Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si gjeti paqe Hana?

Si gjeti paqe Hana?

Si gjeti paqe Hana?

NJË grua besnike e lëvdon me zë Jehovain, duke iu lutur. Ajo thotë se Perëndia e ka ngritur nga pluhuri dhe në vend të brengosjes i ka dhënë ngazëllim.

Gruan e quajnë Hana. Ç’është kjo gjë që e ka bërë të ndihet ndryshe? Pse tani është kaq e gëzuar? Si mund të nxjerrim dobi nga përvoja e saj? Për të gjetur përgjigjet e këtyre pyetjeve, le të shqyrtojmë historinë e Hanës.

Një familje nën stres

Hana është njëra nga dy gratë e Elkanahut, një levit që banon në territorin e Efraimit. (1 Samuelit 1:1, 2a; 1 Kronikave 6:33, 34) Megjithëse poligamia nuk ishte pjesë e qëllimit fillestar të Perëndisë për njerëzimin, ajo lejohet në Ligjin e Moisiut dhe është rregulluar sipas disa ligjeve. Familja e Elkanahut adhuron Jehovain, por martesat poligame shpesh sjellin grindje, siç ilustrohet nga marrëdhëniet familjare të Elkanahut.

Hana është shterpë, kurse Penina, gruaja tjetër e Elkanahut, ka disa fëmijë. Penina është rivalja e Hanës.​—1 Samuelit 1:2b.

Gratë izraelite e konsiderojnë shterpësinë një poshtërim, e madje një shenjë të pavlefshmërisë në sytë e Perëndisë. Por nuk ka asnjë gjë që të tregojë se pamundësia e Hanës për të lindur fëmijë është provë që nuk ka miratimin e Perëndisë. Por Penina, në vend që të përpiqet ta ngushëllojë Hanën, e përdor aftësinë për të bërë fëmijë me qëllim që rivalja e saj të ndihet e mjerë.

Udhëtimet për te shenjtërorja e Jehovait

Pavarësisht nga këto tensione, familja e Elkanahut çdo vit bën një udhëtim për te shenjtërorja e Jehovait në Shiloh, për të paraqitur flijime. * Ndoshta këtë udhëtim 60 kilometra vajtje-ardhje, e bëjnë në këmbë. Këto raste duhet të jenë veçanërisht të vështira për Hanën, sepse asaj i jepet vetëm një racion i flijimit në bashkësi, kurse Peninës dhe fëmijëve të saj u jepen disa racione. Penina i shfrytëzon këto raste për ta acaruar Hanën dhe e bën të humbë toruan, sepse duket sikur Jehovai ia ka «mbyllur barkun». Kjo torturë përsëritet çdo vit dhe, si pasojë, Hana qan dhe nuk do të hajë. Udhëtimet që duhet të jenë të gëzueshme, bëhen dëshpëruese për të. Sidoqoftë, Hana çdo vit vazhdon të shkojë te shenjtërorja e Jehovait.​—1 Samuelit 1:3-7.

A e dallon se si na ka lënë një shembull të mirë Hana? Si reagon ti kur je zemërlëshuar? A veçohesh e tërhiqesh nga shoqëria e bashkëbesimtarëve? Hana nuk veproi kështu. Ajo e kishte zakon të qëndronte mes adhuruesve të Jehovait. Pavarësisht nga rrethanat e vështira, edhe ne duhet të bëjmë po kështu.​—Psalmi 26:12; 122:1; Proverbat 18:1; Hebrenjve 10:24, 25.

Elkanahu përpiqet ta ngushëllojë Hanën dhe ta nxitë që të shprehë ndjenjat e saj më të thella. «Hana, pse qan e pse nuk ha? Pse brengoset zemra jote?—e pyet ai.—A nuk jam unë për ty më i mirë se dhjetë bij?» (1 Samuelit 1:8) Ndoshta Elkanahu nuk di gjë për sjelljen e panjerëzishme të Peninës dhe Hana ndoshta parapëlqen të vuajë në heshtje, në vend që të ankohet. Sidoqoftë, Hana tregon se mbështetet te Jehovai, kur kërkon paqen duke iu drejtuar Atij në lutje.

Hana merr një zotim

Flijimet në bashkësi haheshin në shenjtëroren e Jehovait. Pasi largohet nga dhoma e ngrënies, Hana i lutet Perëndisë. (1 Samuelit 1:9, 10) «O Jehova i ushtrive,—lutet ajo,—nëse vërtet do ta shohësh brengën e skllaves sate e do të më kujtosh, nëse nuk do ta harrosh skllaven tënde e do t’i japësh një pasardhës mashkull, unë do të ta jap ty, o Jehova, derisa të ketë jetë dhe në kokën e tij nuk do të kalojë brisku.»​—1 Samuelit 1:11.

Hana lutet në mënyrë specifike. Ajo kërkon një fëmijë mashkull dhe zotohet se ai do t’i kushtohet Jehovait si nazire për gjithë jetën. (Numrat 6:1-5) Këtë zotim duhet ta miratojë burri i saj, dhe veprimet e mëvonshme të Elkanahut tregojnë se ai e miraton premtimin e gruas së tij të dashur.​—Numrat 30:6-8.

Nga mënyra se si lutet Hana, kryeprifti Eli mendon se është e dehur. Asaj i dridhen buzët, por ai nuk dëgjon asnjë fjalë, sepse Hana po flet në zemër të saj, pa zë. Lutja është vërtet e zjarrtë. (1 Samuelit 1:12-14) Përfytyro si ndihet Hana kur Eliu e qorton, duke i thënë se është e dehur! Megjithatë, ajo i përgjigjet me respekt kryepriftit. Kur Eliu e kupton se Hana po lutej ‘ngaqë ishte tejet e shqetësuar dhe e hidhëruar’, thotë: «Perëndia i Izraelit ta plotësoftë kërkesën që i bëre!» (1 Samuelit 1:15-17) Atëherë Hana ikën në udhën e vet dhe «fytyra e saj nuk [duket] më e merakosur».​—1 Samuelit 1:18.

Çfarë mund të mësojmë nga e gjithë kjo? Kur i lutemi Jehovait për shqetësimet tona, mund t’i shprehemi se si ndihemi dhe t’i bëjmë kërkesa të sinqerta. Nëse nuk kemi më asgjë në dorë për të zgjidhur problemin, duhet ta lëmë çështjen në duart e tij. Kjo është rruga më e mirë.​—Proverbat 3:5, 6.

Pasi janë lutur me zjarr, ka shumë mundësi që shërbëtorët e Jehovait të përjetojnë një paqe si ajo e Hanës. Apostulli Pavël shkroi për lutjen: «Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime. Kështu paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.» (Filipianëve 4:6, 7) Kur ia hedhim barrën tonë Jehovait, duhet të lëmë që të merret ai me të. Pastaj, ashtu si Hana, nuk duhet të jemi më të merakosur.​—Psalmi 55:22.

Një bir që i është taksur Jehovait

Tani Perëndia e drejton vëmendjen te Hana, e cila mbetet shtatzënë dhe lind një djalë. (1 Samuelit 1:19, 20) Ky është një nga rastet e pakta në Bibël kur Perëndia merr mbi vete përgjegjësinë për lindjen e individit që do të bëhet shërbëtori i tij. Biri i Elkanahut dhe i Hanës, Samueli, do të bëhet profet i Jehovait dhe do të luajë një rol të rëndësishëm në vendosjen e monarkisë në Izrael.

Pa dyshim, Hana fillon t’i mësojë që në foshnjëri Samuelit për Jehovain. Por, a e harron ajo zotimin që ka marrë? Jo, aspak! «Sapo t’ia heq gjirin djalit, do ta sjell. Ai do të paraqitet te Jehovai dhe do të banojë atje përgjithnjë»,—thotë ajo. Kur i heq gjirin Samuelit, ndoshta në moshën trevjeçare ose paksa më vonë, Hana e çon që të banojë te shenjtërorja e Jehovait, siç ishte zotuar.​—1 Samuelit 1:21-24; 2 Kronikave 31:16.

Pasi i paraqitin një flijim Jehovait, Hana dhe burri i saj e çojnë Samuelin tek Eliu. Me siguri Hana e mban për dore djaloshin e vogël teksa i thotë Eliut: «Më fal, imzot. Ashtu siç është e vërtetë që shpirti yt rron, o zotëria im, unë jam ajo gruaja që rrinte me ty në këtë vend për t’iu lutur Jehovait. Për këtë djalë u luta, e Jehovai ma plotësoi kërkesën që i bëra. Prandaj unë ia kam taksur Jehovait. Sa të ketë jetë, do t’i kushtohet Jehovait.» Kështu Samueli fillon jetën e tij që do t’i kushtohet e tëra shërbimit të veçantë ndaj Perëndisë.​—1 Samuelit 1:25-28; 2:11.

Natyrisht që Hana nuk e harron Samuelin, ndërsa vitet kalojnë. Në Shkrime thuhet: «E ëma i bënte një petk të vogël pa mëngë dhe ia çonte vit për vit, kur ngjitej bashkë me burrin për të bërë flijimin vjetor.» (1 Samuelit 2:19) Sigurisht Hana vazhdon të lutet për Samuelin. Gjatë vizitave të saj vjetore, pa dyshim ajo e nxit që të qëndrojë besnik në shërbim të Perëndisë.

Në një nga këto raste, Eliu i bekon prindërit e Samuelit dhe i thotë Elkanahut: «Jehovai të dhëntë një pasardhës nga kjo grua në vend të atij që i dhatë hua Jehovait!» Në përputhje me këto fjalë, Hana dhe Elkanahu bekohen me tri djem të tjerë dhe dy vajza.​—1 Samuelit 2:20, 21.

Sa shembull të shkëlqyer lënë Elkanahu dhe Hana për prindërit e krishterë! Shumë nëna dhe baballarë kanë qenë të gatshëm t’ua taksin Jehovait bijtë dhe bijat e tyre, duke i nxitur të ndjekin ndonjë formë të shërbimit të plotkohor larg shtëpisë. Këta prindër të dashur janë për t’u lavdëruar për sakrificat që bëjnë. Jehovai do t’i shpërblejë patjetër!

Lutja e gëzueshme e Hanës

Sa e lumtur është tani Hana, e cila dikur ishte shterpë! Rrallëherë lutjet e grave janë dokumentuar në Shkrime. Por në rastin e Hanës janë dokumentuar dy lutje. E para përmban ndjenjat e saj kur ishte e acaruar dhe e munduar, kurse e dyta është një lutje ngazëlluese falënderimi. «Zemra ime ngazëllon falë Jehovait»,—fillon të lutet Hana. Ajo gëzon që «edhe shterpa ka lindur» dhe e lëvdon Jehovain si ai që «të lartëson, [që] e ngre të përvuajturin nga pluhuri». Po, ai e ngre «të varfrin nga gropa e hirit».​—1 Samuelit 2:1-10.

Tregimi i frymëzuar në lidhje me Hanën na bën të qartë se mund të lëndohemi nga papërsosmëritë ose nga keqdashja e të tjerëve. Megjithatë, nuk duhet t’i lejojmë këto sprova të na heqin gëzimin që provojmë duke i shërbyer Jehovait. Ai është Dëgjuesi i madh i lutjes, i cili u përgjigjet klithmave të popullit të tij besnik, duke i çliruar nga mundimet dhe duke i dhënë paqe të bollshme e bekime të tjera.​—Psalmi 22:23-26; 34:6-8; 65:2.

[Shënimi]

^ par. 9 Në Bibël, kjo qendër e adhurimit të vërtetë quhet ‘tempulli’ i Jehovait. Por në këtë periudhë të historisë së Izraelit, arka e besëlidhjes ndodhet ende në një tendë, që ndryshe quhet tabernakull. Tempulli i parë i qëndrueshëm për Jehovain do të ndërtohet gjatë mbretërimit të Solomonit.​—1 Samuelit 1:9; 2 Samuelit 7:2, 6; 1 Mbretërve 7:51; 8:3, 4.

[Figura në faqen 17]

Hana ia taksi Samuelin Jehovait