Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dhembje e thellë dhe e pafund

Dhembje e thellë dhe e pafund

Dhembje e thellë dhe e pafund

PAK kohë më parë, një studiues bëri disa kërkime se si ndikon koha te ndjenjat e atyre që janë të hidhëruar për vdekjen e ndonjë të afërmi. U dërgoi pyetësorë disa prindërve të cilëve u kishte vdekur një fëmijë vite më parë. Jo të gjithë prindërit u përgjigjën. Vladimiri, një baba të cilit i vdiq i biri pesë vjet më parë, shpjegoi se ende e ka tepër të vështirë të flasë për të. *

Ky hidhërim i zgjatur nuk është i pazakontë për ata prindër të cilëve u ka vdekur një fëmijë. Dhjetë vjet më parë Uilliamit iu mbyt aksidentalisht i biri 18-vjeçar. Uilliami shkruan: «Dhembja që më shkaktoi ajo humbje nuk më ka ikur ende, madje mendoj se do ta kem sa të rroj.» Pesë vjet pasi i vdiq i biri nga një sëmundje e papritur, Lusi shkroi: «Ditët e para mendoja: ‘S’është e vërtetë.’ Më dukej sikur po shikoja një ëndërr të keqe dhe shpejt do të zgjohesha. Pas njëfarë kohe nisa të kuptoja se ishte e vërtetë, se ai nuk do të kthehej më në shtëpi. Im bir vdiq pesë vjet më parë, por nganjëherë, kur jam vetëm, ende qaj për të.»

Pse ndiejnë një dhembje kaq të thellë e të zgjatur prindërit si Vladimiri, Uilliami dhe Lusi, që kanë humbur një fëmijë? Le të shohim disa arsye.

Pse kaq shumë hidhërim?

Kur lind një fëmijë, prindërit provojnë ndjenja që nuk përjetohen në asnjë marrëdhënie tjetër njerëzore. Ata ndiejnë një kënaqësi dhe lumturi të madhe edhe vetëm duke e mbajtur në krahë të voglin, duke e parë tek fle ose tek u buzëqesh. Prindërit e dashur përkujdesen për fëmijët e tyre. I mësojnë të sillen mirë dhe të jenë me edukatë. (1 Selanikasve 2:7, 11) Kur fëmijët rriten sipas këtyre mësimeve, prindërit ndihen krenarë dhe nisin të ushqejnë shpresa të mëdha për ta.

Prindërit e dhembshur punojnë shumë për t’u siguruar fëmijëve gjërat e nevojshme. Ndoshta vënë mënjanë rregullisht ca para ose të mira materiale, që t’i ndihmojnë fëmijët të nisin familjen e tyre, kur të vijë koha. (2 Korintasve 12:14) Gjithë ky investim në ndjenja, kohë, përpjekje dhe para, thekson këtë fakt: prindërit i rritin fëmijët e tyre që të jetojnë, jo që të vdesin. Kur vdes një fëmijë, mbetet përgjysmë puna për ta rritur atë dhe shkatërrohen gjithë shpresat e prindërve për të. Dashuria dhe përzemërsia që rrjedhin natyrshëm nga prindërit te fëmija ndalen, bllokohen nga një mur, që është vdekja. Vendi që kishte në zemrën e tyre djali ose vajza, mbetet bosh. Prindërit ndiejnë një pikëllim të thellë që nuk ikën lehtë.

Bibla e vërteton se prindërit të cilëve u ka vdekur një fëmijë, ndiejnë një dhembje të thellë e të vazhdueshme. Duke përshkruar ç’ndodhi kur patriarku Jakob mori vesh se i ishte vrarë i biri, Jozefi, Bibla thotë: «Jakobi shqeu rrobat, ngjeshi një copë thesi në ijë dhe mbajti zi për të birin shumë ditë. Gjithë bijtë e bijat e tij vinin për ta ngushëlluar, por ai nuk pranonte të ngushëllohej dhe thoshte: ‘Do të zbres të mbaj zi tek im bir, në Sheol [ose varr]!’» Edhe vite më vonë, Jakobi ende ishte i pikëlluar për të birin, të cilin e mendonte të vdekur. (Zanafilla 37:34, 35; 42:36-38) Një shembull tjetër biblik flet për një grua besnike me emrin Naomi, të cilës i vdiqën të dy djemtë. Nga hidhërimi i thellë, ajo donte ta ndryshonte emrin nga Naomi, që do të thotë «kënaqësia ime», në Mara, që do të thotë «e hidhur».—Rutha 1:3-5, 20, 21, shënimi.

Por Bibla nuk mjaftohet duke treguar se prindërit provojnë një pikëllim të madh kur u vdes një fëmijë. Ajo tregon edhe se si u jep forcë Jehovai atyre që janë të pikëlluar. Në artikullin vijues, do të shqyrtojmë disa mënyra se si u jep ngushëllim Perëndia atyre që vajtojnë për vdekjen e një të afërmi.

[Shënimi]

^ par. 2 Disa emra janë ndryshuar.