Presim një Mbretëri që «nuk është pjesë e kësaj bote»
Jetëshkrim
Presim një Mbretëri që «nuk është pjesë e kësaj bote»
Treguar nga Nikolai Guculjaku
Kishte 41 ditë e net që gjendesha në mes të një revolte në burg. Papritur më shkundi nga gjumi gjëmimi i topave. Tanket dhe ushtarët vërshuan në kampin e burgut dhe sulmuan të burgosurit. Jeta ime ishte në rrezik.
SI U gjenda në këtë situatë? Po jua shpjegoj. Kjo ngjarje ndodhi në vitin 1954. Në atë kohë isha 30 vjeç. Ashtu si shumë Dëshmitarë të Jehovait që jetonin nën regjimin sovjetik, më burgosën ngaqë mbaja një qëndrim asnjanës në çështjet politike dhe u flitja të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë. Grupi ynë me Dëshmitarë të burgosur përbëhej nga 46 burra dhe 34 gra. Na mbanin në një kamp pune pranë fshatit Kengir në Kazakistanin Qendror. Atje jetonim mes mijëra të burgosurve të tjerë.
Josif Stalini, udhëheqës i Bashkimit Sovjetik, kishte vdekur një vit më parë. Shumë të burgosur shpresonin se qeveria e re në Moskë mund t’ua vinte veshin ankesave të tyre për kushtet e këqija në burg. Pakënaqësia e të burgosurve së fundi bëri që të shpërthente një revoltë e hapur. Gjatë konfliktit që vijoi më pas, ne Dëshmitarëve na u desh t’ua bënim të qartë qëndrimin tonë rebelëve të acaruar e t’ua shpjegonim edhe rojave ushtarake. Që të mbanim një qëndrim asnjanës na duhej të kishim besim te Perëndia.
Nis revolta
Më 16 maj nisi revolta në kampin e burgut. Dy ditë më pas, më shumë se
3.200 të burgosur nuk pranuan të shkonin në punë dhe kërkuan kushte më të mira në kamp e lëshime për të burgosurit politikë. Ngjarjet u rrokullisën me të shpejtë. Në fillim rebelët i detyruan rojat të dilnin nga kampi. Pastaj hapën të çara në murin rrethues. Më pas shembën muret që ndanin sektorin e burrave me të grave e krijuan të ashtuquajturat fjetore familjare. Në ditët e hareshme që pasuan, disa të burgosur madje u martuan dhe ceremonitë e martesës ua bënë priftërinjtë që ishin të burgosur. Në të tre sektorët e kampit ku shpërtheu revolta, mori pjesë shumica e 14.000 të burgosurve.Rebelët organizuan komitetin e kampit për të zhvilluar bisedime me ushtrinë. Por shpejt, mes anëtarëve të komitetit, lindën mosmarrëveshje dhe kontrolli i kampit ra në duart e elementëve më ekstremistë. Atmosfera u bë edhe më agresive. Udhëheqësit e rebelëve organizuan një grup sigurie, një grup ushtarak dhe një grup propagande që të mbanin «rregullin». Udhëheqësit përdornin altoparlantët që ishin vendosur në shtyllat përreth kampit, për të transmetuar mesazhe të zjarrta që ta mbanin në kulm frymën e revoltës. Rebelët nuk i lejonin të tjerët të arratiseshin, ndëshkonin ata që i kundërshtonin dhe deklaruan se ishin të gatshëm të vritnin këdo që nuk u pëlqente. Qarkullonin zëra se disa të burgosur tashmë i kishin ekzekutuar.
Meqë rebelët pritnin një sulm ushtarak, bënë përgatitje të kujdesshme për t’u mbrojtur. Ata donin që sa më shumë të ishin të pajisur me armë për të mbrojtur kampin, prandaj udhëheqësit i urdhëruan të gjithë të burgosurit që të armatoseshin. Për këtë qëllim, të burgosurit shkulën shufrat prej hekuri nga dritaret dhe farkëtuan thika e armë të tjera prej metali. Madje arritën të gjenin armë zjarri dhe eksplozivë.
Presion për t’u bashkuar me rebelët
Në atë kohë m’u afruan dy rebelë. Njëri nxori një thikë që sapo e kishte mprehur. «Merre!—më urdhëroi.—Do të të duhet për t’u mbrojtur.» Në heshtje iu luta Jehovait që të më ndihmonte të ruaja qetësinë. Iu përgjigja: «Jam një i krishterë, Dëshmitar i Jehovait. Unë dhe Dëshmitarët e tjerë jemi burgosur këtu sepse nuk luftojmë kundër njerëzve, por kundër forcave frymore të padukshme. Armët tona kundër tyre janë besimi dhe shpresa te Mbretëria e Perëndisë.»—Efesianëve 6:12.
Për çudinë time, ai burrë tundi kokën për të treguar se më kuptoi. Por tjetri më goditi fort. Pastaj ikën. Rebelët shkonin fjetore më fjetore dhe përpiqeshin t’i detyronin Dëshmitarët që të merrnin pjesë në revoltë. Por të gjithë vëllezërit dhe motrat nuk pranuan.
Qëndrimi asnjanës i Dëshmitarëve të Jehovait u diskutua në një mbledhje të komitetit të rebelëve. Ata thanë: «Pjesëtarët e të gjitha feve—pentekostalët, adventistët, baptistët dhe të gjithë të tjerët—janë përfshirë në revoltë. Vetëm Dëshmitarët e Jehovait nuk kanë pranuar. Çfarë të bëjmë me ta?» Dikush sugjeroi që të hidhnin një Dëshmitar në furrën e burgut për të na frikësuar. Por një ish-oficer ushtarak, një i burgosur që respektohej nga të tjerët, u ngrit në këmbë dhe tha: «Kjo nuk është gjë e mençur. Duhet t’i futim të gjithë ata në një fjetore mu në cep të kampit, pranë portës. Kështu, nëse ushtria na sulmon me tanke, Dëshmitarët do të jenë të parët që do të shtypen. Dhe ne nuk do të bëhemi fajtorë për vrasjen e tyre.» Të tjerët e pranuan sugjerimin e tij.
Na vënë në një pozicion të rrezikshëm
Jo shumë kohë më pas, të burgosurit ecnin përreth kampit duke bërtitur: «Dëshmitarë të Jehovait, dilni jashtë!» Pastaj na mblodhën tufë që të 80 e na çuan te një fjetore në cep të kampit. I tërhoqën zvarrë jashtë fjetores krevatet dykatëshe që të krijonin më shumë vend brenda dhe na urdhëruan të hynim. Ajo fjetore u bë për ne burg brenda burgut.
Për të qenë disi të veçuara, motrat e krishtere të grupit tonë qepën bashkë disa çarçafë dhe i përdorën për ta ndarë fjetoren në dy pjesë—njërën për burrat dhe tjetrën për gratë. (Më vonë një Dëshmitar në Rusi bëri një vizatim të kësaj fjetoreje, i cili tregohet më poshtë.) Ndërsa banonim ngucur në atë fjetore, shpesh luteshim bashkë dhe i kërkonim me zjarr Jehovait që të na jepte mençuri dhe ‘fuqi përtej asaj që është normale’.—2 Korintasve 4:7.
Në atë kohë ndodheshim në një pozicion të rrezikshëm midis rebelëve dhe ushtrisë sovjetike. Askush nga ne nuk e dinte se çfarë mund të bënte njëra palë kundër tjetrës. «Mos vazhdoni me hamendje,—na nxiti një i krishterë
besnik i moshuar.—Jehovai nuk do të na braktisë.»Motrat tona të shtrenjta të krishtere—të reja e të moshuara—treguan qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Njëra ishte rreth 80 vjeçe dhe kishte nevojë për më tepër ndihmë. Të tjera ishin të sëmura dhe kishin nevojë për kujdes mjekësor. Gjatë gjithë asaj kohe dyert e fjetores duhej të qëndronin hapur që rebelët të na vëzhgonin vazhdimisht. Natën të burgosur të armatosur hynin në fjetore. Disa herë i dëgjonim të thoshin: «Mbretëria e Perëndisë është në gjumë.» Gjatë ditës, kur na linin të shkonim në mensën e kampit, qëndronim gjithnjë bashkë dhe luteshim që Jehovai të na mbronte nga njerëzit e dhunshëm.
Në fjetore përpiqeshim të mbështetnim njëri-tjetrin frymësisht. Për shembull, shpesh një vëlla na rrëfente ndonjë tregim nga Bibla me një volum zëri që të mund ta dëgjonim. Pastaj e zbatonte tregimin për rrethanat tona. Një vëllai të moshuar i pëlqente sidomos të fliste për ushtrinë e Gideonit. «Në emër të Jehovait, 300 burra me vegla muzikore në duar luftuan kundër 135.000 ushtarëve të armatosur,—na kujtonte ai.—Që të 300 u kthyen në shtëpi pa pësuar gjë.» (Gjykatësit 7:16, 22; 8:10) Ky dhe shembuj të tjerë biblikë na jepnin forcë frymore. Kisha vetëm pak kohë që isha bërë Dëshmitar i Jehovait, por merrja shumë zemër kur shihja besimin e fortë të vëllezërve dhe të motrave më me përvojë. E ndieja se Jehovai ishte vërtet me ne.
Fillon beteja
Javët kalonin dhe tensionet në kamp po rriteshin. Bisedimet midis rebelëve dhe autoriteteve u acaruan më shumë. Udhëheqësit e rebelëve këmbëngulnin që qeveria qendrore në Moskë të dërgonte një përfaqësues që të takohej me ta. Autoritetet kërkonin që rebelët të dorëzoheshin, të dorëzonin armën dhe të ktheheshin në punë. Asnjëra anë nuk pranonte të bënte kompromis. Ndërkohë kampi ishte rrethuar nga forcat ushtarake, që ishin gati të vërsuleshin me urdhrin e parë. Edhe rebelët ishin gati të luftonin, pasi kishin ngritur barrikada dhe kishin grumbulluar armë. Të gjithë pritnin që përplasja përfundimtare midis ushtrisë dhe të burgosurve të niste nga çasti në çast.
Më 26 qershor u zgjuam nga breshëria shurdhuese e topave. Tanket e thërrmuan murin rrethues dhe vërshuan në kamp. Nga pas i ndiqnin valët e forcave sulmuese që qëllonin me mitralozë. Të burgosurit—burra e gra—suleshin përballë tankeve duke thirrur «Urra!» dhe duke hedhur gurë, bomba të bëra vetë dhe gjithçka që mund të gjenin. Nisi një betejë e egër dhe ne Dëshmitarët gjendeshim në mes të saj. Si do t’u përgjigjej Jehovai lutjeve tona për ndihmë?
Papritur ushtarët u sulën drejt fjetores sonë. «Hajdeni, dilni jashtë ju të shenjtët!—thirrën.—Shpejt, kaloni matanë murit rrethues!» Oficeri që i drejtonte u dha urdhër ushtarëve të mos na qëllonin, por të rrinin me ne për të na mbrojtur. Ndërsa beteja vazhdonte me tërbim, ne qëndronim ulur në stepën plot bar përtej perimetrit të kampit. Për katër orë dëgjuam shpërthime, të shtëna, të bërtitura dhe ofshama nga kampi. Pastaj ra heshtja. Më vonë, nën dritën e agimit pamë ushtarët që transportonin të vdekurit jashtë kampit. Morëm vesh se qindra veta ishin plagosur ose kishin vdekur.
Më vonë po atë ditë, erdhi te ne një oficer që e njihja. Ai pyeti me krenari: «Hë, Nikolai, kush ju shpëtoi? Ne apo Jehovai?» E falënderuam nga zemra që na shpëtoi jetën, por i thamë: «Besojmë se Perëndia ynë i Plotfuqishëm, Jehovai, ju shtyu juve që të na mbronit, ashtu siç nxiti të tjerë që të çlironin shërbëtorët e tij në kohët biblike.»—Ezdra 1:1, 2.
Po ai oficer na shpjegoi gjithashtu se si e dinin ushtarët se kush ishim dhe ku ndodheshim. Ai tha se gjatë një seance bisedimesh midis ushtrisë dhe rebelëve, ushtria i akuzoi rebelët se kishin vrarë të burgosurit që nuk i përkrahën. Për t’u mbrojtur, rebelët u përgjigjën se Dëshmitarët e Jehovait nuk ishin përfshirë në revoltë, e megjithatë nuk i kishin vrarë. Përkundrazi, si ndëshkim, të gjithë Dëshmitarët i kishin burgosur në një fjetore. Oficerët i mbajtën mend këto fjalë.
Qëndruam të palëkundur për Mbretërinë
Autori i njohur rus Aleksandër Solzhenicini, në librin e tij Arkipelagu Gulag (rusisht), përmend revoltën që përjetuam në burg. Në lidhje me atë ngjarje, ai jep një arsye pse nisi revolta: «Ne, sigurisht, duam liri, . . . por kush mund të na e japë?» Edhe ne Dëshmitarët e Jehovait që ishim në të njëjtin burg e dëshironim me zjarr lirinë. Por jo vetëm lirinë nga burgu; dëshironim lirinë që vetëm Mbretëria e Perëndisë mund të sjellë. Kur ishim në burg e dinim se kishim nevojë për forcë nga Perëndia që të qëndronim të palëkundur në anën e Mbretërisë së tij. Dhe Jehovai na dha gjithçka që na nevojitej. Na dha fitoren pa ndihmën e thikave ose të granatave.—2 Korintasve 10:3.
Jezu Krishti i tha Pilatit: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote. Po të ishte mbretëria ime pjesë e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin.» (Gjoni 18:36) Prandaj si ithtarë të Krishtit ne nuk morëm pjesë në betejat politike. Ishim të lumtur që gjatë revoltës dhe pas saj, për të tjerët ishte e dukshme se ishim besnikë ndaj Mbretërisë së Perëndisë. Në lidhje me sjelljen tonë gjatë asaj kohe, Solzhenicini shkroi: «Dëshmitarët e Jehovait nuk ngurronin t’i zbatonin rregullat e tyre fetare pa u lëkundur dhe nuk pranuan të ndërtonin fortifikata ose të shërbenin si roja.»
Kanë kaluar më shumë se 50 vjet që nga ato ditë të trazuara. Megjithatë shpesh i kujtoj ato kohë me mirënjohje, sepse nxora mësime të paharrueshme, si për shembull, të pres Jehovain dhe të besoj plotësisht te krahu i tij i fuqishëm. Po, ashtu si shumë Dëshmitarë të tjerë të çmuar në ish-Bashkimin Sovjetik, e kam përjetuar vërtet mbrojtjen e Jehovait dhe kam parë se ai i çliron ata që presin një Mbretëri që «nuk është pjesë e kësaj bote».
[Figurat në faqet 8, 9]
Kampi i punës në Kazakistan ku ishim të burgosur
[Figura në faqen 10]
Vizatim i fjetores së Dëshmitarëve, pjesa e grave
[Figura në faqen 11]
Me vëllezër të krishterë, sapo u liruam