Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jetojmë në një botë mizore

Jetojmë në një botë mizore

Jetojmë në një botë mizore

MARIA ishte 64 vjeçe dhe jetonte vetëm. E gjetën të vdekur në shtëpinë e saj. E kishin rrahur dhe pastaj e kishin mbytur me një kabllo.

Një turmë e inatosur rrahu tre policë, pasi i akuzoi se kishin rrëmbyer dy fëmijë. Dy prej policëve turma i spërkati me benzinë dhe u vuri flakën, kështu që vdiqën të shkrumbuar. I treti arriti t’ia mbathte.

Një telefonatë anonime çoi në një zbulim tronditës. Në kopshtin e një shtëpie u gjetën të varrosur kufomat e katër burrave që kishin qenë për pushime në atë zonë. Ishin me sy të fashuar dhe duarlidhur. Nga autopsia doli se i kishin varrosur të gjallë.

Këto mizori nuk janë skena nga ndonjë film horror, i dhunshëm e mizor. Janë që të gjitha histori të vërteta që jo shumë kohë më parë ishin në faqet e para të gazetave në një vend amerikano-latin. E megjithatë, ai nuk është i vetmi vend sot në botë ku ndodhin të tilla ngjarje.

Aktet mizore janë bërë të përditshme tani. Bombardimet, sulmet terroriste, vrasjet, mësymjet, shkëmbimet e zjarrit dhe përdhunimet përbëjnë veç një pjesë të këtyre incidenteve. Në lajme jepen përshkrime të hollësishme e të gjalla të mizorive, e shumë njerëz nuk tronditen më kur shohin ose dëgjojnë për mizori të tilla.

Është me vend të pyesim: ‘Ç’po ndodh me botën sot? A është zhdukur çdo konsideratë për ndjenjat e të tjerëve, si dhe respekti për jetën?’ Pse duhet të jetojmë në një botë të tillë?

Mendoni tani për Harin, një burrë 69-vjeçar që ka qenë me kancer. E shoqja vuan nga skleroza e shumëfishtë, por fqinjët dhe miqtë e tij janë gjithnjë të gatshëm t’i ndihmojnë. «Nuk e di si do t’ia bënim pa gjithë këta njerëz që na ndihmojnë»,—thotë Hari. Nga një studim që u bë në Kanada, ku jeton ai, doli se 50 për qind a më shumë e atyre që kujdesen për të moshuarit, ndihmojnë dikë që nuk e kanë farefis. Pa dyshim edhe ju njihni njerëz të zakonshëm që ditë për ditë tregojnë dashamirësi dhe janë fqinj të mirë. Pra, njerëzit e kanë aftësinë për të qenë të dhembshur e dashamirës, në vend që të jenë mizorë.

Po atëherë, pse ndodhin mizoritë? Çfarë i shtyn njerëzit të jenë mizorë? A mund të ndryshojnë njerëzit që i trajtojnë të tjerët me mizori? A do të marrin fund ndonjëherë mizoritë? Nëse po, si do të ndodhë kjo dhe kur?

[Burimi i figurës në faqen 3]

Treni: CORDON PRESS