Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

T’u nënshtrohemi me përulësi barinjve të dashur

T’u nënshtrohemi me përulësi barinjve të dashur

T’u nënshtrohemi me përulësi barinjve të dashur

«Jini të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin mes jush, dhe jini të nënshtruar.»​—HEBRENJVE 13:17.

1, 2. Cilat shkrime tregojnë se Jehovai dhe Jezui janë Barinj të dashur?

PERËNDIA JEHOVA dhe Biri i tij, Jezu Krishti, janë Barinj të dashur. Isaia profetizoi: «Zotëria Sovran Jehova do të vijë si një i fortë dhe krahu i vet do të sundojë në emër të tij. . . . Ai do ta kullotë kopenë e tij si një bari. Do t’i mbledhë qengjat me krahun e tij e do t’i mbajë në gji dhe do t’i drejtojë me kujdes ato që ushqejnë të vegjlit me qumësht.»​—Isaia 40:10, 11.

2 Kjo profeci e rivendosjes u përmbush fillimisht kur një mbetje judenjsh u kthye në Judë në vitin 537 p.e.s. (2 Kronikave 36:22, 23) U përmbush përsëri kur mbetja e mirosur u çlirua nga «Babilonia e Madhe» në vitin 1919 me anë të Kirit më të Madh, Jezu Krishtit. (Zbulesa 18:2; Isaia 44:28) Jezui është «krahu» me të cilin sundon Jehovai, duke i mbledhur bashkë delet dhe duke i kullotur me kujdes e butësi. Vetë Jezui tha: «Unë jam bariu i shkëlqyer e i njoh delet e mia, dhe delet e mia më njohin.»​—Gjoni 10:14.

3. Si tregon kujdes të dashur Jehovai për mënyrën se si trajtohen delet e tij?

3 Profecia e Isaisë 40:10, 11 thekson me sa butësi e kullot Jehovai popullin e tij. (Psalmi 23:1-6) Gjatë shërbimit këtu në tokë, edhe Jezui tregoi kujdes të butë për dishepujt e tij dhe për njerëzit e tjerë në përgjithësi. (Mateu 11:28-30; Marku 6:34) Jehovai dhe Jezui e urrenin zemërgurësinë e barinjve ose udhëheqësve të Izraelit, që me paturpësi i kishin lënë pas dore dhe i kishin zhvatur kopetë e tyre. (Ezekieli 34:2-10; Mateu 23:3, 4, 15) Jehovai premtoi: «Unë do t’i shpëtoj delet e mia, dhe ato nuk do të jenë më plaçkë. Unë do t’i gjykoj delet. Pastaj do të vë mbi to një bari që t’i kullotë, po, shërbëtorin tim David. Ai do t’i kullotë e do të jetë bariu i tyre.» (Ezekieli 34:22, 23) Në këtë kohë të fundit, Jezu Krishti, Davidi më i Madh, është ‘bariu’ që Jehovai ka emëruar mbi gjithë shërbëtorët e Tij në tokë, qofshin të krishterët e mirosur nga fryma, qofshin ‘delet e tjera’.​—Gjoni 10:16.

Dhurata nga Jehovai për kongregacionin

4, 5. (a) Cilën dhuratë të çmuar i ka dhënë Jehovai popullit të tij në tokë? (b) Cilën dhuratë i ka dhënë Jezui kongregacionit të tij?

4 Duke vënë mbi shërbëtorët e Tij në tokë «një bari», Jezu Krishtin, Jehovai i dha kongregacionit të krishterë një dhuratë të çmuar. Kjo dhuratë, pra një Udhëheqës qiellor, ishte profetizuar tek Isaia 55:4: «Unë ua dhashë atë si dëshmitar kombeve, ua dhashë atyre si udhëheqës dhe komandant.» Qoftë të krishterët e mirosur, qoftë pjesëtarët e ‘shumicës së madhe’, janë mbledhur nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët. (Zbulesa 5:9, 10; 7:9) Ata përbëjnë një kongregacion ndërkombëtar, «një kope të vetme» nën «një bari të vetëm», Krishtin Jezu.

5 Edhe Jezui i ka dhënë kongregacionit të tij në tokë një dhuratë të çmuar. Ai ka siguruar nënbarinj të besueshëm që, duke imituar Jehovain dhe Jezuin, e kullotin kopenë me kujdes e butësi. Apostulli Pavël foli për këtë dhuratë të dashur në letrën që u dërgoi të krishterëve në Efes. Ai shkroi: «‘Kur u ngjit lart, ai mori me vete robër e dha dhurata në njerëz.’ Ai i dha disa si apostuj, disa si profetë, disa si ungjillëzues, disa si barinj e mësues, për ndreqjen e të shenjtëve, për veprën e shërbesës, për ndërtimin e trupit të Krishtit.»​—Efesianëve 4:8, 11, 12.

6. Si ishin paraqitur te Zbulesa 1:16, 20 mbikëqyrësit e mirosur që shërbenin në trupat e pleqve dhe ç’mund të thuhet për pleqtë e emëruar që janë nga delet e tjera?

6 Këto «dhurata në njerëz» janë mbikëqyrës ose pleq, që emërohen nga Jehovai e nga Biri i tij, me anë të frymës së shenjtë, për të kullotur delet me butësi. (Veprat 20:28, 29) Fillimisht këta mbikëqyrës ishin që të gjithë të krishterë të mirosur. Te Zbulesa 1:16, 20, ata që shërbenin në trupat e pleqve në kongregacionin e mirosur, ishin simbolizuar nga «yje» ose «engjëj» në dorën e djathtë të Krishtit, pra nën kontrollin e tij. Por, në këtë kohë të fundit, kur sa vjen e po zvogëlohet numri i mbikëqyrësve të mirosur në tokë, shumica e pleqve të krishterë në kongregacione janë nga delet e tjera. Meqë këta emërohen nga përfaqësues të Trupit Udhëheqës nën drejtimin e frymës së shenjtë, edhe për ta mund të thuhet se janë në dorën e djathtë (ose nën drejtimin) e Bariut të Shkëlqyer, Jezu Krishtit. (Isaia 61:5, 6) Pleqtë e kongregacioneve meritojnë bashkëpunimin tonë të plotë, pasi i nënshtrohen Krishtit, Kreut të kongregacionit.​—Kolosianëve 1:18.

Bindje dhe nënshtrim

7. Ç’këshillë dha apostulli Pavël për qëndrimin që duhet të kemi ndaj mbikëqyrësve të krishterë?

7 Barinjtë tanë qiellorë, Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti, presin nga ne që të jemi të bindur e të nënshtruar ndaj nënbarinjve që ata kanë vënë në pozita përgjegjësie brenda kongregacionit. (1 Pjetrit 5:5) Apostulli Pavël shkroi nën frymëzim: «Kujtoni ata që marrin drejtimin mes jush, që ju kanë thënë fjalën e Perëndisë, dhe ndërsa shqyrtoni me kujdes rezultatin e sjelljes së tyre, imitoni besimin e tyre. Jini të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin mes jush, dhe jini të nënshtruar, sepse rrinë zgjuar për shpirtrat tuaj si ata që do të japin llogari, që ta bëjnë këtë me gëzim e jo me psherëtima, sepse kjo do të ishte në dëmin tuaj.»​—Hebrenjve 13:7, 17.

8. Çfarë na fton ‘të shqyrtojmë’ Pavli dhe si duhet të jemi «të bindur»?

8 Vini re se Pavli na fton ‘të shqyrtojmë’ ose të vërejmë me kujdes rezultatin e sjelljes besnike të pleqve, e të ndjekim këta shembuj besimi. Për më tepër, ai na këshillon t’u bindemi e t’u nënshtrohemi këtyre burrave të emëruar duke ndjekur drejtimin e tyre. Dijetari biblik Riçard T. Frans shpjegon se në greqishten origjinale, fjala e përkthyer këtu «jini të bindur» nuk është «fjala e zakonshme që përdorej për bindjen, por, fjalë për fjalë, do të thotë ‘t’u mbushet mendja’, që nënkupton pranimin me vullnet të udhëheqjes së tyre». Ne u bindemi pleqve jo vetëm sepse kështu na udhëzon Fjala e Perëndisë, por edhe sepse na është mbushur mendja se kanë për zemër interesat e Mbretërisë dhe mirëqenien tonë. Do të jemi patjetër të lumtur po ta pranojmë me gatishmëri drejtimin e tyre.

9. Pse është e nevojshme që të jemi edhe «të nënshtruar», përveçse të bindur?

9 Po nëse në ndonjë rast nuk jemi të bindur se drejtimi i pleqve është mënyra më e mirë për t’i bërë gjërat? Këtu hyn në lojë nënshtrimi. Është e lehtë të bindemi kur çdo gjë është e qartë dhe jemi dakord me drejtimin, por ama tregojmë se jemi vërtet të nënshtruar nëse veprojmë sipas asaj që na thuhet edhe kur ne vetë nuk e kuptojmë drejtimin që po jepet. Pjetri, i cili më vonë u bë apostull, tregoi këtë lloj nënshtrimi.​—Luka 5:4, 5.

Katër arsye pse duhet të bashkëpunojmë me gatishmëri

10, 11. Në ç’mënyrë mbikëqyrësit u «kanë thënë fjalën e Perëndisë» të bashkëkrishterëve në shekullin e parë dhe sot?

10 Te Hebrenjve 13:7, 17, që u citua më lart, apostulli Pavël jep katër arsye pse duhet t’u bindemi e t’u nënshtrohemi mbikëqyrësve të krishterë. Arsyeja e parë është se ata na «kanë thënë fjalën e Perëndisë». S’duhet të harrojmë se ‘dhuratat në njerëz’ që Jezui i jep kongregacionit, janë «për ndreqjen e të shenjtëve». (Efesianëve 4:11, 12) Ai ua ndreqi mënyrën e të menduarit dhe sjelljen të krishterëve të shekullit të parë me anë të nënbarinjve të besueshëm, disa prej të cilëve, nën drejtimin e frymës së shenjtë, u shkruan letra kongregacioneve. Jezui i përdori ata mbikëqyrës të emëruar nga fryma për të drejtuar e për të forcuar të krishterët e hershëm.​—1 Korintasve 16:15-18; 2 Timoteut 2:2; Titit 1:5.

11 Sot Jezui na drejton me anë të ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’, të cilin e përfaqëson Trupi Udhëheqës dhe pleqtë e emëruar. (Mateu 24:45) Nga respekti për ‘kryebariun’, Jezu Krishtin, ne ia vëmë veshin këshillës së Pavlit: «Të keni vlerësim për ata që po punojnë pa u lodhur mes jush, që ju drejtojnë në veprën e Zotërisë dhe ju këshillojnë.»​—1 Pjetrit 5:4; 1 Selanikasve 5:12; 1 Timoteut 5:17.

12. Si «rrinë zgjuar për shpirtrat» tanë mbikëqyrësit?

12 Një arsye e dytë pse duhet të bashkëpunojmë me mbikëqyrësit e krishterë është se ata «rrinë zgjuar për shpirtrat» tanë. Po të dallojnë në qëndrimin ose në sjelljen tonë diçka që mund të na vërë në rrezik gjendjen frymore, ata menjëherë na japin këshillat e duhura me synimin për të na ndrequr. (Galatasve 6:1) Fjala greke e përkthyer «rrinë zgjuar», fjalë për fjalë do të thotë ‘të mos vësh gjumë në sy’. Sipas një studiuesi biblik, ajo «përfshin vigjilencën e vazhdueshme të bariut». Përveçse janë vigjilentë në kuptimin frymor, pleqtë mund të rrinë vërtet pa gjumë natën, nga meraku për mirëqenien tonë frymore. A s’duhet të bashkëpunojmë me gatishmëri me këta nënbarinj të dashur, të cilët bëjnë çmos të imitojnë kujdesin e butë që tregon Jezu Krishti, ‘bariu i madh i deleve’?!​—Hebrenjve 13:20.

13. Para kujt janë përgjegjës mbikëqyrësit dhe të gjithë të krishterët, dhe në cilat mënyra?

13 Një arsye e tretë pse duhet të bashkëpunojmë me gatishmëri me mbikëqyrësit, është se ata rrinë zgjuar për ne «si ata që do të japin llogari». Mbikëqyrësit nuk harrojnë se janë nënbarinj dhe shërbejnë nën drejtimin e Barinjve qiellorë, Perëndisë Jehova dhe Jezu Krishtit. (Ezekieli 34:22-24) Jehovai është Pronari i deleve, të cilat i «bleu me gjakun e Birit të vet». Mbikëqyrësit e emëruar janë përgjegjës para Jehovait për mënyrën si e trajtojnë kopenë e tij, e cila duhet trajtuar «me zemërbutësi». (Veprat 20:28, 29) Kështu, të gjithë ne do t’i japim llogari Jehovait për mënyrën se si i përgjigjemi drejtimit të tij. (Romakëve 14:10-12) Bindja ndaj pleqve të emëruar tregon edhe se jemi të nënshtruar ndaj Krishtit, Kreut të kongregacionit.​—Kolosianëve 2:19.

14. Çfarë mund t’i bëjë mbikëqyrësit e krishterë të shërbejnë «me psherëtima» dhe cilat do të ishin pasojat?

14 Pavli dha një arsye të katërt pse duhet t’u nënshtrohemi me përulësi mbikëqyrësve të krishterë. Ai shkroi: «Që ta bëjnë këtë me gëzim e jo me psherëtima, sepse kjo do të ishte në dëmin tuaj.» (Hebrenjve 13:17) Pleqtë e krishterë mbajnë një peshë të rëndë, pasi kanë përgjegjësi serioze në mësimdhënie, kullotje, marrin drejtimin në veprën e predikimit, kujdesen për familjen e tyre dhe merren me problemet në kongregacion. (2 Korintasve 11:28, 29) Nëse nuk bashkëpunojmë me ta, vetëm sa ua rëndojmë peshën. Kjo do t’i bënte ‘të psherëtinin’. Kur ne s’duam të bashkëpunojmë, Jehovai është i pakënaqur, dhe pasojat mund të jenë të dëmshme për ne. Por, kur tregojmë respektin e duhur dhe bashkëpunojmë, pleqtë mund t’i kryejnë me gëzim detyrat e tyre, dhe kjo shton unitetin e pjesëmarrjen me gëzim në veprën e predikimit të Mbretërisë.​—Romakëve 15:5, 6.

Ta tregojmë nënshtrimin

15. Si ta tregojmë bindjen dhe nënshtrimin tonë?

15 Ka shumë mënyra praktike se si mund të bashkëpunojmë me mbikëqyrësit e emëruar. A kanë organizuar pleqtë mbledhje për shërbim në ditë e orare që na kërkojnë një ndryshim në programin tonë personal, por që janë përshtatur me rrethanat e reja në territor? Atëherë le të përpiqemi t’i mbështetim këto organizime të reja. Mund të marrim bekime të papritura. A po e viziton mbikëqyrësi i shërbimit Studimin tonë të Librit të Kongregacionit? Atëherë le të marrim pjesë sa më shumë në veprën e predikimit atë javë. A kemi marrë një caktim në Shkollën e Shërbimit Teokratik? Duhet të vëmë si synim të jemi të pranishëm dhe ta përmbushim caktimin tonë. A ka njoftuar mbikëqyrësi i Studimit të Librit të Kongregacionit se e ka radhën grupi ynë për të pastruar Sallën e Mbretërisë? Le ta mbështetim sa më shumë, për aq sa na e lejon shëndeti dhe forcat. Në këto mënyra, si edhe në shumë të tjera, e tregojmë nënshtrimin ndaj burrave që Jehovai dhe Biri i tij kanë emëruar që të kujdesen për kopenë.

16. Edhe sikur një plak të mos i bëjë gjërat sipas udhëzimeve, pse kjo nuk na justifikon që të rebelohemi?

16 Nganjëherë, një plak mund të mos i bëjë gjërat siç udhëzon klasa e skllavit të besueshëm dhe Trupi Udhëheqës. Nëse vazhdon të veprojë kështu, ai do t’i japë llogari Jehovait, ‘bariut dhe mbikëqyrësit të shpirtrave tanë’. (1 Pjetrit 2:25) Por nëse një plak nuk e bën diçka siç duhet ose bën një gabim, kjo nuk na justifikon që të kemi një qëndrim rebel. Jehovai nuk e bekon mosbindjen dhe rebelimin.​—Numrat 12:1, 2, 9-11.

Jehovai bekon bashkëpunimin me gatishmëri

17. Cilin qëndrim duhet të kemi ndaj mbikëqyrësve?

17 Perëndia Jehova e di se burrat që ka emëruar si mbikëqyrës janë të papërsosur. Gjithsesi po i përdor ata dhe e kullot popullin e vet me anë të frymës së tij. Për pleqtë, po edhe për të gjithë ne, pa dyshim «fuqia përtej asaj që është normale, [është] nga Perëndia, dhe jo nga ne». (2 Korintasve 4:7) Prandaj, duhet ta falënderojmë Jehovain për atë që po bën me anë të mbikëqyrësve të besueshëm dhe duhet të bashkëpunojmë me gatishmëri me ta.

18. Çfarë po bëjmë në të vërtetë, duke iu nënshtruar mbikëqyrësve tanë?

18 Mbikëqyrësit bëjnë çmos të jetojnë sipas përshkrimit që bën Jehovai për barinjtë e emëruar mbi kopenë e tij në ditët e fundit, siç lexojmë te Jeremia 3:15: «Unë do t’ju jap barinj siç ma do zemra, dhe ata do t’ju ushqejnë me njohuri e gjykim të thellë.» Sigurisht që pleqtë që kemi mes nesh po bëjnë një punë të shkëlqyer për të mësuar delet e Jehovait dhe për t’i mbrojtur. Le të vazhdojmë ta tregojmë mirënjohjen për punën e tyre të palodhur duke bashkëpunuar me gatishmëri, duke u bindur dhe duke u nënshtruar! Kështu do të tregojmë mirënjohjen për Barinjtë tanë qiellorë, Perëndinë Jehova dhe Jezu Krishtin.

Pyetje për rishikim

• Si kanë treguar Jehovai dhe Jezu Krishti se janë Barinj të dashur?

• Pse duhet edhe nënshtrimi, përveç bindjes?

• Në cilat mënyra praktike mund ta tregojmë nënshtrimin tonë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 27]

Pleqtë e krishterë i nënshtrohen udhëheqjes së Krishtit

[Figurat në faqen 29]

Ka shumë mënyra për të treguar nënshtrimin ndaj barinjve që ka emëruar Jehovai