Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur nuk del siç e prisnim

Kur nuk del siç e prisnim

Kur nuk del siç e prisnim

ZHGËNJIME mund të ketë në çdo martesë, edhe sikur gjatë periudhës së njohjes një burrë e një grua të dukeshin të përkryer për njëri-tjetrin. Po si ka mundësi që dy njerëz të cilët, para se të bënin betimin e martesës dukeshin sikur ishin bërë për njëri-tjetrin, dalin kaq të ndryshëm më pas?

Bibla thotë se ata që martohen do të kenë «dhembje e hidhërim». (1 Korintasve 7:28, The New English Bible) Shpesh, një pjesë e kësaj vjen nga papërsosmëria njerëzore. (Romakëve 3:23) Veç kësaj, njëri ose të dy bashkëshortët mund të mos jenë duke zbatuar parimet e Biblës. (Isaia 48:17, 18) Por, nganjëherë, burri ose gruaja presin gjëra jorealiste nga martesa. Në rast të tillë, keqkuptimet mund të çojnë në probleme të rënda.

Kur priten gjëra jorealiste

Nëse je i martuar ose e martuar, me siguri kur u martove prisje disa gjëra nga martesa, dhe kjo ndodh me shumicën e njerëzve. Ndalu një çast dhe mendo se çfarë lloj jete shpresoje të bëje. A të duket se martesa jote nuk është siç e kishe ëndërruar? Nëse po, mos nxirr përfundimin se problemet nuk mund të zgjidhen. Zbatimi i parimeve biblike mund të të ndihmojë t’i ndreqësh gjërat. * (2 Timoteut 3:16) Ndërkohë, do të ishte mirë t’i shqyrtoje edhe një herë disa nga gjërat që ndoshta prisje të realizoheshin në martesë.

Për shembull, disa kanë menduar se jeta martesore do të ishte gjithmonë romantike, siç përshkruhet në përralla. Ose ndoshta mendonin se do ta kalonin shumicën e kohës me bashkëshortin apo se çdo mosmarrëveshje do ta zgjidhnin me qetësi e pjekuri. Shumë veta mendonin se pas martesës nuk do të kishin më nevojë të ushtronin vetëkontroll për çështjet seksuale. Por, sado të zakonshme, të gjitha këto gjëra që priten janë disi jorealiste, prandaj me siguri disa veta do të zhgënjehen.—Zanafilla 3:16.

Një gjë tjetër jorealiste që presin shumë veta është që martesa në vetvete ta bëjë të lumtur dikë. Natyrisht, të kesh një shok ose shoqe jete mund të të sjellë shumë gëzim. (Proverbat 18:22; 31:10; Eklisiastiu 4:9) Por, a mund të presim që martesa të jetë një ilaç mrekullibërës për të gjitha mosmarrëveshjet? Ata që mendojnë kështu, zakonisht zgjohen nga këto mendime befas e të zhgënjyer.

Kur nuk e shpreh atë që pret

Jo të gjitha gjërat që presin njerëzit nga martesa janë jorealiste. Përkundrazi, disa dëshira janë më se të përshtatshme. Megjithatë, edhe nga këto dëshira mund të lindin probleme. Një këshilltar martesash komenton: «Shoh çifte që zemërohen me njëri-tjetrin, sepse njëri prej tyre pret t’i përmbushet një dëshirë, kurse tjetri as që e ka ditur ndonjëherë me qartësi këtë dëshirë.» Për të kuptuar si mund të ndodhë kjo, shqyrtoni situatën e mëposhtme imagjinare.

Migena martohet me Denisin, i cili jeton shumë larg qytetit të saj. Para se të martoheshin, Migena e kuptonte se do ta kishte të vështirë të shkonte të banonte në një zonë të re, sidomos për shkak të natyrës së saj të ndrojtur. Megjithatë, ishte e sigurt se Denisi do ta ndihmonte të mësohej me atë mjedis. Për shembull, Migena priste që Denisi t’i qëndronte pranë dhe ta ndihmonte të njihej me miqtë e tij. Por kjo nuk po ndodh. Denisi zhytet në biseda me miqtë e tij të shumtë dhe e lë vetëm Migenën, që është e sapoardhur në rrethin e miqve. Ajo ndihet e lënë pas dore, madje disi e braktisur. Pyet veten: ‘Po si vallë është kaq i pandjeshëm Denisi?’

A është jorealiste ajo që pret Migena? Në të vërtetë, jo. Ajo thjesht dëshiron që i shoqi ta ndihmojë të mësohet me mjedisin e ri. Migena është e ndrojtur dhe i duket gjë e madhe të takojë kaq shumë njerëz të panjohur. Por problemi është se ajo nuk ia ka treguar kurrë ndjenjat e saj Denisit. Kështu që ai s’e ka idenë se çfarë po kalon ajo. Ç’do të ndodhë nëse vazhdon kjo gjendje? Migena mund të grumbullojë inat dhe, me kalimin e kohës, të mendojë se i shoqi as do t’ia dijë fare se si ndihet ajo.

Ndoshta edhe ti je ndier i zhgënjyer dhe i mërzitur kur të është dukur sikur bashkëshorti është indiferent ndaj nevojave të tua. Ç’mund të bësh në një rast të tillë?

Diskutoje çështjen

Kur nuk të realizohen gjërat që pret, mund të biesh në dëshpërim. (Proverbat 13:12) Gjithsesi, situata nuk është e pandreqshme. «Mund t’i bindni të tjerët, nëse jeni të mençur dhe flitni me arsye»,—thotë një proverb biblik. (Proverbat 16:23, Contemporary English Version) Pra, nëse mendon se ajo që pret është e arsyeshme, por nuk po realizohet, diskutoje çështjen me bashkëshortin.

Përpiqu të gjesh kohën, vendin dhe fjalët e duhura për t’ia shprehur shqetësimet e tua. (Proverbat 25:11) Fol me qetësi e me respekt. Mbaj në mend pikësynimin tënd: jo ta akuzosh bashkëshortin, por ta vësh në dijeni për gjërat që pret dhe për ndjenjat e tua.—Proverbat 15:1.

Po, fundja, pse duhet ta bësh këtë? A nuk duhet të arrijë një bashkëshort i kujdesshëm t’i kuptojë vetë nevojat e tua? Ndoshta bashkëshorti thjesht i sheh gjërat nga një këndvështrim tjetër, megjithatë me kënaqësi do t’i merrte parasysh nevojat e tua, nëse do t’ia shpjegoje. Të shprehësh se çfarë dëshiron ose çfarë nevoje ke nuk tregon se martesa është e dobët dhe as që bashkëshorti është indiferent.

Prandaj mos ngurro t’i diskutosh gjërat me bashkëshortin. Për shembull, në situatën e përshkruar më sipër, Migena mund t’i thoshte Denisit: «Duhet ta pranoj se e kam pak të vështirë të takoj kaq shumë njerëz të panjohur. Derisa të ndihem më rehat, a mund të më ndihmosh që t’i njoh ata?»

«I shpejtë në të dëgjuar»

Tani shqyrtoje çështjen nga një prizëm tjetër. Ta zëmë se të afrohet ty bashkëshorti, që është mërzitur, sepse ti s’po përmbush një gjë të arsyeshme që pret ai ose ajo. Nëse ndodh një gjë e tillë, dëgjoje bashkëshortin! Përpiqu të mos kalosh menjëherë në mbrojtje. Në vend të kësaj, ‘ji i shpejtë në të dëgjuar, mos u nxito në të folur e mos u zemëro shpejt’. (Jakovi 1:19; Proverbat 18:13) Apostulli Pavël i nxiti të krishterët: «Secili le të vazhdojë të kërkojë jo përfitimin e vet, por atë të tjetrit.»—1 Korintasve 10:24.

Këtë mund ta bësh duke e vënë veten në vend të bashkëshortit. Bibla thotë: «Ju burra, vazhdoni të banoni në mënyrë të ngjashme me [gratë tuaja] sipas njohurisë», ose siç e përkthen versioni i Xh. B. Filipsit, «ju burra duhet të përpiqeni ta kuptoni gruan me të cilën jetoni». (1 Pjetrit 3:7) Natyrisht, edhe gratë duhet të bëjnë të njëjtën përpjekje për të kuptuar burrat e tyre.

Mos harro se, sado të përputheni me njëri-tjetrin, nuk keni të njëjtën pikëpamje për çdo gjë. (Shih kutinë «Peizazh i njëjtë, këndvështrime të ndryshme».) Në të vërtetë kjo është gjë e mirë, sepse është mirë t’i shqyrtosh gjërat nga këndvështrimi i një tjetri. Si ti, edhe bashkëshorti, e keni nisur martesën duke pritur gjëra të ndryshme, në bazë të prejardhjes familjare, kulturës e gjërave të tilla. Si pasojë, mund të jeni shumë të dashuruar, e megjithatë të mos pritni të njëjtat gjëra nga martesa.

Për shembull, bashkëshortët e krishterë e njohin mirë parimin biblik të kryesisë. (Efesianëve 5:22, 23) Por, si do të ushtrohet në mënyrë specifike kryesia në familjen tuaj dhe si do të tregohet nënshtrimi? A po udhëhiqeni të dy nga ky parim biblik dhe a po bëni përpjekje të sinqerta për ta ndjekur?

Mund të keni ide të ndryshme edhe për çështje të tjera të jetës së përditshme. Si do t’i ndani punët e shtëpisë? Kur do të shkoni nga të afërmit dhe sa kohë do të kaloni me ta? Si do ta tregojnë bashkëshortët e krishterë se po vënë në vend të parë në jetë interesat e Mbretërisë? (Mateu 6:33) Pastaj, kur bëhet fjalë për anën financiare, është e lehtë të hysh në borxh, prandaj e mira është të jeni kursimtarë dhe nikoqirë. Por, çfarë do të thotë me saktësi të jesh kursimtar e nikoqir? Çështje si këto duhen diskutuar hapur e me respekt, sepse kështu do të nxirrni shumë dobi.

Këto diskutime mund t’ju ndihmojnë të keni më shumë paqe në martesë, edhe sikur të mos jenë realizuar deri tani disa nga gjërat që prisnit. Po, do të arrini ta zbatoni më mirë këshillën e apostullit Pavël: «Vazhdoni të duroni dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri.»—Kolosianëve 3:13.

[Shënimi]

^ par. 5 Shumë këshilla të mira për çiftet gjenden në librin Sekreti i lumturisë familjare, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Kutia dhe figura në faqen 10]

PEIZAZH I NJËJTË, KËNDVËSHTRIME TË NDRYSHME

«Përfytyroni një grup turistësh që po sheh një peizazh shumë të bukur. Edhe pse i gjithë grupi po sheh të njëjtin peizazh, secili e sheh ndryshe. Pse? Sepse çdo individ e sheh nga një këndvështrim i ndryshëm. Nuk mund të ketë dy njerëz që po qëndrojnë tamam në të njëjtin vend. Për më tepër, jo çdokush përqendrohet në të njëjtën pjesë të peizazhit. Secilit i duket më tërheqës një aspekt i ndryshëm. E njëjta gjë ndodh në martesë. Edhe kur dy bashkëshortë përshtaten shumë mirë me njëri-tjetrin, prapë nuk kanë saktësisht të njëjtin këndvështrim për gjërat. . . . Të komunikosh përfshin të përpiqesh t’i shkrish këto dallime, që të kesh një marrëdhënie të harmonishme, si një mish i vetëm. Kjo kërkon që bashkëshortët të lënë kohë për të folur me njëri-tjetrin.»​—Kulla e Rojës, 1 gusht 1993, faqja 4, anglisht.

[Kutia në faqen 11]

Ç’TË BËSH TANI?

• Shqyrtoji edhe një herë gjërat që pret. A janë realiste? A po pret nga bashkëshorti më shumë se ç’është e arsyeshme?—Filipianëve 2:4; 4:5.

• Përpiqu t’i ndryshosh ato dëshira që janë jorealiste. Për shembull, në vend që të thuash «Ne do të jemi gjithmonë dakord», vendos që të punosh për t’i zgjidhur paqësisht mosmarrëveshjet.—Efesianëve 4:32.

• Diskuto për gjërat që pret. Të bisedoni së bashku për atë që mendoni është kryesore për të mësuar si të shfaqni dashuri dhe respekt për tjetrin.—Efesianëve 5:33.

[Figura në faqen 9]

Jini ‘të shpejtë për të dëgjuar’ shqetësimet e njëri-tjetrit