Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ndikojnë engjëjt te njerëzit?

Si ndikojnë engjëjt te njerëzit?

Si ndikojnë engjëjt te njerëzit?

«Pas këtyre gjërave, pashë një engjëll tjetër të zbriste nga qielli, me autoritet të madh. . . . Ai thërriti me një zë të fortë: ‘Ra! Ra Babilonia e Madhe!’»​—ZBULESA 18:1, 2.

1, 2. Si e kuptojmë se Jehovai i përdor engjëjt për të zbatuar vullnetin e tij?

KUR ishte i syrgjynosur në ishullin Patmos, apostulli i moshuar Gjon pati privilegjin të shihte vegime profetike. Ai pa ngjarje drithëruese ndërkohë që «nën frymëzim» u gjend «në ditën e Zotërisë». Kjo ditë filloi kur Jezu Krishti hipi në fron, në vitin 1914, dhe vazhdon deri në fund të Mbretërimit të tij Mijëvjeçar.​—Zbulesa 1:10.

2 Perëndia Jehova nuk ia dha drejtpërdrejt Gjonit këtë zbulesë, por përdori një kanal. Te Zbulesa 1:1 thuhet: «Zbulesa e Jezu Krishtit, të cilën Perëndia ia dha për t’u treguar skllevërve të vet ato që do të ndodhin së shpejti. Jezui dërgoi engjëllin e tij dhe, nëpërmjet tij, ia paraqiti atë me anë të shenjave skllavit të vet, Gjonit.» Nëpërmjet Jezuit, Jehovai përdori një engjëll për t’i bërë të ditur Gjonit gjërat e mrekullueshme që kishin lidhje me «ditën e Zotërisë». Në një pikë, Gjoni pa edhe «një engjëll tjetër të zbriste nga qielli, me autoritet të madh». Çfarë caktimi kishte ky engjëll? «Ai thërriti me një zë të fortë: ‘Ra! Ra Babilonia e Madhe!’» (Zbulesa 18:1, 2) Ky engjëll i fuqishëm pati privilegjin të njoftonte rënien e Babilonisë së Madhe, perandorisë botërore të fesë së rreme. Pra, nuk ka asnjë dyshim se Jehovai i përdor në një mënyrë të rëndësishme engjëjt, për të zbatuar vullnetin e tij. Para se të shqyrtojmë me hollësi rolin që luajnë engjëjt në qëllimin e Perëndisë dhe si ndikohemi ne prej tyre, le të shohim si erdhën në ekzistencë këto krijesa frymore.

Si erdhën në ekzistencë engjëjt?

3. Cilën ide të gabuar kanë shumë njerëz për engjëjt?

3 Miliona njerëz sot besojnë që ka engjëj. Por shumë veta kanë ide të gabuara për ta dhe për origjinën e tyre. Për shembull, disa besimtarë mendojnë se kur vdes një njeri, Perëndia e thërret pranë vetes dhe e bën engjëll. A mëson këtë gjë Fjala e Perëndisë për krijimin, ekzistencën dhe qëllimin që kanë engjëjt?

4. Çfarë na thonë Shkrimet për ekzistencën e engjëjve?

4 Engjëlli i parë për nga fuqia dhe autoriteti, pra kryeengjëlli, quhet Mikael. (Juda 9) Ai s’është askush tjetër veç Jezu Krishtit. (1 Selanikasve 4:16) Kur Jehovai i vuri si qëllim vetes të ishte Krijues, epoka të panumërta më parë, krijimi i parë fare ishte ky Bir engjëllor. (Zbulesa 3:14) Më vonë, me anë të këtij Biri të parëlindur, Jehovai krijoi gjithë krijesat e tjera frymore. (Kolosianëve 1:15-17) Duke i quajtur këto krijesa engjëllore bij të tij, Jehovai e pyeti patriarkun Job: «Ku ishe ti, kur unë i vura themelet tokës? Thuama nëse ke kuptueshmëri. . . . Kush ia vuri gurin e qoshes, kur yjet e mëngjesit lëshonin tok britma hareje, dhe gjithë bijtë e Perëndisë brohoritnin tërë ngazëllim?» (Jobi 38:4, 6, 7) Është e qartë se engjëjt janë krijesa të Perëndisë dhe erdhën në ekzistencë shumë kohë përpara njerëzve.

5. Si janë organizuar engjëjt?

5 «Perëndia nuk është një Perëndi i çrregullimit, por i paqes»,—thuhet te 1 Korintasve 14:33. Kështu, Jehovai i ka organizuar bijtë e tij frymorë në tri kategori kryesore: (1) serafinët, që shërbejnë pranë fronit të Perëndisë, shpallin shenjtërinë e tij dhe e mbajnë të pastër frymësisht popullin e tij; (2) kerubinët, që mbajnë lart sovranitetin e Jehovait dhe (3) engjëjt e tjerë që zbatojnë vullnetin e tij. (Psalmi 103:20; Isaia 6:1-3; Ezekieli 10:3-5; Danieli 7:10) Cilat janë disa nga mënyrat se si ndikojnë te njerëzit këto krijesa frymore?​—Zbulesa 5:11.

Çfarë roli luajnë engjëjt?

6. Si i përdori Jehovai kerubinët në lidhje me kopshtin e Edenit?

6 Për herë të parë krijesat frymore përmenden drejtpërdrejt te Zanafilla 3:24, ku lexojmë: «[Jehovai] e dëboi njeriun, dhe në lindje të kopshtit të Edenit vuri kerubinët e një shpatë flakëruese, e cila rrotullohej vazhdimisht, për të ruajtur udhën për te pema e jetës.» Këta kerubinë nuk e linin Adamin dhe Evën të hynin përsëri në kopshtin që kishte qenë shtëpia e tyre. Kjo ndodhi në fillim të historisë njerëzore, por çfarë roli kanë luajtur engjëjt që nga ajo kohë?

7. Çfarë tregon kuptimi i fjalës «engjëll» në gjuhët origjinale të Biblës për një nga rolet që luajnë engjëjt?

7 Engjëjt përmenden rreth 400 herë në Bibël. Si në hebraisht, ashtu edhe në greqisht, fjala e përdorur për «engjëll» mund të përkthehet «lajmëtar». Kështu, engjëjt kanë shërbyer si mjet komunikimi ndërmjet Perëndisë dhe njerëzve. Siç e thamë në dy paragrafët e parë të këtij artikulli, Jehovai përdori një engjëll për t’i dhënë mesazhin apostullit Gjon.

8, 9. (a) Si ndikuan te Manoahu dhe te gruaja e tij vizitat e një engjëlli? (b) Ç’mund të mësojnë prindërit nga vizita që engjëlli i Perëndisë i bëri Manoahut?

8 Engjëjt përdoren edhe për të mbështetur shërbëtorët e Perëndisë këtu në tokë e për t’u dhënë zemër atyre. Për shembull, në kohët e gjykatësve të Izraelit, Manoahu dhe gruaja e tij shterpë dëshironin shumë të kishin një fëmijë. Jehovai dërgoi engjëllin e tij për t’i njoftuar gruas së Manoahut se do të bëhej me djalë. Lexojmë: «Ti do të mbetesh shtatzënë e do të lindësh një djalë. Mbi kokën e tij nuk duhet të kalojë brisku, sepse fëmija do të bëhet nazire i Perëndisë me të dalë nga barku. Ky do të marrë përsipër të shpëtojë Izraelin nga duart e filistinëve.»​—Gjykatësit 13:1-5.

9 Gruaja e Manoahut lindi vërtet një djalë, Samsonin, i cili u bë i famshëm në historinë biblike. (Gjykatësit 13:24) Para se të lindte djali, Manoahu i kërkoi Perëndisë që engjëlli të kthehej prapë tek ata për t’i udhëzuar se si ta rritnin djalin. Manoahu pyeti: «Ç’jetë dhe ç’punë do të bëjë fëmija?» Engjëlli i Jehovait ia përsëriti udhëzimet që ia kishte dhënë gruas së Manoahut. (Gjykatësit 13:6-14) Sa i inkurajuar duhet të jetë ndier Manoahu! Sot engjëjt nuk shkojnë te njerëzit në të njëjtën mënyrë, por ashtu si Manoahu, prindërit mund të kërkojnë nga Jehovai udhëzime për rritjen e fëmijëve.​—Efesianëve 6:4.

10, 11. (a) Ç’ndodhi kur ushtria siriane rrethoi Eliseun dhe shërbëtorin e tij? (b) Si nxjerrim dobi duke medituar rreth kësaj ngjarjeje?

10 Në ditët e profetit Elise gjejmë një shembull mbresëlënës të mbështetjes së engjëjve. Eliseu ndodhej në Dotan, një qytet në Izrael. Një ditë, herët në mëngjes, kur shërbëtori i Eliseut u ngrit dhe pa jashtë, qyteti ishte rrethuar nga kuaj dhe karroca lufte. Mbreti i Sirisë kishte dërguar një ushtri të madhe për të kapur Eliseun. Si reagoi shërbëtori i tij? I frikësuar, e ndoshta në panik, thirri: «Oh, zotëria im! Ç’do të bëjmë?» Për të, s’kishte asnjë rrugëdalje. Kurse Eliseu iu përgjigj: «Mos ki frikë, sepse ata që janë me ne, janë më shumë se ata që janë me ta.» Ç’donte të thoshte me këto fjalë?​—2 Mbretërve 6:11-16.

11 Eliseu e dinte se aty ishin të pranishëm mori engjëjsh për ta mbështetur. Por shërbëtori i tij nuk shihte asgjë. Atëherë, «Eliseu filloi të lutej: ‘O Jehova, të lutem, hapja sytë që të shohë.’ Menjëherë Jehovai ia hapi sytë shërbëtorit, dhe ai pa. Ja, rajoni malor ishte plot me kuaj dhe karroca të zjarrta lufte rreth e qark Eliseut». (2 Mbretërve 6:17) Ah, ja, tani shërbëtori i shihte tërë ato mori engjëjsh! Nëse kemi kuptueshmëri frymore, edhe ne mund të ‘shohim’ se engjëjt, që të gjithë nën drejtimin e Jehovait dhe të Krishtit, ndihmojnë dhe mbrojnë popullin e Jehovait.

Mbështetja e engjëjve në kohën e Krishtit

12. Ç’mbështetje i dha Marisë engjëlli Gabriel?

12 Mendoni për mbështetjen që mori Maria, një virgjëreshë judeje, kur dëgjoi këtë lajm: «Ti do të mbetesh shtatzënë, do të lindësh një djalë dhe do t’ia vësh emrin Jezu.» Para se t’i thoshte këtë lajm befasues, engjëlli Gabriel, të cilin e kishte dërguar Perëndia, i tha asaj: «Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir nga Perëndia.» (Luka 1:26, 27, 30, 31) Sa duhet ta kenë inkurajuar dhe forcuar Marinë këto fjalë që e siguronin se kishte miratimin e Perëndisë!

13. Si e mbështetën engjëjt Jezuin?

13 Një rast tjetër i mbështetjes së engjëjve ndodhi pasi Jezui u bëri ballë tri tundimeve që i bëri Satanai në shkretëtirë. Tregimi thotë se pas këtyre sprovave, «Djalli e la dhe ja, erdhën engjëj dhe nisën t’i shërbenin». (Mateu 4:1-11) Diçka e ngjashme ndodhi natën para se Jezui të vdiste. I pushtuar nga ankthi, Jezui u ul në gjunjë dhe nisi të lutej: «‘O Atë, nëse do, hiqe këtë kupë nga unë. Megjithatë le të mos bëhet vullneti im, por yti.’ Atëherë iu shfaq një engjëll nga qielli dhe e forcoi.» (Luka 22:42, 43) Po sot, ç’mbështetje kemi nga engjëjt?

Mbështetja e engjëjve në kohët e sotme

14. Ç’përndjekje u është dashur të durojnë Dëshmitarët e Jehovait në kohët e sotme dhe cili ka qenë rezultati?

14 A nuk shohim prova të mbështetjes së engjëjve, kur shqyrtojmë historinë e sotme të veprës së predikimit të Dëshmitarëve të Jehovait? Për shembull, shërbëtorët e Jehovait arritën t’i bënin ballë sulmit të egër nazist në Gjermani e në Evropën Perëndimore, para dhe gjatë Luftës II Botërore (1939-1945). Nën regjimet fashiste katolike në Itali, Spanjë dhe Portugali, iu desh të përballonin përndjekjen për një periudhë edhe më të gjatë. E për dhjetëvjeçarë të tërë, i bënë ballë përndjekjes në ish-Bashkimin Sovjetik e në kombet e tjera të aneksuara prej tij. Nuk duhet harruar as përndjekja që kanë përballuar Dëshmitarët në disa kombe afrikane. * Kohët e fundit, shërbëtorët e Jehovait kanë pësuar një përndjekje mizore në Gjeorgji. Satanai ka bërë gjithçka që ka në dorë për t’i dhënë fund veprës së Dëshmitarëve të Jehovait. E megjithatë, si organizatë, ata i kanë mbijetuar këtij kundërshtimi dhe kanë lulëzuar. Pjesërisht kjo ka ardhur falë mbrojtjes që kanë siguruar engjëjt.​—Psalmi 34:7; Danieli 3:28; 6:22.

15, 16. Ç’mbështetje marrin Dëshmitarët e Jehovait nga engjëjt, në shërbimin e tyre mbarëbotëror?

15 Dëshmitarët e Jehovait e marrin seriozisht detyrën e tyre për të predikuar në mbarë tokën lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë dhe për të bërë dishepuj, duke u mësuar të vërtetën biblike njerëzve të interesuar kudo. (Mateu 28:19, 20) Megjithatë, ata e dinë mirë se, pa mbështetjen e engjëjve, nuk e përmbushin dot këtë detyrë. Prandaj, fjalët e Zbulesës 14:6, 7 kanë qenë gjithnjë burim inkurajimi për ta. Aty lexojmë fjalët e apostullit Gjon: «Pashë një engjëll tjetër që fluturonte në mes të qiellit dhe kishte një lajm të mirë të përhershëm, që t’ua shpallte si sihariq atyre që banojnë në tokë, çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli, dhe thoshte me një zë të fortë: ‘Kini frikë Perëndinë dhe jepini lavdi, sepse mbërriti ora e gjykimit prej tij! Adhuroni Atë që bëri qiellin, tokën, detin dhe burimet e ujërave!’»

16 Këto fjalë tregojnë qartë se vepra mbarëbotërore ungjillëzuese e Dëshmitarëve të Jehovait ka mbështetjen dhe drejtimin e engjëjve. Jehovai po i përdor engjëjt e tij për t’i drejtuar njerëzit e sinqertë te Dëshmitarët e vet. Madje, engjëjt kanë drejtuar edhe Dëshmitarët tek njerëzit që meritojnë ta dëgjojnë të vërtetën. Kjo shpjegon pse në kaq shumë raste (aq shumë sa nuk mund të quhet thjesht rastësi), një Dëshmitar i Jehovait takon një njeri tamam në kohën kur ai ose ajo po kalon një periudhë të vështirë dhe ka nevojë për ndihmë frymore.

Një rol mbresëlënës në të ardhmen e afërt

17. Çfarë u ndodhi asirianëve kur i sulmoi një engjëll i vetëm?

17 Përveçse shërbejnë si lajmëtarë dhe forcojnë adhuruesit e Jehovait, engjëjt shërbejnë edhe për një qëllim tjetër. Në kohët e kaluara, ata ekzekutonin gjykimet që jepte Perëndia. Për shembull, në shekullin e tetë p.e.s. Jerusalemin po e kërcënonte një ushtri e madhe asiriane. Si u përgjigj Jehovai? Ai tha: «Unë do ta mbroj këtë qytet dhe do ta shpëtoj për hirin tim dhe për hir të Davidit, shërbëtorit tim.» Bibla na tregon se ç’ndodhi më tej: «Atë natë engjëlli i Jehovait doli dhe goditi njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë veta në kampin e asirianëve. Kur populli u ngrit herët në mëngjes, të gjithë ata ishin kufoma.» (2 Mbretërve 19:34, 35) Sa të papërfillshme janë ushtritë njerëzore në krahasim me forcën e një engjëlli të vetëm!

18, 19. Cilin rol mbresëlënës do të përmbushin engjëjt në të ardhmen e afërt dhe ç’ndikim do të ketë kjo te njerëzimi?

18 Në të ardhmen e afërt, engjëjt do të ekzekutojnë gjykimet nga Perëndia. Shumë shpejt, Jezui do të vijë «me engjëjt e tij të fuqishëm në një zjarr flakërues». Do të kenë si detyrë të sjellin «hakmarrjen mbi ata që nuk e njohin Perëndinë dhe mbi ata që nuk i binden lajmit të mirë lidhur me Zotërinë tonë Jezu». (2 Selanikasve 1:7, 8) Sa shumë do të ndikojë te njerëzimi ky veprim! Ata që nuk duan ta pranojnë lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë që po shpallet tani në mbarë tokën, do të shkatërrohen. Vetëm ata që kërkojnë Jehovain, drejtësinë dhe zemërbutësinë, ‘do të jenë të fshehur ditën e zemërimit të Jehovait’ dhe do të shpëtojnë pa asnjë dëm.​—Sofonia 2:3.

19 Duhet të jemi mirënjohës që Jehovai i përdor engjëjt e tij të fuqishëm për të mbështetur e për të forcuar adhuruesit e tij në tokë. Kjo çmueshmëri për rolin që luajnë engjëjt në qëllimin e Perëndisë na ngushëllon, sidomos ngaqë engjëj të tjerë janë rebeluar kundër Jehovait dhe ndjekin drejtimin e Satanait. Në artikullin vijues do të shqyrtohen masat që mund të marrin të krishterët e vërtetë për t’u mbrojtur nga ndikimi i fuqishëm i Satana Djallit dhe i demonëve të tij.

[Shënimi]

^ par. 14 Për tregime të hollësishme të këtyre përndjekjeve, shih Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait për vitin 2001 (Angola); 1972 (Çekosllovakia), angl.; 1992 (Etiopia), angl.; 1974 dhe 1999 (Gjermania), angl.; 1982 (Italia), angl.; 1999 (Malavia), angl.; 2004 (Moldavia); 1996 (Mozambiku), angl.; 1994 (Polonia), angl.; 1983 (Portugalia), angl.; 2000 (Republika e Çekisë); 1978 (Spanja), angl.; 2002 (Ukraina) dhe 2006 (Zambia).

Çfarë mësuat?

• Si erdhën në ekzistencë engjëjt?

• Si përdoreshin engjëjt në kohët biblike?

• Çfarë tregon Zbulesa 14:6, 7 për rolin që luajnë engjëjt sot?

• Cilin rol mbresëlënës do të përmbushin engjëjt në të ardhmen e afërt?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 22]

Një engjëll i dha zemër Manoahut dhe gruas së tij

[Figura në faqen 23]

«Ata që janë me ne, janë më shumë se ata që janë me ta»