Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vepra e bërjes së dishepujve më ka modeluar jetën

Vepra e bërjes së dishepujve më ka modeluar jetën

Jetëshkrim

Vepra e bërjes së dishepujve më ka modeluar jetën

Treguar nga Linetë Pitërsi

Kishin ardhur të na merrnin që andej. Në tarracën e ndërtesës kishte zënë vend një snajper. Në lëndinë ishin shpërndarë marinsa që qëndronin shtrirë, me armët gati. Atë të diel në mëngjes, unë dhe misionarët e tjerë u përpoqëm me të gjitha forcat të qëndronim të qetë ndërsa vraponim për te helikopteri që po na priste. Pas pak, ishim lart në ajër. Dhjetë minuta më vonë, ishim shëndoshë e mirë në një anije ushtarake, e cila ishte ankoruar afër bregut.

MËNGJESIN vijues, morëm vesh se rebelët kishin bombarduar hotelin ku ne do të strehoheshim një natë më parë. E pra, konflikti civil në Sierra-Leone, që kishte nisur prej vitesh, tashmë kishte marrë përmasat e një lufte të vërtetë. Të gjithë të huajt, ndër ta edhe ne, i kishin detyruar të iknin nga vendi, duke i njoftuar në minutat e fundit. Që t’ju shpjegoj pse u gjenda në atë situatë, më lejoni t’ia nis nga fillimi.

U rrita në Guajanën Britanike, e cila njihet thjesht si Guajana që nga viti 1966. Atje, gjatë viteve 50, kalova një fëmijëri të këndshme e të patrazuar. Shumica e prindërve e vlerësonin arsimimin dhe kërkonin që fëmijët të dilnin mirë me mësime. Më kujtohet një rast kur një nëpunës banke e pyeti tim atë: «Pse paguan kaq shumë për shkollimin e fëmijëve të tu?» Babai iu përgjigj: «Vetëm po të kenë arsimin më të mirë, do ta kenë të garantuar suksesin në jetë.» Në atë kohë, ai mendonte se arsimi më i mirë merrej në shkollat me emër. Por shumë shpejt do të ndryshonte mendim.

Kur isha 11 vjeçe, mamaja filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Ajo kishte qenë në një Sallë Mbretërie bashkë me një fqinjë dhe gjërat që kishin dëgjuar, i kishin bindur të dyja se kishin gjetur të vërtetën. Më vonë, mamaja foli me një fqinjë tjetër për atë që kishte dëgjuar. S’kaloi shumë dhe të tria kishin nisur studim me dy misionare, Dafni Harin (më vonë Bard) dhe Roza Kafin. Brenda një viti, mamaja dhe dy shoqet e saj u pagëzuan. Pesë vjet më vonë, im atë u largua nga Kisha Adventiste e Ditës së Shtatë dhe u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait.

Unë dhe dy motrat e mia, që ishim më të rriturat nga dhjetë fëmijët, kur ishim të vogla kalonim shumë orë të këndshme në shtëpinë misionare ku jetonin Dafni dhe Roza. Në ato raste, dëgjonim përvojat që tregonin për shërbimin. Këto misionare rrezatonin gëzim teksa kujdeseshin pa u lodhur për mirëqenien frymore të të tjerëve. Pikërisht shembulli i tyre më nguliti në zemër dëshirën të isha misionare.

Por, çfarë më ndihmoi ta mbaja si synim shërbimin e plotkohor ndërkohë që të afërmit dhe shokët e shkollës ishin të gjithë të përqendruar për të bërë karrierë? Mundësitë ishin të shumta e joshëse: mund të studioja për juridik, për muzikë, për mjekësi ose çfarëdo gjëje tjetër. Por shembulli i shkëlqyer i prindërve më dha drejtimin e duhur. Ata jetonin sipas së vërtetës, e studionin me zell Biblën dhe ishin të përkushtuar që të ndihmonin të tjerët të mësonin për Jehovain. * Për më tepër, ftonin gjithnjë në shtëpi shërbëtorë të plotkohorë. Gëzimi dhe kënaqësia që shfaqnin ata vëllezër e motra, ma përforcuan dëshirën që jetën time ta modelonte vepra e bërjes së dishepujve.

U pagëzova kur isha 15 vjeçe. Pastaj, sapo mbarova shkollën e mesme, fillova shërbimin e plotkohor si pioniere. Filomena, një ndihmësinfermiere, ishte e para që ndihmova të përparonte deri në kushtim e pagëzim. Gëzimi që ndjeva kur ajo zhvilloi dashurinë për Jehovain, ma përforcoi dëshirën që të vazhdoja në shërbimin e plotkohor. Pak kohë më pas, në vendin ku punoja si sekretare më ofruan një punë më të mirë shtetërore. Nuk e pranova, sepse kisha vendosur të vazhdoja si pioniere.

Ende jetoja në shtëpi me prindërit dhe vazhdonim të kishim vizita nga misionarët. Sa më pëlqente të dëgjoja përvojat e tyre! E gjithë kjo ma përforconte dëshirën që të isha misionare. Gjithsesi, më dukej gati e pamundur të plotësohej kjo dëshirë, pasi në atë kohë, por edhe tani, Guajana është një vend ku dërgohen misionarë. Një ditë, në vitin 1969, u habita dhe u lumturova kur mora ftesën për të ndjekur Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit, në Bruklin, Nju-Jork.

Një caktim i papritur

Në klasën e 48-të të Galaadit kishte 54 studentë nga 21 vende. Shtatëmbëdhjetë prej nesh ishin motra beqare. Edhe pse kanë kaluar 37 vjet, ende kam kujtime të gjalla nga ata pesë muaj. Kishim kaq shumë për të mësuar, jo vetëm të vërteta biblike, por edhe sugjerime praktike e këshilla për jetën e ardhshme si misionare. Për shembull, mësova të ndiqja drejtimet që jepen, të isha e ekuilibruar për sa i përket modës dhe të ngulmoja, pavarësisht nga rrethanat e pafavorshme.

Prindërit gjithnjë na kishin theksuar të shkonim rregullisht në mbledhje. Nëse ndonjëri nga ne fëmijët ishte shumë i sëmurë dhe nuk shkonte dot në mbledhje të dielën, nuk mund të shërohej papritur për të ndjekur një koncert ose një shfaqje mbrëmjen vijuese. Megjithatë, për njëfarë kohe gjatë shkollës së Galaadit, nuk po i ndiqja të gjitha mbledhjet. Një të premte në mbrëmje, po përpiqesha të justifikohesha për mungesën time te Don dhe Dolores Adamsi, një çift bethelitësh që më merrnin me vete në makinë për në mbledhje. Sa shumë detyra shtëpie kisha, sa shumë raporte! Si t’ia bëja që të shkoja në Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe në Mbledhjen e Shërbimit?! Pasi arsyetoi pak me mua, vëlla Adamsi më tha: «Lëre ndërgjegjen tënde të të drejtojë.» Ndoqa këshillën e tij dhe vajta në mbledhje atë mbrëmje, e nuk mungova as mbrëmjet e tjera më pas. Gjatë viteve, përveç rrethanave të skajshme, nuk kam lejuar asgjë të më pengojë që të ndjek mbledhjet e krishtere.

Aty nga gjysma e shkollës, studentët filluan të flitnin për caktimet që do të merrnin. Gjithnjë kisha menduar se do të më caktonin në Guajanë, ku kishte shumë nevojë për ndihmë në veprën e predikimit. Sa u habita kur mora vesh se nuk do të kthehesha atje. Më kishin caktuar në Sierra-Leone, në Afrikën Perëndimore. Sa mirënjohëse isha ndaj Jehovait që m’u plotësua më në fund dëshira për të qenë misionare larg vendit tim!

Kaq shumë për të mësuar

Përshtypja e parë që pata për Sierra-Leonen mund të përshkruhet më së miri me një fjalë të vetme: «piktoresk». Është një vend me kodra e male të shumta, me tërë ato gjire dhe plazhe. Po gjithsesi, bukuria e vërtetë e këtij vendi të Afrikës Perëndimore janë banorët e tij, dashuria dhe mirësia e të cilëve i bën të huajt të ndihen si në shtëpinë e tyre. Kjo i ndihmon shumë misionarët e rinj që të mos vuajnë edhe aq nga nostalgjia për shtëpinë. Banorët e Sierra-Leones kanë shumë qejf të flasin për zakonet dhe për kulturën e tyre, e sidomos t’i ndihmojnë të sapoardhurit që të mësojnë gjuhën krio, gjuhën e përbashkët të vendit.

Ata që flasin krio kanë shumë proverba shprehëse. Për shembull, proverbi ‘majmuni punon, babuini ha’, do të thotë se ai që mbjell nuk është gjithnjë i njëjti që korr. Sa bukur i përshkruan ky proverb padrejtësitë që mbizotërojnë në botë!—Isaia 65:22.

Vepra e predikimit dhe e bërjes së dishepujve ishte shumë e këndshme. Rrallë gjeje ndonjë që nuk ishte i interesuar për Biblën. Gjatë viteve, misionarët dhe Dëshmitarët e tjerë me shumë përvojë kanë ndihmuar njerëzit e çdo shtrese shoqërore dhe origjine fisnore, të rinj e të moshuar qofshin, që të përqafojnë të vërtetën.

Erla St. Hilli, shoqja ime e parë misionare, ishte punëtore e palodhur. Zellit të saj për punët në shtëpinë misionare ia kalonte vetëm zelli për shërbimin. Ajo më ndihmoi të kuptoja rëndësinë e shumë gjërave, si për shembull të njihesha me fqinjët, të vizitoja Dëshmitarët dhe të interesuarit që ishin të sëmurë, si edhe të ndiqja funeralet, nëse nuk shkeleshin parimet biblike. Gjithashtu, më nguliti në mendje rëndësinë që të mos largohem kurrë nga territori pas shërbimit pa ndaluar, sikur edhe pak minuta, për të përshëndetur vëllezërit e motrat që jetojnë në atë zonë. Duke vepruar kështu, shumë shpejt fitova nëna, vëllezër, motra dhe miq, kështu që caktimi m’u bë shtëpia ime.—Marku 10:29, 30.

Lidha miqësi të forta edhe me misionare të tjera të shkëlqyera që shërbyen me mua. Ndër to ishin shoqja ime e dhomës Adna Bërdi, e cila shërbeu në Sierra-Leone nga viti 1978 deri në vitin 1981, dhe Sheril Fergusoni, e cila ka qenë shoqja ime e dhomës këto 24 vjet.

Lufta civile, pastaj sprova të tjera

Në vitin 1997, rreth një muaj pas kushtimit të ndërtesave të reja të degës në Sierra-Leone, lufta na detyroi të largoheshim nga vendi, siç përmenda në fillim. Gjashtë vjet më parë, na kishte lënë mbresa besimi i Dëshmitarëve liberianë që kishin ardhur në Sierra-Leone për t’i shpëtuar luftës në Liberi. Disa prej tyre s’kishin marrë asgjë me vete. Por pavarësisht nga situata e vështirë, dilnin në shërbim çdo ditë. Ishim prekur shumë duke parë dashurinë e tyre për Jehovain e për të tjerët.

Tani që ishim vetë refugjatë në Guine, ndoqëm shembullin e vëllezërve liberianë dhe vazhduam të besonim te Jehovai e të vinim në vend të parë Mbretërinë. Një vit më vonë, mundëm të ktheheshim në Sierra-Leone, por pas shtatë muajsh shpërthyen prapë luftimet dhe na u desh të iknim përsëri në Guine.

S’kaloi shumë dhe na erdhi lajmi se një nga grupet luftuese kishte zaptuar shtëpinë tonë misionare në Kisi dhe na kishin plaçkitur e shkatërruar gjithçka. Në vend që të na lëshonte zemra, falënderuam Jehovain që ishim gjallë. Na mbetën pak gjëra materiale, por bëmë si bëmë.

Pas ikjes së dytë, unë dhe shoqja ime, Sherili, qëndruam në Guine. Tani na duhej të mësonim frëngjisht. Disa nga misionarët e përdornin menjëherë atë që mësonin në frëngjisht, pa u merakosur shumë për gabimet që bënin. Kurse unë kisha shumë inat të flitja me gabime, prandaj e flitja frëngjishten vetëm kur ishte vërtet e nevojshme. Më dëshpëronte kjo gjë. Duhej t’i kujtoja vetes çdo ditë pse isha në Guine, domethënë për të ndihmuar të tjerët që të njihnin Jehovain.

Dalëngadalë përparova duke studiuar, duke dëgjuar ata që e flitnin mirë gjuhën dhe duke kërkuar ndihmë nga fëmijët në kongregacion, që flasin lirshëm dhe hapur. Pastaj, papritur, më erdhi ndihmë në kohën e duhur nga organizata e Jehovait. Që nga shtatori 2001, Shërbimi ynë i Mbretërisë ka pasur sugjerime për të prezantuar revistat, si edhe ide për t’u ofruar librat dhe broshurat njerëzve me bindje të ndryshme fetare. Tani ndihem më e sigurt kur dal në shërbim, edhe pse më mungon lirshmëria që kam kur shprehem në gjuhën time.

Me siguri, fakti që u rrita në një familje të madhe më ka ndihmuar të përshtatesha për të jetuar me shumë njerëz. Madje për njëfarë kohe ishim 17 veta në shtëpinë misionare. Gjatë 37 viteve si misionare, kam jetuar bashkë me më shumë se 100 misionarë të tjerë. Sa privilegj ka qenë të njoh kaq shumë njerëz me personalitete të ndryshme, por që punojnë të gjithë për të njëjtin synim! Dhe çfarë gëzimi të jem bashkëpunëtore e Perëndisë dhe të shoh njerëz që përqafojnë të vërtetën biblike!—1 Korintasve 3:9.

Gjatë kohës që kam shërbyer si misionare, kam humbur shumë ngjarje kryesore në jetën e familjarëve të mi. Për shembull nuk kam qenë në dasmat e shumicës së vëllezërve dhe të motrave më të vogla. Gjithashtu, nuk i kam parë aq shpesh sa do të doja nipërit dhe mbesat. Kjo ka qenë një sakrificë për mua e për familjarët e mi, që me altruizëm më kanë nxitur të vazhdoj në veprën misionare.

Megjithatë, çka humba në shtëpi, e kam gëzuar në momente të ndryshme në shërbimin misionar. Edhe pse zgjodha të rrija beqare, kam shumë fëmijë frymorë, jo vetëm ata me të cilët kam studiuar Biblën, por edhe të tjerë me të cilët kam krijuar miqësi. Për më tepër, kam parë fëmijët e tyre të rriten, të martohen e të rritin pastaj fëmijët e tyre në të vërtetën. Disa nga ata, ashtu si unë, kanë lejuar që vepra e bërjes së dishepujve t’u modelojë jetën.

[Shënimi]

^ par. 9 Mamaja shërbeu si pioniere për më tepër se 25 vjet, kurse babai u bë pionier ndihmës kur doli në pension.

[Hartat në faqen 15]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

U caktova në Sierra-Leone, në Afrikën Perëndimore

GUINE

SIERRA-LEONE

[Figura në faqen 13]

Dy motrat e mia. Së bashku kaluam shumë orë të këndshme me misionaret, në vitet 50

[Figura në faqen 14]

Me studentët e tjerë të klasës së 48-të të Galaadit

[Figura në faqen 16]

Kushtimi i ndërtesave të degës në Sierra-Leone