Fitore në gjykatën evropiane të të drejtave të njeriut
Fitore në gjykatën evropiane të të drejtave të njeriut
GJYKATA Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, Francë, më 11 janar 2007, mori një vendim unanim në favor të Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi, për çështjen e tyre kundër Federatës Ruse. Vendimi mbronte lirinë e fesë për Dëshmitarët e Jehovait dhe të drejtën e tyre për një proces të rregullt. Le të shohim se si lindi kjo çështje.
Në qytetin e Çeljabinskut në Rusi ka një kongregacion Dëshmitarësh të Jehovait që përbëhet kryesisht nga individë që s’dëgjojnë. Vendi ku mblidheshin ishte një ndërtesë që e kishin marrë me qira nga një kolegj profesional. Të dielën, më 16 prill 2000, mbledhjen e tyre e ndërpreu drejtoresha ose komisionerja e Komisionit rajonal të të Drejtave të Njeriut, e shoqëruar nga dy oficerë policie dhe një civil. Për shkak të paragjykimit, sidomos nga ana e komisioneres, mbledhja u ndalua mbi akuza të trilluara se nuk po mbahej sipas ligjit. Më 1 maj 2000, kontrata për qiranë e ndërtesës u prish.
Dëshmitarët e Jehovait bënë një ankesë te prokurori i Çeljabinskut, por pa rezultat. Kushtetuta ruse dhe Konventa për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore garantojnë lirinë e fesë dhe lirinë e tubimit. Prandaj u bë një ankesë civile pranë një gjykate krahinore, e pasuar nga apelimi në një gjykatë rajonale. Më parë, më 30 korrik 1999, gjykata e lartë kishte nxjerrë vendim për një çështje tjetër, se «sipas Ligjit Rus për lirinë e ndërgjegjes dhe të shoqatave fetare, shprehja ‘pa pengesa’ do të thotë që nuk kërkohet të merret leje nga autoritete shtetërore ose autorizim paraprak nga këto autoritete për të kryer ceremoni fetare në vendet e siguruara [për këtë qëllim].» (Kllapat janë të tyret.) Pavarësisht nga ky precedent, ankesat në gjykatën krahinore dhe rajonale u rrëzuan.
Më 17 dhjetor 2001, çështja iu parashtrua Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Një proces gjyqësor u bë më 9 shtator 2004. Më poshtë janë disa fragmente nga vendimi përfundimtar që dha Gjykata:
«Gjykata konstaton se ka pasur ndërhyrje në të drejtën e paditësve për lirinë e fesë pasi, më 16 prill 2000, zyrtarët shtetërorë bënë që mbledhja e tyre fetare të ndërpritej para kohës kur duhej të mbaronte.»
«Baza ligjore për ndërprerjen e një ceremonie fetare që mbahej në ndërtesa të marra me qira ligjërisht për atë qëllim, mungonte në mënyrë të dukshme.»
«[Gjykata] mban parasysh vendimin e marrë vazhdimisht për çështje të tilla nga Gjykata e Lartë Ruse, se tubimet fetare nuk kanë nevojë për ndonjë autorizim paraprak nga autoritetet ose që të njoftohen autoritetet.»
«Prandaj ka pasur një shkelje të Nenit 9 [liria e fesë] të Konventës, lidhur me ndërprerjen e mbledhjes fetare të paditësve më 16 prill 2000 nga komisionerja dhe nga ndihmësit e saj.»
«Gjykata konstaton se gjykatat vendëse nuk kanë kryer detyrën e tyre . . . për të treguar se palët janë dëgjuar në mënyrë të paanshme dhe të drejtë. . . . Ka pasur një shkelje të Nenit 6 [e drejta për një proces të rregullt] të Konventës.»
Dëshmitarët e Jehovait i janë mirënjohës Perëndisë që u dha këtë fitore në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. (Psalmi 98:1) Sa ndikim do të ketë ky vendim i Gjykatës? Xhozef K. Grebauski, president i Institutit për Fenë dhe Politikën, thotë: «Ky është një tjetër vendim shumë i rëndësishëm që ndikon në lirinë e fesë në gjithë Evropën, pasi vendimi do të ndikojë drejtpërdrejt te të drejtat fetare në të gjitha shtetet që janë të varura nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.»