbavitjes, «ato thjesht po u përgjigjen kërkesave të shumicës». Raporti përfundonte me këto fjalë: «Shkrirja e biznesit me fenë ka qenë tejet e suksesshme.»

Ndonëse fe të tjera mund të mos përdorin hapur metoda biznesi, kishat që «po u përgjigjen kërkesave të shumicës» na kujtojnë një paralajmërim që dha Pavli. Ai shkroi: «Do të vijë një periudhë kohe kur ata njerëz nuk do ta durojnë dot mësimin e shëndoshë, por në përputhje me dëshirat e veta, do të grumbullojnë për vete mësues që t’u gudulisin veshët, do t’i largojnë veshët nga e vërteta e do t’u kthehen tregimeve të rreme.»—2 Timoteut 4:3, 4.

Meqë shumë fe lindën nga dëshira për pushtet politik, për prestigj dhe për të qenë të pranueshme nga shumica, e jo nga dëshira për t’i pëlqyer Perëndisë, nuk habitemi që feja është përfshirë në të këqija të tilla, si abuzimi me fëmijët, mashtrimet, lufta ose terrorizmi. Shumë shpesh feja është një shtirje. Si të ruhesh që të mos mashtrohesh?

[Diçitura në faqen 4]

Shumë fe lindën nga dëshira për pushtet politik, prestigj dhe për të qenë të pranueshme nga shumica, jo nga dëshira për t’i pëlqyer Perëndisë