Si ta identifikojmë adhurimin e vërtetë?
Si ta identifikojmë adhurimin e vërtetë?
SHUMICA e feve pohojnë se gjërat që thonë, vijnë nga Perëndia. Prandaj kemi nevojë t’u vëmë veshin fjalëve të apostullit të Jezuit, Gjonit, i cili shkroi: «Të dashur, mos i besoni çdo shprehjeje të frymëzuar, por vërini në provë ato për të parë nëse vijnë nga Perëndia, sepse shumë profetë të rremë kanë dalë në botë.» (1 Gjonit 4:1) Si mund ta vëmë në provë diçka për të parë nëse vjen nga Perëndia?
Gjithçka që vjen nga Perëndia pasqyron personalitetin e tij, sidomos cilësinë e tij mbizotëruese, dashurinë. Për shembull, shqisa jonë e të nuhaturit, falë së cilës kënaqemi me aromën e bimëve erëmira, të luleve ose të bukës së sapopjekur, është shprehje e dashurisë së Perëndisë. Aftësia jonë për të parë një perëndim dielli, një flutur ose buzëqeshjen e një fëmije, pasqyron dashurinë e Perëndisë për ne. Po kështu është edhe me aftësinë për të dëgjuar muzikën e bukur, cicërimat e zogjve ose zërin e një njeriu të dashur. Edhe natyra jonë njerëzore, megjithëse e papërsosur, pasqyron dashurinë e Perëndisë. Ja pse shpesh provojmë sa të vërteta janë fjalët e Jezuit: «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.» (Veprat 20:35) Na pëlqen ta shprehim dashurinë, sepse jemi bërë «sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë». (Zanafilla 1:27) Megjithëse Jehovai ka shumë cilësi të tjera, dashuria është veçoria më e jashtëzakonshme e personalitetit të tij.
Shkrimet që vijnë nga Perëndia, duhet të pasqyrojnë dashurinë e tij. Fetë në botë kanë shumë shkrime të lashta, por sa arrijnë këto shkrime ta pasqyrojnë dashurinë e Perëndisë?
E vërteta është se shumica e teksteve të lashta fetare nuk shpjegojnë shumë se sa na do Perëndia ose si mund ta duam ne Perëndinë. Prandaj miliona njerëz nuk marrin asnjë përgjigje për pyetjen: «Pse vazhdojnë vuajtjet dhe ligësitë, ndërkohë që shohim prova të dashurisë së Perëndisë në gjërat që ka krijuar?» Bibla, nga ana tjetër, është i vetmi shkrim i lashtë fetar në të cilin shpjegohet plotësisht dashuria e Perëndisë. Gjithashtu, ajo na mëson se si të shfaqim gjithnjë dashuri.
Libri që flet për dashurinë
Në Fjalën e Perëndisë, Biblën, zbulohet se Jehovai është «Perëndia i dashurisë». (2 Korintasve 13:11) Në Bibël përshkruhet se si dashuria e nxiti Jehovain t’u jepte njerëzve të parë një jetë pa sëmundje dhe vdekje. Por me rebelimin kundër autoritetit të Perëndisë filluan vuajtjet për njerëzimin. (Ligji i përtërirë 32:4, 5; Romakëve 5:12) Jehovai veproi që të rikthente atë që ishte humbur. Fjala e Perëndisë thotë: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) Në Shkrimet e Shenjta zbulohet edhe më tej dashuria e Perëndisë kur përshkruhet se si Perëndia ka vendosur një qeveri të përsosur nën sundimin e Jezuit, që t’u rikthejë paqen njerëzve të bindur.—Danieli 7:13, 14; 2 Pjetrit 3:13.
Në Bibël përmblidhet me këto fjalë detyrimi i njeriut: «‘Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.’ Ky është urdhërimi i parë dhe më i madhi. I dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd si veten.’ Nga këto dy urdhërime varet gjithë Ligji.» (Mateu 22:37-40) Bibla pohon se është e frymëzuar nga Perëndia. Meqë pasqyron qartë personalitetin e tij, mund të jemi të sigurt se vjen nga «Perëndia i dashurisë».—2 Timoteut 3:16.
Duke përdorur vetëm këtë kriter, mund të identifikojmë se cilat shkrime të lashta janë vërtet nga Perëndia. Dashuria identifikon edhe adhuruesit e vërtetë, sepse ata imitojnë Perëndinë në mënyrën se si e shfaqin dashurinë.
Si t’i dallojmë njerëzit që e duan Perëndinë?
Ata që e duan vërtet Perëndinë dallohen mirë sidomos tani që jetojmë në kohën që në Bibël quhet «ditët e fundit». Gjithnjë e më shumë, njerëzit po bëhen «të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, . . . kënaqësidashës në vend se perëndidashës».—2 Timoteut 3:1-4.
Si mund t’i njohësh njerëzit që e duan Perëndinë? Në Bibël thuhet: «Kjo është dashuria për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij.» (1 Gjonit 5:3) Dashuria për Perëndinë i nxit njerëzit të respektojnë normat morale të Biblës. Për shembull, në Fjalën e Perëndisë ka ligje për marrëdhëniet seksuale dhe martesën. Marrëdhëniet seksuale lejohen vetëm brenda martesës dhe martesa duhet të jetë një lidhje e qëndrueshme. (Mateu 19:9; Hebrenjve 13:4) Në Spanjë, një grua që studionte teologjinë ndoqi një mbledhje ku Dëshmitarët e Jehovait po studionin plot dëshirë ligjet morale të Biblës, dhe tha: «Pas mbledhjes u ndjeva e forcuar, jo vetëm nga fjalimet biblike ndriçuese, por edhe nga uniteti që ka mes këtyre njerëzve, nga normat e tyre të larta morale dhe nga sjellja e shkëlqyer që kanë.»
Përveç dashurisë për Perëndinë, të krishterët e vërtetë identifikohen lehtësisht edhe nga mënyra se si shfaqin dashuri për njerëzit. Vepra e tyre më e rëndësishme është të flasin me të tjerët për shpresën e vetme të njerëzimit, për Mbretërinë e Perëndisë. (Mateu 24:14) Asgjë nuk mund t’u sjellë njerëzve më shumë dobi të vazhdueshme, sesa ndihma që të marrin njohuri për Perëndinë. (Gjoni 17:3) Të krishterët e vërtetë e shfaqin dashurinë e tyre edhe në mënyra të tjera. Ata i ndihmojnë në mënyrë praktike njerëzit që vuajnë. Për shembull, kur një tërmet shkaktoi një katastrofë në Itali, në një gazetë vendëse raportohej se Dëshmitarët e Jehovait «veprojnë në mënyrë praktike, duke i ndihmuar njerëzit që vuajnë, pa u shqetësuar shumë se cilës fe i përkasin».
Të krishterët e vërtetë duan jo vetëm Perëndinë dhe të afërmin, por edhe njëri-tjetrin. Jezui tha: «Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin. Ashtu siç ju kam dashur unë, ta doni edhe ju njëri-tjetrin. Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»—Gjoni 13:34, 35.
A dallohen të krishterët e vërtetë nga lloji i dashurisë që kanë për njëri-tjetrin? Ema, e cila punon si shërbyese në një shtëpi, mendon se po. Ajo punon në La Paz, Bolivi, ku dallimet etnike shpesh i ndajnë të pasurit nga të varfrit. «Herën e parë që shkova në një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait,—tha ajo,—pashë një zotëri të veshur mirë që ishte ulur e bisedonte me një zonjë indigjene. Nuk e kisha parë kurrë një gjë të tillë. Në atë çast e kuptova se këta duhet të jenë populli i Perëndisë.» Po kështu një e re braziliane që quhet Miriam, tha: «Nuk isha e lumtur, madje as në familjen time. Herën e parë që pashë dashuri me vepra
ishte midis Dëshmitarëve të Jehovait.» Në Shtetet e Bashkuara, drejtori i lajmeve të një stacioni televiziv shkroi: «Nëse më shumë njerëz do të jetonin sipas besimit tuaj, ky komb nuk do të ishte në gjendjen që është. Jam një gazetar që e di se organizata juaj bazohet te dashuria dhe te besimi i fortë në Krijuesin.»Kërko adhurimin e vërtetë
Dashuria është një veçori dalluese e adhurimit të vërtetë. Jezui tha se të gjesh adhurimin e vërtetë është si të gjesh rrugën e drejtë dhe të vendosësh të ecësh në të. Ajo është e vetmja rrugë që të çon në jetën e përhershme. Jezui tha: «Hyni nga porta e ngushtë, sepse e gjerë dhe e hapët është rruga që të çon në shkatërrim, dhe shumë hyjnë nga ajo. Por e ngushtë është porta dhe e kufizuar rruga që të çon në jetë, dhe pak e gjejnë atë.» (Mateu 7:13, 14) Vetëm një grup të krishterësh të vërtetë po ecën në unitet me Perëndinë në rrugën e adhurimit të vërtetë. Prandaj, ka rëndësi se çfarë feje zgjedh. Nëse e gjen atë rrugë dhe zgjedh të ecësh në të, ke gjetur udhën më të mirë të jetës, sepse ajo është udha e dashurisë.—Efesianëve 4:1-4.
Mendo se ç’gëzim mund të provosh ndërsa ecën në rrugën e adhurimit të vërtetë! Është sikur ecën me Perëndinë. Nga Perëndia mund të mësosh mençurinë dhe dashurinë, e kështu mund të kesh marrëdhënie të mira me të tjerët. Prej tij mund të mësosh cili është qëllimi i jetës, mund të kuptosh premtimet e Perëndisë dhe mund të kesh një shpresë për të ardhmen. Kurrë nuk do të pendohesh që ke kërkuar adhurimin e vërtetë.
[Figura në faqen 5]
Nga të gjitha shkrimet e lashta fetare, vetëm në Bibël zbulohet dashuria e Perëndisë
[Figurat në faqen 7]
Të krishterët e vërtetë dallohen, sepse shfaqin gjithnjë dashuri