Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ju kujtohet?

A ju kujtohet?

A ju kujtohet?

A jeni kënaqur duke lexuar numrat e fundit të Kullës së Rojës? Atëherë, provoni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:

• Ç’mësojmë nga ilustrimi i Jezuit për njeriun këmbëngulës? (Luka 11:5-10)

Ky ilustrim tregon çfarë prirjeje duhet të kemi kur lutemi. Duhet të kërkojmë me ngulm, të vazhdojmë të kërkojmë, sidomos frymën e shenjtë të Perëndisë. (Luka 11:11-13)—15/12, faqet 20-22.

• Ç’mësim përmban për ne ilustrimi i Jezuit për një vejushë dhe një gjykatës? (Luka 18:1-8)

Ky ilustrim thekson nevojën për t’u lutur. Ndryshe nga gjykatësi i ilustrimit, Jehovai është i drejtë dhe dëshiron të na vijë në ndihmë. Për më tepër, duhet të kemi besim si ai që kishte vejusha në ilustrim.—15/12, faqet 26-28.

• Pse apostulli Pavël u tha të krishterëve korintas ‘të zgjeroheshin’? (2 Korintasve 6:11-13)

Me sa duket, disa të krishterë në Korint nuk kishin edhe aq çmueshmëri për bashkëbesimtarët, pasi ishin zemërngushtë dhe nuk ishin bujarë. Ne duhet të përpiqemi të kemi çmueshmëri të sinqertë për bashkëbesimtarët, madje duke vënë si synim të bëjmë miq të rinj.—1/1, faqet 9-11.

• Çfarë është vulosja që përmendet te Zbulesa 7:3?

Kur Perëndia i miros të krishterët me frymën e shenjtë, kjo përbën vulosjen fillestare. Por te Zbulesa 7:3 flitet për vulosjen përfundimtare, pasi të jetë vërtetuar se këta të mirosur e kanë treguar plotësisht besnikërinë e tyre.—1/1, faqet 30, 31.

• Ç’mund të mësojnë prindërit nga tregimi biblik për Samuelin?

Në radhë të parë, duhet t’u mësojnë fëmijëve të tyre fjalën e Perëndisë, siç ia mësuan Samuelit prindërit e tij. Veç kësaj, duhet t’i nxitin fëmijët që ta bëjnë shërbimin ndaj Jehovait karrierën e tyre.—15/1, faqja 16.

• Si e tregojmë se e presim të lumtur Jehovain?

Ne ‘presim ditën e Jehovait’, duke pritur me padurim çlirimin që do të vijë kur ai të shkatërrojë të gjithë njerëzit e paperëndishëm. (2 Pjetrit 3:7, 12) Por, ndonëse dëshiron shumë t’i japë fund ligësisë, Jehovai po tregon vetëpërmbajtje, që t’u sjellë shpëtimin të krishterëve në një mënyrë që do të lartësojë emrin e tij. Duhet të kemi besim se Jehovai e di kur është koha e duhur për të vepruar, e ndërkohë, duhet ta lavdërojmë në mënyrë aktive. (Psalmi 71:14, 15)—1/3, faqet 17, 18.

• A futi Noeja në arkë shtatë kafshë të pastra nga çdo lloj apo shtatë çifte kafshësh nga çdo lloj?

Noesë iu tha që nga çdo kafshë e pastër ‘të merrte shtatë nga çdo lloj’. (Zanafilla 7:1, 2) Në hebraisht, shprehja «shtatë» është fjalë për fjalë «shtatë shtatë». Kjo mënyrë të shprehuri nuk do të thotë shtatë çifte, siç e tregojnë përkthime të tjera të Biblës. Nga sa duket, Noeja mori shtatë nga çdo lloj, pra tri çifte dhe një kafshë të shtatë që mund ta përdorte më vonë si flijim. (Zanafilla 8:20)—15/3, faqja 31.

• Pse të krishterët duhet ‘të shqyrtojnë me kujdes’ rezultatin e besimit të pleqve, pra të atyre që marrin drejtimin?

Apostulli Pavël na fton ‘të shqyrtojmë’ ose të vërejmë me kujdes rezultatin e sjelljes besnike të pleqve, e të ndjekin këta shembuj besimi. (Hebrenjve 13:7) E bëjmë këtë sepse kështu na udhëzon Fjala e Perëndisë. Gjithashtu, na është mbushur mendja se pleqtë kanë për zemër interesat e Mbretërisë dhe mirëqenien tonë.—1/4, faqja 28.