Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përgjigje praktike!

Përgjigje praktike!

Përgjigje praktike!

SHUMICA e këshillave të sotme në librat e panumërt që të tregojnë si t’ia dalësh mbanë vetë, u drejtohen atyre njerëzve, jeta e të cilëve është në krizë. Kurse Bibla është ndryshe. Edhe pse ka këshilla për ata që po kalojnë vështirësi, Bibla nuk mjaftohet me kaq. Këshillat e saj e ndihmojnë një njeri që t’i shmangë gabimet që mund t’ia vështirësojnë jetën pa qenë nevoja.

Bibla mund «t’u japë të papërvojëve mendjehollësi, të rinjve njohuri dhe aftësi për të menduar». (Proverbat 1:4) Po t’i zbatosh ato që thuhen në Bibël, «aftësia për të menduar do të të ruajë, aftësia dalluese do të të mbrojë, për të të çliruar nga udha e keqe». (Proverbat 2:11, 12) Shqyrto disa shembuj specifikë se si zbatimi i këshillave të Biblës të ndihmon të ruash shëndetin, të përmirësosh jetën familjare dhe të jesh punëtor ose punëdhënës më i mirë.

Ji i arsyeshëm me alkoolin

Bibla nuk e dënon pirjen me masë të alkoolit. Apostulli Pavël përmendi dobitë mjekësore të verës, kur e këshilloi Timoteun e ri: «Përdor pak verë për stomakun dhe për sëmundjet e tua të shpeshta.» (1 Timoteut 5:23) Pjesë të tjera të Biblës tregojnë se Perëndia nuk kishte ndër mend që vera të përdorej vetëm si ilaç. Për shembull, thuhet se vera «ia gëzon zemrën njeriut». (Psalmi 104:15) Gjithsesi, Bibla paralajmëron që të mos bëhemi ‘skllevër të verës së shumtë’. (Titit 2:3) Aty thuhet: «Mos rri me ata që pinë verë me tepri, as me ata që s’kanë të ngopur me mish. Sepse pijaneci dhe grykësi do të bien në varfëri.» (Proverbat 23:20, 21) Çfarë vjen si pasojë kur shpërfillet kjo këshillë e ekuilibruar? Shqyrto faktet që vijnë vetëm nga disa vende.

Në një raport të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (Global Status Report on Alcohol 2004) thuhet: «Problemet e lidhura me alkoolin i kushtojnë shoqërisë irlandeze përafërsisht 2,4 miliardë euro në vit.» Në këtë barrë të stërmadhe financiare, sipas raportit përfshihet «kostoja e kujdesit shëndetësor (279 milionë euro), kostoja e aksidenteve rrugore (315 milionë euro), kostoja e krimeve që kanë lidhje me alkoolin (100 milionë euro), rënia e rendimentit për shkak të mungesave në punë të lidhura me alkoolin (1.034 milionë euro)».

Më e rëndësishme se kostoja financiare e abuzimit me alkoolin, është vuajtja që u shkakton njerëzve ky abuzim. Për shembull, në Australi, vetëm për një periudhë 12-mujore, më shumë se gjysmë milionë njerëz u keqtrajtuan fizikisht nga të tjerë që ishin nën efektin e alkoolit. Në Francë raportohet se rreth 30 për qind e rasteve të dhunës në familje kanë si shkak abuzimin me alkoolin. Duke parë këto fakte, a nuk të duket e arsyeshme këshilla e Biblës për alkoolin?

Shmang zakonet që ndotin

Që në vitin 1942, kur pirja e duhanit shihej ende si diçka në modë, revista që po lexon tani i ndihmoi lexuesit të kuptonin se përdorimi i duhanit shkel parimet e Biblës dhe duhet shmangur. Në një artikull të botuar atë vit, arsyetohej se ata që duan t’i pëlqejnë Perëndisë, duhet të ndjekin urdhrin e Biblës ‘për t’u pastruar nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës’. (2 Korintasve 7:1) A nuk është provuar tani, rreth 65 vjet pasi u botua ai artikull, se kjo këshillë biblike është vërtet e mençur?!

Në vitin 2006, Organizata Botërore e Shëndetësisë e përmendi përdorimin e duhanit si «shkakun e dytë më të madh të vdekjeve në botë». Çdo vit, rreth pesë milionë njerëz vdesin si pasojë e përdorimit të duhanit. Në krahasim me këtë, nga HIV/SIDA vdesin rreth tre milionë njerëz në vit. Gjatë shekullit të 20-të, duhani u mori jetën afro 100 milionë njerëzve, pothuajse aq sa u vranë në të gjitha luftërat e atij shekulli. Po, tani shumica e pranon se është e mençur të shmanget duhani.

«Ikni nga kurvëria!»

Por shumë njerëz nuk e pranojnë kollaj atë që thotë Bibla për çështjet seksuale. Ndryshe nga ç’i kanë bërë të besojnë shumë veta, Bibla nuk e dënon me fanatizëm çdo dëshirë seksuale. Gjithsesi, aty ka këshilla të shëndetshme se si duhen plotësuar dëshirat seksuale. Bibla mëson se marrëdhëniet seksuale lejohen vetëm mes një burri e një gruaje që janë të martuar me njëri-tjetrin. (Zanafilla 2:24; Mateu 19:4-6; Hebrenjve 13:4) Marrëdhëniet seksuale janë një mënyrë se si bashkëshortët shprehin dhe marrin në këmbim dashuri e përzemërsi të butë. (1 Korintasve 7:1-5) Fëmijët që mund të lindin nga kjo lidhje, nxjerrin dobi duke pasur dy prindër që kujdesen për njëri-tjetrin.—Kolosianëve 3:18-21.

Lidhur me shthurjen seksuale, Bibla urdhëron: «Ikni nga kurvëria!» (1 Korintasve 6:18) Cila është një nga arsyet? Vargu vazhdon: «Çdo mëkat tjetër që njeriu mund të kryejë, është jashtë trupit të tij, por ai që praktikon kurvërinë, mëkaton kundër trupit të vet.» Çfarë vjen si pasojë kur shpërfillen këshillat e Biblës për çështjet seksuale?

Shqyrto çfarë po ndodh në Shtetet e Bashkuara. Tani ky vend ka përqindjen më të lartë në botën e industrializuar për sa u përket adoleshenteve shtatzëna: rreth 850.000 në vit. Shumë nga foshnjat që arrijnë t’i shpëtojnë abortit, i lindin nëna që janë të pamartuara. Pa dyshim, shumë nga këto nëna të reja bëjnë më të mirën për t’i rritur fëmijët me dashuri dhe disiplinë, e disa ia dalin mbanë. Por, realiteti i hidhur është se djemtë e lindur nga nëna adoleshente ka më shumë të ngjarë të përfundojnë në burg dhe vajzat e tyre ka më shumë mundësi të përfundojnë edhe vetë shtatzëna kur të jenë adoleshente. Pasi rishikoi statistikat e disa dekadave të fundit, studiuesi Robert Lerman shkroi: «Shtimi i familjeve me një prind mund të ketë kontribuar në shpeshtësinë më të madhe të problemeve të tjera shoqërore, si: përqindje më e lartë e atyre që lënë shkollën, që abuzojnë me alkoolin dhe drogën, e adoleshenteve që mbeten shtatzëna e që bëhen nëna, si dhe e kriminelëve adoleshentë.»

Ata që bëjnë një jetë seksuale të shthurur, hasin edhe rreziqe të mëdha shëndetësore, si fizike, ashtu edhe mendore. Për shembull, në revistën Pediatrics thuhet: «Nga të dhënat, duket se adoleshentët që janë aktivë seksualisht, rrezikojnë shumë të bien në depresion e të vrasin veten.» Në lidhje me rreziqe të tjera shëndetësore, Shoqata Amerikane e Shëndetit, thotë: «Më tepër se gjysma e të gjithë njerëzve [në Shtetet e Bashkuara] do të kenë gjatë jetës së tyre ndonjë sëmundje të transmetuar me rrugë seksuale.» Mendo sa shumë dhembje e vuajtje do të shmangeshin, sikur të ndiqeshin këshillat praktike të Biblës për çështjet seksuale!

Ndërto lidhje të forta familjare

Bibla nuk mjaftohet vetëm duke paralajmëruar kundër zakoneve shkatërrimtare. Shiko çfarë këshillash praktike jep se si të përmirësohet jeta familjare.

Në Fjalën e Perëndisë thuhet: «Burrat duhet t’i duan gratë e tyre, si vetë trupat e tyre.» (Efesianëve 5:28) Burrave u thuhet se nuk duhet të tregohen mosmirënjohës ndaj grave, por duhet të banojnë me to «sipas njohurisë, duke i nderuar gratë si një enë më të dobët». (1 Pjetrit 3:7) Për debatet që mund të lindin, burrave u jepet këshilla: «Vazhdoni t’i doni gratë tuaja e mos jini të zemëruar hidhtas me to.» (Kolosianëve 3:19) A nuk mendon edhe ti se një burrë që zbaton këtë këshillë do të fitojë dashurinë dhe respektin e së shoqes?

Për gratë Bibla jep këtë udhëzim: «Gratë le të jenë të nënshtruara ndaj burrave të tyre, si ndaj Zotërisë, sepse burri është kreu i gruas së tij, ashtu si edhe Krishti është kreu i kongregacionit. . . . Gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin e saj.» (Efesianëve 5:22, 23, 33) A nuk mendon se një grua që ndjek këtë këshillë kur flet me të shoqin (ose kur flet për të), burri do ta dojë shumë?

Këshilla që u jep Bibla prindërve për rritjen e fëmijëve është të komunikojnë me fëmijët ‘kur rrinë ulur në shtëpi, kur ecin rrugës, kur shtrihen e kur ngrihen’. (Ligji i përtërirë 6:7) Sidomos etërit urdhërohen t’u sigurojnë fëmijëve udhëheqje morale dhe disiplinë me dashuri. Fjala e Perëndisë thotë: «Etër, mos i acaroni fëmijët tuaj, por vazhdoni t’i rritni në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait.» (Efesianëve 6:4) Kurse fëmijëve u thuhet: «Bindjuni prindërve tuaj» dhe «ndero atin dhe nënën tënde». *Efesianëve 6:1, 2.

A mendon se familjet do të nxirrnin dobi po të zbatonin këto këshilla? Ndoshta ti thua: ‘Po, të mira duken në teori, por, a janë vërtet praktike?’ Të ftojmë të shkosh në Sallën e Mbretërisë së Dëshmitarëve të Jehovait në zonën tënde. Atje do të takosh familje që po përpiqen të zbatojnë këshillat e mençura të Biblës. Fol me ta. Vëzhgo se si sillen me njëri-tjetrin pjesëtarët e familjeve. Do ta shohësh me sytë e tu se jetesa sipas parimeve biblike i bën vërtet të lumtura familjet!

Punëtor i zellshëm dhe punëdhënës i ndershëm

Ç’këshilla përmban Bibla lidhur me luftën e përditshme për të mbajtur një punë? Ajo thotë se punëtorin që bëhet i aftë në punën e tij, ka shumë mundësi ta vlerësojnë e ta shpërblejnë. Mbreti i mençur Solomon pyeti: «A ke parë një njeri të zotin në punën e tij? Ai do të zërë vend para mbretërve.» (Proverbat 22:29) Në anën tjetër, «përtaci» është acarues «si tymi në sy» për pronarin e tij. (Proverbat 10:26) Bibla i inkurajon punëtorët të jenë të ndershëm e të zellshëm. «Vjedhësi të mos vjedhë më, por më mirë të punojë pa u lodhur e të bëjë me duart e veta një punë të mirë.» (Efesianëve 4:28) Kjo këshillë zbatohet edhe në rastin kur pronari nuk na sheh. «Jini të bindur në çdo gjë ndaj atyre që janë zotërinjtë tuaj sipas mishit, jo duke shërbyer sa për sy e faqe, sikur të doni t’u pëlqeni njerëzve, por me zemër të çiltër, duke pasur frikë nga Jehovai.» (Kolosianëve 3:22) Nëse je pronar, a nuk do ta vlerësoje një punëtor që zbaton këtë këshillë?

Për punëdhënësit, Bibla jep këtë përkujtues: «Punëtori e meriton pagën.» (1 Timoteut 5:18) Në Ligjin që Perëndia u dha izraelitëve, thuhej se punëdhënësit duhej t’i paguanin menjëherë dhe me ndershmëri punëtorët e tyre. «Mos ia ha hakun tjetrit dhe mos grabit. Mos ia mbaj pagën mëditësit gjithë natën deri në mëngjes»,—shkroi Moisiu. (Levitiku 19:13) A nuk do të të pëlqente të punoje për një pronar që i bindet drejtimit të Biblës dhe të paguan menjëherë e me ndershmëri?

Burim më i lartë mençurie

A të habit fakti që një libër i lashtë si Bibla ka këshilla që vlejnë shumë sot? Arsyeja pse Bibla ka mbetur e tillë, ndërkohë që shumë libra të tjerë e kanë humbur vlerën, është se ajo nuk përmban fjalë njerëzish, por «fjalën e Perëndisë».—1 Selanikasve 2:13.

Të nxitim të gjesh pak kohë për t’u njohur më mirë me Fjalën e Perëndisë. Nëse e bën këtë, do të fillosh të ndiesh përzemërsi për Autorin e Biblës, Perëndinë Jehova. Zbatoji këshillat që jep ai dhe shiko se si do të të ruajnë nga dëmet e do të të ndihmojnë të përmirësosh jetën. Duke vepruar kështu, ‘do t’i afrohesh Perëndisë dhe ai do të të afrohet’. (Jakovi 4:8) Asnjë libër tjetër nuk të ndihmon dot në këtë mënyrë.

[Shënimi]

^ par. 20 Për një trajtim të hollësishëm të parimeve biblike që mund të ndihmojnë familjen tënde, shih librin Sekreti i lumturisë familjare, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figura në faqen 4]

A mendon se është praktike pikëpamja e Biblës për pirjen e alkoolit?

[Figura në faqen 5]

A je dakord me këshillën biblike për të shmangur duhanin?

[Figurat në faqen 7]

Ndjekja e këshillave të Biblës përmirëson jetën familjare

[Burimi i figurës në faqen 5]

Globi: bazuar në një fotografi të NASA-s