Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Planet e tua do të jenë të sigurta»

«Planet e tua do të jenë të sigurta»

«Planet e tua do të jenë të sigurta»

NË NJË melodi që kompozoi, psalmisti David u lut: «Krijo tek unë një zemër të kulluar, o Perëndi, dhe vër brenda meje një frymë të re, të palëkundur! Më rikthe ngazëllimin e shpëtimit prej teje, dhe më mbështet duke më dhënë një frymë të gatshme!» (Psalmi 51:10, 12) I penduar pas mëkatit që kishte kryer me Betshebën, në këto vargje Davidi iu përgjërua Perëndisë Jehova që t’i pastronte zemrën dhe t’i vinte brenda frymën ose prirjen mendore që të vepronte drejt.

A krijon vërtet Jehovai tek ne një zemër të re, duke vënë brenda nesh një frymë të re e të gatshme? Apo një zemër e kulluar është diçka që duhet të përpiqemi ta fitojmë e ta ruajmë? «Ai që shqyrton zemrat është Jehovai», por deri në ç’pikë përfshihet në atë që ndodh brenda nesh? (Proverbat 17:3; Jeremia 17:10) Sa ndikon ai në jetën tonë, në motivet dhe në veprimet tona?

Nëntë vargjet e para të kapitullit të 16-të të Proverbave, ku përmendet tetë herë emri i Perëndisë, na tregojnë si ta vëmë jetën nën kontrollin e Perëndisë, me qëllim që ‘planet tona të jenë të sigurta’. (Proverbat 16:3) Vargjet 10 deri në 15 përqendrohen te përgjegjësia që ka një mbret ose një sundimtar.

Kush duhet «të vërë në radhë mendimet e zemrës»?

«Njeriut i takon të vërë në radhë mendimet e zemrës»,—thuhet te Proverbat 16:1a. Pra, është e qartë se e kemi ne përgjegjësinë ‘t’i vëmë në radhë mendimet e zemrës’. Jehovai nuk bën ndonjë mrekulli që të përgatitë zemrën tonë dhe të na japë një frymë të gatshme. Duhet të bëjmë vetë përpjekje për të fituar njohurinë e saktë të Fjalës së tij, Biblës, për të medituar rreth asaj që mësojmë dhe për t’i vënë mendimet tona në përputhje me mendimet e tij.​—Proverbat 2:10, 11.

Gjithsesi, kërkesa e Davidit për «një zemër të kulluar» dhe «një frymë të re» tregon se ai e pranonte prirjen e tij mëkatare dhe nevojën për ndihmën e Perëndisë që të pastronte zemrën. Ngaqë jemi të papërsosur, ne mund të tundohemi që të kryejmë «veprat e mishit». (Galatasve 5:19-21) Na duhet ndihma e Jehovait që t’i bëjmë «të vdesin gjymtyrët e trupit [tonë] në tokë në lidhje me kurvërinë, ndyrësinë, urinë seksuale, dëshirat e dëmshme dhe lakminë». (Kolosianëve 3:5) Sa jetësore është pra që t’i lutemi për ndihmë atij, për të mos u dorëzuar para tundimeve dhe për të hequr nga zemra jonë tiparet mëkatare!

A mund t’i ndihmojmë ne të tjerët që ‘të vënë në radhë mendimet’ e zemrës së tyre? Bibla thotë: «Ka nga ata që flasin pa u menduar si me goditje shpate, por gjuha e të mençurve është shërim.» (Proverbat 12:18) Kur ka efekt shërues gjuha? Vetëm kur «përgjigjja e gjuhës vjen nga Jehovai», domethënë kur themi fjalët e sakta të së vërtetës biblike.​—Proverbat 16:1b.

«Zemra është më e pabesë se çdo gjë tjetër. Ajo është e rrezikshme»,—thotë Bibla. (Jeremia 17:9) Zemra jonë e figurshme është e prirur të justifikohet dhe të mashtrojë veten. Duke paralajmëruar për këtë rrezik, Solomoni, mbret i Izraelit të lashtë, thotë: «Të gjitha udhët e tij i duken të kulluara njeriut, por Jehovai vlerëson frymën.»​Proverbat 16:2.

Dashuria për veten mund të na bëjë t’i justifikojmë gabimet tona, t’i fshehim tiparet e padëshirueshme dhe ta shpërfillim ligësinë tonë. Por Jehovain s’mund ta mashtrojmë. Ai vlerëson frymën. Fryma është prirja mendore mbizotëruese e një njeriu dhe ka lidhje me zemrën. Në një masë të madhe, fryma që zhvillon një njeri varet nga veprimet e zemrës së figurshme, ku përfshihen gjëra të tilla, si: mendimet, ndjenjat dhe motivet tona. Këtë frymë heton «ai që shqyrton zemrat», dhe, kur gjykon, ai nuk mban anë dhe nuk favorizon askënd. Jemi të mençur nëse e ruajmë frymën tonë.

«Lërja në dorë Jehovait punët e tua»

Të bësh plane përfshin të bluash në mendje—dhe lidhet me zemrën. Zakonisht, pas planeve vijnë veprimet. A do t’ia dalim mbanë? Solomoni thotë: «Lërja në dorë Jehovait punët e tua, dhe planet e tua do të jenë të sigurta.» (Proverbat 16:3) T’ia lëmë në dorë Jehovait punët tona do të thotë t’i besojmë atij, të mbështetemi tek ai, t’i nënshtrohemi atij—si të thuash t’i heqim nga supet tona dhe t’ia kalojmë atij. Psalmisti këndoi: «Lëre udhën tënde në dorë të Jehovait e mbështetu tek ai, dhe ai do të veprojë.»​—Psalmi 37:5.

Por, që të jenë të sigurta, planet tona duhet të jenë në përputhje me Fjalën e Perëndisë dhe duhet të vijnë nga motive të mira. Për më tepër, duhet t’i lutemi Jehovait për ndihmë e mbështetje dhe pastaj me ndërgjegje të bëjmë çmos për të zbatuar këshillat e Biblës. Është veçanërisht e rëndësishme ‘t’ia hedhim barrën Jehovait’ kur hasim sprova ose vështirësi, pasi ‘ai do të na mbështetë’. Po, «ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet».​—Psalmi 55:22.

«Çdo gjë Jehovai e ka bërë për qëllimin e tij»

Ç’vjen tjetër kur i lëmë punët tona në dorë të Jehovait? «Çdo gjë Jehovai e ka bërë për qëllimin e tij»,—thotë mbreti i mençur. (Proverbat 16:4a) Krijuesi i universit është një Perëndi që ka qëllime e që i përmbush. Kur i lëmë punët tona në dorë të tij, jeta jonë mbushet me veprimtari të qëllimshme e domethënëse, jo të kota ose boshe. Qëllimi i Jehovait për tokën e për njeriun që jeton në të, është i përjetshëm. (Efesianëve 3:11) Ai e formoi tokën dhe e krijoi «që të banohej». (Isaia 45:18) Jo vetëm kaq, por qëllimi që vuri fillimisht për njerëzimin në tokë, do të bëhet realitet se s’bën. (Zanafilla 1:28) Një jetë që i është kushtuar Perëndisë së vërtetë nuk do të ketë fund dhe do të ketë përgjithmonë kuptim.

Jehovai e ka bërë «edhe të ligun për ditën e keqe». (Proverbat 16:4b) Jo se i krijoi ai të ligjtë, pasi ‘vepra e tij është e përsosur’. (Ligji i përtërirë 32:4) Por i ka lejuar të ekzistojnë e të vazhdojnë të jetojnë derisa ta shohë të përshtatshme të ekzekutojë gjykimin e tij të pafavorshëm. Për shembull, Jehovai i tha faraonit të Egjiptit: «Për këtë shkak të kam lënë gjallë: që të të tregoj fuqinë time dhe që emri im të shpallet në gjithë tokën.» (Dalja 9:16) Dhjetë Plagët dhe shkatërrimi i faraonit e i ushtrive të tij në Detin e Kuq, ishin vërtet shfaqje të paharrueshme të fuqisë së pashoqe të Perëndisë.

Jehovai mund t’i rregullojë rrethanat në mënyrë të tillë që të ligjtë, pa e ditur, t’i shërbejnë qëllimit të tij. Psalmisti tha: «Kur njeriu tërbohet, përlëvdohesh ti; me tërbimin e tij të pashfryrë do të stolisesh [ti, o Jehova].» (Psalmi 76:10) Jehovai mund t’i lejojë armiqtë e tij që ta shfryjnë zemërimin kundër shërbëtorëve të vet, por vetëm aq sa është e nevojshme për të disiplinuar popullin e tij e për ta stërvitur. Çfarë shkon përtej kësaj, Perëndia e mban vetë.

Mirë që Jehovai i mbështet shërbëtorët e tij të përulur, por, a mbështet edhe krenarët e arrogantët? Mbreti i Izraelit thotë: «Njerëzit me zemër krenare janë të pështirë për Jehovain. Edhe nëse lidhin besën, duke i shtrënguar dorën njëri-tjetrit, prapë s’do të lihen pa u ndëshkuar.» (Proverbat 16:5) Ata që janë «me zemër krenare» mund të bashkohen për të mbështetur njëri-tjetrin, por nuk do t’i shpëtojnë ndëshkimit. Prandaj, ne me mençuri zhvillojmë frymën e përulësisë, pavarësisht se sa njohuri kemi ose sa të aftë jemi për ndonjë privilegj shërbimi që mund të kemi.

«Duke iu frikësuar Jehovait»

Meqë kemi lindur në mëkat, jemi të prirur të gabojmë. (Romakëve 3:23; 5:12) Ç’do të na ndihmojë të mos bëjmë plane që do të na çojnë në rrugë të keqe? Te Proverbat 16:6 thuhet: «Faji shlyhet me dashamirësi e vërtetësi, dhe duke iu frikësuar Jehovait, njeriu largohet nga e keqja.» Edhe pse Jehovai me dashamirësinë dhe me vërtetësinë e tij na shlyen mëkatet, frika ndaj Jehovait na ndalon që të kryejmë mëkate. Sa jetësore është që bashkë me dashurinë për Perëndinë dhe vlerësimin për dashamirësinë e tij, të zhvillojmë frikën se mos i shkaktojmë pakënaqësi!

Frika nga Perëndia na hyn në zemër kur zhvillojmë respekt të thellë për fuqinë mahnitëse të Perëndisë. Mendoni vetëm se si është shfaqur në krijim fuqia e tij! Kur iu rikujtua si ishte shfaqur fuqia e Perëndisë në veprat krijuese, patriarku Job e ndreqi mënyrën e të menduarit. (Jobi 42:1-6) A nuk ka të njëjtin ndikim te ne leximi dhe meditimi rreth tregimeve për mënyrën si ka vepruar Jehovai me popullin e tij, të dokumentuar në Bibël? Psalmisti këndoi: «Ejani dhe shihni veprat e Perëndisë! Ajo që bën me bijtë e njerëzve, të ngjall frikë.» (Psalmi 66:5) Dashamirësia e Jehovait nuk duhet marrë si diçka e zakonshme. Kur izraelitët ‘u rebeluan dhe e lënduan frymën e shenjtë të Perëndisë, ai u bë armiku i tyre dhe luftoi vetë kundër tyre’. (Isaia 63:10) Nga ana tjetër, «kur Jehovai gjen ëndje në udhët e një njeriu, bën që edhe armiqtë e këtij të jenë në paqe me të». (Proverbat 16:7) Sa shumë të mbron frika nga Jehovai!

«Më mirë pak dhe me drejtësi, se një bollëk prodhimesh pa drejtësi»,—tha mbreti i mençur. (Proverbat 16:8) Te Proverbat 15:16 thuhet: «Më mirë pak me frikë nga Jehovai, se një rezervë e bollshme bashkë me pështjellim.» Natyrisht që nderimi i thellë për Perëndinë është thelbësor për të qëndruar në rrugën e drejtë.

«Me zemër njeriu gjykon se çfarë udhe do të marrë»

Njeriu u krijua me vullnet të lirë dhe mund të zgjedhë mes së drejtës dhe së gabuarës. (Ligji i përtërirë 30:19, 20) Zemra jonë e figurshme e ka aftësinë për të shqyrtuar mundësi të ndryshme e për t’u përqendruar te një a më shumë prej tyre. Solomoni tregon se është përgjegjësia jonë të zgjedhim: «Me zemër njeriu gjykon se çfarë udhe do të marrë.» Pasi ai bën këtë, «Jehovai ia drejton hapat». (Proverbat 16:9) Meqë Jehovai mund të na drejtojë hapat, veprojmë me mençuri kur i kërkojmë ndihmë që ‘planet tona të jenë të sigurta’.

Siç e kemi komentuar më parë, zemra është e pabesë dhe ka aftësinë të bëjë arsyetime të rreme. Për shembull një njeri mund të bëjë një mëkat dhe zemra e tij menjëherë të gjejë justifikime për këtë. Në vend që të braktisë rrugën mëkatare, ai njeri mund të arsyetojë se Perëndia është i dashur, i mirë, i mëshirshëm dhe fal. Në fakt, ky njeri ka thënë në zemër të tij: «Perëndia ka harruar. Ai e ka fshehur fytyrën e tij, dhe nuk do ta shohë kurrë.» (Psalmi 10:11) Por është e pavend dhe e rrezikshme të presësh mëshirë nga Perëndia kur e di që nuk je në rrugë të drejtë.

«Kandari dhe peshorja e saktë i përkasin Jehovait»

Duke e zhvendosur vëmendjen nga zemra dhe veprimet e njerëzve në përgjithësi, te zemra dhe veprimet e një mbreti, Solomoni thotë: «Mbi buzët e mbretit duhet të jetë vendimi i frymëzuar; në gjykim goja e tij s’duhet të dalë e pabesë.» (Proverbat 16:10) Kjo do të jetë patjetër e vërtetë për Mbretin e kurorëzuar, Jezu Krishtin. Sundimi i tij mbi tokën do të jetë në përputhje me vullnetin e Perëndisë.

Duke treguar cili është burimi i drejtësisë, mbreti i mençur thotë: «Kandari dhe peshorja e saktë i përkasin Jehovait; vepër e tij janë gjithë gurët e peshës të torbës.» (Proverbat 16:11) Kandarët dhe peshoret e sakta i siguron Jehovai. Këto standarde ose norma nuk duhet t’i vendosë mbreti si t’i pëlqejë. Kur ishte në tokë, Jezui tha: «Unë s’mund të bëj as edhe një gjë të vetme me nismën time. Gjykoj siç dëgjoj, dhe gjykimi që jap unë, është i drejtë, sepse nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi.» Mund të jemi të sigurt se Biri, të cilit Ati ‘i ka lënë në dorë gjithë gjykimin’, do të tregojë drejtësi të përsosur.​—Gjoni 5:22, 30.

Ç’mund të presim tjetër nga një mbret që përfaqëson Jehovain? «Është e pështirë për mbretërit të bëjnë ligësi,—thotë mbreti i Izraelit,—sepse me drejtësi froni bëhet i patundur.» (Proverbat 16:12) Mbretëria mesianike udhëhiqet nga normat e drejta të Perëndisë. Nuk ka asnjë lidhje me «atë fron që sjell halle».​—Psalmi 94:20; Gjoni 18:36; 1 Gjonit 5:19.

Të fitojmë pëlqimin e mbretit

Si duhet të veprojnë nënshtetasit e një mbreti madhështor? Solomoni thotë: «Buzët e drejtësisë janë kënaqësi për një mbret të madhërishëm; ai e do atë që thotë gjëra të drejta. Tërbimi i mbretit është lajmëtar i vdekjes, por njeriu i mençur e shmang atë.» (Proverbat 16:13, 14) Sot adhuruesit e Jehovait ua vënë veshin këtyre fjalëve dhe janë të zënë në veprën e predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve. (Mateu 24:14; 28:19, 20) E dinë se, duke i përdorur kështu buzët, i sjellin kënaqësi Mbretit mesianik, Jezu Krishtit. Nëse ishte e mençur të shmangie pakënaqësinë e një mbreti të fuqishëm njerëzor dhe të kërkoje pëlqimin e tij, sa më tepër është e mençur të kërkojmë miratimin e Mbretit mesianik!

Solomoni vazhdon: «Në dritën e fytyrës së mbretit ka jetë, dhe pëlqimi i tij është si reja e shiut pranveror.» (Proverbat 16:15) ‘Drita e fytyrës së mbretit’ nënkupton miratimin e tij, ashtu si ‘drita e faqes së Jehovait’ nënkupton miratimin e tij. (Psalmi 44:3; 89:15) Ashtu si retë e shiut janë një garanci se do të ketë ujë që të ujiten të mbjellat, po ashtu pëlqimi i mbretit është tregues i gjërave të mira që do të vijnë. Nën sundimin e Mbretit mesianik, jeta do të jetë plot bekime e begati, siç ishte në një shkallë të vogël nën mbretërimin e Solomonit.​—Psalmi 72:1-17.

Ndërsa presim që Mbretëria e Perëndisë të marrë nën kontroll të gjitha çështjet këtu në tokë, le të kërkojmë ndihmën e Perëndisë për të pastruar zemrën tonë. Le t’i besojmë Jehovait dhe të zhvillojmë frikën prej tij. Atëherë mund të jemi plotësisht të bindur se ‘planet tona do të jenë të sigurta’.​—Proverbat 16:3.

[Figura në faqen 18]

Në ç’kuptim Jehovai e ka bërë ‘të ligun për ditët e këqija’?