A ka dalë ligësia jashtë kontrollit?
A ka dalë ligësia jashtë kontrollit?
Një djalë i vogël kureshtar merr një objekt nga toka—një minë tokësore—dhe verbohet e gjymtohet për gjithë jetën. Një nënë braktis foshnjën që sapo ka lindur, duke e fshehur mes plehrave buzë rrugës. Një punëtor që e kanë pushuar nga puna, kthehet aty ku punonte më parë, nxjerr një armë, vret këdo që gjen përpara dhe pastaj vret veten. Një qytetar i respektuar abuzon seksualisht me fëmijë të pambrojtur.
MJERISHT, lajmet për veprime të tilla të liga janë bërë më se të zakonshme në kohën tonë. Edhe më e mjerueshme është se këto lajme duken të papërfillshme kur dëgjon për spastrime etnike, për gjenocid e për terrorizëm. Në një kryeartikull të botuar në vitin 1995 thuhej: «Në orët e tij më të këqija, ky shekull ka qenë shekulli i Satanait. Në asnjë epokë tjetër më parë njerëzit nuk kanë treguar kaq shumë aftësi dhe etje për të vrarë miliona njerëz të tjerë për shkak të racës, fesë ose të klasës shoqërore.»
Në të njëjtën kohë, njerëzit po ndotin ajrin, tokën, po i shkundin rezervat e saj dhe po çojnë drejt zhdukjes me mijëra lloje kafshësh. A mund t’i kapërcejë njeriu të gjitha këto ligësi dhe ta bëjë botën një vend më të mirë e më të sigurt? Apo përpjekjet për të bërë këtë do të ishin sikur të përpiqeshe ta ktheje mbrapsht baticën e detit me një fshesë? Një profesor, i cili ka shkruar gjerë e gjatë për temën e ligësisë, tha: «Kam ndier një nevojë shumë të fortë për ta ndryshuar botën, për ta përmirësuar. Por bota nuk po bën ndonjë përmirësim të dukshëm.» Ndoshta edhe ju ndiheni njësoj.
Drejtimi që po merr kjo botë mund të krahasohet me një anije që lundron në një det që bëhet çdo ditë e më i trazuar dhe i rrezikshëm. Edhe pse askush nuk dëshiron të shkojë në atë drejtim, të gjitha përpjekjet për të ndryshuar kursin e anijes dështojnë. Ajo shkon përpara duke u zhytur kokë e këmbë në stuhinë vdekjeprurëse, dhe asgjë nuk e ndal.
Deri në njëfarë mase, mund të thuhet se shkak për këtë situatë që sa vjen e keqësohet, është papërsosmëria njerëzore. (Romakëve 3:23) Po gjithsesi, shkalla e ligësisë, shtrirja e gjithanshme dhe rritja e saj e pandalshme duken shumë më të mëdha sesa dashaligësia që janë në gjendje të tregojnë njerëzit. A është e mundur që njerëzimin po e manipulon një forcë e padukshme, por e fuqishme dhe e ligë? Nëse po, cila është kjo forcë dhe si mund të mbrohemi? Artikulli vijues do t’u përgjigjet këtyre pyetjeve.
[Burimi i figurës në faqen 3]
© Heldur Netocny/Panos Pictures