Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

A duhet t’i shmangin të krishterët pijet dhe ushqimet që përmbajnë kafeinë?

Bibla nuk ua ndalon të krishterëve të konsumojnë kafe, çaj, çokollatë, çaj maté dhe pije të gazuara që përmbajnë kafeinë. Gjithsesi, Shkrimet kanë parime që na ndihmojnë të marrim vendime të mençura. Le të shqyrtojmë së pari pse disa njerëz i shmangin pijet dhe ushqimet që përmbajnë kafeinë.

Një arsye kryesore është se kafeina mund të konsiderohet një substancë që ndryshon humorin, pasi ka veti nxitëse për sistemin nervor. Gjithashtu, mund të shkaktojë varësi ndaj saj. Në një libër standard referimi për farmacistët, thuhet: «Përdorimi i zgjatur dhe i shumtë i kafeinës mund të shkaktojë tolerancë ndaj saj, mësim të trupit me të dhe varësi psikologjike. Pas ndërprerjes së menjëhershme të këtij nxitësi mund të shfaqen shenjat fizike të lënies së tij, si: dhembje koke, acarim, nervozizëm, ankth dhe marrje mendsh.» Sindroma e lënies së kafeinës është marrë në shqyrtim për t’u përfshirë në Manualin diagnostik dhe statistik të çrregullimeve mendore (anglisht), së bashku me sindromat e lënies së drogave të tjera. Prandaj, është e kuptueshme pse disa të krishterë mund të shqetësohen, sepse duan të shmangin çdo lloj varësie dhe duan të shfaqin vetëkontroll.—Galatasve 5:23.

Disa besojnë se kafeina mund të ndikojë në shëndetin e njeriut dhe të foshnjës që është në bark të nënës. Të krishterët duhet ta duan Perëndinë «me gjithë shpirtin» e tyre, prandaj nuk bëjnë asgjë që do t’ua shkurtonte jetën. E meqë kanë urdhrin të duan të afërmin, rrinë larg nga gjërat që mund të dëmtojnë një fëmijë të palindur.—Luka 10:25-27.

A janë me baza këto shqetësime për shëndetin? Jo të gjithë janë të një mendjeje se përdorimi i kafeinës shkakton disa sëmundje. Madje disa kërkues raportojnë se kafeja të bën mirë për shëndetin. Në vitin 2006, në revistën Time thuhej: «Nga studimet e para kishte dalë [se kafeina] mund të shkaktonte kancerin e fshikëzës së urinës, tension të lartë dhe sëmundje të tjera. Kurse kërkimet e fundit jo vetëm që kanë hedhur poshtë shumicën e këtyre pohimeve, por kanë zbuluar edhe disa dobi të mëdha të përdorimit të kafeinës. Duket se kafeina ka njëfarë efekti mbrojtës kundër dëmtimit të mëlçisë, kundër sëmundjes së Parkinsonit, diabetit, sëmundjes së Alcajmerit, gurëve në tëmth, depresionit, e ndoshta edhe disa formave të kancerit.» Një revistë raportonte për përdorimin e kafeinës: «Natyrisht, çelësi është të kesh ekuilibër.»

Çdo i krishterë duhet të vendosë vetë, duke u bazuar në kuptueshmërinë për informacionet e përditësuara rreth kafeinës dhe në parimet biblike që duket se përfshihen. Për shembull, një nënë e krishterë që po pret një fëmijë mund të vendosë të mos konsumojë kafeinë gjatë shtatzënisë, nëse arrin në përfundimin se mund të dëmtojë fëmijën që ka në bark. Ose, në qoftë se një i krishterë zbulon se po të mos marrë rregullisht kafeinë, acarohet ose sëmuret disi, mund t’i këshillohet që të heqë dorë nga kafeina, të paktën për njëfarë kohe. (2 Pjetrit 1:5, 6) Të krishterët e tjerë duhet ta respektojnë këtë vendim, jo të ngulin këmbë që ai të ndjekë pikëpamjen e tyre.

Çfarëdo vendimi të merrni për pijet dhe ushqimet që përmbajnë kafeinë, mbani në mend këshillën e Pavlit: «Nëse hani, nëse pini apo nëse bëni diçka tjetër, gjithçka bëjeni për lavdi të Perëndisë.»—1 Korintasve 10:31.