Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshira e Adrianës

Dëshira e Adrianës

Dëshira e Adrianës

ADRIANA, një vajzë gjashtëvjeçare nga Tulsa e Oklahomës, SHBA, kishte një dëshirë. Ishte pak a shumë si dëshira e psalmistit David që tha: «Një gjë i kam kërkuar Jehovait dhe atë i kërkoj prapë: të banoj në shtëpinë e Jehovait gjatë gjithë jetës sime, që të shoh hijeshinë e Jehovait dhe të sodit me ëndje tempullin e tij.»—Psalmi 27:4.

Kur Adriana ishte vetëm gjashtëmuajshe, e diagnostikuan me neuroblastomë, një tumor femër që rritet në disa pjesë të sistemit nervor. Nga kjo sëmundje e rëndë, ajo mbeti e paralizuar në të dyja këmbët. Mjekët i bënë shumë ndërhyrje kirurgjike dhe një vit të tërë kimioterapi.

I ati i Adrianës, i cili nuk ka të njëjtat bindje fetare me Adrianën dhe me gruan e tij, kontaktoi një fondacion për t’u kërkuar që vajza e tij të vizitonte një park lojërash të famshëm. Para se të plotësonte këtë dëshirë, fondacioni e mori në intervistë Adrianën. Ajo i falënderoi që e morën parasysh, por u tha se i pëlqente më shumë të vizitonte Bethelin, qendrën e veprës mbarëbotërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Nju-Jork. Pasi mori vesh për kërkesën që i kishte bërë fondacionit babai i saj, Adriana iu lut Jehovait që t’i jepte një mundësi të vizitonte Bethelin. Meqë i ati nuk kundërshtoi, fondacioni ia plotësoi dëshirën asaj, edhe pse fillimisht kishin merak se mos Betheli nuk ishte një mjedis mjaft mikpritës për fëmijët.

Bashkë me mamanë, motrën dhe një shoqe, Adriana udhëtoi për në Nju-Jork dhe vizitoi Bethelin për herën e parë. «Jehovai iu përgjigj lutjeve të mia,—tha Adriana.—E dija se ai do të na mirëpriste në Bethel. Pashë si bëhen librat, revistat dhe Biblat. Është më mirë se parku i lojërave.»

Adriana vërtet ‘pa hijeshinë e Jehovait’ dhe soditi me ëndje punën në qendrën e veprimtarive të popullit të Jehovait sot. Edhe ju jeni të mirëpritur të vizitoni Bethelin. Përveç selisë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Nju-Jork, ka zyra degësh në vende të ndryshme të botës.