Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Besnikë ndaj Krishtit dhe ndaj skllavit të tij të besueshëm

Besnikë ndaj Krishtit dhe ndaj skllavit të tij të besueshëm

Besnikë ndaj Krishtit dhe ndaj skllavit të tij të besueshëm

«Zotëria i tij . . . do ta emërojë mbi gjithë zotërimet e veta.»​—MATEU 24:45-47.

1, 2. (a) Cili është Udhëheqësi ynë, siç tregojnë Shkrimet? (b) Si e kuptojmë se Krishti po e udhëheq në mënyrë aktive kongregacionin e krishterë?

«MOS lejoni t’ju quajnë ‘udhëheqës’, sepse keni vetëm një Udhëheqës, Krishtin.» (Mateu 23:10) Me këto fjalë, Jezui ua bëri të qartë ithtarëve të tij se nuk do të kishin si udhëheqës asnjë njeri në tokë. Udhëheqësi i tyre i vetëm do të ishte në qiell, do të ishte vetë Jezu Krishti. Në këtë pozitë Jezuin e ka emëruar Perëndia Jehova, i cili «e ngriti nga të vdekurit dhe . . . e bëri atë krye mbi gjithçka, për të mirën e kongregacionit, që është trupi i tij».​—Efesianëve 1:20-23.

2 Meqë është «krye mbi gjithçka» që ka të bëjë me kongregacionin e krishterë, Krishti ushtron autoritet mbi çdo gjë që ndodh brenda kongregacionit. Syrit të tij nuk i shpëton asgjë që ndodh brenda kongregacionit. Ai e vëren me kujdes gjendjen frymore të çdo grupi të krishterësh që formojnë një kongregacion. Kjo duket qartë në zbulesën që iu dha apostullit Gjon në fund të shekullit të parë të erës sonë. Pesë herë Jezui u tha shtatë kongregacioneve se i njihte veprat e tyre, cilësitë e mira dhe dobësitë, e pastaj u dha këshilla e nxitje në përputhje me atë që dinte. (Zbulesa 2:2, 9, 13, 19; 3:1, 8, 15) I kemi të gjitha arsyet që të besojmë se Krishti e njihte edhe gjendjen frymore të kongregacioneve të tjera në Azinë e Vogël, në Palestinë, Siri, Babiloni, Greqi, Itali e gjetkë. (Veprat 1:8) Po sot?

Një skllav i besueshëm

3. Pse është me vend ta krahasojmë Krishtin me një krye dhe kongregacionin e tij me një trup?

3 Pas ringjalljes dhe pak para se të ngjitej tek Ati i tij në qiell, Jezui u tha dishepujve: «Më është dhënë çdo autoritet në qiell dhe në tokë.» Pastaj vazhdoi: «Ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.» (Mateu 28:18-20) Do të vazhdonte të ishte me ta si Kreu i tyre aktiv. Në letrat që u dërgoi të krishterëve në Efes e në Kolose, apostulli Pavël e krahasoi kongregacionin e krishterë me një ‘trup’, Kreu i të cilit është Krishti. (Efesianëve 1:22, 23; Kolosianëve 1:18) Sipas një botimi, kjo metaforë «tregon jo vetëm që ka një lidhje jetike me Kreun, por edhe që vullneti i Kreut ushtrohet nëpërmjet gjymtyrëve. Ato janë mjetet e Tij». (The Cambridge Bible for Schools and Colleges) Cilin grup ka përdorur Krishti si mjetin e tij, që kur mori pushtetin e Mbretërisë në vitin 1914?​—Danieli 7:13, 14.

4. Siç ishte parathënë në profecinë e Malakisë, çfarë gjetën Jehovai dhe Krishti Jezu kur erdhën për të hetuar tempullin frymor?

4 Në profecinë e Malakisë parathuhej se Jehovai që është «Zotëria i vërtetë», i shoqëruar nga «lajmëtari i besëlidhjes», Biri i tij i sapokurorëzuar, Krishti Jezu, do të vinin të gjykonin e të hetonin ‘tempullin’ ose shtëpinë e Tij frymore të adhurimit. «Koha e caktuar» kur do të fillonte ‘gjykimi i shtëpisë së Perëndisë’, me sa duket erdhi në vitin 1918. * (Malakia 3:1; 1 Pjetrit 4:17) Ata që pohonin se përfaqësonin Perëndinë dhe adhurimin e tij të vërtetë në tokë, u hetuan siç duhet. Kishat e krishterimit apostat, që për shekuj të tërë u kishin mësuar njerëzve doktrina që njollosin emrin e Perëndisë dhe ishin përfshirë në masakrën e Luftës I Botërore, u hodhën poshtë. Një mbetje besnike të krishterësh të mirosur nga fryma, u sprovuan, u rafinuan si me zjarr dhe u miratuan, duke u bërë për Jehovain «një popull që paraqit blatim me drejtësi».​—Malakia 3:3.

5. Cilët treguan se ishin «skllavi» i besueshëm, në përputhje me profecinë e Jezuit për ‘praninë’ e tij?

5 Në shenjën e përbërë që Jezui u dha dishepujve për të dalluar kohën e ‘pranisë së tij dhe të përfundimit të sistemit’ përfshihej identifikimi i një grupi njerëzish që do të shërbenin si «skllavi», dhe kjo përputhet me profecinë e Malakisë. Jezui tha: «Kush është në të vërtetë skllavi i besueshëm dhe i matur, të cilin zotëria i tij e emëroi mbi shërbëtorët e shtëpisë së vet, për t’u dhënë atyre ushqim në kohën e duhur? Lum ai skllav, nëse zotëria i tij, kur të vijë, e gjen duke bërë kështu! Vërtet po ju them: ai do ta emërojë mbi gjithë zotërimet e veta.» (Mateu 24:3, 45-47) Në vitin 1918, ‘kur erdhi’ për të hetuar ‘skllavin’, Krishti gjeti një mbetje besnike dishepujsh të mirosur nga fryma, të cilët që nga viti 1879 kishin përdorur këtë revistë dhe botime të tjera biblike për të siguruar «ushqim [frymor] në kohën e duhur». Ai e pranoi atë grup si mjetin e tij ose «skllavin» e tij dhe në vitin 1919 i besoi administrimin e të gjitha zotërimeve të tij në tokë.

Administrimi i zotërimeve të Krishtit në tokë

6, 7. (a) Ç’fjalë të tjera përdori Jezui për ‘skllavin’ e tij të besueshëm? (b) Çfarë nënkupton përdorimi i fjalës ‘kujdestar’ nga Jezui?

6 Disa muaj para se të jepte profecinë për shenjën e pranisë së tij, ku përfshihej edhe ekzistenca e një «skllavi» që do ta përfaqësonte në tokë, Jezui përdori fjalë paksa të ndryshme për këtë «skllav», që hidhnin dritë mbi përgjegjësitë e skllavit. Jezui tha: «Kush është në të vërtetë kujdestari i besueshëm, i maturi, të cilin zotëria i tij do ta emërojë mbi gjithë shërbëtorët e vet, që të vazhdojë t’u japë furnizime të mjaftueshme me ushqim në kohën e duhur? Unë po ju them me të vërtetë: ai do ta emërojë mbi gjithë zotërimet e veta.»​—Luka 12:42, 44.

7 Këtu skllavi quhet kujdestar, një fjalë e përkthyer nga një term grek që ka kuptimin «administratori i një shtëpie ose i një prone». Ky kujdestar nuk do të ishte thjesht një grup intelektualësh që shpjegojnë gjëra interesante nga Bibla. Përveçse do të siguronte ushqim të mirë frymor «në kohën e duhur», «kujdestari i besueshëm» do të emërohej mbi gjithë shërbëtorët e Krishtit dhe do t’i jepej detyra për të administruar kongregacionin e Krishtit dhe veprimtaritë e tij mbi tokë, pra «gjithë zotërimet» e tij. Ç’do të përfshinte kjo?

8, 9. Cilat «zotërime» duhet të administrojë skllavi?

8 Ndër përgjegjësitë e skllavit futet mbikëqyrja e ndërtesave që përdorin ithtarët e Krishtit për të kryer veprimtaritë e tyre të krishtere, si për shembull selinë botërore dhe zyrat e degëve të Dëshmitarëve të Jehovait, si edhe vendet ku mblidhen për adhurim anembanë botës​—Sallat e Mbretërisë dhe Sallat e Asambleve. Ç’është më e rëndësishmja, skllavi mbikëqyr edhe programet e studimit biblik që ndërtojnë frymësisht në mbledhjet javore dhe në asambletë e kongreset që mbahen periodikisht. Në këto grumbullime jepen të dhëna rreth përmbushjes së profecive të Biblës, si edhe udhëzime në kohën e duhur se si të zbatohen parimet biblike në jetën e përditshme.

9 Një ndër përgjegjësitë e kujdestarit është edhe mbikëqyrja e veprës shumë të rëndësishme për të predikuar ‘këtë lajm të mirë për mbretërinë’ dhe për të bërë «dishepuj njerëz nga të gjitha kombet». Kjo përfshin t’u mësohet njerëzve të zbatojnë të gjitha gjërat që Krishti, Kreu i kongregacionit, urdhëron që të bëhen gjatë kësaj kohe të fundit. (Mateu 24:14; 28:19, 20; Zbulesa 12:17) Vepra e predikimit dhe e mësimdhënies ka sjellë si rezultat «një shumicë të madhe» me shokë besnikë të mbetjes së mirosur. Këto ‘gjëra të dëshirueshme të të gjitha kombeve’ pa dyshim që llogariten ndër «zotërimet» e çmuara të Krishtit, të cilat i administron skllavi i besueshëm.​—Zbulesa 7:9; Hageu 2:7.

Një Trup Udhëheqës që përfaqëson klasën e skllavit

10. Cili trup ishte caktuar për të marrë vendime në shekullin e parë dhe si ndikonte kjo te kongregacionet?

10 Natyrisht, për shkak të përgjegjësive të tij të shumta, skllavi i besueshëm duhet të marrë shumë vendime. Në kongregacionin e hershëm të krishterë, apostujt dhe pleqtë në Jerusalem vepronin si përfaqësues të klasës së skllavit, duke marrë vendime për gjithë kongregacionin e krishterë. (Veprat 15:1, 2) Vendimet e atij trupi udhëheqës të shekullit të parë u përcilleshin kongregacioneve me anë të letrave dhe të përfaqësuesve udhëtues. Të krishterët e hershëm ishin të lumtur që merrnin këtë drejtim të qartë. Bashkëpunimi i tyre i gatshëm me trupin udhëheqës nxiste paqen dhe unitetin.​—Veprat 15:22-31; 16:4, 5; Filipianëve 2:2.

11. Cilët po përdor sot Krishti për të drejtuar kongregacionin e tij dhe si duhet ta shohim këtë grup të krishterësh të mirosur?

11 Ashtu si në fillim të epokës së krishterë, edhe sot një grup i vogël mbikëqyrësish të mirosur nga fryma përbëjnë Trupin Udhëheqës të ithtarëve të Krishtit në tokë. Me «dorën e djathtë» që simbolizon fuqinë e tij në veprim, Krishti, Kreu i kongregacionit, i drejton këta burra të besueshëm për të mbikëqyrur veprën e Mbretërisë. (Zbulesa 1:16, 20) Albert Shrëderi, i cili tani afër e mbaroi jetën e tij në tokë dhe kishte qenë për shumë kohë anëtar i Trupit Udhëheqës, thoshte në jetëshkrimin e tij: «Trupi Udhëheqës mblidhet çdo të mërkurë, e hap mbledhjen me lutje dhe kërkon drejtimin e frymës së Jehovait. Ata bëjnë shumë përpjekje për t’u siguruar që çdo çështje që trajtohet dhe çdo vendim që merret, të jetë në përputhje me Fjalën e Perëndisë, Biblën.» * Mund të kemi siguri te këta të krishterë të mirosur e të besueshëm. Sidomos ndaj tyre duhet të zbatojmë urdhrin e apostullit Pavël: «Jini të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin mes jush, dhe jini të nënshtruar, sepse rrinë zgjuar për shpirtrat tuaj.»​—Hebrenjve 13:17.

Të tregojmë respektin e duhur për skllavin e besueshëm

12, 13. Çfarë arsyesh biblike kemi për të treguar respekt për klasën e skllavit?

12 Një arsye themelore pse duhet të tregojmë respektin e duhur për klasën e skllavit të besueshëm është se, duke vepruar kështu, në të vërtetë po tregojmë respekt për Zotërinë, Jezu Krishtin. Pavli shkroi për të mirosurit: «Ai që u thirr kur ishte i lirë, është skllav i Krishtit. Ju u bletë me një çmim.» (1 Korintasve 7:22, 23; Efesianëve 6:6) Prandaj, kur i nënshtrohemi me besnikëri drejtimit të skllavit të besueshëm dhe të Trupit të tij Udhëheqës, po i nënshtrohemi Krishtit, Zotërisë së skllavit. Respekti i duhur për mjetin që po përdor Krishti për të administruar zotërimet e tij në tokë, është një mënyrë që tregon se ‘e pranojmë hapur se Jezu Krishti është Zotëri në lavdi të Perëndisë, Atit’.​—Filipianëve 2:11.

13 Një arsye tjetër biblike pse duhet të tregojmë respekt për skllavin e besueshëm është se të krishterët e mirosur këtu në tokë quhen në mënyrë të figurshme «tempulli» ku banon Jehovai «me anë të frymës». Si të tillë, ata janë ‘të shenjtë’. (1 Korintasve 3:16, 17; Efesianëve 2:19-22) Pikërisht kësaj klase të shenjtë të tempullit Jezui i ka besuar zotërimet e tij tokësore, që do të thotë se disa privilegje e përgjegjësi brenda kongregacionit të krishterë i takojnë vetëm këtij skllavi të përbërë. Për këtë arsye, të gjithë në kongregacion e shohin si një detyrë të shenjtë të ndjekin e të mbështetin drejtimin që vjen nga skllavi i besueshëm e nga Trupi i tij Udhëheqës. Po, ‘delet e tjera’ e quajnë vërtet një nder të ndihmojnë klasën e skllavit tek kujdeset për zotërimet e Krishtit.​—Gjoni 10:16.

T’i mbështetim me besnikëri

14. Si ecin delet e tjera pas klasës së skllavit të mirosur dhe si shërbejnë si ‘punëtorë pa pagesë’, siç kishte profetizuar Isaia?

14 Në profecinë e Isaisë ishte parathënë se delet e tjera do t’u nënshtroheshin me përulësi pjesëtarëve të Izraelit frymor: «Kështu thotë Jehovai: “Punëtorët pa pagesë të Egjiptit, tregtarët e Etiopisë dhe sabeatitët, burra shtatlartë, do të vijnë vetë te ti dhe do të bëhen të tutë. Ata do të ecin pas teje, do të vijnë te ti të lidhur me vargonj dhe do të përkulen para teje. Do të të luten kështu: ‘Perëndia është vërtet me ty, dhe nuk ka asnjë tjetër. Nuk ka tjetër Perëndi.’”» (Isaia 45:14) Në kuptimin simbolik, delet e tjera sot ecin pas klasës së skllavit të mirosur dhe Trupit të tij Udhëheqës, duke ndjekur drejtimin e tyre. Si ‘punëtorë pa pagesë’, delet e tjera me gatishmëri shpenzojnë forcën e tyre fizike dhe të ardhurat e tyre për të mbështetur veprën mbarëbotërore të predikimit që Krishti u caktoi ithtarëve të tij të mirosur në tokë.​—Veprat 1:8; Zbulesa 12:17.

15. Si e parathotë profecia tek Isaia 61:5, 6 lidhjen që ekziston mes deleve të tjera dhe Izraelit frymor?

15 Delet e tjera janë të lumtura e mirënjohëse që i shërbejnë Jehovait nën mbikëqyrjen e klasës së skllavit dhe Trupit të tij Udhëheqës. E kuptojnë se të mirosurit janë anëtarë të ‘Izraelit të Perëndisë’. (Galatasve 6:16) Si ‘të huaj’ në kuptimin e figurshëm, të cilët shoqërohen me Izraelin frymor, ata shërbejnë me gëzim si ‘bujq’ dhe ‘vreshtarë’ nën drejtimin e të mirosurve, që janë «priftërinj të Jehovait» dhe «shërbëtorë të Perëndisë». (Isaia 61:5, 6) Me zell predikojnë këtë lajm të mirë për Mbretërinë dhe bëjnë dishepuj njerëz nga të gjitha kombet. E ndihmojnë me gjithë zemër klasën e skllavit për të kullotur e për t’u kujdesur për të sapoardhurit që janë si dele.

16. Çfarë i shtyn delet e tjera që ta mbështetin me besnikëri skllavin e besueshëm dhe të matur?

16 Delet e tjera e kuptojnë se kanë nxjerrë shumë dobi nga përpjekjet e zellshme që ka bërë skllavi i besueshëm për t’u dhënë ushqim frymor në kohën e duhur. Me përulësi e pranojnë se po të mos ishte skllavi i besueshëm dhe i matur, nuk do t’i dinin fare ose do t’i dinin shumë pak të vërtetat e çmuara të Biblës, si: sovraniteti i Jehovait, shenjtërimi i emrit të tij, Mbretëria, qiejt e rinj dhe toka e re, shpirti, gjendja e të vdekurve dhe identiteti i vërtetë i Jehovait, i Birit të tij dhe i frymës së shenjtë. Plot mirënjohje e besnikëri, delet e tjera i mbështetin me dashuri «vëllezërit» e mirosur të Krishtit që janë në tokë gjatë kësaj kohe të fundit.​—Mateu 25:40.

17. Çfarë ka parë të nevojshme të bëjë Trupi Udhëheqës dhe çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?

17 Meqë numri i të mirosurve sa vjen e zvogëlohet, ata s’mund të jenë të pranishëm në çdo kongregacion për t’u marrë me administrimin e zotërimeve të Krishtit. Rrjedhimisht, Trupi Udhëheqës emëron burra nga delet e tjera për të mbikëqyrur zyrat e degëve, krahinat, qarqet dhe kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait. A ka lidhje qëndrimi që kemi ndaj këtyre nënbarinjve me besnikërinë që i tregojmë Krishtit dhe skllavit të tij të besueshëm? Këtë do ta shqyrtojmë në artikullin vijues.

[Shënimet]

^ par. 4 Për një shqyrtim të hollësishëm të këtij argumenti, shih Kullën e Rojës, 1 mars 2004, faqet 13-18 dhe 1 maj 1993, faqja 27.

^ par. 11 Botuar në numrin e 1 marsit 1988 të kësaj reviste, faqet 10-17, anglisht.

Pyetje për rishikim

• Kush është Udhëheqësi ynë dhe si e kuptojmë se ai është në dijeni të rrethanave që ekzistojnë në kongregacione?

• Gjatë hetimit të ‘tempullit’, cilët u gjetën se po vepronin si një skllav i besueshëm dhe çfarë zotërimesh iu besuan atyre?

• Çfarë arsyesh biblike kemi që ta mbështetim me besnikëri skllavin e besueshëm?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 23]

«Zotërimet» që mbikëqyr «kujdestari» përfshijnë gjërat materiale, programet frymore dhe veprën e predikimit

[Figura në faqen 25]

Pjesëtarët e deleve të tjera e mbështetin klasën e skllavit të besueshëm duke predikuar me zell