Johan Vesel Gansforti—«Një reformator para Reformës»
Johan Vesel Gansforti—«Një reformator para Reformës»
Luteri, Tindali dhe Kalvini janë emra shumë të njohur për gjithë studiuesit e Reformës Protestante, e cila nisi në vitin 1517. Megjithatë, pak njerëz e njohin emrin Johan Vesel Gansfort. Ai është quajtur «një reformator para Reformës». A dëshironi të dini më shumë për këtë njeri?
VESELI lindi në vitin 1419 në qytetin e Groningenit, në Holandë. Në shekullin e 15-të pak njerëz kishin mundësi të shkonin në shkollë, por Veseli e pati këtë mundësi. Megjithëse shkëlqente në mësime, iu desh ta linte shkollën në moshën nëntëvjeçare, ngaqë prindërit ishin shumë të varfër. Por gjërat shkuan mirë për të, kur një vejushë e pasur dëgjoi për zgjuarsinë e Veselit të vogël, u bë tutorja e tij dhe u ofrua t’i paguante shkollimin. Kështu, ai mundi të vazhdonte arsimimin. Me kalimin e kohës, fitoi gradën mjeshtër i shkencave humanitare. Duket se më vonë fitoi edhe titullin doktor në teologji.
Veseli kishte etje të jashtëzakonshme për njohuri. Por në ditët e tij kishte pak biblioteka. Edhe pse në kohën e tij ishte shpikur shtypi me shkronja të lëvizshme, shumica e librave shkruheshin ende me dorë dhe ishin të kushtueshëm. Veseli bënte pjesë në një grup dijetarësh që shkonin nga biblioteka në bibliotekë dhe nga manastiri në manastir për të kërkuar dorëshkrime të rralla dhe libra të humbur prej kohësh. Pastaj ia tregonin njëri-tjetrit zbulimet. Ai grumbulloi shumë njohuri dhe mbushi një bllok shënimesh me citime dhe fragmente nga veprat klasike. Teologë të tjerë shpesh e shihnin me dyshim, sepse Veseli dinte kaq shumë gjëra që ata nuk i kishin dëgjuar kurrë. Veselin e quajtën Magister Contradictionis ose Mjeshtër të kundërshtimit.
«Pse s’më drejton te Krishti?»
Pothuajse 50 vjet para Reformës, Veseli takoi Tomas a Kempisin (rreth 1379-1471), i cili përgjithësisht pranohet si autori i veprës së famshme De Imitatione Christi (latinisht). Tomas a Kempisi bënte pjesë te Vëllezërit e Jetës së Thjeshtë, një lëvizje e cila e vinte theksin te nevoja për të bërë një jetë të devotshme. Një jetëshkrues i Veselit thotë se Tomas a Kempisi e nxiti në disa raste Veselin që t’i kërkonte ndihmë Marisë. Veseli iu
përgjigj: «Pse s’më drejton te Krishti, i cili me dashamirësi i fton që të vijnë tek ai të gjithë ata që janë të ngarkuar?»Thuhet se Veseli nuk donte të bëhej prift. Kur e pyetën pse nuk pranonte t’i qethte ose t’i rruante flokët në majë në formë rrethi, për t’u identifikuar si pjesëtar i klerit, ai u përgjigj se nuk kishte frikë nga trekëmbëshi, derisa t’i kishte mendtë në kokë. Me sa duket po i referohej faktit se priftërinjtë nuk mund të ndiqeshin penalisht dhe se shumë prej tyre i kishin shpëtuar trekëmbëshit për shkak të kokës së qethur në majë. Gjithashtu Veseli ishte kundër disa zakoneve fetare të përhapura. Për shembull, atë e kritikuan ngaqë nuk i besonte ndodhitë e mrekullueshme që përshkruheshin në librin e njohur të asaj kohe Dialogus Miraculorum (latinisht). Ai u përgjigj: «Do të ishte më mirë të lexojmë Shkrimet e Shenjta.»
«Dimë vetëm aq sa pyesim»
Veseli studioi hebraisht e greqisht dhe fitoi shumë njohuri për shkrimet e Etërve të hershëm të Kishës. Dashuria e tij për gjuhët origjinale të Biblës është e jashtëzakonshme, po të kemi parasysh se jetoi para Erasmit dhe Rojhlinit. * Para Reformës ishin të rrallë njerëzit që dinin greqisht. Në Gjermani vetëm pak dijetarë e njihnin greqishten dhe nuk kishte mjete për ta mësuar gjuhën. Pas rënies së Kostandinopojës në vitin 1453, Veseli me sa duket u lidh me murgj grekë që kishin ikur në Perëndim dhe prej tyre mësoi njohuritë themelore të greqishtes. Në atë kohë hebraishtja flitej kryesisht vetëm nga hebrenjtë, kështu që Veseli e mësoi hebraishten bazë nga hebrenjtë që kishin ndërruar fe.
Veseli kishte një dashuri të madhe për Biblën. Ai e konsideronte një libër të frymëzuar nga Perëndia dhe besonte se të gjithë librat e Biblës janë në harmoni të plotë me njëri-tjetrin. Sipas Veselit, interpretimi i vargjeve të Biblës duhej të ishte në përputhje me kontekstin dhe nuk mund të shtrembërohej. Çdo interpretim i shtrembëruar duhej parë me dyshim si herezi. Një nga vargjet e tij biblike të preferuara ishte Mateu 7:7, ku thuhet: «Vazhdoni të kërkoni dhe do të gjeni.» Duke u nisur nga ky varg, Veseli besonte patundshmërisht se është mirë të bëjmë pyetje dhe arsyetonte se «dimë vetëm aq sa pyesim».
Një kërkesë e jashtëzakonshme
Në vitin 1473 Veseli vizitoi Romën. Atje pati një takim me papën Siksti IV, i pari nga gjashtë papët, sjellja e rëndë imorale e të cilëve çoi në Reformën Protestante. Historiania Barbara U. Tuçman thekson se me papa Sikstin IV nisi një periudhë që karakterizohej nga «dhënia e pacipë, flagrante dhe e pareshtur pas përfitimeve personale dhe një politikë e bazuar tek ushtrimi i forcës». Opinioni publik u trondit me nepotizmin e tij flagrant. Një historian shkruan se papa Siksti IV mund të ketë dashur që ta shndërronte postin e papës në një biznes familjar. Pak njerëz guxonin t’i dënonin ato abuzime.
Kurse Vesel Gansforti ishte i ndryshëm. Një ditë Siksti i tha: «Biri im, kërko ç’të duash e do të ta japim.» Menjëherë Veseli ia ktheu: «Atë i shenjtë, . . . meqë ju në tokë zini vendin e kryepriftit dhe të bariut më të lartë, kërkoj . . . që ta përmbushni detyrën tuaj fisnike në atë mënyrë që kur Bariu i Madh i deleve . . . të vijë, të mund t’ju thotë: ‘Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe i besueshëm! Gëzohu edhe ti me Zotërinë tënd.’» Siksti iu përgjigj se kjo ishte përgjegjësia e tij dhe se Veseli duhej të zgjidhte diçka për veten. Veseli iu përgjigj: «Atëherë ju kërkoj të më jepni një Bibël në greqisht dhe një në hebraisht nga biblioteka e Vatikanit.» Papa ia plotësoi kërkesën, por i tha Veselit se kishte vepruar marrëzisht, sepse duhej të kishte kërkuar të bëhej peshkop.
«Një gënjeshtër dhe një gabim»
Meqë kishte jashtëzakonisht nevojë për fonde që të ndërtonte Kapelën Sikstine (që tani është me famë), papa Siksti iu drejtua shitjes së indulgjencave për të vdekurit. Këto indulgjenca ishin tejet të përhapura. Në librin Mëkëmbësit e Krishtit—Ana e errët e papatit (anglisht) thuhet: «Vejanët e vejushat dhe prindërit që u kishte vdekur ndonjë fëmijë i
harxhuan tërë paratë duke u përpjekur t’i nxirrnin nga purgatori njerëzit e tyre të dashur.» Indulgjencat u pritën mirë nga njerëzit e thjeshtë, të cilët besonin plotësisht se papa mund të garantonte që të afërmit e tyre të vdekur të shkonin në parajsë në qiell.Por Veseli besonte patundshmërisht se Kisha Katolike, ku përfshihej edhe papa, nuk kishin aftësinë që të falnin mëkatet. Veseli e quajti haptazi shitjen e indulgjencave «një gënjeshtër dhe një gabim». Gjithashtu ai nuk besonte se rrëfimi te priftërinjtë ishte i domosdoshëm për të fituar faljen e mëkateve.
Veseli vuri në dyshim edhe idenë se papa është i pagabueshëm, duke thënë se themelet e besimit do të ishin të dobëta nëse do të pritej që njerëzit t’u besonin gjithnjë papëve, duke qenë se ata bëjnë gabime. Veseli shkroi: «Nëse prelatët i lënë urdhrat e Perëndisë dhe i detyrojnë të tjerët të zbatojnë urdhrat që i kanë bërë vetë, . . . ajo që bëjnë dhe urdhërojnë nuk ka vlerë.»
Veseli përgatit udhën për Reformën
Veseli vdiq në vitin 1489. Megjithëse kishte kundërshtuar disa gabime të kishës, ai mbeti katolik. Sidoqoftë kisha nuk e dënoi kurrë si heretik. Por pas vdekjes së tij, disa murgj katolikë fanatikë u përpoqën të shkatërronin shkrimet e tij, sepse këto nuk konsideroheshin plotësisht në përputhje me mësimet e kishës. Në kohën e Luterit, emri i Veselit pothuajse ishte harruar, asnjë nga veprat e tij nuk ishte shtypur e shumë pak dorëshkrime kishin mbijetuar. Botimi i parë i veprave të Veselit doli më në fund mes viteve 1520 dhe 1522. Në të përfshihej një letër e shkruar nga Luteri, ku ai rekomandonte leximin e shkrimeve të Veselit.
Edhe pse Veseli nuk ishte një reformator si Luteri, ai dënoi haptazi disa prej gabimeve që pastaj çuan te Reforma. Në fakt, në enciklopedinë e Meklintokut dhe të Strongut (Cyclopedia), kur flitet për njerëzit e shquar ndër popujt gjermanë, ai përshkruhet si «njeriu që ndihmoi më shumë për të përgatitur udhën për Reformën».
Luteri e konsideronte Veselin një aleat. Autori K. Augustajn shkruan: «Luteri e krahason epokën dhe fatin e tij me atë të Elijas. Ashtu si profeti mendonte se kishte mbetur i vetëm për të marrë pjesë në luftërat e Perëndisë, po kështu Luteri mendonte se ishte fare i vetëm në betejat kundër kishës. Por, kur lexoi veprat e Veselit, kuptoi se Zotëria kishte shpëtuar një ‘mbetje në Izrael’.» «Luteri shkon deri aty sa deklaron: ‘Mendimet e tij [të Veselit] përputhen aq më shumë me të miat, saqë, po t’i kisha lexuar më parë veprat e tij, armiqtë e mi mund të kishin menduar se Luteri kishte marrë gjithçka nga Veseli.’» *
«Do të gjeni»
Kur ndodhi Reforma, ajo nuk ishte një ndryshim i papritur i ngjarjeve. Idetë që çuan te Reforma kishte disa kohë që qarkullonin. Veseli e kuptoi se korruptimi moral i papëve herët a vonë do të ngjallte te njerëzit dëshirën për reformë. Një herë ai i tha një studenti: «Ti, o djalë që të pëlqen të studiosh, do të jetosh aq sa të shohësh ditën kur mësimet e . . . teologëve grindavecë do të hidhen poshtë nga gjithë dijetarët që janë të krishterë të vërtetë.»
Megjithëse Veseli arriti të dallonte disa nga gabimet dhe abuzimet e kohës së tij, ai nuk mundi të zbulonte dritën e plotë të së vërtetës biblike. Gjithsesi, sipas tij Bibla ishte një libër që duhej lexuar dhe studiuar. Sipas librit Historia e krishterimit (anglisht), Veseli «mendonte se autoriteti absolut në çështjet e besimit është Bibla, meqë është frymëzuar nga Fryma e Shenjtë». Në epokën e sotme të krishterët e vërtetë besojnë se Bibla është Fjala e frymëzuar e Perëndisë. (2 Timoteut 3:16) Por të vërtetat biblike nuk janë më të errësuara ose të vështira për t’i gjetur. Sot, madje më shumë se në të kaluarën, mbetet i vërtetë parimi biblik: «Vazhdoni të kërkoni dhe do të gjeni.»—Mateu 7:7; Proverbat 2:1-6.
[Shënimet]
^ par. 9 Këta burra kontribuan shumë për studimin e gjuhëve origjinale të Biblës. Në vitin 1506 Rojhlini botoi gramatikën hebraike, dhe kjo çoi në një studim më të thellë të Shkrimeve Hebraike. Erasmi botoi një tekst bazë në greqisht të Shkrimeve të Krishtere Greke në vitin 1516.
^ par. 21 Vesel Gansforti (1419-1489) dhe humanizmi nordik, faqet 9, 15, holandisht.
[Kutia dhe figura në faqen 14]
VESELI DHE EMRI I PERËNDISË
Në shkrimet e Veselit emri i Perëndisë në përgjithësi është shkruar «Johavah». Megjithatë, Veseli përdori formën «Jehova» të paktën në dy raste. Kur merr në shqyrtim pikëpamjet e Veselit, autori H. A. Oberman arrin në përfundimin se Veseli mendonte që, nëse Tomas Akuini dhe të tjerët do të kishin ditur hebraisht, «do të kishin parë se emri i Perëndisë që iu zbulua Moisiut, nuk ka kuptimin ‘Unë jam ai që jam’, por ‘Unë do të jem ai që do të jem’». * Përkthimi Bota e Re, në mënyrë të saktë jep kuptimin: «Unë do të bëhem çdo gjë që dua të bëhem.»—Dalja 3:13, 14.
[Shënimi]
^ par. 30 Vesel Gansforti (1419-1489) dhe humanizmi nordik, faqja 105.
[Burimi]
Dorëshkrimi: Universiteitsbibliotheek, Utrecht
[Figurat në faqen 15]
Veseli kundërshtoi shitjen e indulgjencave, të miratuar nga papa Siksti IV