Invalid por i gatshëm për të shërbyer
Invalid por i gatshëm për të shërbyer
KUR e takon për herë të parë Leonardon, ndoshta nuk të shkon mendja se mund të punojë në ndërtim. Ai i ka humbur të dyja duart në një aksident që ka pasur më parë në punë. Por, pavarësisht nga ky gjymtim, Leonardoja po punonte pa u lodhur në një kantier ndërtimi në Akahutla, Salvador, siç mund ta shihni në fotografi.
Për të marrë pjesë në atë projekt ndërtimi, Leonardoja i sajoi vetë veglat që do të përdorte. Ai e fut parakrahun e djathtë në një këllëf metalik që është ngjitur te bishti i lopatës, dhe me mjeshtëri hedh dheun në një karrocë dore. Në vend të dorezave të karrocës së dorës, ai ka vënë unaza, me qëllim që ta shtyjë vetë karrocën. Po pse mori pjesë në këtë projekt?
Leonardoja donte të ndihmonte për ndërtimin e një Salle të Mbretërisë ose vendi adhurimi për kongregacionin e Dëshmitarëve të Jehovait në atë zonë. Mund të justifikohej, po të donte, sepse kishte shumë arsye për të mos marrë pjesë në ndërtim. Ai punonte tetë orë në ditë, ishte invalid dhe tashmë po shërbente në kongregacionin e tij si shërbëtor ndihmës. Megjithatë, donte të bënte gjithçka mundej për t’i shërbyer Perëndisë edhe në kantierin e ndërtimit.
A keni edhe ju të njëjtën frymë ndërsa i shërbeni Perëndisë? Në vend që ta përdorte si justifikim gjymtimin që kishte, Leonardoja përdori aftësitë e tij mendore për t’i sajuar vetë veglat e për të bërë një punë që përndryshe s’do ta bënte dot. Po i shërbente Perëndisë ‘me gjithë mendjen e tij’. (Mateu 22:37) Të gjymtuar ose jo, ata që marrin pjesë në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait anembanë botës, kanë një frymë vullnetare. Në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait, hyrja është e lirë dhe jeni të mirëpritur të vini.