Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një fushë ‘e bardhë për korrje’

Një fushë ‘e bardhë për korrje’

Një fushë ‘e bardhë për korrje’

Në cepin verior të Amerikës së Jugut, ndodhet gadishulli Guahira. Një pjesë e tij bie në Kolumbinë Veriore dhe pjesa tjetër në Venezuelën Veriperëndimore. Dielli përvëlues dhe reshjet e pakta janë mallkim për këtë vend që është gjysmë shkretëtirë, ku temperaturat arrijnë deri në 43 gradë celsius. Por, pavarësisht nga moti, njerëzit këtu merren me bujqësi dhe kanë plot punë e rendiment. Flladet e vazhdueshme oqeanike dhe erërat alize që fryjnë nga verilindja, e bëjnë të durueshme jetën dhe u japin mundësi vizitorëve të kënaqen me peizazhet mahnitëse dhe me bregdetet e bukura.

MIRË SE ERDHËT në vendin e indianëve uaju! Përafërsisht ka 305.000 indianë uaju, 135.000 prej të cilëve jetojnë në Kolumbi. Ky fis ka jetuar këtu shumë kohë para kolonizimit spanjoll.

Për të siguruar jetesën, indianët uaju merren kryesisht me blegtori e me bujqësi. Merren edhe me peshkim e me tregti me vendet fqinje. Gratë endin me mjeshtëri pëlhura me ngjyra të gjalla, të cilat turistët i pëlqejnë shumë.

Indianët uaju janë të famshëm për sinqeritetin dhe për mikpritjen e tyre. Megjithatë, edhe ata po jetojnë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Timoteut 3:1) Varfëria është një ndër problemet kryesore, që çon pastaj në probleme të tjera si: analfabetizmi, kequshqyerja e fëmijëve, mungesa e kujdesit mjekësor dhe, në disa zona, kriminaliteti.

Për vite të tëra, kishat e krishterimit kanë dërguar misionarë që të jetojnë mes indianëve uaju. Rrjedhimisht, shumica e shkollave pedagogjike dhe e shkollave me konvikt janë nën kontrollin e kishës. Shumë indianë uaju kanë pranuar zakonet «e krishtere», si adhurimin e ikonave dhe pagëzimin e foshnjave, por nuk i kanë braktisur bindjet dhe ritet e rrënjosura në mitologjinë e tyre tradicionale dhe në besëtytnitë.

Në përgjithësi, indianët uaju janë njerëz me frikë Perëndie dhe u përgjigjen mirë të vërtetave biblike që u mësojnë Dëshmitarët e Jehovait. Në fillim të viteve 80 të shekullit të kaluar, në Guahira kishte vetëm shtatë Dëshmitarë uaju, tre nga të cilët jetonin në Rioaçë, që është kryeqyteti. Përveç Dëshmitarëve indianë, kishte edhe 20 lajmëtarë të tjerë që predikonin në spanjisht lajmin e mirë për Mbretërinë.

Mesazhi në gjuhën amtare

Pjesa më e madhe e indianëve uaju që jetojnë në Rioaçë flasin nga pak edhe spanjisht, përveç gjuhës amtare, uajunaikit. Fillimisht, nuk kishte shumë sukses në predikimin e mesazhit të Mbretërisë. Dukej sikur vendësit i shmangnin arihunasit, siç i quajnë ata njerëzit e racave të tjera. Kur u shkonin në shtëpi Dëshmitarët, shumica e uajuve u përgjigjej në gjuhën amtare, jo në spanjisht. Kështu që Dëshmitarët thjesht kalonin te shtëpia tjetër.

Por, aty nga fundi i vitit 1994, zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait kishte caktuar në kongregacionin e Rioaçës një grup pionierësh specialë ose mësues të Biblës në kohë të plotë. Pionierët i kërkuan një Dëshmitari uaju t’u mësonte gjuhën uajunaiki. Pasi mësuan përmendësh disa prezantime të thjeshta, këta shkuan në territor dhe menjëherë vunë re një ndryshim të madh në reagimin e njerëzve. Edhe pse pionierët e flitnin çalë-çalë uajunaikin, të zotët e shtëpive habiteshin, por edhe kënaqeshin dhe ishin të gatshëm të dëgjonin, disa herë duke vazhduar një bisedë të gjallë në spanjishten e paktë që dinin vetë!

‘E bardhë për korrje’

Apostulli Pavël e krahasoi veprën e krishterë të bërjes së dishepujve me punimin e një are ose fushe, krahasim që indianët uaju, të cilët janë bujq, e kuptojnë mirë. (1 Korintasve 3:5-9) Në kuptimin e figurshëm, fusha e indianëve uaju është vërtet ‘e bardhë për korrje’.—Gjoni 4:35.

Nili, një indian uaju që jetonte në Manaure, vuante nga një defekt i lindur. Për këtë bënte me faj Perëndinë dhe ishte aq i dëshpëruar, sa ishte orvatur të vriste veten. Një Dëshmitar që përfitonte nga rasti për të predikuar shtëpi më shtëpi ndërsa vizitonte qytete të ndryshme për punë pune, i foli Nilit për Mbretërinë e Jehovait. Nili ishte vetëm 14 vjeç, por duke parë interesin e tij, Dëshmitari nisi një studim biblik me të. Nili u kënaq kur mësoi për personalitetin e dashur të Jehovait, dhe kjo e çoi në përfundimin se nuk ia kishte shkaktuar Perëndia vuajtjet. Sa u prek kur lexoi për premtimin e Perëndisë për një parajsë tokësore, ku nuk do të ketë më sëmundje!—Isaia 33:24; Mateu 6:9, 10.

Në atë kohë, familja e Nilit ishte në hasmëri me një familje tjetër. Për të siguruar mbrojtje, familjarët e Nilit kryenin disa rite fisnore. Nili kujton: «Fillimisht kisha frikë t’i flitja familjes për besimin që kisha gjetur, sidomos pleqve të familjes, të cilët respektohen shumë.» Prindërit e Nilit u zemëruan kur morën vesh se ai nuk do të pranonte bindjet jobiblike dhe nuk do të ndiqte zakonet spiritiste. Atëherë Nili shkoi të banonte në Rioaçë dhe nisi të shoqërohej me kongregacionin atje. Më vonë u pagëzua. Në vitin 1993 u emërua shërbëtor ndihmës dhe tre vjet më vonë u bë pionier i rregullt. Pastaj, në vitin 1997, u emërua plak kongregacioni. Në vitin 2000 e zgjeroi shërbimin dhe u bë pionier special.

Shikoni edhe rastin e Terezës, një indiane uaju që nisi të studionte Biblën me Dëshmitarët. Danieli, me të cilin ajo bashkëjetonte, e tallte dhe e keqtrajtonte fizikisht atë dhe tre fëmijët e tyre. Edhe pse më vonë pranoi të studionte Biblën bashkë me Terezën, shpesh ai dilte me miqtë për të pirë dhe nganjëherë rrinte katër a pesë ditë. Kështu familja ra në varfëri, por Tereza vazhdoi të studionte rregullisht dhe të ndiqte mbledhjet e krishtere. Kjo e ndihmoi Danielin të kuptonte rëndësinë e studimit të Biblës. Pastaj një nga fëmijët e tyre aksidentalisht ra në një kazan me ujë që valonte dhe vdiq nga djegiet e rënda. Përveçse të përballonte hidhërimin e thellë se humbi një djalë, Terezës iu desh të përballej me presionin e miqve dhe të fqinjëve që të ndiqte zakonet jobiblike të varrimit.

Gjatë asaj kohe të vështirë, këtë çift e inkurajuan dhe e ngushëlluan anëtarët e kongregacioneve fqinje. Pas varrimit, ata vazhduan të kishin vizita ngushëllimi nga kongregacioni vendës i gjuhës uaju. Duke parë dashurinë e krishterë në veprim, Danieli u nxit të përparonte frymësisht. E la pijen dhe nuk e keqtrajtonte më Terezën. Danieli dhe Tereza u martuan, dhe ai nisi të punonte fort për të mbështetur familjen. Përparuan frymësisht dhe u pagëzuan në vitin 2003. Që të dy drejtojnë disa studime biblike. Falë dëshmisë së shkëlqyer që i ka dhënë Tereza familjes së saj, të afërmit tani janë të gatshëm t’i dëgjojnë Dëshmitarët kur i vizitojnë. Një nip i Danielit është lajmëtar i papagëzuar dhe dy mbesa të tij po studiojnë Biblën e po ndjekin mbledhjet e kongregacionit. Kunata e Terezës (së cilës po ashtu i kishte vdekur një djalë në një aksident) dhe familja e saj kanë treguar interes për të studiuar Biblën.

Ushqim frymor në gjuhën uajunaiki

Në vitin 1998 doli në gjuhën uajunaiki broshura Gëzo jetën në tokë përgjithmonë! * Ky u bë një mjet i dobishëm për të punuar në fushën e indianëve uaju dhe për të drejtuar studime biblike. Në vitin 2003 u morën masa për të stërvitur disa vëllezër që të përkthejnë botimet e Dëshmitarëve të Jehovait në gjuhën uajunaiki. Falë punës së palodhur të një grupi përkthyesish në Rioaçë, kanë dalë edhe broshura të tjera, e kjo ka ndikuar në rritjen frymore të dishepujve që flasin uajunaiki.

Që nga viti 2001, disa pjesë të programit të kongresit krahinor janë përkthyer drejtpërdrejt nga një përkthyes në gjuhën uajunaiki. Studentët e Biblës nxiten frymësisht kur e dëgjojnë programin në gjuhën e tyre. E presin me padurim ditën kur do të paraqiten edhe drama biblike në gjuhën uajunaiki.

Një fushë pjellore

Uribja është një qytet rreth 100 kilometra në verilindje të Rioaçës. Kongregacioni Uribja Uaju ka 16 lajmëtarë të Mbretërisë dhe shumë prej tyre po i shtojnë përpjekjet për t’u predikuar indianëve që jetojnë në zonat rurale. Ja ç’thotë një nga pleqtë e kongregacionit, për një udhëtim predikimi: «Shkuam në kompleksin e një ferme, të përbërë nga një duzinë shtëpish me çati të ulëta dhe dritare të vogla. Në pjesën e përparme, çdo shtëpi kishte një strehë të bërë me jotoholo, që është pjesa e drunjtë e brendshme e një kaktusi. Aty, familjarët dhe vizitorët janë të mbrojtur nga dielli përvëlues. U lumturuam kur pamë se shumë veta treguan interes të madh, prandaj morëm masa që të ktheheshim e të nisnim studime biblike. Kur u kthyem, vumë re se shumë ishin analfabetë. Na thanë se aty kishte një shkollë, por ishte braktisur për mungesë fondesh. Me dashamirësi përgjegjësi i shkollës na dha leje të përdornim një nga klasat, për t’u mësuar banorëve shkrim e lexim dhe për të drejtuar studime biblike. Gjashtë indianë uaju kanë mësuar të shkruajnë e të lexojnë dhe po përparojnë në studimin e Biblës. Na prek çmueshmëria që tregojnë, prandaj kemi në plan të mbajmë edhe mbledhje në atë fermë.»

Mjaft Dëshmitarë që nuk janë vendës kanë mësuar gjuhën uajunaiki, dhe ndihma e tyre vlerësohet shumë. Në gadishullin Guahira, ka tetë kongregacione dhe dy grupe të kësaj gjuhe.

Është shumë e qartë se Jehovai po i bekon këto përpjekje. Pa dyshim, ka ende shumë punë për të predikuar lajmin e mirë mes indianëve uaju. E ardhmja duket premtuese, pasi ata që e kuptojnë nevojën për të mësuar për Perëndinë, po bëhen dishepuj të krishterë. Dërgoftë Jehovai më shumë punëtorë për të punuar këtë fushë, e cila është ‘e bardhë për korrje’!—Mateu 9:37, 38.

[Shënimi]

^ par. 18 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Hartat në faqen 16]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

VENEZUELË

KOLUMBI

LA GUAHIRA

Manaure

Rioaçë

Uribja

[Burimi i figurës në faqen 16]

Kampi i indianëve uaju poshtë: Victor Englebert