Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ejani të lartësojmë të gjithë emrin e Jehovait!

Ejani të lartësojmë të gjithë emrin e Jehovait!

Ejani të lartësojmë të gjithë emrin e Jehovait!

«Madhëroni Jehovain bashkë me mua, dhe ejani të lartësojmë të gjithë emrin e tij.»​—PSALMI 34:3.

1. Çfarë shembulli të shkëlqyer la Jezui gjatë shërbimit të tij në tokë?

NATËN e 14 nisanit të vitit 33 të e.s., Jezui dhe apostujt e tij i kënduan lavde së bashku Jehovait në dhomën e sipërme të një shtëpie në Jerusalem. (Mateu 26:30) Ishte hera e fundit që Jezui do të bënte këtë gjë si njeri bashkë me apostujt. Megjithatë ishte më se e përshtatshme që ai ta mbyllte në këtë mënyrë mbledhjen me ta. Që nga fillimi i shërbimit në tokë e deri në fund, Jezui e lëvdoi Atin e tij dhe me zell e bëri të njohur emrin e Tij. (Mateu 4:10; 6:9; 22:37, 38; Gjoni 12:28; 17:6) Në të vërtetë ai i bëri jehonë ftesës së përzemërt të psalmistit: «Madhëroni Jehovain bashkë me mua, dhe ejani të lartësojmë të gjithë emrin e tij.» (Psalmi 34:3) Çfarë shembulli i shkëlqyer për ta ndjekur!

2, 3. (a) Si e dimë se Psalmi 34 ka domethënie profetike? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull dhe në artikullin vijues?

2 Disa orë pasi këndoi këngë lavdie me Jezuin, apostulli Gjon qe dëshmitar i një ngjarjeje krejt të ndryshme. Ai pa se si Zotërinë e tij dhe dy kriminelë i ekzekutuan në shtylla torture. Ushtarët romakë ua thyen këmbët dy kriminelëve që t’ua përshpejtonin vdekjen. Por, siç raporton Gjoni, Jezuit nuk ia thyen këmbët. Kur ushtarët shkuan te Jezui, ai tashmë kishte vdekur. Në ungjillin e tij, Gjoni shpjegon se kjo ishte përmbushja e një vargu tjetër të Psalmit 34: «Nuk do t’i thyhet asnjë eshtër.»—Gjoni 19:32-36; Psalmi 34:20, Septuaginta.

3 Psalmin 34 ka shumë pika të tjera interesante për të krishterët. Prandaj, në këtë artikull dhe në artikullin vijues do të shqyrtojmë rrethanat në të cilat Davidi shkroi psalmin dhe më pas do të shqyrtojmë përmbajtjen inkurajuese të vetë psalmit.

Arratisja e Davidit nga Sauli

4. (a) Pse Davidi u miros si mbreti i ardhshëm i Izraelit? (b) Pse Sauli «e deshi shumë» Davidin?

4 Kur Davidi ishte i ri, Sauli ishte mbret i Izraelit. Por Sauli u bë i pabindur dhe humbi miratimin e Jehovait. Për këtë arsye profeti Samuel i tha: «Sot Jehovai ka shkëputur nga ti sundimin mbretëror të Izraelit dhe me siguri do t’ia japë atë njërit prej të tuve, që është më i mirë se ti.» (1 Samuelit 15:28) Më vonë Jehovai e urdhëroi Samuelin të miroste Davidin, djalin më të vogël të Jeseut, si mbretin e ardhshëm të Izraelit. Ndërkohë mbreti Saul, ngaqë nuk e kishte më frymën e Perëndisë, vuante nga një gjendje e zymtë shpirtërore. Për t’i shërbyer mbretit Saul, sollën në Gibeah Davidin, një muzikant të aftë, dhe muzika e tij e lehtësonte Saulin, i cili «e deshi shumë» Davidin.​—1 Samuelit 16:11, 13, 21, 23.

5. Pse ndryshoi qëndrimi i Saulit ndaj Davidit dhe çfarë u detyrua të bënte Davidi?

5 Ndërsa koha kalonte, Jehovai ishte me Davidin. Ai e ndihmoi të mundte gjigantin filistin, Goliadin, dhe e mbështeti kur e nderuan në Izrael për aftësitë e tij ushtarake. Mirëpo bekimet që i dha Jehovai Davidit, e bënë xheloz Saulin dhe ai filloi ta urrente Davidin. Dy herë, ndërsa Davidi i binte harpës për Saulin, mbreti i vërviti heshtën. Në të dy rastet, Davidi arriti t’i shmangej heshtës. Kur Sauli u orvat për herë të tretë ta vriste, mbreti i ardhshëm i Izraelit e kuptoi se duhej të ikte që të shpëtonte jetën. Së fundi, për shkak të përpjekjeve të vazhdueshme të Saulit për ta kapur dhe për ta vrarë, Davidi vendosi të kërkonte strehim jashtë territorit të Izraelit.​—1 Samuelit 18:11; 19:9, 10.

6. Pse Sauli urdhëroi vrasjen e banorëve të Nobit?

6 Udhës drejt kufirit të Izraelit, Davidi ndali në qytetin e Nobit, ku ndodhej tabernakulli i Jehovait. Me sa duket, kur po arratisej, Davidin e shoqëronte një shpurë me të rinj dhe Davidi kërkoi ushqim për ta dhe për vete. Sauli mori vesh se kryeprifti i kishte dhënë Davidit dhe burrave të tij ushqim dhe shpatën që Davidi ia kishte marrë Goliadit të vrarë. Nga zemërimi, Sauli urdhëroi të vriteshin gjithë banorët e qytetit, duke përfshirë edhe 85 priftërinj.​—1 Samuelit 21:1, 2; 22:12, 13, 18, 19; Mateu 12:3, 4.

I shpëton përsëri vdekjes

7. Pse Gathi nuk ishte vend i sigurt ku të fshihej Davidi?

7 Nga Nobi Davidi iku rreth 40 kilometra në perëndim, në territorin filistin, dhe kërkoi strehim te mbreti Akish në vendlindjen e Goliadit, në Gath. Ndoshta Davidi arsyetoi se Gathi do të ishte vendi i fundit ku Sauli do ta kërkonte. Por shpejt shërbëtorët e mbretit të Gathit e njohën Davidin. Kur mori vesh se e kishin njohur, Davidi «u tremb shumë nga Akishi, mbreti i Gathit».—1 Samuelit 21:10-12.

8. (a) Çfarë na tregon Psalmi 56 për përvojën e Davidit në Gath? (b) Si i shpëtoi për një fije vdekjes Davidi?

8 Atëherë filistinët e kapën Davidin. Ndoshta në këtë periudhë, Davidi kompozoi psalmin plot ndjenja në të cilin iu përgjërua Jehovait: «M’i vër lotët në calikun tënd.» (Psalmi 56:8 dhe mbishkrimi) Kështu ai shprehu sigurinë se Jehovai nuk do ta harronte pikëllimin e tij, por do të kujdesej me dashuri për të dhe do ta mbronte. Gjithashtu Davidi mendoi një taktikë për të mashtruar mbretin filistin. Ai u hoq si i çmendur. Kur e pa, mbreti Akish i qortoi shërbëtorët që i sollën një ‘të çmendur’. Patjetër që Jehovai e bekoi atë taktikë të Davidit. Atë e përzunë nga qyteti dhe kështu Davidi i shpëtoi përsëri për një fije vdekjes.​—1 Samuelit 21:13-15.

9, 10. Për ç’arsye Davidi shkroi Psalmin 34 dhe kë mund të ketë pasur në mendje ai kur kompozoi psalmin?

9 Në Bibël nuk thuhet nëse përkrahësit e Davidit ikën me të në Gath apo qëndruan në fshatrat fqinje të Izraelit në gatishmëri për të ndërhyrë për Davidin. Sido që të ketë qenë, ata do të jenë mbledhur bashkë të gëzuar ndërsa Davidi u tregonte se si Jehovai e kishte çliruar përsëri. Kjo ngjarje ishte sfondi i Psalmit 34, siç tregohet nga mbishkrimi. Në shtatë vargjet e para të psalmit, Davidi e lëvdon Perëndinë që e çliroi dhe i fton përkrahësit e tij që të bashkohen me të e të lartësojnë Jehovain si Shpëtimtarin e Madh të popullit të Tij.​—Psalmi 34:3, 4, 7.

10 Davidi dhe burrat e tij gjetën strehë në shpellën e Adulamit në një krahinë malore të Izraelit, rreth 15 kilometra në lindje të Gathit. Atje, izraelitët që ishin të pakënaqur me kushtet që ekzistonin nën sundimin e mbretit Saul, filluan të vinin e të bashkoheshin me ta. (1 Samuelit 22:1, 2) Kur Davidi kompozoi fjalët e Psalmit 34:8-22, mund të ketë pasur në mendje këta njerëz. Përkujtuesit që gjenden në këto vargje janë të rëndësishëm edhe për ne sot dhe patjetër që do të nxjerrim dobi duke shqyrtuar me hollësi këtë psalm të bukur.

A është dëshira jote kryesore si e Davidit?

11, 12. Çfarë arsyesh kemi për ta lëvduar vazhdimisht Jehovain?

11 «Unë do ta bekoj Jehovain përherë; goja ime gjithnjë do ta lëvdojë.» (Psalmi 34:1) Meqë jetonte si i dëbuar nga shoqëria, Davidi duhet të ketë pasur shumë shqetësime për të siguruar jetesën, por siç e tregojnë këto fjalë, shqetësimet e përditshme nuk ia pakësuan vendosmërinë për të lëvduar Jehovain. Çfarë shembulli i shkëlqyer për ne kur hasim vështirësi! Pavarësisht nëse jemi në shkollë, në punë, me të bashkëkrishterët ose në shërbim, dëshira jonë kryesore duhet të jetë që të lëvdojmë Jehovain. Vetëm mendo se sa arsye të panumërta kemi që të veprojmë kështu. Për shembull, nuk kanë fund gjërat që mund të zbulojmë dhe të gëzojmë në veprat e mrekullueshme të krijimit të Jehovait. Mendo edhe se çfarë ka arritur ai nëpërmjet pjesës tokësore të organizatës së tij! Megjithëse janë të papërsosur, Jehovai i ka përdorur fuqimisht njerëzit besnikë në ditët e sotme. Si janë veprat e Perëndisë në krahasim me ato të njerëzve që bota i konsideron idhuj? A nuk je dakord me Davidin, i cili shkroi gjithashtu: «O Jehova, nuk ka asnjë si ti ndër perënditë, nuk ka as vepra si të tuat.»​—Psalmi 86:8.

12 Ashtu si Davidi, ndihemi të nxitur ta lëvdojmë vazhdimisht Jehovain për shkak të veprave të tij të pakrahasueshme. Për më tepër, jemi të ngazëlluar sepse dimë që Mbretëria e Perëndisë është tani në duart e Jezu Krishtit, Trashëgimtarit të përhershëm të Davidit. (Zbulesa 11:15) Kjo do të thotë se fundi i këtij sistemi është afër. E ardhmja e përhershme e më tepër se gjashtë miliardë njerëzve është në rrezik. Kurrë më parë nuk ka pasur një nevojë të tillë për t’u folur të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë e për atë që do të bëjë ajo së shpejti për njerëzimin, si dhe për t’i ndihmuar që të lëvdojnë Jehovain bashkë me ne. Patjetër ajo që duhet të ketë përparësi në jetën tonë është të shfrytëzojmë çdo rast për t’i nxitur të tjerët që ta pranojnë këtë ‘lajm të mirë’ para se të jetë tepër vonë.​—Mateu 24:14.

13. (a) Me cilin krenohej Davidi dhe cilët lloj njerëzish reagonin prej këtij qëndrimi? (b) Si tërhiqen zemërbutët drejt kongregacionit të krishterë sot?

13 «Shpirti im do të krenohet me Jehovain, zemërbutët do të dëgjojnë e do të gëzojnë.» (Psalmi 34:2) Këtu Davidi nuk po krenohej për ndonjë arritje personale. Për shembull, ai nuk u mburr se si e mashtroi mbretin e Gathit. Davidi e kuptoi se kur ishte në Gath e mbrojti Jehovai dhe se shpëtoi falë ndihmës së Jehovait. (Proverbat 21:1) Pra, Davidi nuk krenohej me veten, por me Jehovain. Për shkak të këtij qëndrimi të Davidit, zemërbutët tërhiqeshin drejt Jehovait. Edhe Jezui e madhëronte emrin e Jehovait, dhe kjo tërhoqi drejt Tij njerëzit e përulur e që donin të mësoheshin. Sot njerëz zemërbutë nga të gjitha kombet tërhiqen drejt kongregacionit ndërkombëtar të të krishterëve të mirosur, Kreu i të cilit është Jezui. (Kolosianëve 1:18) Këta zemërbutë preken në zemër kur dëgjojnë që emri i Perëndisë lëvdohet nga shërbëtorët e tij të përulur dhe kur dëgjojnë mesazhin e Biblës, të cilin fryma e shenjtë e Perëndisë i ndihmon ta kuptojnë.​—Gjoni 6:44; Veprat 16:14.

Mbledhjet na forcojnë besimin

14. (a) A kënaqej Davidi duke e lëvduar Jehovain veç kur ishte vetëm? (b) Çfarë shembulli la Jezui në lidhje me mbledhjet që bëheshin për të adhuruar?

14 «Madhëroni Jehovain bashkë me mua, dhe ejani të lartësojmë të gjithë emrin e tij.» (Psalmi 34:3) Davidi nuk kënaqej duke e lëvduar Jehovain veç kur ishte vetëm. Me ngrohtësi i ftoi shokët e tij që të bashkoheshin me të për të lartësuar emrin e Perëndisë. Po kështu Jezu Krishti, Davidi më i Madh, kënaqej kur e lëvdonte Jehovain publikisht: në sinagogë, gjatë festave në tempullin e Perëndisë në Jerusalem dhe kur ishte në shoqëri me ithtarët e tij. (Luka 2:49; 4:16-19; 10:21; Gjoni 18:20) Çfarë privilegji i gëzueshëm është të ndjekim shembullin e Jezuit duke e lëvduar Jehovain në çdo rast të mundshëm me bashkëbesimtarët, sidomos tani që e ‘shohim se dita po afrohet’!​—Hebrenjve 10:24, 25.

15. (a) Çfarë ndikimi kishte përvoja e Davidit te burrat që e ndiqnin? (b) Si nxjerrim dobi duke ndjekur mbledhjet?

15 «E kërkova Jehovain, dhe ai m’u përgjigj e më çliroi nga çdo frikë.» (Psalmi 34:4) Kjo përvojë ishte e rëndësishme për Davidin. Prandaj ai tha në vazhdim: «Ky i munduar thirri, dhe Jehovai e dëgjoi e nga të gjitha brengat e çliroi.» (Psalmi 34:6) Kur shoqërohemi me bashkëbesimtarët kemi shumë raste për të treguar përvoja ndërtuese se si na ka ndihmuar Jehovai që të qëndrojmë në rrethana të vështira. Kjo u forcon besimin bashkëbesimtarëve tanë, ashtu si fjalët e Davidit ua forcuan besimin përkrahësve të tij. Në rastin e Davidit shokët e tij «i drejtuan sytë tek [Jehovai], shndritën, dhe fytyrat e tyre nuk u turpëruan». (Psalmi 34:5) Edhe pse ishin në arrati për shkak të mbretit Saul, ata nuk ndiheshin të turpëruar. Ishin të sigurt se Perëndia po e mbështeste Davidin dhe fytyrat e tyre shndritnin. Në mënyrë të ngjashme, personat e interesuar, si edhe ata që janë prej një kohë të gjatë të krishterë të vërtetë, i drejtojnë sytë te Jehovai për mbështetje. Ngaqë e kanë përjetuar vetë ndihmën e tij, fytyrat e tyre që shndrijnë pasqyrojnë vendosmërinë e tyre për të qëndruar besnikë.

Të jemi mirënjohës për ndihmën e engjëjve

16. Si i ka përdorur Jehovai engjëjt për të na çliruar?

16 «Engjëlli i Jehovait fushon përreth atyre që i frikësohen atij, dhe i çliron.» (Psalmi 34:7) Davidi nuk e konsideronte çlirimin që i solli Jehovai si diçka që mund t’i ndodhte vetëm atij. Vërtet që Davidi ishte i mirosuri i Jehovait, mbreti i ardhshëm i Izraelit; por ai e dinte se Jehovai i përdor engjëjt që të ruajë tërë adhuruesit e tij besnikë, pavarësisht nëse kanë një pozitë të lartë ose të ulët. Edhe në ditët e sotme adhuruesit e vërtetë kanë përjetuar mbrojtjen që siguron Jehovai. Në Gjermaninë naziste—ashtu si dhe në Angolë, Malavi, Mozambik e në shumë vende të tjera—autoritetet kanë ndërmarrë fushata për t’i shfarosur Dëshmitarët e Jehovait. Por përpjekjet e tyre kanë qenë të kota. Në vend që të zhdukej, populli i Jehovait në këto vende vazhdon të lulëzojë, ndërsa lartësojnë të gjithë emrin e Perëndisë. Pse? Sepse Jehovai përdor engjëjt e tij të shenjtë për të mbrojtur dhe për të udhëhequr popullin e tij.​—Hebrenjve 1:14.

17. Në cilat mënyra na ndihmojnë engjëjt e Perëndisë?

17 Përveç kësaj, engjëjt e Jehovait mund t’i manovrojnë gjërat në atë mënyrë që të hiqet nga populli i Jehovait kushdo që i bën të tjerët të pengohen. (Mateu 13:41; 18:6, 10) E ndonëse mund të mos jemi të vetëdijshëm në çastin kur ndodh, engjëjt heqin pengesa që mund të na pengonin në shërbimin ndaj Perëndisë dhe na mbrojnë nga gjëra që mund ta vinin në rrezik marrëdhënien tonë me Jehovain. Ajo që është më e rëndësishme, na drejtojnë në veprën e shpalljes së ‘lajmit të mirë të përhershëm’ të gjithë njerëzve, edhe në vendet ku vepra e predikimit kryhet në rrethana të rrezikshme. (Zbulesa 14:6) Prova të ndihmës nga engjëjt janë treguar shpesh në literaturën biblike të botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. * Këto përvoja janë aq shumë, sa nuk mund t’i quash rastësi.

18. (a) Çfarë kërkohet prej nesh që të nxjerrim dobi nga ndihma e engjëjve? (b) Çfarë do të shqyrtohet në artikullin vijues?

18 Që të vazhdojmë të nxjerrim dobi nga drejtimi dhe mbrojtja e engjëjve duhet të vazhdojmë të lartësojmë emrin e Jehovait, pavarësisht nga kundërshtimi. Mos harro, engjëlli i Perëndisë fushon vetëm «përreth atyre që i frikësohen [Jehovait]». Çfarë do të thotë kjo? Çfarë është frika nga Perëndia dhe si mund ta zhvillojmë? Pse një Perëndi i dashur do që t’i frikësohemi? Këto pyetje do të shqyrtohen në artikullin vijues.

[Shënimi]

^ par. 17 Shih Dëshmitarët e Jehovait: Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë, faqja 550, anglisht; Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait 2005, faqja 54; Kulla e Rojës, 1 mars 2000, faqet 5, 6; 1 janar 1991, faqja 27, anglisht, dhe 15 shkurt 1991, faqja 26, anglisht.

Si do të përgjigjeshit?

• Çfarë sprovash hasi Davidi kur ishte i ri?

• Ashtu si Davidi, cila është dëshira jonë kryesore?

• Si i konsiderojmë mbledhjet e krishtere?

• Si i përdor Jehovai engjëjt për të na ndihmuar?

[Pyetjet]

[Harta në faqen 21]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Ramah

Gath

Ziklag

Gibeah

Nob

Jerusalem

Betlehem

Adulam

Kejlah

Hebron

Zif

Horesh

Karmel

Maon

En-Gedi

Deti i Kripur

[Burimi]

Harta: bazuar në harta të mbrojtura me të drejta autori nga Pictorial Archive (Near Eastern History) Est. and Survey of Israel

[Figura në faqen 21]

Edhe kur ishte i arratisur, Davidi e lartësoi emrin e Jehovait

[Figura në faqen 23]

Besimi ynë forcohet kur dëgjojmë përvojat ndërtuese që tregohen në mbledhjet tona të krishtere