Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Sa kafshë të pastra futi Noeja në arkë: shtatë kafshë nga çdo lloj apo shtatë çifte kafshësh nga çdo lloj?
Pasi Noeja përfundoi arkën, Jehovai i tha: «Hyr në arkë ti dhe gjithë ata të shtëpisë sate, sepse kam parë se mes këtij brezi, ti je i drejtë para meje. Nga çdo kafshë e pastër, merr shtatë nga çdo lloj, mashkull dhe femër. Nga çdo kafshë e papastër merr vetëm dy, mashkull dhe femër.» (Zanafilla 7:1, 2) Disa përkthime, si Diodati i Ri dhe ECM e përkthejnë shprehjen origjinale në hebraisht «shtatë çifte».
Në gjuhën origjinale, shprehja «shtatë nga çdo lloj» është fjalë për fjalë «shtatë shtatë». (Zanafilla 7:2, shënimi te Përkthimi Bota e Re me referime, anglisht) Megjithatë, përsëritja e një numri në gjuhën hebraike nuk do të thotë medoemos se numrat duhen mbledhur. Për shembull, 2 Samuelit 21:20 flet për «një burrë me shtat të jashtëzakonshëm» që kishte «gjashtë gishta në secilën dorë e në secilën këmbë». Në hebraisht, numri «gjashtë» është përsëritur. Por, kjo s’do të thotë se ky gjigant kishte gjashtë palë gishta (ose 12) në secilën dorë dhe gjashtë palë gishta në secilën këmbë. Sipas rregullave gramatikore të gjuhës hebraike, përsëritja në këtë rast tregon thjesht se ai kishte gjashtë gishta në çdo dorë dhe gjashtë gishta në çdo këmbë.
Kështu, «shtatë shtatë» te Zanafilla 7:2 nuk do të thotë shtatë çifte, ose 14 kafshë, njësoj si përsëritja e numrit «dy» nuk do të thotë dy çifte ose 4 kafshë, te Zanafilla 7:9, 15. Përsëritja e numrit në çdo varg, thjesht tregon përndarje dhe jo mbledhje numrash. Pra, në arkë u futën «shtatë nga çdo lloj» nga kafshët e pastra dhe «vetëm dy» nga të papastrat.
Por, ç’kuptim kanë fjalët «mashkull dhe femër» që vijnë pas shprehjes «shtatë nga çdo lloj» te Zanafilla 7:2? Kjo i ka bërë disa të mendojnë se Noeja u udhëzua të merrte shtatë çifte nga çdo lloj kafshe e pastër. Megjithatë, kafshët e pastra nuk u ruajtën gjallë vetëm për qëllimin e shtimit. Zanafilla 8:20 tregon se pasi doli nga arka, «Noeja ndërtoi një altar për Jehovain. Mori disa kafshë të pastra dhe disa krijesa fluturuese të pastra, e paraqiti blatime të djegura mbi altar». Kafshën e shtatë nga çdo lloj i pastër Noeja e paraqiti si flijim. Kështu, tri çiftet që kishin mbetur, mund të shtoheshin në tokë sipas llojit të tyre.