Jefteu mban zotimin që i bën Jehovait
Jefteu mban zotimin që i bën Jehovait
NJË luftëtar kthehet fitimtar në shtëpi, pasi e ka çliruar kombin e tij nga shtypësit. E bija rend për ta takuar, duke kërcyer tërë gëzim e duke i rënë dajres. Ai, sapo e sheh, në vend që të gëzohet, shqyen rrobat. Po pse? A nuk është edhe ai i gëzuar si e bija, që u kthye shëndoshë e mirë? Cilën betejë ka fituar? Kush është ai?
Është Jefteu, një nga gjykatësit e Izraelit të lashtë. Për t’iu përgjigjur pyetjeve të tjera e për të parë pse është me rëndësi për ne ky tregim, duhet të shqyrtojmë rrethanat që çuan në këtë ribashkim të pazakontë.
Izraeli në situatë kritike
Jefteu jeton në një kohë kritike. Bashkëkombësit e tij izraelitë e kanë braktisur adhurimin e pastër dhe po u shërbejnë perëndive të Sidonit, Moabit, Amonit dhe të Filistisë. Kështu, Jehovai e braktis popullin e tij në duart e amonitëve e të filistinëve, të cilët i shtypin për 18 vjet. Më të prekur nga kjo situatë janë banorët e Galaadit, që ndodhet në lindje të lumit Jordan. * Më në fund, izraelitët vijnë në vete, pendohen dhe i kërkojnë ndihmë Jehovait, fillojnë t’i shërbejnë atij dhe i heqin perënditë e huaja.—Gjykatësit 10:6-16.
Amonitët ngrenë kampin në Galaad dhe izraelitët mblidhen që të përballen me ta. Por Izraeli s’ka komandant. (Gjykatësit 10:17, 18) Ndërkohë Jefteu ka probleme të tjera. Vëllezërit e tij nga babai, që janë shumë lakmitarë, e kanë dëbuar me qëllim që t’i vjedhin trashëgiminë. Kështu Jefteu shkon të banojë në Tob, një rajon në lindje të Galaadit dhe i zbuluar ndaj armiqve të Izraelit. Rreth tij mblidhen «njerëz që sorollateshin kot», ndoshta njerëz që i kishin nxjerrë nga puna shtypësit ose që ishin rebeluar kundër tyre dhe nuk donin t’u shërbenin. Ata ‘dalin me të’, ndoshta duke e shoqëruar Jefteun teksa sulmon fqinjët armiq. Me sa duket, Jefteu shquhet si luftëtar, sepse në Shkrime cilësohet si «burrë i fuqishëm dhe trim». (Gjykatësit 11:1-3) Por, kush do t’i prijë Izraelit kundër amonitëve?
«Eja, bëhu komandanti ynë»
Pleqtë e Galaadit i bëjnë thirrje Jefteut: «Eja, bëhu komandanti ynë.» Por, nëse mendojnë që ai do të përfitojë menjëherë nga kjo për t’u kthyer në vendin e vet, gabohen. «A nuk qetë ju që më urryet, saqë më dëbuat nga shtëpia e tim eti?—përgjigjet ai.—Pse vini Gjykatësit 11:4-7.
tek unë, tani që gjendeni ngushtë?» Çfarë padrejtësie nga ana e tyre, që fillimisht e dëbuan Jefteun e pastaj u kthyen t’i kërkonin ndihmë!—Jefteu pranon ta udhëheqë Galaadin vetëm me një kusht. Ai thotë: ‘Nëse Jehovai ma lë në dorë Amonin, do të bëhem kreu juaj!’ Fitorja do të ishte shenjë se ai ka mbështetjen e Perëndisë, por Jefteu ka si synim edhe të sigurohet që populli nuk do ta hedhë poshtë sundimin e Jehovait sapo të kalojë këtë periudhë kritike.—Gjykatësit 11:8-11.
Situata me Amonin
Jefteu përpiqet të hyjë në marrëveshje me amonitët. Dërgon lajmëtarë te mbreti i tyre për të kuptuar arsyen e këtij agresioni të amonitëve. Si përgjigje merr një akuzë: kur izraelitët dolën nga Egjipti, pushtuan nga territori i amonitëve dhe tani duhet t’ua rikthejnë.—Gjykatësit 11:12, 13.
Pasi e di shumë mirë historinë e Izraelit, Jefteu me mjeshtëri i hedh poshtë pretendimet e amonitëve. Ai u thotë se, kur dolën nga Egjipti, izraelitët nuk ngacmuan as Amonin, as Moabin e as Edomin. Madje në kohën kur Izraeli doli nga Egjipti, Amoni as që e kishte në zotërim tokën që pretendon. Në atë kohë, tokën e kishin amoritët, por Perëndia ia dha në dorë Izraelit mbretin e amoritëve, Sihonin. Për më tepër, izraelitët kishin 300 vjet që jetonin në atë tokë. Pse u kujtuan tani amonitët ta kërkonin?—Gjykatësit 11:14-22, 26.
Jefteu përqendrohet edhe në një çështje tjetër, që është shkaku i mjerimeve të Izraelit: Kush është Perëndia i vërtetë? Jehovai apo perënditë e vendit që kishte pushtuar Izraeli? Nëse Kemoshi do të kishte pasur sadopak fuqi, a nuk do ta kishte përdorur për të mbrojtur tokën e popullit që e adhuronte? Kjo është një betejë mes fesë së rreme, të përfaqësuar nga amonitët, dhe adhurimit të vërtetë. Prandaj, logjikisht Jefteu nxjerr si përfundim: «Jehovai që është Gjykatës le të gjykojë sot mes bijve të Izraelit dhe bijve të Amonit!»—Gjykatësit 11:23-27.
Mbreti i Amonit nuk ia vë veshin mesazhit të Jefteut, i cili nuk pranon të bëjë kompromis. «Atëherë fryma e Jehovait [vjen] mbi Jefteun, i cili [kalon] përmes Galaadit e Manaseut», me siguri duke mbledhur për luftë burrat e fuqishëm.—Gjykatësit 11:28, 29.
Zotimi i Jefteut
Ngaqë dëshiron me zjarr drejtimin e Perëndisë, Jefteu i zotohet: «Nëse vërtet m’i jep në dorë bijtë e Amonit, atëherë kush të dalë nga dyert e shtëpisë sime për të më takuar kur të kthehem fitimtar nga bijtë e Amonit, do t’i përkasë Jehovait dhe unë do t’ia paraqit si blatim të djegur.» Kështu Perëndia e bekon Jefteun dhe i jep mundësi të godasë 20 qytete amonite ‘duke bërë kërdinë’ e duke nënshtruar armiqtë e Izraelit.—Gjykatësit 11:30-33.
Por, kur Jefteu kthehet nga beteja, në derë i del vajza e tij e dashur, fëmija i vetëm! Tregimi thotë: «Sa e pa, ai zuri të shqyente rrobat e të thoshte: ‘Medet, bija ime! Ç’mi këpute gjunjët. Unë të paskam futur në telashe! Tani që fola me gojën time para Jehovait, nuk mund ta kthej pas.’»—Gjykatësit 11:34, 35.
A do ta flijojë vërtet Jefteu të bijën? Jo. S’ka mundësi që ai të ketë në mendje këtë gjë. Jehovai i urren flijimet e mirëfillta në njerëz, një nga praktikat e liga të kananitëve. (Levitiku 18:21; Ligji i përtërirë 12:31) Jehovai jo vetëm që po vepronte me frymën e tij mbi Jefteun kur bëri zotimin, por bekoi edhe përpjekjet e tij. Shkrimet flasin mirë për Jefteun për shkak të besimit të tij dhe të rolit që luajti në lidhje me qëllimin e Perëndisë. (1 Samuelit 12:11; Hebrenjve 11:32-34) Prandaj, as që mund të mendohet për një flijim njerëzor, për një vrasje. Po atëherë, ç’kishte ndër mend Jefteu kur u zotua t’i jepte Jehovait një njeri si blatim?
Me sa duket, Jefteu donte të thoshte se atë që do të takonte të parin, do t’ia paraqiste Dalja 38:8; 1 Samuelit 2:22) Nuk dihet shumë për këtë lloj shërbimi ose nëse ishte për gjithë jetën. Nga sa duket, Jefteu kishte në mendje këtë përkushtim të veçantë kur bëri zotimin dhe duket se premtimi i tij përfshinte shërbimin për gjithë jetën.
Perëndisë që t’i kushtohej plotësisht shërbimit të tij. Në Ligjin e Moisiut ekzistonte mundësia që dikush të zotohej për t’i kushtuar ndonjë shpirt Jehovait. Për shembull, gratë shërbenin në shenjtërore, ndoshta duke nxjerrë ujë. (Si vajza e Jefteut, ashtu edhe Samueli i vogël më vonë, bashkëpunuan për të përmbushur zotimet e prindërve të tyre me frikë Perëndie. (1 Samuelit 1:11) Ashtu si i ati, kjo adhuruese besnike e Jehovait ishte po aq e bindur se zotimi duhej plotësuar. Sakrifica e saj ishte e madhe, sepse do të nënkuptonte që nuk do të martohej kurrë. Ajo e qau virgjërinë e saj, sepse çdo izraelit donte të kishte fëmijë, për të ruajtur emrin dhe trashëgiminë e familjes. Për Jefteun, plotësimi i atij zotimi nënkuptonte të humbiste shoqërinë e fëmijës së tij të vetëm e të dashur.—Gjykatësit 11:36-39.
Por jeta e kësaj vashe besnike nuk shkoi kot. Shërbimi në kohë të plotë në shtëpinë e Jehovait ishte një mënyrë e shkëlqyer, e kënaqshme dhe e admirueshme për të nderuar Perëndinë. Kështu, «vit për vit bijat e Izraelit . . . shkonin për të lavdëruar bijën e Jefteut, galaditit». (Gjykatësit 11:40) E natyrisht, edhe Jefteu ishte i kënaqur që ajo i shërbente Jehovait.
Sot, shumë shërbëtorë të Perëndisë zgjedhin jetën në shërbim të plotkohor si pionierë, misionarë, mbikëqyrës udhëtues ose anëtarë të familjes Bethel. Kjo mund të nënkuptojë që s’i takojnë dot familjarët aq shpesh sa do të donin. Megjithatë, të gjithë ata që shërbejnë në këtë mënyrë dhe familjet e tyre, gëzojnë në këtë shërbim të shenjtë që i bëhet Jehovait.—Psalmi 110:3; Hebrenjve 13:15, 16.
Rebelimi ndaj udhëheqjes hyjnore
Nëse kthehemi përsëri në ditët e Jefteut, shohim se shumë izraelitë e hedhin poshtë drejtimin e Jehovait. Pavarësisht nga provat se Jefteu ka bekimin e Jehovait, efraimitët grinden me të. Duan të dinë pse nuk i thirri ata në betejë. Madje kanë ndër mend t’i djegin shtëpinë «mbi kokë»!—Gjykatësit 12:1.
Jefteu thotë se i thirri, por efraimitët nuk iu përgjigjën. Sidoqoftë, betejën e fitoi Perëndia. A janë të zemëruar tani sepse galaditët nuk u konsultuan me ta kur zgjodhën Jefteun si komandant? Faktikisht, kundërshtimi i Efraimit tregon rebelim ndaj Jehovait dhe s’ka udhë tjetër veçse të luftojnë kundër tyre. Në betejën që vijon, efraimitët munden. Të gjithë efraimitët që orvaten t’ia mbathin, identifikohen lehtë sepse nuk arrijnë të thonë saktë fjalën «Shiboleth». Gjithsej në këtë konflikt vriten 42.000 efraimitë.—Gjykatësit 12:2-6.
Ç’kohë e trishtueshme ishte kjo në historinë e Izraelit! Më parë, betejat e fituara nga gjykatësit Otniel, Ehud, Barak dhe Gideon kishin sjellë paqe. Kurse kësaj here nuk përmendet paqja. Tregimi thjesht mbyllet me këto fjalë: «Jefteu qe gjykatës i Izraelit për gjashtë vjet. Pastaj [ai] vdiq dhe e varrosën në qytetin e tij në Galaad.»—Gjykatësit 3:11, 30; 5:31; 8:28; 12:7.
Ç’mësojmë nga e gjithë kjo? Mësojmë se ndonëse Jefteu kishte një jetë plot me mundime, i qëndroi besnik Perëndisë. Ky burrë trim e përmendi Jehovain kur foli me pleqtë e Galaadit, me amonitët, me vajzën e tij dhe me efraimitët, e natyrisht, kur bëri zotimin. (Gjykatësit 11:9, 23, 27, 30, 31, 35; 12:3) Perëndia e bekoi Jefteun për përkushtimin që tregoi, duke e përdorur atë dhe të bijën për të mbështetur adhurimin e pastër. Në një kohë kur të tjerët i kishin braktisur normat hyjnore, Jefteu u qëndroi besnik atyre normave. A do t’i bindesh edhe ti gjithmonë Jehovait, ashtu si Jefteu?
[Shënimi]
^ par. 5 Amonitët ishin të zotët të kryenin mizori të mëdha. As 60 vjet më vonë, ata i terrorizuan banorët e një qyteti duke i kërcënuar se do t’u nxirrnin syrin e djathtë të gjithëve. Profeti Amos tregoi për një rast kur ata u çanë barkun grave shtatzëna të Galaadit.—1 Samuelit 11:2; Amosi 1:13.