Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kërkonim thesare dhe gjetëm pasuri të përhershme

Kërkonim thesare dhe gjetëm pasuri të përhershme

Jetëshkrim

Kërkonim thesare dhe gjetëm pasuri të përhershme

Treguar nga Dorotea Smithi dhe Dora Uardi

Çfarë thesaresh kërkonim? Ishim dy vajza të reja me një dëshirë të zjarrtë për të marrë pjesë në përmbushjen e urdhrit të Jezuit: «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet.» (Mateu 28:19) Po ju shpjegojmë se si, falë këtij kërkimi, gjetëm pasuri të përhershme.

DOROTEA: Linda në vitin 1915, pak pasi kishte filluar Lufta I Botërore dhe isha fëmija i tretë i familjes. Jetonim pranë qytetit të Hauellit, në Miçigan të Shteteve të Bashkuara. Im atë nuk ishte fetar, kurse mamaja besonte shumë. Ajo u përpoq të na mësonte që të zbatonim Dhjetë Urdhërimet, por ishte e shqetësuar sepse im vëlla Uillis, motra Viola dhe unë, nuk bënim pjesë në asnjë kishë.

Kur isha 12 vjeçe, mamaja vendosi të më pagëzonte në kishën presbiteriane. E mbaj mend si sot ditën e atij pagëzimi. Në të njëjtën kohë me mua u pagëzuan dy foshnja, të cilat i mbanin në krah mamatë e tyre. U ndjeva shumë e poshtëruar që po pagëzohesha bashkë me bebet. Pastori më spërkati në kokë ca pika ujë dhe murmuriti ca fjalë që s’i kuptova. Në fakt, ato dy foshnja dinin për pagëzimin aq sa dija edhe unë!

Një ditë, në vitin 1932, para shtëpisë sonë ndaloi një makinë dhe mamaja doli te dera. Kishin ardhur dy djem të rinj që ofronin libra fetarë. Njëri prej tyre tha se quhej Albert Shrëder. Ai i tregoi mamasë disa botime të Dëshmitarëve të Jehovait dhe mamaja i mori librat. Ato botime e ndihmuan të pranonte të vërtetën e Fjalës së Perëndisë.

Nis kërkimi i thesareve

Pas ca kohësh, shkova në Detroit që të jetoja me time motër. Atje takova një zonjë të moshuar që i bënte vizita motrës për t’i mësuar Biblën. Ato biseda më sillnin ndër mend një program javor në radio, që e dëgjoja kur isha në shtëpi me mamanë. Ishte një program prej 15 minutash me një fjalim rreth një teme biblike, që mbahej nga Xh. F. Radhërfordi, i cili në atë kohë merrte drejtimin ndër Dëshmitarët e Jehovait. Në vitin 1937 nisëm të shoqëroheshim me kongregacionin e parë të Dëshmitarëve të Jehovait në Detroit. U pagëzova një vit më vonë.

Në fillim të viteve 40, u dha njoftimi se Dëshmitarët e Jehovait po hapnin një shkollë të quajtur Galaad, në Lansingun Jugor, Nju-Jork, për të stërvitur misionarë. Kur mora vesh se disa që diplomoheshin në atë shkollë do t’i ftonin të shërbenin jashtë shtetit, mendova: ‘Kjo bën për mua!’ E vura si synim të ndiqja shkollën e Galaadit. Sa privilegj i madh do të ishte të kërkoja në vende të tjera «thesare», domethënë njerëz që dëshirojnë të bëhen dishepuj të Krishtit Jezu!—Hageu 2:6, 7.

Pak nga pak arrij synimin tim

Në prill të vitit 1942 e lashë punën dhe nisa të shërbeja si pioniere ose ungjillëzuese në kohë të plotë, në Findli, Ohajo, bashkë me pesë motra të tjera frymore. Në atë qytet s’kishte kongregacion, e prandaj nuk mbaheshin mbledhje të rregullta, por ne e inkurajonim njëra-tjetrën duke lexuar së bashku artikuj nga botimet tona të krishtere. Muajin e parë që shërbeva si pioniere, u shpërndava 95 libra njerëzve të interesuar! Rreth një vit e gjysmë më vonë, mora caktimin si pioniere speciale në Çembërzburg, Pensilvani. Atje ishin tashmë pesë pioniere të tjera, një prej të cilave ishte Dora Uardi, një motër e krishterë nga Ajoua. Unë dhe Dora u bëmë shoqe shërbimi. Ishim pagëzuar në të njëjtin vit dhe kishim të njëjtën dëshirë për të ndjekur Shkollën e Galaadit e për të shërbyer jashtë shtetit si misionare.

Dita e shumëpritur erdhi në fillim të vitit 1944! Të dyja morëm ftesën për të ndjekur klasën e katërt të Galaadit. U regjistruam në gusht të atij viti. Por, përpara se të vazhdoj me historinë tonë, le t’ju tregojë Dora se si u bë shoqja ime e pandarë në kërkim të thesareve.

Zell për shërbimin e plotkohor

DORA: Mamaja ime po lutej dhe po kërkonte të kuptonte Fjalën e Perëndisë. Një të diel, ishim bashkë kur dëgjuam në radio një fjalim nga Xh. F. Radhërfordi. Në fund të fjalimit, mamaja thirri tërë entuziazëm: «Kjo është e vërteta!» S’kaloi shumë dhe nisëm të studionim botimet e Dëshmitarëve të Jehovait. Në vitin 1935, kur isha 12 vjeçe, ndoqa një fjalim pagëzimi që mbajti një Dëshmitar i Jehovait dhe ndjeva në zemër dëshirën që t’ia kushtoja jetën Jehovait. U pagëzova tre vjet më pas. Kushtimi dhe pagëzimi më ndihmuan t’i mbaja të gjalla në mendje synimet e mia gjatë viteve të shkollës. Mezi prisja të mbaroja shkollën e të filloja si pioniere.

Në atë kohë, grupi i Dëshmitarëve me të cilin shoqëroheshim, mblidhej si kongregacion në qytetin Fort-Doxh të Ajouas. Duheshin shumë përpjekje për të ndjekur mbledhjet e krishtere. Në atë kohë, artikujt e studimit të Kullës së Rojës nuk ishin me pyetje për t’i shqyrtuar në kongregacion. Na kërkohej që të përgatitnim disa pyetje dhe t’ia jepnim vëllait që drejtonte Studimin e Kullës së Rojës. Të hënave në mbrëmje, bashkë me mamanë përgatitnim nga një pyetje për çdo paragraf dhe ia jepnim drejtuesit, që të zgjidhte cilat të përdorte.

Hera-herës, në kongregacionin tonë vinte për vizitë një mbikëqyrës udhëtues. Me njërin nga ata vëllezër, Xhon Buthin, dola për herë të parë në shërbimin shtëpi më shtëpi kur isha 12 vjeçe. Pastaj, kur mbusha 17 vjeçe, e pyeta si të plotësoja kërkesën për pioniere, dhe ai më ndihmoi. Në atë kohë s’e dija se do të takoheshim prapë më vonë në jetë dhe se do të bëhej një nga miqtë e mi të vjetër!

Si pioniere, shpesh dilja në shërbim me motrën Dorothi Aronson, një ungjillëzuese në kohë të plotë që ishte 15 vjet më e madhe se unë. Ishim shoqe shërbimi deri kur e ftuan të ndiqte klasën e parë të Galaadit, në vitin 1943. Më pas, e vazhdova vetëm shërbimin si pioniere.

Nuk na ndal dot kundërshtimi

Vitet 40 ishin të vështira, sepse kudo kishte një atmosferë patriotike për shkak të Luftës II Botërore. Kur predikonim shtëpi më shtëpi, shpesh na hidhnin vezë të prishura, domate të qullëta e disa herë edhe gurë! Një sprovë më e madhe erdhi kur nisëm të prezantonim revistat Kulla e Rojës dhe Ngushëllim (tani Zgjohuni!) në cep të rrugës. Policia, e shtyrë nga kundërshtarët fetarë, na u afrua dhe na kërcënoi se do të na arrestonte po të predikonim përsëri hapur.

Natyrisht, as që mendonim të ndalnim predikimin, kështu që na çuan në rajonin e policisë për të na marrë në pyetje. Pasi na lanë të lira, u kthyem në të njëjtin cep rruge dhe prezantuam të njëjtat revista. Sipas këshillës së vëllezërve përgjegjës, për të mbrojtur qëndrimin tonë përdornim Isainë 61:1, 2. Një herë, m’u afrua një polic i ri në moshë dhe unë tërë tension i thashë përmendësh shkrimin. Për habinë time, ai u kthye mbrapsht dhe u largua! M’u duk se engjëjt po na mbronin.

Një ditë e paharrueshme

Në vitin 1941 pata kënaqësinë të ndiqja një kongres pesëditor të Dëshmitarëve të Jehovait në Sent-Luis, Misuri. Gjatë atij kongresi, vëlla Radhërfordi u kërkoi të gjithë fëmijëve dhe të rinjve nga mosha 5 deri në 18 vjeç të mblidheshin në pjesën kryesore të stadiumit. U mblodhëm me mijëra fëmijë. Vëlla Radhërfordi na përshëndeti duke valëvitur shaminë e tij. Edhe ne të gjithë valëvitëm shamitë. Pasi mbajti një fjalim për një orë, tha: «Ju fëmijë që keni pranuar të bëni vullnetin e Perëndisë dhe keni marrë anën e qeverisë së tij teokratike, me mbret Krishtin Jezu, e prandaj keni pranuar t’i bindeni Perëndisë dhe Mbretit të tij, ju lutem ngrihuni në këmbë.» Të 15.000 fëmijët u ngritën përnjëherësh, si një trup i vetëm, e ndër ta isha edhe unë! Oratori shtoi: «Të gjithë ju që do të bëni çmos t’u tregoni të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë dhe për bekimet e saj, ju lutem thoni ‘Po’.» Pasi thamë po, buçitën duartrokitjet.

Pastaj u prezantua libri Fëmijët * dhe para podiumit u formua një rresht i gjatë me fëmijë që prisnin derisa vëlla Radhërfordi t’i jepte secilit nga një libër. Ishte shumë bukur! Sot, shumë prej atyre që morën librin atëherë, po i shërbejnë ende me zell Jehovait anembanë botës, duke folur për Mbretërinë e Perëndisë dhe për drejtësinë e tij.—Psalmi 148:12, 13.

Pasi kisha shërbyer si pioniere për tre vjet, u lumturova kur mora caktimin si pioniere speciale në Çembërzburg! Atje takova Dorotean dhe shpejt u bëmë të pandashme. Ishim tërë entuziazëm rinor dhe kishim fuqi me bollëk. Na vlonte zelli për të bërë sa më shumë në veprën e predikimit. Së bashku nisëm kërkimin për thesare, që zgjati gjithë jetën.—Psalmi 110:3.

Disa muaj pasi filluam shërbimin si pioniere speciale, takuam një të diplomuar të klasës së parë të Galaadit, Albert Manin. Ai po bëhej gati të ikte për në caktimin e tij në një vend të huaj. Na nxiti të pranonim çdo lloj caktimi që mund të merrnim në vend të huaj.

Në shkollë së bashku

DORA DHE DOROTEA: Mendoni sa u gëzuam kur nisëm stërvitjen për misionare! Ditën e parë të shkollës, na regjistroi Albert Shrëderi, vëllai që 12 vjet më parë i kishte lënë mamasë së Doroteas librin Studime mbi Shkrimet. Aty ishte edhe Xhon Buthi. Tani ai ishte shërbëtor i fermës në Fermën e Mbretërisë, ku ndodhej edhe shkolla. Më vonë, të dy këta vëllezër shërbyen si anëtarë të Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait.

Në shkollën e Galaadit, studiuam të vërtetat e thella të Biblës. Ishte një stërvitje e shkëlqyer. Në klasën tonë ishim 104 studentë, përfshirë edhe studentin e parë të huaj, nga Meksika. Ai përpiqej të përmirësonte anglishten e tij, kurse ne po përpiqeshim të mësonim spanjisht. Sa u lumturuam ditën kur vëlla Nejthën Nori na shpërndau caktimet në vende të huaja! Shumica u caktuan në Amerikën Qendrore dhe në Amerikën Jugore. Caktimi ynë ishte Kili.

Në kërkim të thesareve në Kili

Që të hynim në Kili, na duheshin viza dhe për këtë u desh mjaft kohë. Kështu, pasi u diplomuam në janar të vitit 1945, shërbyem si pioniere në Uashington, D.C., për një vit e gjysmë. Kur morëm vizat, u nisëm bashkë me një grup dhe ishim gjithsej nëntë misionarë që do të udhëtonim për në Kili. Shtatë ishin nga klasa të mëparshme të Galaadit.

Kur mbërritëm në Santiago, që është kryeqyteti, po na prisnin disa vëllezër të krishterë. Një prej tyre ishte Albert Mani, i diplomuari i Galaadit që na kishte inkurajuar disa vjet më parë. Ai kishte shkuar në Kili një vit më parë, bashkë me Xhozef Ferrarin nga klasa e dytë e Galaadit. Kur mbërritëm ne, në gjithë Kilin kishte më pak se 100 lajmëtarë. Mezi prisnim t’ia nisnim kërkimit për të gjetur thesare, domethënë njerëz me zemër të sinqertë, në caktimin tonë të ri.

Na caktuan në një shtëpi misionare në Santiago. Për ne ishte gjë e re të jetonim në një familje të madhe me misionarë. Përveç një numri të caktuar orësh që duhej të kalonin në veprën e predikimit, të gjithë misionarëve u ishte caktuar një ditë në javë që të gatuanin për familjen. Patëm edhe çaste të sikletshme. Një herë, përgatitëm kuleçë të ngrohtë për mëngjes për familjen e uritur, por kur i nxorëm nga furra, na erdhi një erë jo fort e këndshme. Kishim përdorur sodë buke në vend të majasë për ëmbëlsira! Dikush kishte vënë sodën e bukës në kutinë bosh të majasë.

Por më të sikletshme ishin gabimet që bënim ndërsa mësonim spanjisht. Një familje e madhe me të cilën studionim Biblën, desh e lanë studimin sepse nuk arrinin të kuptonin se çfarë po thoshim. Por, duke lexuar shkrimet në Biblën e tyre, gjithsesi arritën të mësonin të vërtetën dhe pesë prej tyre u bënë Dëshmitarë. Në ato vite, nuk kishte kurs të gjuhës për misionarët e rinj. Nisnim menjëherë veprën e predikimit dhe përpiqeshim ta mësonim gjuhën nga njerëzit me të cilët flitnim.

Drejtonim shumë studime biblike dhe disa prej tyre bënë përparim të shpejtë. Për të tjerë kërkohej shumë durim. Tereza Telo, një vajzë e re, e dëgjoi mesazhin e së vërtetës dhe na tha: «Ju lutem, hajdeni prapë që të më tregoni më shumë.» U kthyem 12 herë, po s’e gjetëm. Kaluan tri vjet. Pastaj ndoqëm një asamble që u mbajt në një teatër në Santiago. Sa po iknim të dielën pas asamblesë, dëgjuam dikë që thërriste: «Senjorita Dora, Senjorita Dora!» U kthyem dhe pamë Terezën. Kishte qenë për vizitë tek e motra në anën tjetër të rrugës dhe kishte ardhur te teatri për të parë se ç’po bëhej. U gëzuam shumë që e takuam prapë! Lamë ditën për studimin biblik dhe ajo u pagëzua jo shumë kohë më pas. Më vonë u bë pioniere speciale dhe sot, rreth 45 vjet më vonë, është ende në shërbim special të plotkohor.—Eklisiastiu 11:1.

Zbulojmë thesare në «brigjet ranore»

Në vitin 1959 na caktuan në Punta-Arenas, që do të thotë «Pika e brigjeve ranore», në cepin më jugor të bregdetit të Kilit, që është 4.300 kilometra i gjatë. Punta-Arenas është një territor i pazakontë. Gjatë muajve të verës, ditët janë të gjata dhe ka dritë deri në orën 11.30 të darkës. Kalonim shumë kohë në shërbim, por jo fare pa pengesa, sepse bashkë me verën vijnë edhe erërat e forta të Antarktidës. Muajt e dimrit janë të ftohtë dhe ditët janë të shkurtra.

Pavarësisht nga këto sfida, Punta-Arenas ka bukurinë e vet. Gjatë verës, në qiellin perëndimor ka një paradë të vazhdueshme me re të mëdha shiu. Nganjëherë ato të zbrazin mbi kokë ujë me gjyma, por pastaj fryn erë dhe të than. Më pas del një ylber i bukur, ndërsa dielli shfaqet përmes reve. Këta ylberë disa herë zgjatin me orë të tëra, dhe duken e zhduken ndërsa dielli shndrit përmes reve të shiut.—Jobi 37:14.

Në kohën kur shkuam ne, në Punta-Arenas kishte pak lajmëtarë. Në kongregacionin e vogël, mbledhjet duhej t’i drejtonim ne motrat, por Jehovai i bekoi përpjekjet tona. Tridhjetë e shtatë vjet më vonë u kthyem në këtë zonë për një vizitë. Çfarë gjetëm? Gjashtë kongregacione që lulëzonin dhe tri Salla Mbretërie të bukura. Ç’gëzim që Jehovai na lejoi të gjenim thesare frymore në ato brigje ranore të jugut!—Zakaria 4:10.

Thesare të tjera në një «Plazh të gjerë»

Pasi shërbyem tre vjet e gjysmë në Punta-Arenas, na caktuan në qytetin-port të Valparaisos. Qyteti përbëhet nga 41 kodra që rrethojnë një gji deti i cili përfundon në Oqeanin Paqësor. E përqendruam predikimin në një nga këto kodra, në Plaja-Ança që do të thotë «Plazhi i gjerë». Ato 16 vjet që qëndruam atje, pamë se si një grup vëllezërish të rinj të krishterë u rritën frymësisht deri në atë pikë sa tani shërbejnë si mbikëqyrës udhëtues dhe si pleq të krishterë nëpër kongregacione anembanë Kilit.

Caktimi tjetër misionar ishte Vinja-del-Mar. Shërbyem atje për tre vjet e gjysmë derisa shtëpia jonë misionare u dëmtua nga një tërmet. U kthyem në Santiago, ku e kishim filluar shërbimin misionar 40 vjet më parë. Gjërat kishin ndryshuar. Ishin ngritur ndërtesat e reja të degës dhe ndërtesa e vjetër e degës ishte kthyer në një shtëpi për gjithë misionarët që kishin mbetur në vend. Më vonë, ajo shtëpi nisi të përdorej si vend për Shkollën e Stërvitjes për Shërbim. Në atë kohë, e ndiem përsëri dashamirësinë e Jehovait. Pesë nga ne misionarët e moshuar i ftuan të jetonin në Bethel. Gjatë kohës që kemi shërbyer këtu në Kili, kemi pasur 15 caktime. Kemi parë që vepra është rritur nga më pak se 100 lajmëtarë në rreth 70.000. Çfarë gëzimi ka qenë të kërkojmë thesare në Kili për 57 vjet!

Ndihemi shumë të bekuara që Jehovai na ka lejuar të gjejmë kaq shumë njerëz—thesare të vërteta,—të cilët pastaj ai i ka përdorur në organizatën e tij. Pasi kemi kaluar më shumë se 60 vjet duke i shërbyer së bashku Jehovait, bashkohemi me gjithë zemër me ndjenjat që shprehu mbreti David: «Sa e madhe është mirësia jote, që ti e ruan si thesar për ata që të frikësohen!»—Psalmi 31:19.

[Shënimi]

^ par. 24 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por tani nuk shtypet më.

[Figurat në faqen 9]

Dorotea në vitin 2002 dhe në veprën e predikimit, në vitin 1943

[Figura në faqen 10]

Në veprën rrugore në Fort-Doxh, Ajoua, viti 1942

[Figura në faqen 10]

Dora, 2002

[Figura në faqen 12]

Dorotea dhe Dora para shtëpisë së tyre të parë misionare në Kili, viti 1946