Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Demaskohet burimi i ligësisë!

Demaskohet burimi i ligësisë!

Demaskohet burimi i ligësisë!

NË SHEKULLIN e parë, shumë judenj po pritnin të vinte Mesia i premtuar. (Gjoni 6:14) Kur erdhi Jezui, u solli njerëzve ngushëllim dhe kuptueshmëri më të qartë. Shëroi të sëmurët, ushqeu të uriturit, mbajti nën kontroll elementet e natyrës dhe ringjalli të vdekurit. (Mateu 8:26; 14:14-21; 15:30, 31; Marku 5:38-43) Gjithashtu thoshte fjalët e Jehovait dhe theksoi premtimin e jetës së përhershme. (Gjoni 3:34) Me fjalët dhe me veprat e tij, Jezui e tregoi plotësisht se ishte Mesia, ai që do ta çlironte njerëzimin nga mëkati dhe nga të gjitha pasojat e këqija të tij.

Logjikisht, udhëheqësit fetarë judenj duhej të ishin të parët që ta mirëpritnin Jezuin, ta dëgjonin e ta pranonin me gëzim drejtimin e tij. Por ja që nuk e bënë këtë. Ata e urryen, e përndoqën dhe madje bënë komplot për ta vrarë!​—Marku 14:1; 15:1-3, 10-15.

Me të drejtë, Jezui i dënoi ata njerëz të këqij. (Mateu 23:33-35) Gjithsesi, tha që fajin për ligësinë e zemrave të tyre e kishte edhe dikush tjetër. Ai u tha: «Ju jeni nga ati juaj, Djalli, dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj. Ai ishte vrasës që nga fillimi dhe nuk qëndroi i vendosur në të vërtetën, sepse e vërteta nuk është në të. Kur thotë gënjeshtra, i thotë se ashtu e ka natyrën, sepse ai është gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës.» (Gjoni 8:44) Edhe pse Jezui e pranoi se njerëzit janë të aftë të bëjnë gjëra të liga, ai identifikoi tamam burimin e ligësisë: Satana Djallin.

Duke thënë që Satanai «nuk qëndroi i vendosur në të vërtetën», Jezui zbuloi se kjo krijesë frymore një herë e një kohë ishte shërbëtor besnik i Perëndisë, por u shmang nga ajo rrugë e drejtë. Pse u rebelua Satanai kundër Jehovait? Sepse ushqeu ndjenja krenarie deri në atë pikë, sa lakmoi adhurimin që i takon vetëm Perëndisë. *​—Mateu 4:8, 9.

Rebelimi i Satanait u bë i dukshëm në kopshtin e Edenit, kur e mashtroi Evën që të hante frytin e ndaluar. Duke thënë gënjeshtrën e parë në histori dhe duke shpifur për Jehovain, Satanai e bëri veten ‘atin e gënjeshtrës’. Për më tepër, duke e joshur Adamin dhe Evën që të mos bindeshin, bëri që mbi ta të sundonte mëkati, që në fund çoi në vdekjen e tyre dhe të brezave të ardhshëm. Kështu, Satanai e bëri veten edhe «vrasës», madje vrasësin më mizor të të gjitha kohëve!​—Zanafilla 3:1-6; Romakëve 5:12.

Ndikimi i lig i Satanait preku edhe krijesat frymore, pasi ai nxiti engjëj të tjerë që të bashkoheshin me të në rebelim. (2 Pjetrit 2:4) Ashtu si Satanai, këto krijesa të liga frymore treguan interes të papërshtatshëm për njerëzit. Por në rastin e tyre ishte një interes i degjeneruar seksual, me pasoja të liga e shkatërrimtare.

Ligësia mbush tokën

Bibla na thotë: «Kur njerëzit nisën të shtoheshin . . . dhe u lindën bija, bijtë e Perëndisë së vërtetë filluan të vinin re që bijat e njerëzve ishin të bukura. Kështu nisën të merrnin për gra të gjitha ato që zgjodhën.» (Zanafilla 6:1, 2) Cilët ishin «bijtë e Perëndisë të vërtetë»? Ishin krijesa frymore, jo njerëz. (Jobi 1:6; 2:1) Si e dimë këtë? Një arsye është se martesat ndër njerëzit kishin rreth 1.500 vjet që bëheshin dhe s’kishte pse të përmendeshin në mënyrë të veçantë. Kështu, duke tërhequr vëmendjen te bashkimi seksual i ‘bijve të Perëndisë së vërtetë’ që morën trupa njerëzorë dhe pastaj morën «bijat e njerëzve», tregimi po bën të qartë diçka të padëgjuar më parë, diçka jonormale.

Që ishin bashkime jonormale, e vërtetojnë pasardhësit që lindën nga këto lidhje. Këta quheshin nefilimë dhe ishin hibridë që, kur u rritën, u bënë gjigantë. Ishin edhe tiranë të ligj. Në fakt, fjala «nefilimë» do të thotë «rrëzues» ose «ata që rrëzojnë të tjerët». Këta barbarë përshkruhen si «të fuqishmit e kohëve të lashta, burra me famë».​—Zanafilla 6:4, shënimi.

Me nefilimët dhe etërit e tyre, ligësia arriti kulmin. «Toka u prish para syve të Perëndisë së vërtetë dhe u mbush me dhunë»,​—thuhet te Zanafilla 6:11. Po, njerëzit përvetësuan sjelljen e dhunshme e të shthurur të atyre që kishin ardhur rishtas mes tyre.

Si e ushtronin nefilimët dhe etërit e tyre këtë ndikim të fuqishëm e të lig mbi njerëzit? Duke shfrytëzuar prirjen dhe dëshirat mëkatare të njerëzve. Me çfarë pasojash? «Çdo njeri e kishte prishur udhën e tij në tokë.» Përfundimisht, Jehovai e shkatërroi atë botë me një Përmbytje globale, duke kursyer vetëm Noenë dhe familjen e tij. (Zanafilla 6:5, 12-22) Kurse engjëjt që kishin marrë trupa njerëzish u kthyen të poshtëruar në sferën frymore. Si demonë të degjeneruar, ata vazhduan t’i kundërviheshin Perëndisë dhe familjes së tij të drejtë me engjëj besnikë. Duket se që nga ajo kohë, Perëndia ua ndaloi këtyre krijesave të liga frymore të merrnin përsëri trupa njerëzorë. (Juda 6) Gjithsesi, ata kanë vazhduar të ushtrojnë një forcë të madhe në çështjet e njerëzve.

I ligu demaskohet plotësisht!

Shtrirja e ndikimit të lig të Satanait zbulohet te 1 Gjonit 5:19, ku thuhet: «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.» Djalli po e manovron njerëzimin drejt një stuhie mjerimesh që sa vjen e shtohet. Madje ai është më i vendosur se kurrë që të bëjë sa më shumë dëme. Përse? Sepse, pasi u vendos Mbretëria e Perëndisë në qiell në vitin 1914, ai dhe demonët u dëbuan nga qielli. Lidhur me këtë dëbim, Bibla paratha: «Mjerë ti tokë . . . , sepse Djalli zbriti ndër ju me zemërim të madh, ngaqë e di se ka një periudhë kohe të shkurtër!» (Zbulesa 12:7-12) Po si e ushtron sot Satanai ndikimin e tij mbi njerëzimin?

Kryesisht Satanai e bënë këtë duke nxitur një frymë që udhëheq mënyrën si mendojnë e si veprojnë njerëzit. Në përputhje me këtë, tek Efesianëve 2:2 Djalli quhet ‘sundimtari i autoritetit të ajrit, frymës [ose qëndrimit mbizotërues] që tani vepron në bijtë e mosbindjes’. Ky ‘ajër’ demonik natyrisht që nuk nxit frikën nga Perëndia dhe mirësinë, por rebelimin kundër Perëndisë dhe normave të tij. Kështu Satanai dhe demonët nxitin dhe rëndojnë ligësitë që kryejnë njerëzit.

«Ruaj zemrën»

Një shenjë e këtij ‘ajri’ është epidemia e pornografisë, e cila nxit dëshirat e papërshtatshme seksuale dhe e bën të duket tërheqëse sjelljen e pështirë. (1 Selanikasve 4:3-5) Disa tema që pornografia i paraqet si zbavitëse janë përdhunimi, sadizmi, përdhunimi në grup, marrëdhëniet seksuale me kafshët dhe abuzimi seksual i fëmijëve. Edhe në format e saj më pak të dëmshme, pornografia mund të shkaktojë një varësi të fortë, dhe i dëmton ata që e shohin ose e lexojnë duke i kthyer në njerëz që vazhdimisht kërkojnë kënaqësi seksuale duke parë pamje seksuale. * Është një e keqe që dëmton edhe marrëdhëniet njerëzore, edhe marrëdhënien që ka dikush me Perëndinë. Pornografia pasqyron mendësinë e degjeneruar të demonëve që e nxitin. Këta ishin rebelët, dëshirat e papërshtatshme seksuale të të cilëve filluan që në kohën e Noesë, para Përmbytjes.

Nisur nga arsye të forta, Solomoni i mençur këshilloi: «Më shumë se gjithçka tjetër që duhet ruajtur, ruaj zemrën, sepse prej saj dalin burimet e jetës.» (Proverbat 4:23) Në mënyrë praktike, të ruash zemrën nga kurthi i pornografisë do të thotë të ndryshosh kanalin televiziv ose të fikësh kompjuterin nëse shfaqen pamje erotike, dhe është e rëndësishme të veprosh shpejt e me vendosmëri! Mendoje veten si një ushtar që po përpiqet t’i shmanget një plumbi të drejtuar në zemër. Satanai ka në shënjestër zemrën tënde simbolike, aty ku ndodhen motivet dhe dëshirat, e përpiqet ta ndotë atë.

Gjithashtu duhet ta mbrosh zemrën nga dashuria për dhunën, sepse Djalli e di se «atë që do dhunën, [Jehovai] e urren». (Psalmi 11:5) Që të të kthejë në armik të Perëndisë, Satanai s’ka pse të të bëjë një njeri të lig e të etur për gjak; i mjafton të ushqejë te ti dashurinë për dhunën. S’është rastësi që dhuna, shpesh e ndërthurur me okultizmin, ka mbushur mediat që shihen nga një pjesë e madhe e popullsisë. Nefilimët vërtet kanë vdekur, por tiparet dhe sjellja e tyre vazhdojnë ende të shfaqen me forcë! A po tregon se i kundërvihesh intrigave të Satanait me zbavitjen që zgjedh?​—2 Korintasve 2:11.

Si t’i kundërvihesh ndikimit të lig të Satanait?

Forcat e së ligës mund të duken shumë të fuqishme. Bibla thekson se ata që përpiqen t’i pëlqejnë Perëndisë, përveç luftës që u duhet të bëjnë me natyrën e tyre të papërsosur, ‘kanë një përleshje me forcat e liga frymore’. Për të fituar këtë betejë e për të pasur miratimin e Perëndisë, duhet të përdorim masat e shumta që ka siguruar Perëndia.​—Efesianëve 6:12; Romakëve 7:21-25.

Ndër to përfshihet fryma e shenjtë e Perëndisë, që është forca më e fuqishme në univers. Apostulli Pavël u shkroi të krishterëve të shekullit të parë: «Ne nuk morëm frymën e botës, por frymën që është nga Perëndia.» (1 Korintasve 2:12) Ata që udhëhiqen nga fryma e Perëndisë, zhvillojnë dashuri për gjërat që Perëndia i do dhe urrejtje për gjërat që ai urren. (Amosi 5:15) Si mund ta marrim frymën e shenjtë? Kryesisht nëpërmjet lutjes, studimit të Biblës (pasi Bibla vetë është produkt i frymës së shenjtë) dhe shoqërisë së shëndetshme me ata që e duan vërtet Perëndinë.​—Luka 11:13; 2 Timoteut 3:16; Hebrenjve 10:24, 25.

Duke përdorur këto masa që ka siguruar Perëndia, fillon të veshësh «armaturën e plotë të Perëndisë», të vetmen mbrojtje të sigurt kundër «intrigave të Djallit». (Efesianëve 6:11-18) Tani është më urgjente se kurrë që t’i përdorim plotësisht këto masa. Përse?

Ligësia i ka ditët e numëruara!

«Të ligjtë mbijnë si bari dhe të gjithë ata që merren me të këqija, lulëzojnë, vetëm që të shfarosen përgjithmonë»,​—thotë psalmisti. (Psalmi 92:7) Po, ashtu si në ditët e Noesë, përhapja e madhe e ligësisë sot është shenjë se së shpejti do të vijë gjykimi nga Perëndia, jo thjesht kundër njerëzve të ligj, por edhe kundër Satanait e demonëve të tij. Këta do të hidhen në një humnerë në gjendje joaktive, që i paraprin shkatërrimit të tyre përfundimtar. (2 Timoteut 3:1-5; Zbulesa 20:1-3, 7-10) Kush do ta ekzekutojë këtë gjykim? Askush tjetër veç Jezu Krishtit, për të cilin lexojmë: «Për këtë qëllim u shfaq Biri i Perëndisë, domethënë, për të zhbërë veprat e Djallit.»​—1 Gjonit 3:8.

A ke një dëshirë të fortë që ligësia të marrë fund? Nëse po, mund të gjesh ngushëllim në premtimet që ka Bibla. S’ka asnjë libër tjetër që të demaskojë burimin e vërtetë të ligësisë, Satanain, dhe që të tregojë se si do të zhduken përfundimisht ai dhe gjithë veprat e tij të liga. Të nxitim të marrësh njohuri të saktë për Biblën, që të mbrohesh nga ndikimet e liga të Satanait tani dhe të sigurosh shpresën për të jetuar në një botë pa ligësi.​—Psalmi 37:9, 10.

[Shënimet]

^ par. 5 Emri fillestar i engjëllit që u bë Satana nuk dihet. Termat «Satana» dhe «Djall» kanë kuptimin «Kundërshtar» dhe «Shpifës». Në disa aspekte, rruga që ndoqi Satanai është shumë e ngjashme me rrugën që ndoqi mbreti i lashtë i Tirit. (Ezekieli 28:12-19) Që të dy ishin të patëmetë në fillimet e tyre, por ranë viktimë e fodullëkut të tyre.

^ par. 17 Shih serinë e artikujve «Pornografia​—E dëmshme apo e padëmshme?», në Zgjohuni! 22 korrik 2003, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Kutia dhe figura në faqen 6]

Legjenda me një grimë të vërtete

Tregimet me gjysmëperëndi, gjigantë dhe një përmbytje katastrofike, gjenden në mitologji të lashta anembanë botës. Për shembull, Epi i Gilgameshit, në gjuhën akadiane, përmend një përmbytje, një anije dhe të mbijetuar. Gilgameshi vetë përshkruhej si gjysmëperëndi e gjysmënjeri, i shthurur e i dhunshëm. Në mitologjinë acteke flitet për një botë të lashtë ku banonin gjigantë dhe për një përmbytje të madhe. Legjendat skandinave përmendin një racë gjigantësh dhe Bergelmirin e mençur, i cili ndërtoi një varkë të madhe dhe shpëtoi veten e gruan e tij. Dëshmitë e përbashkëta të të gjitha këtyre legjendave vërtetojnë dëshminë e Biblës se të gjithë njerëzit kanë ardhur nga ata që mbijetuan prej një përmbytjeje të madhe që shkatërroi një botë të lashtë të ligë.

[Figura]

Pllakë ku është mbishkruar Epi i Gilgameshit

[Burimi]

Muzeu i Universitetit, pranë Universitetit të Pensilvanisë (neg. # 22065)

[Figura në faqen 5]

Tiparet e nefilimëve duken qartë te njerëzit sot

[Figura në faqen 7]

Njohuria e saktë na jep forcë që t’u kundërvihemi ndikimeve të liga