Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Le të ndërtohet kongregacioni!

Le të ndërtohet kongregacioni!

Le të ndërtohet kongregacioni!

«Kongregacioni . . . hyri vërtet në një periudhë paqeje dhe ndërtohej.»—VEPRAT 9:31.

1. Cilat pyetje mund të lindin për «kongregacionin e Perëndisë»?

NË FESTËN e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s., Jehovai pranoi një grup dishepujsh të Krishtit si një komb të ri, «Izraelin e Perëndisë». (Galatasve 6:16) Këta të krishterë të mirosur me frymën e shenjtë u bënë edhe ‘kongregacioni i Perëndisë’, siç i quan Bibla. (1 Korintasve 11:22) Por, çfarë përfshinte kjo? Si do të organizohej ‘kongregacioni i Perëndisë’? Si do të funksiononte këtu në tokë, kudo që të jetonin pjesëtarët e tij? Si ndikon kjo në jetën dhe në lumturinë tonë?

2, 3. Si e tregoi Jezui se kongregacioni do të ishte i organizuar?

2 Siç e pamë në artikullin e mëparshëm, Jezui paratha se do të ekzistonte ky kongregacion me ithtarë të mirosur. Ai i tha apostullit Pjetër: «Mbi këtë shkëmb [Jezu Krishtin] unë do të ndërtoj kongregacionin tim dhe portat e Hadesit nuk do të ngadhënjejnë mbi të.» (Mateu 16:18) Gjithashtu, kur ishte ende me apostujt, Jezui dha udhëzime lidhur me funksionimin dhe organizimin e kongregacionit që do të formohej së shpejti.

3 Me fjalë e me vepra, Jezui u mësoi dishepujve se disa veta në kongregacion do të merrnin drejtimin. Këtë do ta bënin duke u shërbyer të tjerëve në grupin ku ishin. Krishti tha: «Ju e dini se ata që konsiderohen si sundimtarë të kombeve, sillen si zotër me to dhe të mëdhenjtë e tyre ushtrojnë autoritet mbi to. Mes jush nuk është kështu. Kushdo që dëshiron të bëhet i madh ndër ju, të jetë shërbëtori juaj, dhe kushdo që dëshiron të jetë i pari ndër ju, të jetë skllavi i të gjithëve.» (Marku 10:42-44) Është e qartë se ‘kongregacioni i Perëndisë’ nuk do të përbëhej thjesht nga individë të shpërndarë andej-këtej e të izoluar, që do të formonin një kongregacion të patrajtë. Jo, do të kishte një organizim dhe individët brenda kongregacionit do të bashkëvepronin.

4, 5. Si e dimë se kongregacioni do të kishte nevojë për arsimim frymor?

4 Jezui, që do të ishte Kreu i atij ‘kongregacioni të Perëndisë’, tregoi se apostujt dhe të tjerë që kishin mësuar prej tij, do të kishin përgjegjësi specifike ndaj pjesës tjetër të kongregacionit. Po për çfarë? Një caktim kryesor do të ishte t’u jepnin arsimim frymor pjesëtarëve të kongregacionit. Sillni ndër mend që Jezui i ringjallur, në prani të disa apostujve të tjerë, i tha Pjetrit: «Simon, bir i Gjonit, a më do mua?» Pjetri u përgjigj: «Po, Zotëri, ti e di se unë të kam për zemër.» Atëherë Jezui i tha: «Ushqeji qengjat e mi. . . . Kulloti delet e mia të vogla. . . . Ushqeji delet e mia të vogla.» (Gjoni 21:15-17) Sa i rëndësishëm ky caktim!

5 Nga fjalët e Jezuit, kuptojmë se ata që mblidhen në kongregacion janë krahasuar me delet në një vathë. Këto dele, pra të krishterë burra, gra dhe fëmijë, do të kishin nevojë për ushqim frymor dhe për kullotjen e duhur. Për më tepër, meqë Jezui i urdhëroi të gjithë ithtarët e tij që të mësonin të tjerët dhe të bënin dishepuj, ata që bëheshin dele të tij do të kishin nevojë për stërvitje që të dinin si ta përmbushnin atë urdhër hyjnor.—Mateu 28:19, 20.

6. Çfarë organizimi u bë në ‘kongregacionin e Perëndisë’ që sapo ishte formuar?

6 Pasi u formua ‘kongregacioni i Perëndisë’, pjesëtarët e tij mblidheshin rregullisht për t’u mësuar dhe për të inkurajuar njëri-tjetrin: «Ata i kushtoheshin mësimit të apostujve, ndanin me njëri-tjetrin, hanin dhe luteshin.» (Veprat 2:42, 46, 47) Një hollësi tjetër që del në pah në këtë tregim, është se u caktuan disa burra të kualifikuar për të ndihmuar në gjëra praktike. Ata nuk u zgjodhën sepse ishin shumë të arsimuar dhe as për aftësitë teknike, por sepse ishin burra «plot frymë dhe mençuri». Njëri prej tyre ishte Stefani, dhe tregimi thekson se ishte «njeri plot besim dhe frymë të shenjtë». Falë këtij organizimi të kongregacioneve, «fjala e Perëndisë përhapej, dhe numri i dishepujve në Jerusalem shtohej gjithnjë e më shumë».—Veprat 6:1-7.

Burra në shërbim të Perëndisë

7, 8. (a) Në cilin rol shërbenin apostujt dhe pleqtë në Jerusalem, për dobinë e të krishterëve të hershëm? (b) Çfarë erdhi si rezultat kur u përcollën udhëzimet nëpërmjet kongregacioneve?

7 Është e qartë se apostujt merrnin drejtimin në kongregacionin e hershëm, por nuk ishin të vetmit. Në një rast, Pavli dhe shokët e tij u kthyen në Antiokinë e Sirisë. Te Veprat 14:27 lexojmë: «Kur mbërritën, mblodhën kongregacionin dhe u treguan të gjitha ato që kishte bërë Perëndia nëpërmjet tyre.» Kur ishin ende në atë kongregacion, lindi çështja nëse duhej të rrethpriteshin besimtarët johebrenj. Për të zgjidhur këtë çështje, ata dërguan Pavlin dhe Barnabën «tek apostujt dhe pleqtë në Jerusalem» që natyrisht shërbenin si trup udhëheqës.—Veprat 15:1-3.

8 Kur «apostujt dhe pleqtë u mblodhën së bashku për ta parë këtë çështje», mbledhjen e drejtoi Jakovi, një plak i krishterë që ishte vëlla i Jezuit nga nëna, por jo apostull. (Veprat 15:6) Pasi e diskutuan dhe e shqyrtuan me kujdes çështjen, si dhe me ndihmën e frymës së shenjtë, ata nxorën një përfundim në përputhje me Shkrimet. Këtë ua dërguan me shkrim kongregacioneve vendëse. (Veprat 15:22-32) Ata që morën këtë informacion, e pranuan dhe e zbatuan. Me çfarë rezultati? Vëllezërit e motrat u ndërtuan dhe u inkurajuan. Në Bibël thuhet: «Si pasojë, kongregacionet bëheshin të patundura në besim dhe rriteshin ditë për ditë.»—Veprat 16:5.

9. Çfarë përgjegjësish janë parashtruar në Bibël për burrat e krishterë të kualifikuar?

9 Por, si do të funksionin normalisht kongregacionet? Le të marrim si shembull kongregacionet që ndodheshin në ishullin e Kretës. Edhe pse shumë njerëz që jetonin atje kishin nam të keq, disa prej tyre ndryshuan dhe u bënë të krishterë të vërtetë. (Titit 1:10-12; 2:2, 3) Jetonin në qytete të ndryshme dhe ishin shumë larg trupit udhëheqës në Jerusalem. Por ky nuk përbënte një problem të madh, sepse në secilin kongregacion të Kretës, si edhe kudo tjetër, u emëruan «pleq» frymorë, pra burra që kishin përvojë në shërbimin besnik të Jehovait. Këta burra plotësonin kërkesat që janë shkruar në Bibël për kualifikimin e tyre. Ata u emëruan pleq ose mbikëqyrës e mund ‘të nxitnin me anë të mësimit të shëndoshë dhe të qortonin ata që i kundërviheshin këtij mësimi’. (Titit 1:5-9; 1 Timoteut 3:1-7) Burra të tjerë të pjekur frymësisht u kualifikuan për t’i ndihmuar kongregacionet si shërbëtorë ndihmës.—1 Timoteut 3:8-10, 12, 13.

10. Si duheshin zgjidhur problemet serioze, sipas Mateut 18:15-17?

10 Jezui e përmendi se do të ekzistonte një organizim i tillë. Kujtoni tregimin e Mateut 18:15-17, ku ai theksoi se disa herë mund të lindin probleme mes dy shërbëtorëve të Perëndisë, kur njëri mëkaton kundër tjetrit. I dëmtuari mund të shkonte tek ai që e kishte dëmtuar dhe, ndërsa ishin vetëm për vetëm, ‘t’i tregonte hapur ku kishte gabuar’. Nëse problemi nuk zgjidhej me kaq, mund të thirreshin për ndihmë një a dy të tjerë që i njihnin faktet. Po nëse çështja ende nuk zgjidhej? Jezui tha: «Nëse nuk i dëgjon edhe ata, fol me kongregacionin. Në qoftë se nuk e dëgjon as kongregacionin, le të jetë për ty tamam si një njeri nga bota dhe si një taksambledhës.» Kur Jezui tha këto fjalë, judenjtë ende ishin «kongregacioni i Perëndisë», prandaj fillimisht fjalët zbatoheshin për ta. * Por, pasi u themelua kongregacioni i krishterë, udhëzimi i Jezuit zbatohej për këtë kongregacion. Ja një provë tjetër se populli i Perëndisë do të kishte kongregacione të organizuara, ku çdo i krishterë do të ndërtohej e do të merrte udhëheqje.

11. Ç’rol do të luanin pleqtë për zgjidhjen e problemeve?

11 Në mënyrë të përshtatshme, pleqtë ose mbikëqyrësit do të përfaqësonin kongregacionin e tyre ndërsa shqyrtonin ose zgjidhnin problemet, a kur trajtonin rastet e keqbërjeve. Kjo është në përputhje me kërkesat për kualifikimin e pleqve, që përmenden te Titit 1:9. Qartë, pleqtë e kongregacionit ishin njerëz të papërsosur, siç ishte edhe Titi, të cilin Pavli e dërgoi nëpër kongregacione që ‘të ndreqte gjërat me të meta’. (Titit 1:4, 5) Sot, ata që merren në shqyrtim për t’u emëruar si pleq, duhet ta kenë treguar me prova besimin dhe përkushtimin e tyre gjatë kohës. Prandaj, të tjerët në kongregacion kanë arsye për t’i besuar drejtimit që sigurohet me anë të këtij rregulli.

12. Ç’përgjegjësi kanë pleqtë ndaj kongregacionit?

12 Pavli u tha pleqve në kongregacionin e Efesit: «Kushtojini vëmendje vetes dhe gjithë kopesë, mes së cilës fryma e shenjtë ju emëroi mbikëqyrës, që të kullotni kongregacionin e Perëndisë, të cilin ai e bleu me gjakun e Birit të vet.» (Veprat 20:28) Edhe sot, mbikëqyrësit e kongregacionit emërohen që ‘të kullotin kongregacionin e Perëndisë’. Këtë duhet ta bëjnë me dashuri, jo duke u sjellë si zotër me kopenë. (1 Pjetrit 5:2, 3) Mbikëqyrësit duhet të përpiqen të ndërtojnë dhe të ndihmojnë ‘gjithë kopenë’.

Të qëndrojmë pranë kongregacionit

13. Çfarë mund të ndodhë nganjëherë në një kongregacion dhe përse?

13 Pleqtë dhe gjithë pjesëtarët e tjerë të kongregacionit janë të papërsosur, prandaj hera-herës lindin keqkuptime ose probleme, siç ndodhte në shekullin e parë, kur jetonin ende disa nga apostujt. (Filipianëve 4:2, 3) Një mbikëqyrës ose dikush tjetër mund të thotë diçka që duket e ashpër, e vrazhdë ose jo njëqind për qind e vërtetë. Ose mund të mendojmë se po ndodh diçka në kundërshtim me Shkrimet, por na duket sikur pleqtë, edhe pse e dinë, nuk e ndreqin situatën. Natyrisht, ka mundësi që çështja është zgjidhur ose po zgjidhet sipas Shkrimeve dhe në përputhje me fakte që ne nuk i dimë. Por, edhe sikur situata të jetë ashtu si e mendojmë ne, të shqyrtojmë sa vijon: në kongregacionin e Korintit, kongregacion për të cilin Jehovai interesohej, për njëfarë kohe ekzistonte një mëkat i rëndë. Me kalimin e kohës, Jehovai u sigurua që kjo çështje të ndreqej, me drejtësi dhe me vendosmëri. (1 Korintasve 5:1, 5, 9-11) Mund të pyesim veten: ‘Po të jetoja në atë kohë në Korint, si do të kisha reaguar derisa të zgjidhej çështja?’

14, 15. Pse disa veta nuk e ndoqën më Jezuin dhe ç’mësim mund të nxjerrim?

14 Shqyrtoni edhe diçka tjetër që mund të ndodhë në kongregacion. Ta zëmë se dikush e ka të vështirë të kuptojë e të pranojë një mësim biblik. Ndoshta ka bërë kërkime në Bibël e në botimet që janë siguruar nëpërmjet kongregacionit, dhe ka kërkuar ndihmë nga të krishterët e tjerë të pjekur, madje edhe nga pleqtë. Por prapë e ka të vështirë ta kuptojë ose ta pranojë atë mësim. Ç’mund të bëjë? Diçka e ngjashme ndodhi rreth një vit para se të vdiste Jezui. Ai tha se ishte «buka e jetës» dhe se një njeri që donte të jetonte përgjithmonë, duhej ‘të hante mishin e Birit të njeriut dhe të pinte gjakun e tij’. Kjo tronditi disa nga dishepujt e tij. Në vend që të kërkonin shpjegim ose thjesht të prisnin me besim, shumë dishepuj «nuk ecën më me [Jezuin]». (Gjoni 6:35, 41-66) Përsëri, ç’do të bëje ti po të ishe atje?

15 Në kohët e sotme, disa kanë ndërprerë shoqërimin me kongregacionin e tyre, duke menduar se do t’i shërbejnë vetë Perëndisë. Ndoshta thonë se e kanë bërë këtë sepse janë fyer nga diçka, sepse mendojnë që një mëkat nuk po ndreqet a sepse nuk pranojnë dot njëfarë mësimi. Por, a është e arsyeshme mënyra si veprojnë? Vërtet që çdo i krishterë duhet të ketë një marrëdhënie personale me Perëndinë, por ama s’e mohojmë dot që ai po përdor një kongregacion mbarëbotëror, siç bënte edhe në ditët e apostujve. Për më tepër, Jehovai i përdori dhe i bekoi kongregacionet në shekullin e parë, duke dhënë pleq e shërbëtorë ndihmës të kualifikuar që të shërbenin për dobinë e kongregacioneve. Kështu ndodh edhe sot.

16. Për çfarë duhet të mendojë një njeri, nëse tundohet të largohet nga kongregacioni?

16 Një i krishterë që mendon se mund të mbështetet vetëm në marrëdhënien që ka me Perëndinë, në të vërtetë po i kthen shpinën një mase që ka vendosur Perëndia—kongregacionit mbarëbotëror dhe kongregacionit vendës me shërbëtorë të Perëndisë. Ai mund të vazhdojë të adhurojë individualisht ose të shoqërohet vetëm me nja dy të tjerë, por ama si do të nxirrte dobi nga rregulli për të pasur pleq kongregacioni dhe shërbëtorë ndihmës? Është domethënëse që, kur Pavli i shkroi kongregacionit në Kolose dhe udhëzoi që letra të lexohej edhe në Laodice, foli për ‘rrënjosjen dhe ndërtimin në [Krishtin]’. Nga kjo do të nxirrnin dobi ata që ishin në kongregacione, jo individët që ndaheshin prej kongregacionit.—Kolosianëve 2:6, 7; 4:16.

Shtylla dhe mbështetja e së vërtetës

17. Çfarë tregon 1 Timoteut 3:15 për kongregacionin?

17 Në letrën e parë që i drejtoi plakut të krishterë Timote, apostulli Pavël renditi kërkesat për ata që do të kualifikoheshin si pleq dhe shërbëtorë ndihmës nëpër kongregacione. Menjëherë pas kësaj, Pavli përmendi ‘kongregacionin e Perëndisë së gjallë’ dhe tha që është «shtylla dhe mbështetja e së vërtetës». (1 Timoteut 3:15) I gjithë kongregacioni i të krishterëve të mirosur patjetër që ishte një shtyllë e tillë në shekullin e parë. Dhe nuk ka dyshim se mënyra kryesore si e merrnin të krishterët këtë të vërtetë ishte nëpërmjet kongregacionit ku bënin pjesë. Atje mund të dëgjonin të mësohej dhe të mbështetej e vërteta, atje mund të ndërtoheshin.

18. Pse janë thelbësore mbledhjet e kongregacionit?

18 Po kështu, kongregacioni i krishterë mbarëbotëror është shtëpia e Perëndisë, «shtylla dhe mbrojtja e së vërtetës». Mënyra kryesore për t’u ndërtuar, për të forcuar marrëdhënien tonë me Perëndinë e për t’u përgatitur që të bëjmë vullnetin e tij është duke qenë të pranishëm rregullisht në mbledhjet e kongregacionit tonë e duke marrë pjesë në to. Kur po i shkruante kongregacionit që gjendej në Korint, Pavli u përqendrua te gjërat që thuheshin në ato mbledhje. Ai shkroi se dëshironte që në mbledhjet e tyre gjërat të thuheshin me qartësi e të ishin të kuptueshme, kështu që të pranishmit ‘të ndërtoheshin’. (1 Korintasve 14:12, 17-19) Sot edhe ne mund të ndërtohemi, nëse pranojmë që kongregacionet janë një masë që e ka autorizuar e që po e mbështet Perëndia Jehova.

19. Pse ndiheni borxhlinj ndaj kongregacionit tuaj?

19 Po, nëse duam të ndërtohemi si të krishterë, atëherë vendi ynë është brenda kongregacionit. Për shumë kohë kongregacioni ka qenë një mbrojtje kundër mësimeve të rreme dhe Perëndia e ka përdorur që lajmi i mirë për Mbretërinë e tij mesianike të predikohet në të gjithë tokën. S’ka dyshim se Perëndia ka realizuar shumë gjëra me anë të kongregacionit të krishterë.—Efesianëve 3:9, 10.

[Shënimi]

^ par. 10 Studiuesi biblik Albert Barnz komentoi se udhëzimi i Jezuit «fol me kongregacionin» mund të nënkuptojë «ata që janë të autorizuar për të gjykuar çështje të tilla, domethënë përfaqësuesit e kishës. Në sinagogën judaike kishte pleq që shërbenin si gjykatës, para të cilëve paraqiteshin për t’u gjykuar çështje të këtij lloji».

A ju kujtohet?

• Pse duhet të presim që Perëndia të përdorë kongregacionet në tokë?

• Çfarë bëjnë pleqtë për kongregacionin, edhe pse janë të papërsosur?

• Si po ndërtoheni nga kongregacioni juaj?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 26]

Apostujt dhe pleqtë në Jerusalem shërbenin si trup udhëheqës

[Figura në faqen 28]

Pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës marrin udhëzime se si t’i përmbushin përgjegjësitë e tyre ndaj kongregacionit