Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të ndjekim Pavlin në Bere

Të ndjekim Pavlin në Bere

Të ndjekim Pavlin në Bere

Ishte diku rreth vitit 50 të erës sonë. Vepra e dy misionarëve pati sukses të madh e shumë veta u bënë besimtarë. Pastaj një turmë u ngrit kundër tyre, kështu që u desh të merrej një vendim. Për hir të kongregacionit të sapoformuar dhe të sigurisë së misionarëve, ata të dy duhej të iknin menjëherë, në mes të natës. Kështu, Pavli dhe Sila ikën nga qyteti-port maqedonas i Selanikut. Udhëtuan drejt qytetit tjetër ku do të predikonin: në Bere.

QË LARG, vizitorët e sotëm, ashtu si edhe në lashtësi, mund ta shohin Berenë (Verijan) që shtrihet rrëzë malit të gjelbëruar Vermion, në pjesën lindore të tij. Berea ndodhet rreth 65 kilometra në jugperëndim të Selanikut dhe rreth 40 kilometra në brendësi të vendit, nga deti Egje. Mali Olimp, vendi ku sipas mitologjisë banonin perënditë kryesore të panteonit të lashtë grek, ndodhet në jug.

Berea është me interes për studentët e Biblës, sepse ishte një vend ku Pavli predikoi dhe ndihmoi shumë veta që të bëheshin të krishterë. (Veprat 17:10-15) Le ta ndjekim Pavlin në udhëtimin e tij dhe të shqyrtojmë të kaluarën e qytetit.

Historia e lashtë

Askush s’e di me siguri se kur u themelua Berea si qytet. Banorët e parë të saj—ndoshta fise frigjiane—u dëbuan nga maqedonasit rreth shekullit të shtatë p.e.s. Tre shekuj më vonë, Maqedonia u bë e pasur falë pushtimeve të Aleksandrit të Madh. U ngritën ndërtesa dhe mure të stërmëdha, si edhe faltore për Zeusin, Artemisën, Apolonin, Athinanë dhe hyjni të tjera greke.

Në një libër historie thuhet se gjatë shekujve, Berea «luajti rol të rëndësishëm qoftë në vendet që ishin afër saj, qoftë në pjesën tjetër të Greqisë Veriore». Qyteti fitoi famë sidomos gjatë mbretërimit të dinastisë së fundit maqedonase, Antigonidëve (306 p.e.s.-168 p.e.s.), të cilët pastaj u rrëzuan nga Roma.

Kur romakët mundën mbretin Filipi V në vitin 197 p.e.s., «ekuilibri i mëparshëm i pushtetit u prish dhe Roma u bë fuqia vendimtare në pjesën lindore të Mesdheut», siç thuhet në Encyclopædia Britannica. Në vitin 168 p.e.s., në Pidna, disa kilometra në jug të Beresë, një gjeneral romak fitoi një betejë vendimtare kundër sundimtarit të fundit maqedonas, Perseut. Siç ishte parathënë në profecinë biblike, fuqia botërore greke ishte zëvendësuar nga Roma. (Danieli 7:6, 7, 23) Pas asaj beteje, Berea ishte ndër qytetet e para maqedonase që iu dorëzuan Romës.

Në shekullin e parë p.e.s., Maqedonia u bë shesh beteje gjatë konfliktit mes Pompeit dhe Jul Cezarit. Në fakt, shtabin dhe ushtrinë e tij Pompei i vendosi në afërsi të Beresë.

Begatohen nën sundimin romak

Gjatë Paqes Romake (Pax Romana), vizitorët gjenin në Bere rrugë të shtruara me gurë e me kolonada në të dy anët. Qyteti kishte banja publike, teatro, biblioteka dhe ndërtesa për ndeshjet e gladiatorëve. Uji i pishëm kalonte nëpër tubacione dhe qyteti ishte i pajisur me sistem të nëndheshëm kullimi. Berea u bë e famshme si një qendër tregtare ku shkonin tregtarë, artistë dhe atletë, kurse spektatorët venin për të parë ngjarje sportive e të tjera. Të huajt mund të gjenin vende adhurimi ku të kryenin ritet e feve të tyre. Po, në këtë qytet, kultet e gjithë botës romake takoheshin dhe përziheshin me njëri-tjetrin.

Ndër perënditë që adhuroheshin në Bere ishin edhe perandorët romakë që ishin kthyer në hyjni pas vdekjes. Bereasve kjo mund të mos u dukej e çuditshme, sepse pararendës i adhurimit të perandorit ishte adhurimi i Aleksandrit të Madh, i cili përnderohej si perëndi. Një vepër greke thotë: «Meqë ishin mësuar t’i bënin nderime një mbreti sikur të ishte një perëndi, gjatë kohës kur jetonte, helenët [grekët] e Perandorisë Lindore, me kënaqësi i bënin nderime edhe kultit të perandorëve romakë. . . . Në monedhat e tyre perandori paraqitej si hyjni, me një kurorë që rrezatonte. E lëvdonin me të njëjtat lutje që i drejtonin një perëndie, me himne dhe këngë.» Ngriheshin altarë dhe faltore e i bëheshin flijime atij. Edhe vetë perandorët shkonin për të ndjekur festimet e kultit të perandorit, ku përfshiheshin gara atletike, artistike dhe letrare.

Pse Berea ishte qendër e adhurimit pagan? Sepse ishte selia e Kinonit të Maqedonisë. Kjo ishte një asamble delegatësh që vinin nga qytetet maqedonase. Këta delegatë mblidheshin rregullisht në Bere për të biseduar çështje të qyteteve dhe të provincave, e për t’i zgjidhur nën mbikëqyrjen romake. Një nga funksionet kryesore të Kinonit ishte mbikëqyrja e festimeve të kultit të perandorit.

Pra, kjo atmosferë mbizotëronte në qytet kur Pavli dhe Sila shkuan atje, pasi ikën nga Selaniku. Në atë kohë, Berea kishte dy shekuj nën pushtimin romak.

Lajmi i mirë mbërrin në Bere

Pavli e nisi predikimin e tij në Bere në sinagogën e qytetit. Si e pritën njerëzit? Tregimi i frymëzuar na thotë se judenjtë e atjeshëm «ishin me mendje më fisnikë se ata në Selanik, pasi e pranuan fjalën me etje të madhe, dhe çdo ditë i shqyrtonin me kujdes Shkrimet, për të parë nëse ato gjëra ishin ashtu». (Veprat 17:10, 11) Duke qenë ‘me mendje fisnike’, ata nuk ngulën këmbë me kokëfortësi në traditat e tyre. Edhe pse po dëgjonin diçka të re, nuk ishin dyshues ose gjaknxehtë. Në vend që ta hidhnin poshtë mesazhin e Pavlit, ishin të vëmendshëm, duke e dëgjuar me mendje të hapur dhe pa anshmëri.

Si mund ta dallonin ata judenj se mësimet e Pavlit ishin të vërteta? Ata e analizuan atë që dëgjonin, duke përdorur kriterin më të besueshëm. Shqyrtuan me kujdes e me zell Shkrimet. Studiuesi biblik Methju Henri nxori si përfundim: «Meqë Pavli arsyetoi nga shkrimet dhe ua drejtoi vëmendjen te Besëlidhja e Vjetër për të provuar atë që po thoshte, ata morën Biblat e tyre, i hapën te vendet që tregoi ai, lexuan kontekstin, shqyrtuan kuptimin dhe thelbin e tyre, i krahasuan me pjesë të tjera të shkrimeve, shqyrtuan nëse përfundimet që kishte nxjerrë Pavli nga këto shkrime ishin të natyrshme e të vërteta dhe nëse argumentet që bazonte mbi to ishin bindëse, dhe vendosën në përputhje me këtë shqyrtim.»

Ky nuk ishte thjesht një shfletim sa për t’u hedhur një sy shkrimeve. Bereasit gjenin kohë për të studiuar me zell e vazhdimisht, dhe e bënin këtë çdo ditë, jo vetëm në sabat.

Mendoni çfarë rezultatesh erdhën nga kjo. Shumë judenj në Bere e pranuan mesazhin dhe u bënë besimtarë. Edhe shumë grekë, disa prej të cilëve ndoshta ishin prozelitë judenj, u bënë besimtarë. Por kjo nuk kaloi pa u vënë re. Kur judenjtë e Selanikut e morën vesh, nxituan të shkonin në Bere «për të nxitur dhe turbulluar turmat».—Veprat 17:4, 12, 13.

Pavli u detyrua të largohej nga Berea, por vazhdoi të predikonte diku tjetër. Kësaj here mori një anije për në Athinë. (Veprat 17:14, 15) Gjithsesi ishte i gëzuar, sepse, falë veprës së tij, krishterimi hodhi rrënjë në Bere. Kjo vepër po jep fryt edhe sot.

Po, në Bere (Verija) ka ende njerëz që i shqyrtojnë me kujdes Shkrimet, ‘për t’u siguruar për të gjitha gjërat’ dhe ‘për të mbajtur fort’ atë që është e bazuar dhe e vërtetë. (1 Selanikasve 5:21) Dy kongregacione të begatshme Dëshmitarësh të Jehovait në këtë qytet, kryejnë veprën e predikimit, ashtu si Pavli, duke u dhënë të tjerëve mesazhin e Biblës. Ata kërkojnë njerëzit me zemër të çiltër dhe arsyetojnë me ta nga Shkrimet, duke lejuar që forca motivuese e Biblës t’i ndihmojë të gjithë ata që duan të njohin Jehovain, Perëndinë e vërtetë.—Hebrenjve 4:12.

[Harta në faqen 13]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Një pjesë e udhëtimit të dytë misionar të Pavlit

MISI

Troadë

Neapoli

Filipi

MAQEDONI

Amfipoli

Selanik

Bere

GREQI

Athinë

Korint

AKAI

AZI

Efes

RODOS

[Figura në faqen 13]

Monedhë argjendi ku Aleksandri i Madh paraqitet si hyjni greke

[Burimi]

Monedha: Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.

[Figura në faqen 14]

Një portë për të hyrë në lagjen judaike në Bere (Verija)

[Figura në faqen 15]

Një sinagogë e vjetër në Berenë (Verijan) e sotme