Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ringjallja: A është reale për ty?

Ringjallja: A është reale për ty?

Ringjallja: A është reale për ty?

«Do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët.»​—VEPRAT 24:15.

1. Pse vdekja duket diçka e sigurt?

«E VETMJA gjë e sigurt në këtë botë është vdekja dhe taksat.» Ky koment, i shkruar në vitin 1789 nga Benxhamin Frenklin, një burrë shteti amerikan, u është dukur i mençur disave. Por, shumë njerëz të pandershëm mashtrojnë, e kështu nuk i paguajnë taksat. Vdekja duket shumë më e sigurt. Pa ndihmë, askush nuk e shmang dot vdekjen. Ajo na ndjek të gjithëve. Me një uri të pangopur, Sheoli, varri i gjithë njerëzimit, gllabëron njerëzit tanë të dashur. (Proverbat 27:20) Por shqyrto një mendim ngushëllues.

2, 3. (a) Pse fakti që do të vdesim është më pak i sigurt nga sa e mendojnë shumë veta? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Në Fjalën e tij, Jehovai jep shpresën e sigurt të ringjalljes, të kthimit përsëri në jetë. Kjo nuk është thjesht një ëndërr dhe s’ka forcë në univers ta pengojë Jehovain që ta bëjë realitet këtë shpresë. Por, për disa vdekja nuk është aq e sigurt sa e mendojnë shumë njerëz sot. Pse jo? Sepse, një ‘shumicë e madhe’ që askush nuk është në gjendje ta numërojë, do të mbijetojë në ‘shtrëngimin e madh’ që do të vijë së shpejti. (Zbulesa 7:9, 10, 14) Ata do të vazhdojnë të jetojnë, me shpresën e jetës së përhershme. Kështu, për ta vdekja s’është diçka e sigurt. Për më tepër, ‘vdekja do të asgjësohet’.​—1 Korintasve 15:26.

3 Duhet të ndihemi po aq të sigurt sa apostulli Pavël për ringjalljen: «Do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët.» (Veprat 24:15) Le të shqyrtojmë tri pyetje që lidhen me ringjalljen. Së pari, pse është kaq e sigurt kjo shpresë? Së dyti, si mund të të ngushëllojë ty shpresa e ringjalljes? Së treti, si mund të ndikojë kjo shpresë në mënyrën se si po jeton tani?

Ringjallja është e sigurt

4. Pse ringjallja është thelbësore për qëllimin e Jehovait?

4 Ka disa faktorë që e bëjnë të sigurt ringjalljen. Para së gjithash, ajo është thelbësore për qëllimin e Jehovait. E kujtojmë që Satanai e çoi njerëzimin në mëkat, nga i cili erdhi pasoja e pashmangshme, vdekja. Kështu, Jezui tha për Satanain: «Ai ishte vrasës që nga fillimi.» (Gjoni 8:44) Por Jehovai premtoi se ‘gruaja’ e tij simbolike, organizata qiellore, do të nxirrte një ‘farë’ që do t’i shtypte kokën ‘gjarprit të hershëm’, duke e zhdukur Satanain. (Zanafilla 3:1-6, 15; Zbulesa 12:9, 10; 20:10) Ndërsa Jehovai e zbulonte dalëngadalë qëllimin e tij lidhur me këtë Farë mesianike, u bë e qartë se Fara nuk do të mjaftohej duke shkatërruar Satanain. Fjala e Perëndisë thotë: «Për këtë qëllim u shfaq Biri i Perëndisë, domethënë, për të zhbërë veprat e Djallit.» (1 Gjonit 3:8) Vdekja e shkaktuar nga mëkati që trashëguam prej Adamit është ndër veprat kryesore të Satanait që Jehovai ka si qëllim të zhbëjë, me anë të Jezu Krishtit. Për këtë, ka rëndësi jetësore flijimi shpërblyes i Jezuit dhe ringjallja.​—Veprat 2:22-24; Romakëve 6:23.

5. Pse ringjallja do t’i japë lavdi emrit të Jehovait?

5 Jehovai është i vendosur t’i japë lavdi emrit të tij të shenjtë. Satanai ka hedhur baltë mbi emrin e Perëndisë dhe ka përhapur gënjeshtra. Ai gënjeu kur tha se Adami dhe Eva ‘s’do të vdisnin aspak’ po të merrnin nga pema që Perëndia e kishte ndaluar. (Zanafilla 2:16, 17; 3:4) Që nga ajo kohë Satanai ka përhapur gënjeshtra të ngjashme, siç është mësimi i rremë se ka një shpirt që mbijeton pas vdekjes së trupit. Por, me anë të ringjalljes, Jehovai do t’i demaskojë të gjitha këto gënjeshtra. Do të provojë një herë e përgjithmonë se vetëm Ai është në gjendje të na ruajë në jetë dhe të na e rikthejë jetën.

6, 7. Si ndihet Jehovai lidhur me ringjalljen e njerëzve dhe si e dimë se ndihet kështu?

6 Jehovai ka shumë dëshirë t’i ringjallë njerëzit. Bibla e tregon qartë si ndihet Jehovai për këtë gjë. Për shembull, shqyrto këto fjalë të frymëzuar të Jobit besnik: «Po të vdesë njeriu, a kthehet prapë në jetë? Do të prisja gjithë ditët e skllavërisë sime, derisa të më vinte lehtësimi. Ti do të më thërrisje, e unë do të të përgjigjesha. Do të kishe mall për veprën e duarve të tua.» (Jobi 14:14, 15) Ç’nënkuptojnë këto fjalë?

7 Jobi e dinte se pasi të vdiste, duhej të priste një periudhë kohe në gjumin e vdekjes. Këtë kohë ai e konsideronte ‘skllavëri’, domethënë një periudhë e detyrueshme pritjeje për çlirim. Por e kishte të sigurt çlirimin. Jobi e kuptonte se do t’i vinte lehtësimi. Përse? Sepse e dinte si ndihej Jehovai. Ai ‘do të kishte mall’ ta shihte përsëri shërbëtorin e tij besnik Job. Po, Perëndia dëshiron shumë t’i sjellë përsëri në jetë të gjithë njerëzit e drejtë që kanë vdekur. Ai do t’u japë edhe të tjerëve mundësinë të jetojnë përgjithmonë në Parajsën në tokë. (Luka 23:43; Gjoni 5:28, 29) Meqë është vullneti i Perëndisë ta përmbushë këtë qëllim, kush mund ta ndalë?!

8. Si na ‘ka dhënë garanci’ Jehovai për shpresën tonë për të ardhmen?

8 Shpresën tonë për të ardhmen e garanton ringjallja e Jezuit. Pavli, kur mbajti një fjalim në Athinë, tha: «[Perëndia] ka caktuar një ditë, kur ka si qëllim të gjykojë me drejtësi tokën e banuar nëpërmjet një njeriu që ka emëruar, dhe u dha garanci të gjithëve, duke e ringjallur atë nga të vdekurit.» (Veprat 17:31) Disa nga dëgjuesit e Pavlit u tallën kur dëgjuan për ringjalljen. Por disa të tjerë u bënë besimtarë. Ndoshta i tërhoqi mendimi se kjo shpresë është e garantuar. Kur ringjalli Jezuin, Jehovai kreu mrekullinë më të madhe nga të gjitha. Ai e solli përsëri në jetë Birin e tij si një krijesë të fuqishme frymore. (1 Pjetrit 3:18) Jezui i ringjallur ishte edhe më i fuqishëm se ç’kishte qenë gjatë ekzistencës paranjerëzore. Tashmë i pavdekshëm dhe i dyti për nga fuqia pas Jehovait, Jezui është në gjendje të marrë nga Ati i tij caktime të mrekullueshme. Jezui është mjeti me anë të të cilit Jehovai kryen gjithë ringjalljet e tjera—në jetën në qiell dhe në jetën në tokë. Vetë Jezui tha: «Unë jam ringjallja dhe jeta.» (Gjoni 5:25; 11:25) Duke ringjallur Birin e tij, Jehovai i garantoi këto shpresa për gjithë njerëzit besnikë.

9. Si e vërteton vetë Bibla se ringjallja është një realitet?

9 Ringjalljet kanë ndodhur para dëshmitarëve okularë dhe janë dokumentuar në Fjalën e Perëndisë. Bibla përmban tregime të hollësishme për tetë ringjallje të njerëzve që erdhën përsëri në jetë si njerëz në tokë. Këto mrekulli nuk u kryen në fshehtësi, por haptas, shpesh para dëshmitarëve okularë. Lazarin, i cili kishte katër ditë që kishte vdekur, Jezui e ringjalli para një turme njerëzish që po vajtonin, me siguri familja e Lazarit, miqtë dhe fqinjët. Kaq e fortë ishte kjo dëshmi se Jezuin e kishte dërguar Perëndia, sa armiqtë fetarë të Jezuit kurrë nuk e mohuan se kishte ndodhur. Përkundrazi, bënë komplot që të vritnin jo vetëm Jezuin, por edhe Lazarin! (Gjoni 11:17-44, 53; 12:9-11) Po, mund të jemi të bindur se ringjallja është e sigurt. Perëndia na ka lënë të shkruara tregimet e ringjalljeve të së kaluarës, që të na ngushëllojë dhe të na forcojë besimin.

Të gjejmë ngushëllim në shpresën e ringjalljes

10. Çfarë do të na ndihmojë të gjejmë ngushëllim në tregimet e Biblës për ringjalljet?

10 A do të doje ngushëllim kur gjendesh përballë vdekjes? Një burim të sigurt ngushëllimi mund ta gjesh në tregimet e Biblës për ringjalljet. Shpresa e ringjalljes të bëhet më reale kur lexon këto tregime, mediton rreth tyre dhe përfytyron ngjarjet. (Romakëve 15:4) Ato nuk janë thjesht përralla. U kanë ndodhur me të vërtetë njerëzve realë si ne, të cilët jetonin në një kohë dhe vend real. Le të përqendrohemi shkurtimisht në njërin shembull, në ringjalljen e parë që përmendet në Bibël.

11, 12. (a) Ç’tragjedi i bie vejushës së Zarefatit dhe si reagon ajo fillimisht? (b) Përshkruani çfarë bëri për vejushën profeti Elija, me fuqinë që i tha Jehovai.

11 Përfytyroni këtë skenë. Për disa javë profeti Elija ka qenë mysafir te vejusha e Zarefatit dhe ka ndenjur në një dhomë në tarracën e shtëpisë së saj. Është një periudhë e zymtë. Rajonin e ka pllakosur thatësira dhe zia e bukës. Shumë veta po vdesin. Jehovai tashmë e ka përdorur Elijan për të shpërblyer besimin e kësaj vejushe të përulur, me anë të një mrekullie që zgjati njëfarë kohe. Kur ajo dhe djali i saj i vogël ishin duke vdekur urie dhe u kishte mbetur ushqim vetëm për një vakt, Perëndia i dha fuqi Elijas që të kryente një mrekulli, kështu që rezervat e miellit dhe e vajit vazhdonin të shtoheshin. Kurse tani, asaj i ndodh një tragjedi. Papritur, i biri sëmuret dhe pushon së marri frymë. Sa e shkretë ndihet kjo vejushë! Sikur të mos mjaftojë që jeton pa mbështetjen dhe fuqinë e një bashkëshorti, tani i vdes edhe fëmija i vetëm. Madje, nga pikëllimi ajo ia hedh fajin edhe Elijas e Perëndisë së tij, Jehovait! Ç’do të bëjë profeti?

12 Elija nuk e qorton vejushën për akuzën e gabuar. Në vend të kësaj, i thotë: «Ma jep djalin.» Pasi e çon fëmijën e vdekur te dhoma në tarracë, Elija lutet disa herë që fëmijës t’i rikthehet jeta. Së fundi, Jehovai vepron! Mendo si i shkëlqen fytyra nga gëzimi Elijas kur sheh që kraharori i fëmijës lëviz dhe ai nis të marrë frymë. Fëmija hap sytë që i shkëlqejnë tërë jetë. Elija ia çon të birin mamasë dhe thotë: «Shiko, biri yt është gjallë.» Gëzimi i saj nuk mund të përshkruhet me fjalë. Ajo thotë: «Tani vërtet e di se je njeri i Perëndisë dhe se fjala e Jehovait në gojën tënde është e vërtetë.» (1 Mbretërve 17:8-24) Besimi i saj te Jehovai dhe te përfaqësuesi i tij, është më i fortë se kurrë.

13. Pse na sjell ngushëllim sot tregimi për Elijan që ringjalli djalin e një vejushe?

13 Me siguri që ngushëllohemi shumë duke medituar rreth këtij tregimi. Sa qartë del nga ky tregim se Jehovai është në gjendje ta mposhtë armikun tonë, vdekjen! Mendo për ditën kur gëzimi i asaj vejushe të shumëfishohet me mijëra herë, gjatë ringjalljes së përgjithshme të të vdekurve! Edhe në qiell gëzimi do të jetë i madh, ndërsa Jehovai do të kënaqet duke e udhëzuar Birin e tij të kryejë ringjallje në shkallë globale. (Gjoni 5:28, 29) A të ka marrë vdekja një njeriun tënd të dashur? Sa e mrekullueshme është të dimë se Jehovai mund t’i kthejë në jetë të vdekurit dhe se do ta bëjë këtë!

Shpresa jote dhe mënyra si jeton tani

14. Si ndikon në jetën tënde shpresa e ringjalljes?

14 Si ndikon shpresa e ringjalljes në mënyrën se si po jeton tani? Kjo shpresë do të të japë forcë kur je përballë vështirësive, problemeve, përndjekjes ose rrezikut. Satanai dëshiron që ti ta kesh kaq tmerr vdekjen, sa të jesh gati ta këmbesh integritetin tënd me ndonjë premtim bosh për siguri. Mos harro se Satanai i tha Jehovait: «Njeriu jep gjithë ç’ka për shpirtin e tij.» (Jobi 2:4) Me këtë pohim, Satanai shpifi për të gjithë ne, përfshirë edhe ty. A është e vërtetë se ti nuk do t’i shërbesh më Perëndisë, po të hasësh rreziqe? Duke medituar për shpresën e ringjalljes, mund ta përforcosh vendosmërinë që të vazhdosh të bësh vullnetin e Atit tënd qiellor.

15. Si na sjellin ngushëllim fjalët e Jezuit te Mateu 10:28, kur jemi përballë rrezikut?

15 Jezui tha: «Mos u frikësoni nga ata që vrasin trupin, por që s’mund të vrasin shpirtin, por kini frikë atë që mund të shkatërrojë edhe shpirtin, edhe trupin në Gehenë.» (Mateu 10:28) S’ka pse të jemi të tmerruar nga Satanai ose nga shërbëtorët e tij njerëzorë. Është e vërtetë se disa mund të kenë fuqi që të na bëjnë keq, e madje edhe të na vrasin. Megjithatë, edhe më e keqja që mund të na bëjnë, prapëseprapë është veçse e përkohshme. Jehovai mund t’i zhbëjë dhe do t’i zhbëjë të gjitha dëmet që u janë shkaktuar shërbëtorëve të tij besnikë, madje edhe duke i ringjallur ata. Vetëm Jehovai meriton që ta kemi frikë, ta nderojmë thellësisht e ta respektojmë. Vetëm ai ka fuqinë të heqë jetën dhe çdo shpresë për jetën e ardhme, duke shkatërruar edhe trupin edhe shpirtin në Gehenë. Lumturisht, Jehovai nuk dëshiron që kjo të na ndodhë neve. (2 Pjetrit 3:9) Falë shpresës së ringjalljes, ne si shërbëtorë të Perëndisë mund të jemi gjithnjë të bindur se e kemi të ardhmen të sigurt. Nëse qëndrojmë besnikë, përpara nesh kemi jetën e përhershme, e Satanai dhe larot e tij nuk mund të bëjnë asgjë për ta ndalur këtë.​—Psalmi 118:6; Hebrenjve 13:6.

16. Si ndikon pikëpamja jonë te përparësitë që kemi në jetë?

16 Në qoftë se shpresa e ringjalljes është reale për ne, do të na modelojë qëndrimin që kemi ndaj jetës. E kuptojmë se «edhe nëse jetojmë, edhe nëse vdesim, i përkasim Jehovait». (Romakëve 14:7, 8) Prandaj, kur duhet të vendosim çfarë ka përparësi në jetë, zbatojmë këshillën e Pavlit: «Mjaft u brumosët sipas kësaj bote, por shndërrohuni, duke përtërirë mendjen tuaj, që të vërtetoni se cili është vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë.» (Romakëve 12:2) Shumë njerëz vrapojnë si të çmendur për të kënaqur çdo dëshirë, çdo ambicie, çdo impuls që kanë. Ngaqë për ta jeta është e shkurtër, duan të kenë me çdo kusht çdo kënaqësi. Edhe sikur të kenë një formë adhurimi, sigurisht që nuk është në përputhje me ‘vullnetin e përsosur të Perëndisë’.

17, 18. (a) Si e pranon Fjala e Perëndisë se jeta e njeriut është e shkurtër, por çfarë dëshiron Perëndia për ne? (b) Pse jemi të nxitur ta lëvdojmë çdo ditë Jehovain?

17 Vërtet që jeta është e shkurtër. Ajo ‘kalon shpejt dhe ne fluturojmë tutje’, ndoshta kur jemi ende 70 a 80 vjeç. (Psalmi 90:10) Njerëzit vijnë e ikin si bari i gjelbër, si një hije që kalon, si avulli. (Psalmi 103:15; 144:3, 4) Por Perëndia nuk kishte si qëllim që ne të kalonim disa dhjetëvjeçarë duke u rritur e duke fituar ca mençuri e përvojë, vetëm për të kaluar ca dhjetëvjeçarë të tjerë duke rënë nga shëndeti e duke shkuar drejt vdekjes. Jehovai i krijoi njerëzit me dëshirën që të jetojnë përgjithmonë. Bibla thotë se ai «ka vënë edhe përjetësinë në zemrën e tyre». (Eklisiastiu 3:11) Mos është mizor Perëndia, duke na dhënë këtë dëshirë, e pastaj duke e bërë të pamundur përmbushjen e saj? Jo, aspak, sepse «Perëndia është dashuri». (1 Gjonit 4:8) Ai do të përdorë ringjalljen për t’u bërë të mundur jetën e përhershme edhe njerëzve që kanë vdekur.

18 Falë shpresës së ringjalljes, mund të kemi një të ardhme të sigurt. Nuk ka nevojë të vrapojmë si të çmendur, të detyruar për të arritur maksimumin e aftësive tona që sot. S’ka pse ta përdorim «plotësisht» këtë botë që po mbaron. (1 Korintasve 7:29-31; 1 Gjonit 2:17) Ndryshe nga ata që jetojnë pa një shpresë reale, ne kemi dhuratën e mrekullueshme që dimë se po t’i mbetemi besnikë Perëndisë Jehova, do të kemi para nesh gjithë përjetësinë për ta lëvduar atë e për të gëzuar jetën. Pra, le të bëjmë çmos që ta lëvdojmë përditë Jehovain, i cili e bën të sigurt shpresën e ringjalljes!

Si do të përgjigjeshit?

• Si duhet të ndihemi për ringjalljen?

• Cilët faktorë e bëjnë të sigurt shpresën e ringjalljes?

• Si mund të të ngushëllojë shpresa e ringjalljes?

• Si mund të ndikojë shpresa e ringjalljes në mënyrën se si po jeton?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 28]

Jobi e dinte se Jehovai ka shumë dëshirë t’i ringjallë të drejtët

[Figura në faqen 29]

«Shiko, djali yt është gjallë»