Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si t’u kundërvihemi demonëve?

Si t’u kundërvihemi demonëve?

Si t’u kundërvihemi demonëve?

«Engjëjt që nuk e mbajtën vendin e tyre fillestar, por e braktisën vendbanimin e tyre të duhur, [Perëndia] i ka ruajtur me vargonj të përjetshëm në errësirën e dendur për gjykimin e ditës së madhe.»​—JUDA 6.

1, 2. Cilat pyetje lindin për Satana Djallin e për demonët?

«RUANI gjykimin, jini syçelë. Kundërshtari juaj, Djalli, vjen rrotull si një luan që ulërin, duke kërkuar të gllabërojë dikë»,—paralajmëron apostulli Pjetër. (1 Pjetrit 5:8) Kurse apostulli Pavël thotë për demonët: «Nuk dua që ju të merrni pjesë me demonët. Ju nuk pini dot edhe kupën e Jehovait, edhe kupën e demonëve. Ju nuk merrni dot pjesë edhe në ‘tryezën e Jehovait’, edhe në tryezën e demonëve.»​—1 Korintasve 10:20, 21.

2 Po cilët janë Satana Djalli dhe demonët? Si dhe kur erdhën në ekzistencë? A i krijoi Perëndia? Sa i fuqishëm është ndikimi i tyre te njerëzit? A kemi ndonjë mbrojtje kundër tyre?

Si erdhën në ekzistencë Satanai dhe demonët?

3. Si u bë Satana Djall një engjëll i Perëndisë?

3 Në fillim të historisë njerëzore, kur njerëzimi sapo kishte nisur jetën në kopshtin e Edenit, një engjëll i Perëndisë ngriti krye. Përse? Sepse nuk ishte i kënaqur me rolin që kishte në organizatën qiellore të Jehovait. Me krijimin e Adamit dhe të Evës, ai pa një mundësi që ata të adhuronin dhe t’i bindeshin atij, jo Perëndisë së vërtetë. Duke ngritur krye kundër Perëndisë dhe duke shtyrë çiftin e parë njerëzor të mëkatonte, ky engjëll e bëri veten Satana Djall. Me kalimin e kohës, edhe disa engjëj të tjerë u përfshinë në këtë kryengritje. Si?​—Zanafilla 3:1-6; Romakëve 5:12; Zbulesa 12:9.

4. Ç’bënë disa engjëj rebelë para Përmbytjes së ditëve të Noesë?

4 Shkrimet e frymëzuara na thonë se, para Përmbytjes së madhe të ditëve të Noesë, disa engjëj nisën të kishin interes të pazakontë për gratë në tokë. Me një qëllim të gabuar, «bijtë [qiellorë] të Perëndisë së vërtetë filluan të vinin re që bijat e njerëzve ishin të bukura. Kështu, nisën të merrnin për gra të gjitha ato që zgjodhën». Nga këto bashkime të panatyrshme lindën pasardhës hibridë të njohur si nefilimët. (Zanafilla 6:2-4) Krijesat frymore që shkelën ligjet hyjnore në këtë mënyrë, u bashkuan në kryengritjen e Satanait kundër Jehovait.

5. Ç’ndodhi me engjëjt rebelë kur Jehovai solli shkatërrimin me anë të Përmbytjes së madhe?

5 Kur Jehovai solli Përmbytjen mbi njerëzimin, nefilimët dhe mamatë e tyre njerëzore vdiqën. Kurse engjëjt rebelë u detyruan të linin trupat njerëzorë që kishin marrë dhe të ktheheshin në sferën frymore. Megjithatë, nuk mund të merrnin përsëri «vendin e tyre fillestar» para Perëndisë. Në vend të kësaj, u hodhën «në errësirën e dendur [frymore]» të njohur me emrin Tartar.​—Juda 6; 2 Pjetrit 2:4.

6. Si i mashtrojnë demonët njerëzit?

6 Që nga koha kur humbën «vendin e tyre fillestar», engjëjt e ligj janë kthyer në demonë e janë bërë shokë të Satanait, duke u shërbyer interesave të tij të liga. Që prej asaj kohe, demonët nuk mund të marrin më trupa njerëzorë. Megjithatë, mund t’i nxitin burrat dhe gratë që të përfshihen në forma të ndryshme zvetënimi seksual. Veç kësaj, demonët e mashtrojnë drejtpërdrejt njerëzimin edhe me anë të spiritizmit që përfshin gjëra të tilla, si: magjitë, vudunë dhe mediumet spiritiste. (Ligji i përtërirë 18:10-13; 2 Kronikave 33:6) Fundi i engjëjve të ligj do të jetë i njëjtë me fundin e Djallit: shfarosja e përjetshme. (Mateu 25:41; Zbulesa 20:10) Por, derisa të vijë ajo kohë, ne duhet të qëndrojmë të palëkundur e t’u kundërvihemi atyre. Është me vend të shqyrtojmë sa i fuqishëm është Satanai dhe si t’i kundërvihemi me sukses atij dhe demonëve të tij.

Sa i fuqishëm është Satanai?

7. Ç’pushtet ka mbi botën Satanai?

7 Satanai ka shpifur kundër Jehovait gjatë gjithë historisë. (Proverbat 27:11) Ka bërë për vete shumicën e njerëzimit. «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut»,—thuhet te 1 Gjonit 5:19. Ja pse Djalli mund ta tundonte Jezuin duke i ofruar autoritet mbi «gjithë mbretëritë e tokës së banuar» dhe lavdinë e tyre. (Luka 4:5-7) Apostulli Pavël thotë për Satanain: «Nëse lajmi i mirë që ne shpallim është i mbuluar me vel, është i mbuluar për ata që po marrin fund, për jobesimtarët, që perëndia i kësaj bote ua ka verbuar mendjen, që ndriçimi i lajmit të mirë të lavdishëm për Krishtin, i cili është shëmbëlltyra e Perëndisë, të mos depërtojë.» (2 Korintasve 4:3, 4) Satanai është «gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës», por e paraqet veten si «engjëll drite». (Gjoni 8:44; 2 Korintasve 11:14) Ai ka fuqinë dhe metodat e duhura për t’ua verbuar mendjen sundimtarëve të botës dhe nënshtetasve të tyre. Ai e ka mashtruar njerëzimin me anë të propagandës, si edhe me anë të miteve e gënjeshtrave fetare.

8. Çfarë tregon Bibla për ndikimin që ka Satanai?

8 Pushteti dhe ndikimi i Satanait u dukën qartë në kohën e profetit Daniel, rreth pesë shekuj para erës sonë. Kur Jehovai dërgoi një engjëll për t’i dhënë Danielit një mesazh inkurajimi, engjëlli hasi pengesa nga «princi [frymor] i mbretërisë së Persisë». Engjëlli besnik mbeti i bllokuar për 21 ditë, derisa ‘erdhi ta ndihmonte Mikaeli, një nga princat e parë’. Në të njëjtin tregim flitet edhe për «princin [demon] të Greqisë». (Danieli 10:12, 13, 20) Gjithashtu, te Zbulesa 13:1, 2, Satanai përshkruhet si «dragoi» që i jep bishës politike «fuqinë e tij, fronin e tij dhe autoritet të madh».

9. Kundër kujt luftojnë të krishterët?

9 Nuk habitemi pse apostulli Pavël shkroi: «Ne nuk kemi një përleshje me gjakun e mishin, por me qeveritë, me autoritetet, me sundimtarët botërorë të kësaj errësire, me forcat e liga frymore në vendet qiellore.» (Efesianëve 6:12) Edhe sot, forcat demonike nën kontrollin e Satana Djallit janë prapa skene dhe i shtyjnë sundimtarët njerëzorë e njerëzimin në përgjithësi, të bëjnë akte të papërshkrueshme gjenocidi, terrorizmi dhe gjakderdhjeje. Le të shqyrtojmë tani se si t’u kundërvihemi me sukses këtyre forcave frymore të fuqishme.

Ç’mbrojtje kemi kundër demonëve?

10, 11. Si t’i kundërvihemi Satanait dhe engjëjve të tij të ligj?

10 Nuk i kundërvihemi dot Satanait dhe engjëjve të tij të ligj me forcat tona, qofshin këto fizike ose mendore. Pavli na këshillon: «Vazhdoni të merrni fuqi në Zotërinë dhe në madhështinë e forcës së tij.» Pra, duhet t’i kërkojmë mbrojtje Perëndisë. Pavli shton: «Vishni armaturën e plotë të Perëndisë, që të jeni në gjendje të qëndroni të patundur kundër intrigave të Djallit. . . . Merrni armaturën e plotë të Perëndisë, që të jeni në gjendje t’u kundërviheni në ditë të ligë dhe, pasi të keni bërë në mënyrë të plotë gjithçka, të qëndroni të patundur.»​—Efesianëve 6:10, 11, 13.

11 Pavli i nxit dy herë të bashkëkrishterët që të veshin «armaturën e plotë të Perëndisë». Fjala «e plotë» nënkupton që nuk mjafton t’u kundërvihemi me gjysmë zemre sulmeve të demonëve. Atëherë, cilat janë pjesët e domosdoshme të armaturës frymore që u duhet patjetër të krishterëve sot për t’iu kundërvënë demonëve?

«Qëndroni të patundur»: Si?

12. Si mund t’i ngjeshin ijët me të vërtetën të krishterët?

12 Pavli shpjegon: «Qëndroni të patundur, me ijët të ngjeshura me të vërtetën, të veshur me parzmoren e drejtësisë.» (Efesianëve 6:14) Këtu gjejmë dy pjesë të armaturës, brezin ose rripin e mesit dhe parzmoren. Ushtari duhej ta lidhte fort brezin, për të mbrojtur ijët (këllqet dhe pjesën e poshtme të barkut), si dhe për të mbajtur peshën e shpatës. Po njësoj edhe ne, duhet ta ngjeshim fort pas vetes të vërtetën biblike, me qëllim që të jetojmë në përputhje me të. A kemi një program për ta lexuar çdo ditë Biblën? A përfshihet e gjithë familja në këtë? A e kemi zakon të shqyrtojmë shkrimin e ditës si familje? Veç kësaj, a jemi në një hap me shpjegimet që bëhen në botimet që siguron «skllavi i besueshëm dhe i matur»? (Mateu 24:45) Nëse po, atëherë po përpiqemi ta zbatojmë këshillën e Pavlit. Kemi edhe videokaseta e DVD që mund të na japin udhëheqje nga Shkrimet. Duke u kapur fort pas së vërtetës, do të marrim vendime të mençura dhe do të mbrohemi që të mos ndjekim një rrugë të gabuar.

13. Si ta mbrojmë zemrën tonë të figurshme?

13 Parzmorja shërbente për t’i mbrojtur ushtarit kraharorin, zemrën dhe organe të tjera jetësore. I krishteri mund ta mbrojë zemrën e figurshme, domethënë njeriun e brendshëm, duke zhvilluar dashuri për drejtësinë e Perëndisë dhe duke iu përmbajtur normave të Tij të drejta. Parzmorja e figurshme na mbron që të mos e zbutim Fjalën e Perëndisë. Kur arrijmë ‘të urrejmë të keqen dhe të duam të mirën’, nuk i vëmë këmbët në «asnjë rrugë të keqe».​—Amosi 5:15; Psalmi 119:101.

14. Ç’do të thotë t’i kemi «këmbët të mbathura me pajimet e lajmit të mirë të paqes»?

14 Zakonisht ushtarët romakë ishin të pajisur me sandale të përshtatshme për marshime të gjata me qindra kilometra nëpër rrugët romake që përshkonin perandorinë. Çfarë kuptimi ka për të krishterët shprehja «këmbët të mbathura me pajimet e lajmit të mirë të paqes»? (Efesianëve 6:15) Do të thotë që jemi të përgatitur për të vepruar. Jemi gati të flasim për lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë në çdo rast të përshtatshëm. (Romakëve 10:13-15) Duke qëndruar aktivë në shërbimin e krishterë, mbrohemi nga ‘intrigat’ e Satanait.​—Efesianëve 6:11.

15. (a) Nga se duket që mburoja e madhe e besimit është shumë e rëndësishme? (b) Cilat ‘shigjeta të zjarrta’ mund të kenë efekt negativ te besimi ynë?

15 Pavli vazhdon: «Mbi të gjitha, merrni mburojën e madhe të besimit, me të cilën do të jeni në gjendje të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut.» (Efesianëve 6:16) Këshilla për të marrë mburojën e madhe të besimit paraprihet nga shprehja «mbi të gjitha», që tregon se kjo pjesë e armaturës është shumë e rëndësishme. Besimi ynë nuk duhet të ketë asnjë mangësi. Si një mburojë e madhe, besimi ynë na mbron nga «shigjetat e zjarrta» të Satanait. Ç’mund të jenë sot këto? Për shembull, mund të jenë fyerje shpuese, gënjeshtra dhe gjysmë të vërteta, të përhapura nga armiqtë dhe apostatët për të na dobësuar besimin. «Shigjetat» mund të jenë edhe tundimet për të qenë materialistë, që na bëjnë ta kemi mendjen vetëm për të blerë shumë gjëra, e madje na nxitin të konkurrojmë me ata që janë zhytur një stil jetese vetëm për t’u dukur. Ndoshta ata kanë investuar për të pasur shtëpi e makina më të mëdha e më të mira ose për t’u dukur para të tjerëve me bizhuteri të kushtueshme e me veshje të modës së fundit. Por, pavarësisht se çfarë bëjnë të tjerët, ne duhet të kemi një besim aq të fortë sa t’u shmangemi këtyre ‘shigjetave të zjarrta’. Si të krijojmë e të mbajmë një besim të fortë?​—1 Pjetrit 3:3-5; 1 Gjonit 2:15-17.

16. Çfarë mund të na ndihmojë të krijojmë një besim të fortë?

16 Mund t’i afrohemi Perëndisë me anë të studimit të rregullt personal të Biblës dhe me lutje të zjarrta. T’i përgjërohemi Jehovait për të pasur një besim më të fortë, e pastaj të veprojmë siç duhet në përputhje me lutjet tona. Për shembull, a përgatitemi me kujdes për Studimin javor të Kullës së Rojës, duke pasur si synim të marrim pjesë me komente? Do të kemi besim të fortë nëse studiojmë Biblën dhe botimet biblike.​—Hebrenjve 10:38, 39; 11:6.

17. Si mund ‘ta marrim përkrenaren e shpëtimit’?

17 Pavli e përfundon përshkrimin e armaturës frymore me këtë këshillë: «Merrni dhe përkrenaren e shpëtimit dhe shpatën e frymës, që është fjala e Perëndisë.» (Efesianëve 6:17) Përkrenarja i mbronte ushtarit kokën dhe trurin, që është qendra ku merren vendimet. Në mënyrë të ngjashme, shpresa jonë e krishterë na mbron aftësitë mendore. (1 Selanikasve 5:8) Në vend që ta mbushim mendjen me synimet e botës dhe me dëshirat materialiste, duhet të përqendrohemi te shpresa që na ka dhënë Perëndia, ashtu siç bënte edhe Jezui.​—Hebrenjve 12:2.

18. Pse nuk duhet ta lëmë pas dore programin tonë të leximit të rregullt të Biblës?

18 Së fundi, një mbrojtje kundër ndikimit të Satanait e të demonëve të tij është fjala ose mesazhi i Perëndisë, i dokumentuar në Bibël. Kështu, kemi një arsye më tepër pse nuk duhet ta lëmë pas dore programin e leximit të rregullt të Biblës. Njohuria e plotë e Fjalës së Perëndisë na mbron nga gënjeshtrat e Satanait dhe nga propaganda demonike, si edhe nga fjalët tërë mllef të apostatëve.

«Vazhdoni të luteni në çdo rast»

19, 20. (a) Çfarë e pret Satanain dhe demonët e tij? (b) Çfarë do të na forcojë frymësisht?

19 Po afron koha kur Satanai, demonët e tij dhe bota e ligë nuk do të jenë më. Satanai e di se ka «një periudhë kohe të shkurtër». Tërë zemërim, ai lufton me ata «të cilët zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe janë caktuar të japin dëshmi për Jezuin». (Zbulesa 12:12, 17) Është jetësore t’i kundërvihemi Satanait dhe demonëve të tij.

20 Sa mirënjohës jemi për këshillën që të veshim armaturën e plotë të Perëndisë! Pavli e mbyll shpjegimin e armaturës frymore me këtë këshillë: «Vazhdoni të luteni në çdo rast në frymë, dhe bëni çdo lloj lutjeje dhe përgjërimi. E për këtë qëllim, rrini zgjuar me qëndresë të plotë dhe me përgjërim për gjithë të shenjtët.» (Efesianëve 6:18) Lutja na forcon frymësisht dhe na ndihmon të qëndrojmë vigjilentë. Le t’i marrim për zemër fjalët e Pavlit dhe të vazhdojmë të lutemi, sepse kjo do të na ndihmojë t’i kundërvihemi Satanait dhe demonëve të tij.

Çfarë keni mësuar?

• Si erdhën në ekzistencë Satanai dhe demonët e tij?

• Sa i fuqishëm është Djalli?

• Ç’mbrojtje kemi kundër Satanait dhe demonëve të tij?

• Si mund ta veshim armaturën e plotë të Perëndisë?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 26]

«Bijtë e Perëndisë së vërtetë filluan të vinin re . . . bijat e njerëzve»

[Figura në faqen 28]

A mund t’i renditësh e t’i shpjegosh gjashtë pjesët e armaturës frymore?

[Figurat në faqen 29]

Pse na mbron nga Satanai e nga demonët e tij pjesëmarrja në këto veprimtari?