Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse të gjitha vuajtjet do të marrin fund së shpejti?

Pse të gjitha vuajtjet do të marrin fund së shpejti?

Pse të gjitha vuajtjet do të marrin fund së shpejti?

«Shkëmbi, e përsosur është vepra e tij.»​—LIGJI I PËRTËRIRË 32:4.

1, 2. (a) Pse e vlerëson shpresën për të jetuar përgjithmonë? (b) Çfarë i pengon shumë veta që të besojnë te Perëndia i cili bën premtime të mrekullueshme për të ardhmen?

A TË pëlqen të mendosh si do të jetë jeta në Parajsë? Ndoshta e përfytyron veten duke eksploruar këtë planet të mrekullueshëm e duke mësuar për larminë pothuajse të pafund të gjërave të gjalla. Ose ndoshta mendon për kënaqësinë që do të ndiesh duke punuar përkrah të tjerëve për ta rregulluar tokën dhe për ta shndërruar në një kopsht të bukur. Ndoshta ëndërron edhe për talentet që mund të zhvillosh në art, arkitekturë, muzikë ose veprimtari të tjera për të cilat nuk e gjen dot kohën në jetën e sotme të etshme. Sidoqoftë, e vlerëson shumë shpresën për të pasur atë që Bibla e quan «jetën e vërtetë», jetën siç e kishte ndër mend për ne Jehovai, në përjetësi.​—1 Timoteut 6:19.

2 Është një kënaqësi dhe një privilegj i çmuar t’u flasim të tjerëve për këtë shpresë të bazuar në Bibël, apo jo? Mirëpo, shumë veta nuk e pranojnë këtë shpresë. E quajnë iluzion, një ëndërr jorealiste për njerëz naivë. Madje mund ta kenë të vështirë të besojnë edhe te Perëndia që premton jetën e përhershme në Parajsë. Përse? Disa i pengon ai që shpesh quhet problemi i ligësisë. Sipas tyre, nëse Perëndia ekziston dhe është i plotfuqishëm e i dashur, si mund të shpjegohen ligësitë dhe vuajtjet në botë? Ata arsyetojnë se s’mund të ekzistojë një Perëndi që toleron ligësinë dhe, nga ana tjetër, nëse ekziston, ose nuk është i plotfuqishëm, ose nuk do t’ia dijë për ne. Disave u duket bindës ky lloj arsyetimi. Sigurisht që Satanai ka qenë mjaft i shkathët për t’ua verbuar mendjen njerëzve.​—2 Korintasve 4:4.

3. Për cilën pyetje të rëndësishme mund t’i ndihmojmë njerëzit të marrin përgjigje dhe përse vetëm ne mund ta bëjmë këtë?

3 Si Dëshmitarë të Jehovait, ne kemi një mundësi të pashoqe për t’i ndihmuar njerëzit që po i mashtron Satanai dhe mençuria e kësaj bote. (1 Korintasve 1:20; 3:19) Ne e kuptojmë pse shumë veta nuk i besojnë premtimet e Biblës. Ata thjesht nuk e njohin Jehovain. Ndoshta nuk ia dinë emrin ose domethënien e atij emri, e me siguri dinë shumë pak ose asgjë për cilësitë e tij ose për reputacionin e tij si një Perëndi që i mban premtimet. Ne jemi të bekuar që e kemi këtë njohuri. Hera-herës, është mirë të rishqyrtojmë si t’i ndihmojmë njerëzit që janë «në errësirë mendërisht» të gjejnë përgjigjen për një nga pyetjet më të vështira që bëjnë njerëzit: «Pse e lejon Perëndia ligësinë dhe vuajtjet?» (Efesianëve 4:18) Së pari, do të shohim si mund të hedhim themelin për një përgjigje të efektshme. Më pas do të shqyrtojmë se si dalin në pah cilësitë e Jehovait në mënyrën si e ka trajtuar çështjen e ligësisë.

Të gjejmë mënyrën e duhur për t’u përgjigjur

4, 5. Çfarë mund të na duhet të bëjmë fillimisht, kur dikush pyet përse i lejon Perëndia vuajtjet? Shpjegoni.

4 Si përgjigjemi kur dikush na pyet përse i lejon Perëndia vuajtjet? Ndoshta kemi prirjen t’i japim menjëherë një shpjegim të hollësishëm, duke nisur me ngjarjet që ndodhën në kopshtin e Edenit. Në disa raste kjo mund të funksionojë. Por duhet pasur kujdes. Nganjëherë mund të nevojitet të hedhim një themel. (Proverbat 25:11; Kolosianëve 4:6) Të shqyrtojmë tri pika me të cilat mund ta ndihmojmë dikë, para se t’i japim përgjigje pyetjes që na bëhet.

5 Së pari, nëse atë njeri e shqetëson sidomos fakti që kjo botë është e mbushur me ligësi, ka mundësi që ai vetë ose njerëzit e tij të afërt ta kenë provuar mbi kurriz ligësinë. Atëherë, ndoshta është e mençur që fillimisht të tregojmë empati për të. Apostulli Pavël i këshilloi të krishterët: «Qani me ata që qajnë.» (Romakëve 12:15) Nëse ne tregojmë empati ose «ndjenja të përbashkëta», ai me të cilin po flasim mund të preket. (1 Pjetrit 3:8) Nëse e kupton se interesohemi për të, ka më shumë të ngjarë të na dëgjojë se ç’do të themi.

6, 7. Pse është me vend ta lavdërojmë një njeri të sinqertë që pyet për një argument të thellë biblik që e shqetëson?

6 Së dyti, mund ta lavdërojmë këtë njeri të sinqertë që bëri këtë pyetje. Disa njerëz mendojnë se, ngaqë bluajnë në mendje pyetje të tilla, po tregojnë që s’kanë besim ose respekt për Perëndinë. Madje kështu mund t’i ketë thënë edhe ndonjë klerik. Por nuk është medoemos kështu. Edhe njerëz besnikë në kohët biblike bënë pyetje të ngjashme. Për shembull, psalmisti David pyeti: «O Jehova, pse rri akoma larg? Pse fshihesh në kohë vuajtjesh?» (Psalmi 10:1) Po ashtu, profeti Habakuk pyeti: «Deri kur, o Jehova, do të thërras për ndihmë dhe ti nuk do të më dëgjosh? Deri kur do të thërras për ndihmën tënde kundër dhunës e ti nuk do të më shpëtosh? Përse më bën të shoh të keqen dhe vazhdon të vështrosh ligësinë? Përse para meje ka grabitje dhe dhunë, pse ka grindje dhe zënka?»​—Habakuku 1:2, 3.

7 Këta ishin burra me besim dhe kishin shumë respekt për Perëndinë. A u qortuan pse bënë pyetje të tilla shqetësuese? Jo, përkundrazi, Jehovai e pa të udhës që t’i ruante në Fjalën e tij pyetjet e tyre të sinqerta. Një njeri që pyet pse mbizotëron ligësia sot, në fakt mund të jetë i etur për njohuri rreth Perëndisë, për përgjigje që mund t’i japë vetëm Bibla. Të mos harrojmë se Jezui foli mirë për ata që janë të uritur frymësisht ose «që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë». (Mateu 5:3) Është vërtet privilegj t’i ndihmojmë këta që të gjejnë lumturinë që premtoi Jezui.

8. Cilat mësime pështjelluese i kanë bërë njerëzit të besojnë se është Perëndia përgjegjës për vuajtjet, por si mund t’i ndihmojmë?

8 Së treti, ndoshta duhet ta ndihmojmë atë njeri të kuptojë se nuk është Perëndia përgjegjës për ligësinë që mbizotëron sot në botë. Shumë njerëzve u është mësuar se sundimtari i kësaj bote ku jetojmë është Perëndia, se kohë më parë Perëndia përcaktoi çdo gjë që na ndodh dhe se ai ka arsyet e tij të mistershme e të pakuptueshme pse u shkakton vuajtje njerëzve. Këto mësime janë të rreme. Ato ia njollosin emrin Perëndisë dhe e bëjnë të duket përgjegjës për ligësinë e për vuajtjet që ka në botë. Prandaj, ndoshta do të na duhet të përdorim Fjalën e Perëndisë për t’i ndrequr këto pikëpamje. (2 Timoteut 3:16) Nuk është Jehovai sundimtar i kësaj bote të korruptuar, por Satana Djalli. (1 Gjonit 5:19) Jehovai nuk ua paracakton fatin krijesave të tij me aftësi për të arsyetuar. Ai i jep secilit liri dhe mundësi që të zgjedhë mes së mirës dhe së keqes, së drejtës dhe së gabuarës. (Ligji i përtërirë 30:19) Veç kësaj, Jehovai nuk është kurrë burimi i ligësisë. Ai e urren ligësinë dhe kujdeset për ata që vuajnë padrejtësisht.​—Jobi 34:10; Proverbat 6:16-19; 1 Pjetrit 5:7.

9. Cilat janë disa botime të dobishme që ka siguruar «skllavi i besueshëm dhe i matur» për t’i ndihmuar njerëzit të kuptojnë pse i lejon Perëndia Jehova vuajtjet?

9 Pasi ke hedhur këtë themel, ndoshta do të shohësh se dëgjuesi yt është gati të mësojë pse Perëndia i lejon të vazhdojnë vuajtjet. Si ndihmë, «skllavi i besueshëm dhe i matur» ka siguruar shumë botime të dobishme. (Mateu 24:45-47) Për shembull, në Kongresin Krahinor «T’i bindemi Perëndisë» për vitin 2005-2006, doli një fletushkë me titull Së shpejti, të gjitha vuajtjet do të marrin fund! Nëse e ke këtë fletushkë në gjuhën tënde, përse të mos familjarizohesh me përmbajtjen e saj? Po ashtu, libri Çfarë mëson vërtet Bibla?, tani është përkthyer në 157 gjuhë dhe i kushton një kapitull të tërë kësaj pyetjeje të rëndësishme. Përdori sa më shumë këto botime. Ato e shpjegojnë qartë serinë e ngjarjeve të përshkruara në Bibël që çuan në çështjen e sovranitetit universal në Eden, si dhe përse e zgjidhi në atë mënyrë Jehovai. Mos harro edhe se duke shqyrtuar këtë temë, po i zbulon dëgjuesit tënd fushën më të rëndësishme të njohurive. Është njohuria për Jehovain dhe për cilësitë e tij të mrekullueshme.

Përqendrohu te cilësitë e Jehovait

10. Pse është e vështirë për shumë njerëz të kuptojnë se përse i ka lejuar Perëndia vuajtjet dhe çfarë duhet të dinë për ta kuptuar?

10 Ndërsa i ndihmon njerëzit të kuptojnë pse Jehovai i ka lejuar njerëzit të vetëqeverisen nën ndikimin e Satanait, përpiqu t’ua drejtosh vëmendjen te cilësitë e mrekullueshme të Jehovait. Shumë njerëz e dinë se Perëndia është i fuqishëm dhe janë mësuar të dëgjojnë shprehjen Perëndia i Plotfuqishëm. Por mund ta kenë të vështirë të kuptojnë pse nuk e përdor këtë fuqi të madhe për t’u dhënë fund menjëherë padrejtësive dhe vuajtjeve. Ndoshta nuk i dinë cilësitë e tjera të Jehovait, si: shenjtërinë, drejtësinë, mençurinë dhe dashurinë e tij. Jehovai i shfaq këto cilësi në një ekuilibër të përsosur. Kështu Bibla thotë: «E përsosur është vepra e tij.» (Ligji i përtërirë 32:4) Si t’i nxjerrësh në pah këto cilësi ndërsa u përgjigjesh pyetjeve që lindin shpesh për këtë çështje? Le të shqyrtojmë disa shembuj.

11, 12. (a) Pse nuk ekzistonte si mundësi falja, kur Adami dhe Eva mëkatuan? (b) Pse Jehovai nuk do ta tolerojë përjetë mëkatin?

11 A s’mund t’i kishte falur Jehovai Adamin dhe Evën? Në këtë rast falja nuk ekzistonte si mundësi. Si njerëz të përsosur, Adami dhe Eva zgjodhën me dashje që të hidhnin poshtë sovranitetin e Jehovait e të pranonin në vend të tij udhëheqjen e Satanait. Nuk habitemi që këta rebelë s’treguan asnjë shenjë pendimi. Sidoqoftë, kur njerëzit pyesin pse nuk i fali Jehovai, ndoshta në të vërtetë po pyesin pse nuk i uli normat e tij e ta toleronte mëkatin dhe rebelimin. Përgjigjja ka të bëjë me një cilësi thelbësore të natyrës së Jehovait, me shenjtërinë e tij.​—Dalja 28:36; 39:30.

12 Bibla e thekson me qindra herë shenjtërinë e Jehovait. Por mjerisht, në këtë botë të korruptuar, pak njerëz e kuptojnë këtë cilësi. Jehovai është i pastër, i ndarë nga çdo mëkat. (Isaia 6:3; 59:2) Për sa i përket mëkatit, ai ka marrë një masë për ta shlyer atë, për ta fshirë, por nuk do ta tolerojë përgjithmonë. Nëse Jehovai do të ishte i gatshëm ta toleronte përjetë mëkatin, ne s’do të kishim shpresë për të ardhmen. (Proverbat 14:12) Në kohën që ka përcaktuar, Jehovai do ta sjellë përsëri gjithë krijimin në një gjendje të shenjtë. Kjo është e sigurt, pasi është vullneti i të Shenjtit.

13, 14. Pse Jehovai zgjodhi të mos i shkatërronte rebelët në Eden?

13 A s’mund t’i kishte shkatërruar Jehovai rebelët në Eden dhe ta kishte nisur gjithçka nga e para? Sigurisht që e kishte fuqinë për ta bërë këtë, pasi së shpejti do ta përdorë atë fuqi për të shkatërruar të gjithë të ligjtë. Atëherë disa mund të pyesin: ‘Pse nuk e bëri këtë kur në univers kishte vetëm tre mëkatarë? A s’do të ishte parandaluar kështu përhapja e mëkatit dhe e gjithë mjerimeve që shohim në botë?’ Pse Jehovai nuk e zgjidhi kështu çështjen? Ligji i përtërirë 32:4 thotë: «Të gjitha udhët e tij janë drejtësi.» Jehovai ka një ndjenjë shumë të fortë drejtësie. Në fakt, ai «e do drejtësinë». (Psalmi 37:28) Ngaqë e do drejtësinë, Jehovai nuk i shfarosi rebelët në Eden. Përse?

14 Nga rebelimi i Satanait lindi një pyetje nëse ishte i drejtë sovraniteti i Perëndisë. Ndjenja e drejtësisë që kishte Jehovai, kërkonte që kësaj sfide të Satanait t’i jepej një përgjigje e drejtë. Ekzekutimi i menjëhershëm i rebelëve, ndonëse plotësisht i merituar, nuk do ta kishte dhënë këtë përgjigje. Do të kishte treguar edhe më tej se Jehovai ka fuqi mbi gjithçka, por në fakt nuk u vu në diskutim fuqia e tij. Veç kësaj, Jehovai ia kishte thënë qëllimin e tij Adamit dhe Evës. Ata duhej të kishin pasardhës e ta mbushnin tokën, ta sundonin e të mbanin të nënshtruara të gjitha krijesat e tokës. (Zanafilla 1:28) Po t’i kishte shfarosur Jehovai Adamin dhe Evën, qëllimi që kishte shprehur lidhur me njerëzit do të ishte kthyer në fjalë boshe. Drejtësia e Jehovait nuk do ta lejonte kurrë këtë, sepse qëllimi i tij realizohet gjithnjë.​—Isaia 55:10, 11.

15, 16. Si të arrijmë t’i ndihmojmë ata njerëz që propozojnë «zgjidhje» të ndryshme për sfidën që u bë në Eden?

15 A kishte në univers ndonjë që do ta kishte zgjidhur rebelimin në mënyrë më të mençur se Jehovai? Disa njerëz mund të propozojnë «zgjidhjet» që do t’i jepnin ata rebelimit në Eden. Por, duke vepruar kështu, a nuk po lënë të kuptohet se mund të mendojnë zgjidhje më të mira se Perëndia për këtë çështje? Ndoshta s’e bëjnë këtë me motiv të keq, por nuk e njohin Jehovain dhe mençurinë e tij mbresëlënëse. Kur po u shkruante të krishterëve në Romë, apostulli Pavël e shqyrtoi thellë mençurinë e Perëndisë, duke përfshirë ‘sekretin e shenjtë’ lidhur me qëllimin e Jehovait që të përdorë Mbretërinë mesianike për të shpenguar njerëzimin besnik dhe për të shenjtëruar emrin e Tij të shenjtë. Ç’mendonte Pavli për mençurinë e Perëndisë që konceptoi këtë qëllim? Ky apostull e mbyll letrën e tij me këto fjalë: «Perëndisë, të vetmit të mençur, i qoftë përgjithmonë lavdia nëpërmjet Jezu Krishtit! Amin!»​—Romakëve 11:25; 16:25-27.

16 Pavli e kuptonte se Jehovai është ‘i vetmi i mençur’, ai është kulmi i mençurisë në univers. Cili njeri i papërsosur do të arrinte të mendonte ndonjë mënyrë më të mirë për të zgjidhur çfarëdo problemi, për të mos folur për sfidën më të vështirë që i është bërë ndonjëherë mençurisë hyjnore? Pra, duhet t’i ndihmojmë njerëzit që të kenë të njëjtin nderim si ne për Perëndinë që «ka zemër të mençur». (Jobi 9:4) Sa më mirë ta kuptojmë mençurinë e Jehovait, aq më shumë do të kemi besim se mënyra si i bën ai gjërat është më e mira.​—Proverbat 3:5, 6.

Të kuptojmë cilësinë kryesore të Jehovait

17. Si i ndihmon një kuptueshmëri më e plotë e dashurisë së Jehovait, ata që shqetësohen se përse Perëndia i ka lejuar vuajtjet?

17 «Perëndia është dashuri.» (1 Gjonit 4:8) Me këto fjalë mbresëlënëse, Bibla identifikon cilësinë kryesore të Jehovait, cilësinë më tërheqëse nga të gjitha dhe më ngushëlluese për ata që i shqetëson përhapja e madhe e ligësisë. Jehovai ka treguar dashuri me çdo gjë që ka bërë për të përballuar gjëmën që ka sjellë mëkati mbi krijesën e tij. Dashuria e shtyu Jehovain t’u jepte shpresë pasardhësve mëkatarë të Adamit dhe Evës, duke u dhënë një mjet për t’iu afruar Atij dhe për të pasur një marrëdhënie të miratuar me Të. Dashuria e shtyu Perëndinë të siguronte një shpërblesë që do të hapte udhën për faljen e plotë të mëkateve dhe rivendosjen në jetën e përhershme me përsosmëri. (Gjoni 3:16) Dashuria e ka shtyrë të jetë i duruar me njerëzimin, duke u dhënë sa më shumë njerëzve mundësinë të hedhin poshtë Satanain dhe të zgjedhin Jehovain si Sovran.​—2 Pjetrit 3:9.

18. Me cilën kuptueshmëri jemi bekuar ne dhe çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?

18 Në një grumbullim për përvjetorin e një sulmi terrorist me pasoja shkatërrimtare, një pastor i tha auditorit: «Nuk e dimë arsyen pse Perëndia lejon që të vazhdojë ligësia dhe vuajtjet.» Sa gjë e trishtueshme! A nuk jemi të bekuar ne që kemi kuptueshmëri për këtë çështje? (Ligji i përtërirë 29:29) E meqë Jehovai është i mençur, i drejtë dhe i dashur, e dimë se së shpejti do t’u japë fund të gjitha vuajtjeve. Madje ai ka premtuar se do ta bëjë këtë. (Zbulesa 21:3, 4) Po ç’të themi për gjithë ata që kanë vdekur gjatë shekujve? A janë të pashpresë për shkak të mënyrës si e ka zgjidhur Jehovai sfidën që u ngrit në Eden? Jo. Dashuria e ka shtyrë Jehovain të mendojë edhe për ta, duke siguruar ringjalljen. Kjo do të jetë tema e artikullit vijues.

Si do të përgjigjeshit?

• Ç’mund t’i themi dikujt që na pyet pse i lejon Perëndia vuajtjet?

• Si janë shfaqur shenjtëria dhe drejtësia e Jehovait në mënyrën si veproi me rebelët në Eden?

• Pse duhet t’i ndihmojmë njerëzit që ta kuptojnë më mirë dashurinë e Jehovait?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 21]

Përpiqu t’i ndihmosh ata që janë të shqetësuar për vuajtjet në botë

[Figurat në faqen 23]

Njerëz me besim si Davidi dhe Habakuku i bënë Perëndisë pyetje të sinqerta