Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pika kryesore nga libri i Jeremisë

Pika kryesore nga libri i Jeremisë

Fjala e Jehovait është e gjallë

Pika kryesore nga libri i Jeremisë

SA TRONDITËSE duhet t’i jenë dukur popullit katastrofat që shpalli Jeremia! Tempulli i lavdishëm që kishte qenë qendra e adhurimit për më tepër se tre shekuj, do të bëhej shkrumb e hi. Qyteti i Jerusalemit dhe vendi i Judës do të mbeteshin të shkretë, banorët e tyre do të merreshin robër. Këto dhe shpallje të tjera gjykimi ndodhen në librin e dytë më të madh të Biblës, në librin e Jeremisë. Në të tregohet edhe se çfarë përjetoi vetë Jeremia ndërsa kreu me besnikëri shërbimin e tij 67-vjeçar. Informacioni në libër nuk paraqitet në rendin kronologjik, por sipas argumentit që trajtohet.

Pse duhet të na interesojë libri biblik i Jeremisë? Profecitë e tij të përmbushura na e forcojnë besimin te Jehovai si Përmbushësi i premtimeve të tij. (Isaia 55:10, 11) Vepra e Jeremisë si profet dhe qëndrimi i njerëzve ndaj mesazhit të tij janë të ngjashme me ditët tona. (1 Korintasve 10:11) Për më tepër, mënyra se si veproi Jehovai me popullin e tij nxjerr në pah cilësitë e tij dhe duhet të ketë ndikim të thellë te ne.​—Hebrenjve 4:12.

«POPULLI IM KA BËRË DY GJËRA TË KËQIJA»

(Jeremia 1:1–20:18)

Jeremia caktohet si profet në vitin e 13-të të mbretërimit të Josisë, mbretit të Judës, 40 vjet para shkatërrimit të Jerusalemit më 607 p.e.s. (Jeremia 1:1, 2) Shpalljet e bëra kryesisht gjatë 18 viteve të fundit të mbretërimit të Josisë demaskojnë ligësinë e Judës dhe njoftojnë gjykimet e Jehovait kundër saj. Jehovai shpall: «Do ta bëj Jerusalemin pirgje gurësh, . . . dhe qytetet e Judës do t’i bëj një vend të shkretë, pa asnjë banor.» (Jeremia 9:11) Pse? «Sepse populli im ka bërë dy gjëra të këqija»,—thotë ai.​—Jeremia 2:13.

Mesazhi flet edhe për rivendosjen e një mbetjeje njerëzish të penduar. (Jeremia 3:14-18; 12:14, 15; 16:14-21) Megjithatë atë që përcjell mesazhin nuk e presin mirë. «I ngarkuari kryesor për shtëpinë e Jehovait» e godet Jereminë dhe e vë në fallaka gjithë natën.​—Jeremia 20:1-3.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

1:11, 12—Pse fakti që Jehovai rri syçelë ndaj fjalës së tij krahasohet me «një lastar bajameje»? Bajamja është një nga pemët e para që lulëzojnë në pranverë. Në mënyrë të figurshme, Jehovai vazhdoi ‘të çohej herët e t’i dërgonte [profetët]’ për ta paralajmëruar popullin e tij për gjykimet që do të sillte, dhe ‘ndenji syçelë’ derisa ato u përmbushën.​—Jeremia 7:25.

2:10, 11—Pse ishte kaq e pazakontë ajo që kishin bërë izraelitët jobesnikë? Edhe pse kombet pagane që gjendeshin në perëndim drejt Kitimit dhe në lindje drejt Kedarit mund të adhuronin edhe perëndi të kombeve të tjera përveç perëndive të tyre, nuk ishte dëgjuar asnjëherë që ato t’i zëvendësonin krejtësisht perënditë e tyre me perëndi të huaja. Kurse izraelitët e braktisën Jehovain, duke e zëvendësuar lavdinë e Perëndisë së gjallë me idhujt e pajetë.

3:11-22; 11:10-12, 17—Pse Jeremia përfshin në shpalljet e tij mbretërinë veriore prej dhjetë fisesh, megjithëse Samaria kishte rënë në vitin 740 p.e.s.? Veproi kështu sepse shkatërrimi i Jerusalemit në vitin 607 p.e.s. ishte shprehje e gjykimit që Jehovai kishte dhënë për tërë kombin e Izraelit, jo vetëm për Judën. (Ezekieli 9:9, 10) Për më tepër, pas rënies së saj, interesat e mbretërisë dhjetëfisëshe vazhduan të përfaqësoheshin në Jerusalem, meqë në mesazhet e profetëve të Perëndisë vazhduan të përfshiheshin edhe izraelitët.

4:3, 4—Ç’kuptim ka ky urdhër? Judenjtë e pabesë duhej ta përgatitnin, ta zbutnin dhe ta pastronin tokën e zemrës së tyre. Ata duhej të ‘rrethpritnin’ zemrën, domethënë të hiqnin mendimet, ndjenjat dhe motivet e papastra. (Jeremia 9:25, 26; Veprat 7:51) Kjo kërkonte që të ndryshonin mënyrën e jetesës​—të mos bënin më të keqen, por të bënin gjërat që sillnin miratimin e Perëndisë.

4:10; 15:18—Në ç’kuptim Jehovai e la popullin e tij renegat të mashtrohej? Në ditët e Jeremisë kishte profetë që ‘profetizonin gënjeshtra’. (Jeremia 5:31; 20:6; 23:16, 17, 25-28, 32) Jehovai nuk i ndali ata që të mos shpallnin mesazhe mashtruese.

16:16—Ç’do të thotë që Jehovai ‘thërret shumë peshkatarë’ dhe ‘dërgon shumë gjuetarë’? Kjo mund t’i referohet dërgimit të forcave armike që të kërkonin judenjtë e pabesë mbi të cilët Jehovai do të ekzekutonte gjykimin. Por, duke pasur parasysh atë që thuhet te Jeremia 16:15, vargu mund ta ketë fjalën edhe për kërkimin e izraelitëve të penduar.

20:7—Në ç’mënyrë Jehovai ‘përdori forcën’ kundër Jeremisë dhe ia prishi mendjen? Ngaqë haste indiferencë, refuzim dhe përndjekje kur shpallte gjykimet e Jehovait, Jeremia mund të jetë ndier sikur nuk kishte më forcë për të vazhduar. Mirëpo Jehovai përdori forcën e tij kundër këtyre prirjeve, duke i dhënë fuqi Jeremisë që të vazhdonte. Kështu Jehovai ia prishi mendjen Jeremisë duke e përdorur që të kryente atë që profeti vetë mendonte se nuk e bënte dot.

Mësime për ne:

1:8. Në disa raste Jehovai mund ta çlirojë popullin e tij nga përndjekja—ndoshta duke përdorur gjykatës të paanshëm, duke i zëvendësuar zyrtarët kundërshtarë me zyrtarë të arsyeshëm ose duke u dhënë adhuruesve të tij forcën për të qëndruar.​—1 Korintasve 10:13.

2:13, 18. Izraelitët jobesnikë bënë dy gjëra të këqija. Braktisën Jehovain, burimin e sigurt të lumturisë, të udhëheqjes dhe të mbrojtjes. Dhe, në mënyrë të figurshme, gërmuan sterna, duke u përpjekur të bënin aleanca ushtarake me Egjiptin dhe Asirinë. Në kohën tonë, të braktisim Perëndinë e vërtetë për të mbështetur filozofitë e teoritë njerëzore, si edhe politikën e botës, do të thotë të zëvendësojmë «burimin e ujit jetëdhënës» me «sterna të prishura».

6:16. Jehovai e nxit popullin e tij rebel të ndalet e të shqyrtojë veten, që të gjejë «rrugët» e paraardhësve besnikë e të kthehet në to. A nuk duhet të shqyrtojmë edhe ne veten herë pas here për të parë nëse po ecim vërtet në rrugën që Jehovai dëshiron të ecim?

7:1-15. Fakti që e vinin besimin te tempulli, duke e parë si një lloj hajmalie mbrojtëse, nuk i shpëtoi judenjtë. Ne duhet të ecim me anë të besimit dhe jo me anë të asaj që shihet.​—2 Korintasve 5:7.

15:16, 17. Ashtu si Jeremia, edhe ne mund ta luftojmë shkurajimin. Këtë mund ta bëjmë duke gjetur gëzim në studimin e zellshëm personal të Biblës, duke lartësuar emrin e Jehovait në shërbim dhe duke shmangur shoqëritë e këqija.

17:1, 2. Për shkak të mëkateve të tyre, flijimet e popullit të Judës nuk i pëlqenin Jehovait. Nëse jemi të papastër nga ana morale, Jehovai nuk i pranon flijimet tona të lëvdimit.

17:5-8. Njerëzit dhe institucionet meritojnë besimin tonë deri kur veprojnë në përputhje me vullnetin e Perëndisë dhe me parimet biblike. Kur bëhet fjalë për çështje të tilla, si shpëtimi dhe paqja e siguria e vërtetë, jemi të mençur nëse i besojmë vetëm Jehovait.​—Psalmi 146:3.

20:8-11. Nuk duhet të lejojmë që indiferenca, kundërshtimi ose përndjekja të na e ulin zellin për veprën e predikimit të Mbretërisë.​—Jakovi 5:10, 11.

«VËRENI QAFËN NËN ZGJEDHËN E MBRETIT TË BABILONISË»

(Jeremia 21:1–51:64)

Jeremia shpall gjykime kundër katër mbretërve të fundit të Judës, si edhe kundër profetëve të rremë, barinjve të papërgjegjshëm dhe priftërinjve të korruptuar. Duke e krahasuar mbetjen besnike me fiq të mirë, Jehovai thotë: «Unë do t’i drejtoj sytë nga ata për mirë.» (Jeremia 24:5, 6) Tri profeci në kapitullin 25 përmbledhin gjykimet që shtjellohen në kapitujt e mëvonshëm.

Priftërinjtë dhe profetët komplotojnë për ta vrarë Jereminë. Mesazhi që shpall ai është se ata duhet t’i shërbejnë mbretit të Babilonisë. Jeremia i thotë mbretit Zedekia: «Vëreni qafën nën zgjedhën e mbretit të Babilonisë.» (Jeremia 27:12) Megjithatë, «Ai që e shpërndau Izraelin, do ta mbledhë». (Jeremia 31:10) Me arsye të vlefshme, rekabitëve u bëhet një premtim. Jereminë e futin në burg «në Oborrin e Rojës». (Jeremia 37:21) Jerusalemi shkatërrohet dhe shumica e banorëve të tij merren robër. Jeremia dhe Baruku janë ndër ata banorë që nuk i heqin nga vendi. Me gjithë paralajmërimin e Jeremisë, ata njerëz të frikësuar shkojnë në Egjipt. Në kapitujt 46 deri 51 tregohet mesazhi që thotë Jeremia në lidhje me kombet.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

22:30—A e anuloi ky dekret të drejtën e Jezu Krishtit për të hipur në fronin e Davidit? (Mateu 1:1, 11) Jo. Dekreti e ndalonte cilindo pasardhës të Jehojakinit ‘të ulej në fronin e Davidit, në Judë’. Jezui do të sundonte nga qiejt, jo nga ndonjë fron në Judë.

23:33—Cila është «barra e shpallur nga Jehovai»? Në ditët e Jeremisë shpalljet e rënda të profetit në lidhje me shkatërrimin e Jerusalemit ishin një barrë për bashkëkombësit e tij. Nga ana tjetër, njerëzit indiferentë ishin një barrë kaq e rëndë për Jehovain, saqë ai do t’i hidhte tej. Po kështu, mesazhi biblik për shkatërrimin e krishterimit të rremë është një barrë për këtë të fundit dhe njerëzit që nuk ia vënë veshin mesazhit janë një barrë e rëndë për Perëndinë.

31:33—Si shkruhet ligji i Perëndisë në zemrën e njerëzve? Kur një njeri e do ligjin e Perëndisë aq shumë, sa ka dëshirë të zjarrtë të bëjë vullnetin e Tij, mund të thuhet se ligji i Perëndisë është i shkruar në zemrën e tij.

32:10-15—Pse bëheshin dy akte të shkruara për të njëjtën marrëveshje? Akti që lihej i hapur ishte për ta parë kur nevojitej. Akti i vulosur shërbente si një kopje rezervë për të vërtetuar saktësinë e aktit të hapur, nëse ishte e nevojshme. Duke ndjekur procedura ligjore të arsyeshme, edhe kur kishte të bënte me një të afërm të tij që ishte edhe bashkëbesimtar, Jeremia la një shembull për ne.

33:23, 24—Cilat janë «dy familjet» që përmenden këtu? Njëra është familja mbretërore nga linja e mbretit David, kurse tjetra është familja priftërore e pasardhësve të Aaronit. Me shkatërrimin e Jerusalemit dhe të tempullit të Jehovait, dukej sikur Jehovai i kishte hedhur poshtë këto dy familje, kështu që nuk do të kishte më një mbretëri në tokë ose nuk do ta përtërinte adhurimin e tij.

46:22—Pse zëri i Egjiptit krahasohet me zërin e gjarprit? Kjo mund t’i referohet ose tingullit fishkëllyes të gjarprit kur largohet, ose poshtërimit të Egjiptit si komb në zë, ngaqë ka pësuar katastrofë. Ky krahasim tregon edhe se sa e kotë ishte që faraonët egjiptianë të mbanin në mbulesën e kokës një shëmbëlltyrë të gjarprit të shenjtë me mendimin se do t’i mbronte Uatçiti, perëndesha-gjarpër.

Mësime për ne:

21:8, 9; 38:19. Deri në momentin e fundit Jehovai u dha mundësinë për të zgjedhur banorëve të papenduar të Jerusalemit, të cilët meritonin të vdisnin. Po, «e madhe është mëshira e tij».​—2 Samuelit 24:14; Psalmi 119:156.

31:34. Sa ngushëllohemi kur e dimë se Jehovai, atyre që i fal, nuk ua kujton më mëkatet e nuk i ndëshkon për to në të ardhmen!

38:7-13; 39:15-18. Jehovai nuk e harron shërbimin tonë besnik, i cili përfshin ‘t’u shërbejmë të shenjtëve’.​—Hebrenjve 6:10.

45:4, 5. Ashtu si gjatë ditëve të fundit të Judës, «ditët e fundit» të këtij sistemi nuk janë një kohë për të kërkuar «gjëra të mëdha», si pasuri, famë ose siguri materiale.​—2 Timoteut 3:1; 1 Gjonit 2:17.

JERUSALEMI NË FLAKË

(Jeremia 52:1-34)

Është viti 607 p.e.s. Zedekia është në vitin e 11-të të mbretërimit të tij. Mbreti i Babilonisë, Nabukodonosori, e mban të rrethuar Jerusalemin prej 18 muajsh. Ditën e shtatë të muajit të pestë të vitit të nëntëmbëdhjetë të mbretërimit të Nabukodonosorit, Nebuzaradani, kreu i truprojës, ‘vjen’ ose mbërrin në Jerusalem. (2 Mbretërve 25:8) Ndoshta nga kampi i tij jashtë mureve të qytetit, Nebuzaradani mbikëqyr gjendjen dhe planifikon si të veprojë. Tri ditë më vonë, ditën e dhjetë të muajit, ai ‘vjen’ ose hyn në Jerusalem dhe i vë flakën qytetit.​—Jeremia 52:12, 13.

Jeremia jep një përshkrim të hollësishëm të rënies së Jerusalemit. Me këtë përshkrim, hidhen bazat për vajtimet ose këngët e përvajshme. Këto këngë ndodhen në librin biblik të Vajtimeve.

[Figura në faqen 8]

Në shpalljet e Jeremisë përfshiheshin gjykimet e Jehovait kundër Jerusalemit

[Figura në faqen 9]

Në ç’mënyrë Jehovai ‘përdori forcën’ kundër Jeremisë?

[Figura në faqen 10]

«Ashtu si shoh këta fiq të mirë, po kështu do t’i shoh me sy të mirë të mërguarit e Judës.»​—Jeremia 24:5