Kontributi
Kontributi
(Ky artikull është një përkthim nga libri Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëllimi 1, faqet 502, 503, anglisht.)
DHURATA, paratë ose ndihma që jep një njeri ose disa njerëz për dikë ose disa të tjerë. Fjala hebraike terumah ka kuptimin «kontribut; pjesë e shenjtë; blatim i ngritur». (Dalja 25:2, shënimi, anglisht; Dalja 29:27, shënimi, anglisht) Rrjedh nga folja rum, e cila fjalë për fjalë do të thotë «të jesh lart; të lartësohesh; të ngresh» (Jobi 22:12; 1 Samuelit 2:1; Zanafilla 14:22) dhe që, në formën shkakore, mund të ketë kuptimin «shkaktoj të ngrihet [si kontribut]», pra ‘jap si kontribut’.—Levitiku 22:15.
Kontributi mund të jetë ose mund të mos jetë diçka materiale. Pavli e falënderoi Perëndinë për kontributin që kishin dhënë të krishterët filipianë për lajmin e mirë. Përveçse bënin pjesën e tyre për përhapjen e lajmit të mirë, ata kishin ndihmuar materialisht Pavlin, e ndoshta edhe të tjerë, duke mbështetur kështu me besnikëri predikimin e lajmit të mirë edhe në këtë mënyrë.—Filipianëve 1:3-5; 4:16-18.
Izraelitët patën privilegjin të jepnin kontribute për ngritjen dhe për pajisjen me orendi të strukturave të përdorura për adhurimin e vërtetë. Ata dhuruan materiale për tabernakullin e për pajisjet e tij (Dalja 25:1-9; 35:4-9), «një blatim vullnetar» për Jehovain, që pastaj u desh të ndalej, sepse gjërat që u dhuruan «ishin të mjaftueshme për punën, madje më se të mjaftueshme». (Dalja 35:20-29; 36:3-7) Kontributet që dha mbreti David për ndërtimin e ardhshëm të tempullit, përfshinin një «pronë të veçantë» që kishte, ar e argjend, me vlerë më tepër se 1.202.000.000 dollarë. Nga ana e tyre, princat dhe krerët e popullit kontribuan me kënaqësi shumën e sotme prej 1.993.000.000 dollarësh në ar e argjend, përveç bakrit, hekurit dhe gurëve.—1 Kronikave 29:1-9.
Disa kontribute kërkoheshin nga Ligji. Kur Moisiu bëri regjistrimin e izraelitëve, çdo mashkull me moshë 20 vjeç e lart, duhej të jepte një shpërblesë për shpirtin e vet, «gjysmë sikle [ndoshta 1,10 dollarë], sipas siklës së vendit të shenjtë». Ky ishte «kontributi për Jehovain» që të bënin shlyerjen për shpirtrat e tyre dhe «për shërbimin në tendën e takimit». (Dalja 30:11-16) Sipas historianit jude, Jozefit, (Lufta judaike, VII, 218 [vi, 6]), më vonë kjo ‘taksë e shenjtë’ paguhej vit për vit.—2 Kronikave 24:6-10; Mateu 17:24.
Për të mbështetur levitët, që ishin fisi priftëror, Perëndia mori masa që izraelitët të kontribuonin «të dhjetat» e prodhimeve të tokës. Edhe levitët i jepnin një të dhjetën si kontribut kryepriftit, për të mbështetur atë dhe familjen e tij. (Numrat 18:26-28) Jehovai ia besoi kryepriftit Aaron kujdesin për kontributet që izraelitët i bënin Perëndisë, duke lejuar që ai dhe bijtë e tij të merrnin nga blatimet e popullit dhe nga vaji, vera, gruri dhe frutat e para të pjekura që populli i jepte Jehovait, si dhe duke u dhënë disa pjesë të flijimeve në kafshë. Nga plaçka e luftës i jepej një taksë kryepriftit si «kontribut për Jehovain», dhe një pjesë tjetër i jepej levitëve.—Numrat 31:1, 2, 28-30.
Izraelitët i paraqitnin Jehovait blatime e flijime të ndryshme, disa prej të cilave Ligji i kërkonte në mënyrë specifike. Kurse disa blatime të tjera Levitiku 7:15, 16.
ishin tërësisht vullnetare, si për shembull blatimet e zotimit dhe flijimet e falënderimit.—Në ditët e mbretit Jehoas, u vendos një arkë në portën e shtëpisë së Jehovait, që të mblidheshin kontribute për t’i bërë meremetime të mëdha tempullit. Princat dhe populli u gëzuan që sollën «taksën e shenjtë» e me anë të saj u arrit të bëhej e fortë dhe e qëndrueshme shtëpia e Perëndisë, si edhe të bëheshin pajisje për tempullin.—2 Kronikave 24:4-14.
Edhe joizraelitët bënin kontribute për adhurimin e vërtetë. Kur Ezdra dhe një mbetje judenjsh u larguan nga Babilonia për në Jerusalem, në vitin 468 p.e.s., morën me vete argjend, ar dhe pajisje, një kontribut për shtëpinë e Perëndisë nga mbreti Artakserks i Persisë, këshilltarët e tij, princat e tij dhe nga izraelitët që ishin në Babiloni. Gjatë udhëtimit, këto sende me vlerë iu besuan njerëzve të zgjedhur.—Ezdra 7:12-20; 8:24-30.
Ndërsa ishin në shërbim, Jezu Krishti dhe apostujt e tij e pranonin ndihmën materiale që u jepej si kontribut. (Luka 8:1-3) Të krishterët në Maqedoni dhe Akai treguan një gatishmëri të veçantë për të ndihmuar vëllezërit e tyre nevojtarë dhe «u pëlqeu të ndanin gjërat e veta dhe të jepnin një kontribut për të varfrit e të shenjtëve në Jerusalem», me sa duket duke kontribuar në para.—Romakëve 15:26.
Te Romakëve 15:26 dhe te 2 Korintasve 9:13, fjala greke e përdorur për «kontribut» (koinonia) mund të merret me kuptimin e drejtpërdrejtë «të ndash me dikë tjetër». E njëjta fjalë greke është përdorur edhe te Hebrenjve 13:16: «Mos harroni të bëni të mira dhe të ndani gjërat me të tjerët, sepse Perëndia kënaqet me flijime të tilla.»
Shumë judenj dhe prozelitë nga vende të tjera, të cilët ishin bërë të krishterë në periudhën e festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., me sa duket qëndruan për njëfarë kohe në Jerusalem, që të mësonin më shumë për besimin. Që askush të mos ishte në nevojë, ata kontribuan vullnetarisht zotërimet e tyre; «e kishin gjithçka të përbashkët». (Veprat 4:32-37; krahaso Veprat 5:1-4.) Më vonë, kongregacioni i Jerusalemit shpërndante përditë ushqime për vejushat nevojtare. (Veprat 6:1-3) Pavli dha disa udhëzime lidhur me përdorimin e fondeve të dhëna si kontribut, për t’u kujdesur për vejushat që e meritonin vërtet ndihmën.—1 Timoteut 5:9, 10.
Në kongregacionin e hershëm të krishterë, askush nuk detyrohej të jepte kontribute. Në lidhje me këtë, Pavli shkroi: «Secili le të bëjë ashtu si ka vendosur në zemër, jo me pahir a me detyrim, sepse Perëndia do një dhënës të gëzuar.»—2 Korintasve 9:7.
Sasia e kontributit nuk tregon medoemos se sa bujar është ai që e jep. Një herë, Jezu Krishti po shikonte se si njerëzit hidhnin para në arkat e thesarit të tempullit. Të pasurit hidhnin shumë monedha, e megjithatë Jezuit i bëri përshtypje bujaria e madhe e një vejushe nevojtare, e cila hodhi vetëm dy monedha të vogla me fare pak vlerë. Jezui tha: «Kjo vejushë, edhe pse e varfër, hodhi më shumë se të gjithë ata. Sepse ata të gjithë hodhën dhurata nga ato që u tepruan, kurse ajo grua, në skamjen e saj, hodhi gjithçka që kishte për të jetuar.» (Luka 21:1-4; Marku 12:41-44) Për sa u përket kontributeve për të ndihmuar bashkëbesimtarët e varfër, Pavli komentoi: «Nëse ekziston së pari gatishmëria, kjo është veçanërisht e pranueshme, me aq sa një njeri ka, dhe jo me atë që nuk ka.»—2 Korintasve 8:12.
Edhe pse askush nuk e pasuron dot Jehovain, i cili është pronar i gjithçkaje (1 Kronikave 29:14-17), dhënia e kontributeve është një privilegj që i jep mundësi një adhuruesi të tregojë dashurinë e tij për Jehovain. Kontributet që nuk bëhen sa për bujë ose për motive egoiste, por me qëndrimin e duhur dhe për të mbështetur adhurimin e vërtetë, sjellin lumturi dhe bekimin e Perëndisë. (Veprat 20:35; Mateu 6:1-4; Proverbat 3:9, 10) Çdo njeri mund t’i sigurojë vetes një lumturi të tillë, duke lënë mënjanë rregullisht diçka nga zotërimet e tij materiale, për të mbështetur adhurimin e vërtetë dhe për të ndihmuar ata që e meritojnë.—1 Korintasve 16:1, 2.
Jehovai është shembulli më i mirë i dhënies, sepse i ka dhënë njerëzimit «jetë, frymë dhe gjithçka» (Veprat 17:25), ka dhënë Birin e tij të vetëmlindur për njerëzit (Gjoni 3:16) dhe i pasuron të krishterët që të tregojnë çdo lloj bujarie (2 Korintasve 9:10-15). Vërtet, «çdo dhuratë e mirë dhe çdo gjë e përsosur që na jepet, është nga lart, sepse zbret nga Ati i dritave qiellore».—Jakovi 1:17.